Kreu Çmime Han Kang: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë që ‘Vegjetariania’ do të gjente...

Han Kang: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë që ‘Vegjetariania’ do të gjente kaq shumë lexues”

Autorja e romanit “Vegjetarania” flet për ndikimin e fitimit të Çmimit Ndërkombëtar Booker, si është pritur romani në mbarë botën dhe për debatin se çfarë do të thotë të jesh njeri.
Kjo intervistë është realizuar në 28 korrik 2023. Han Kang
u shpall fituese i Çmimit Nobel në Letërsi 2024, më 10 tetor 2024.

Përktheu Granit Zela

Ishe fituesja e parë e Çmimit Ndërkombëtar Booker pas ndryshimit të rregullave për vitin 2016. Si u ndjeve pasi fitove dhe çfarë domethënie pati për ty?

E shkrova Vegjetariania midis viteve 2003 dhe 2005 dhe e botova si roman të plotë në vitin 2007. Mbaj mend që mendova se ishte mjaft e çuditshme (për mirë) fitimi i Çmimit Ndërkombëtar Booker në vitin 2016, më shumë se një dekadë më vonë. Që nga fitimi i çmimit, veprat e mia të tjera duke përfshirë Veprime njerëzore, Libri i bardhë dhe Mësimet greke, si dhe romani im më i fundit, Ne nuk ndahemi, janë përkthyer ose po përkthehen në disa gjuhë. Jam mirënjohëse që Çmimi Ndërkombëtar Booker ka ndihmuar në mënyrë të paçmuar veprat e mia për të arritur te një numër më i madh lexuesish në kultura të ndryshme.

Ishit edhe koreanja e parë që u nominuat, dhe e fituat çmimin. A mendoni se letërsia koreane u bë më e njohur pas fitores suaj, apo gjithsesi tashmë po bëhej më e dukshme në nivel ndërkombëtar?

Në atë kohë, tashmë kishte poetë dhe shkrimtarë të shkëlqyer koreanë si Kim Hyesoon, veprat e të cilëve ishin përkthyer në anglisht. Tani, gjithnjë e më shumë vepra të shkrimtarëve koreanë po përkthehen dhe botohen jashtë shtetit. Vitet e fundit, numri i përkthyesve që përkthejnë letërsinë koreane është rritur në mënyrë dramatike, një dukuri që duket të jetë gjithashtu e lidhur ngushtë me suksesin global të kinemasë koreane dhe muzikës pop.

Romani u mbështet në tregimin e vitit 1997 Fryti i gruas sime. Çfarë të frymëzoi që ta zhvillonit në një roman të plotë, apo në një histori në tre pjesë?

Pasi shkrova “Fryti i gruas sime”, shpresoja që një ditë të shkruaja një variant të asaj historie. Vetëm pasi shkrova dy romane të plota munda ta bëja këtë në romanin e tretë, Vegjetariania. Në veçanti, pjesa e parë e Vegjetariania ruan shumë gjurmë formale të tregimit zanafillor. Për shembull, burri merr rolin e një rrëfimtari jo të besueshëm dhe zëri i protagonistes femër shfaqet vetëm pjesërisht, në ëndrra ose në monologë drejtuar nënës së saj. Dallimi midis këtyre dy rrëfimeve për një grua që bëhet – ose dëshiron të bëhet – një bimë qëndron në nivelin e errësirës, ​​pasionit dhe thellësisë. Vegjetariania është shumë më e errët, më e thellë dhe e dhimbshme; asgjë e mbinatyrshme nuk ndodh si në “Fryti i gruas sime” dhe personazhet fundosen në makthin e mallkimit të tyre në mes të realitetit brutal. Një ndryshim tjetër është se protagonistja e romanit ka një motër, gjë që krijon një ndjenjë të çuditshme vetëidentifikimi.

 Vegjetariania është përkthyer në mbi 20 gjuhë. A ka qenë i ndryshëm reagimi ndaj romanit në vende të ndryshme dhe a ju ka habitur ndonjë nga këto reagime? A ka tërhequr lexues të ndryshëm (p.sh. lexues të rinj) në vende të ndryshme apo ka pasur jehona të larmishme?

Është intriguese të shohësh ndryshimet e mprehta në interpretim midis kulturave dhe brezave të ndryshëm, por ajo që më bën përshtypje edhe më shumë është mënyra se si është pritur romani në përgjithësi. Për shembull, ai është mirëpritur dhe kuptuar më shumë nga lexueset femra kudo.

Për botimin në anglisht, keni punuar me përkthyesen e librit, Deborah Smith (Smith e ka mësuar si autodidakte koreanishten dhe ky ishte libri i parë që ajo ka përkthyer). Si ishte kjo përvojë, krahasuar me përkthimet në gjuhë të tjera? Dhe si u ndjetë kur pati disa polemika rreth përkthimit?

Ndryshe nga shqetësimet e shprehura nga shumëkush, nuk besoj se përkthyesja i është larguar qëllimisht origjinalit dhe as nuk besoj se ka krijuar një vepër të re krejtësisht të ndryshme nga origjinali. Gabimet janë korrigjuar dhe përkthimi është për nga natyra e tij një akt jashtëzakonisht i vështirë dhe i ndërlikuar që përfshin humbje dhe zbulim. Lirizmi, ritmet, tensioni poetik, delikatesa, kuptimet e shtresëzuara, konteksti kulturor i gdhendur fort i gjuhës së nisjes – gjithçka që është e mundur vetëm në atë gjuhë – humbet në mënyrë të pashmangshme në kalimin në gjuhën e mbërritjes. Detyra sfiduese për çdo përkthyes është të kalojë nëpër këtë tunel të errët të humbjes dhe të gjejë barasvlerësit ose analogjitë më të afërta për të qenë sa më besnik ndaj tekstit origjinal.

Për herë të parë hasa në versionin anglisht të “Vegjetariania” kur shtëpia botuese Granta Books më dërgoi dosjen e provës së parë. Asokohe isha aq e përhumbur pas shkrimit të Veprime njerëzore saqë, për të qenë e sinqertë, kalova rreth tre ose katër orë duke lexuar dorëshkrimin pa kërkuar asnjë fjalë në fjalor. Gjatë leximit, vura re disa gabime dhe shkëmbeva disa imejlje me Deborën rreth tyre. Kaq ishte përfshirja ime në procesin e përkthimit të Vegjetariania. Megjithatë, në vitin 2015, kur Deborah po punonte për Veprime njerëzore, nuk po shkruaja asgjë tjetër, kështu që pata qetësinë e mendjes për t’u përfshirë në një dialog më të detajuar me të. Kur Deborah përktheu Librin e bardhë në vitin 2017, e krahasuam dorëshkrimin me tekstin origjinal fjali për fjali. Më vonë, kur u hap një debat i zjarrtë mbi përkthimin e Vegjetariania, urova të kisha kaluar po aq shumë kohë duke rishikuar përkthimin sa me Veprime njerëzore. Në fakt, ndoshta duhet të kisha porositur një ekspert që ta krahasonte fjali për fjali me origjinalin.

Debati duket se ka qenë një përzierje pështjelluese e dy argumenteve. E para është përkthimi i gabuar, pasi janë bërë gabime. Kishte përkthime të gabuara të shkronjave kineze dhe hamendësime të pasakta rreth kontekstit kur kryefjala hiqeje nga fjalia, siç ndodh shpesh në koreanisht. Në vitin 2017, Deborah bëri 67 korrigjime mbështetur në çështjet e ndryshme të ngritura. Botimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA të Vegjetariania, të ribotuar në vitin 2018, si dhe botimet e përkthyera në anglisht, u rishikuan më pas mbështetur në këto korrigjime. Do të doja të përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë ata që gjetën gabime në përkthim dhe më dërguan imejl.

Pika e dytë e mosmarrëveshjes është shkalla në të cilën përkthimi shmanget nga teksti origjinal. Problemi këtu është se përkthimet e gabuara janë përdorur si dëshmi për këtë argument. Për shembull, fjala koreane cheohyeong i referohet motrës më të madhe të gruas së dikujt, por duke qenë se pjesa e parë e fjalës (cheo) do të thotë “grua” dhe pjesa e dytë (hyeong) do të thotë “vëlla më i madh”, mund të jetë pështjelluese për një fillestar, i cili mund ta marrë për të nënkuptuar vëllain më të madh të gruas së dikujt. Gabimi që rezultoi çoi në keqkuptimin se përkthyesi kishte ndryshuar personazhet. Gjithashtu, përkthimit në anglisht i mungon rreth gjysmë faqe e tekstit origjinal, që e kuptoj se ishte një vendim redaktues nga ana e botuesit. Përkthyesja kishte përkthyer me zell çdo fjali.

Vegjetariania kombinon bukurinë me tmerrin. Është një histori që ndonjëherë bëhet brutale dhe shqetësuese, me skena të dhunës fizike dhe seksuale, skena të të ushqyerit me forcë dhe një parandjenjë vdekjeje. Çfarë ju tërheq të shkruani për tema dhe veprime më të errëta njerëzore?

Doja te merreshe me pyetjet që kisha për botën dhe njerëzimin në formën e tre pjesëve rreth dy motrave që bërtasin në heshtje: njëra që dëshiron të mos jetë pjesë e racës njerëzore, duke refuzuar të hajë mish, duke besuar se është shndërruar në një bimë, dhe tjetra që dëshiron të ruaj motrën nga vdekja, duke e kundërshtuar dhe si pasojë duke i shkaktuar dhimbje vetes. Kur shkruaj romane, e gjej veten duke u përpjekur të arrij në fund të një pyetjeje – jo të një përgjigjeje – që më më ka tërhequr të shkruaj në fillim për të. Për të depërtuar në pyetjet që kisha për kuptimin e të qenit njeri, ishte e pashmangshme të kaloja nëpër skena dhe imazhe kaq prekëse.

Historia është e pasur me ikonografi pamore dhe motive të përsëritura. Kishit ndërmend t’i shkruanit këto, apo u zhvilluan natyrshëm? Sa të rëndësishëm janë këto elemente pamor të rrëfimit?

Kur shkruaj letërsi, u kushtoj shumë rëndësi shqisave. Dua të përcjell ndjesitë e gjalla të shqisave si dëgjimi dhe prekja, duke përfshirë imazhet pamore. I përfshij këto ndjesi në fjalitë e mia si një rrymë elektrike dhe më pas, çuditërisht, lexuesi e dallon atë rrymë. Përvoja e asaj lidhjeje për mua është çdo herë e jashtëzakonshme.

E shkruat Vegjetariania në vitin 2007, dhe kur u përkthye në anglisht në vitin 2015, shumë lexues dhe recensentë menduan se ishte një parabolë, një koment tabushkelës mbi etikën dhe shoqërinë koreane, si dhe normat patriarkale. 16 vjet më vonë, sa mendoni se qëndron kjo?

Jam dakord që romani mund të lexohet si një parabolë kundër patriarkatit. Megjithatë, nuk mendoj se kjo është unike për shoqërinë koreane. Mund të ketë dallime në nivele, por a nuk është universale? Nuk nisa të shkruaj për të krijuar një portret të shoqërisë koreane në veçanti.

Vegjetariania sfidon strukturat konvencionale rrëfimore. Historia e Yeong-hye tregohet përmes tre rrëfimtarëve, megjithatë asaj rrallë i lejohet të ketë një zë. Pse zgjodhët të shkruani për protagonisten në këtë mënyrë?

Yeong-hye është një personazh radikal dhe e fortë. Ajo është e vendosur të bëhet një bimë për të shpëtuar veten. Ironia, natyrisht, është se përpjekjet e sjellin më afër vdekjes. Në vend që Yeong-hye të fliste drejtpërdrejt, doja të tregoja përmes rrëfimit të personazheve të tjerë se si ajo vëzhgohet, urrehet, keqkuptohet, mëshirohet dhe objektivizohet. I imagjinova çastet kur lexuesit bashkojnë të vërtetën e saj siç del nga këto keqkuptime.

Përveç fitimit të Çmimit Ndërkombëtar Booker, Vegjetariania fitoi çmimin letrar Yi Sang, duke marrë vlerësime nga kritikët dhe u rendit në disa lista “libri më i mirë i vitit”. Si u ndjeve pasi shkrove diçka që është vlerësuar në mbarë botën? Çfarë ndikimi pati kjo në karrierën tënde në vitet në vijim?

Tre vitet që kalova duke shkruar Vegjetariania ishin kohë e vështirë për mua dhe nuk e imagjinoja kurrë që një ditë do të gjente kaq shumë lexues. Në atë kohë, nuk isha e sigurt nëse do të mund ta mbaroja romanin, apo edhe të mbijetoja si shkrimtare. Vuaja nga artriti i përkeqësuar në gishta, kështu që i shkrova dy pjesët e para me një ritëm të qetë, duke përdorur një stilolaps që rrëshqiste pa probleme në letër, dhe më pas shkrova pjesën e fundit duke mbajtur dy stilolapsa me kokë poshtë. Edhe sot e kësaj dite, ndihem në siklet kur dëgjoj për “suksesin” e romanit, veçanërisht pasi protagonistja, Yeong-hye, duket se nuk i përshtatet fjalës “sukses”.

Në njëfarë mënyre, e kalova atë periudhë të jetës sime dhe e përfundova romanin. Më pas munda të kaloja në tjetrin. Në skenën e fundit të Vegjetariania, motra e Yeong-hye-s shikon nga dritarja e ambulancës “Sikur pret një përgjigje. Sikur po proteston kundër diçkaje”. Në të vërtetë, ndiej se i gjithë romani pret një përgjigje dhe po proteston kundër diçkaje. Zakonisht, pyetjet me të cilat më mbeten pas shkrimit të një romani më shtyjnë drejt romanit tjetër, kështu, romanin e katërt e shkrova duke filluar me pyetjen në skenën e fundit të Vegjetariania: si të pajtohemi me jetën njerëzore, e cila është kaq e bukur dhe kaq e dhunshme në të njëjtën kohë? Pastaj pyetja e shtruar në fund të romanit të katërt u bë pikënisja e veprës sime të re. Kështu kam shkruar deri tani. Kam filluar të shkruaj një roman të ri këtë verë, duke pritur të arrij që do të gjej në fund.

Cilat janë tri vepra të letërsisë së përkthyer koreane që ua rekomandoni lexuesve dhe pse?

Do të doja të rekomandoja Njëqind hijet nga Hwang Jungeun, përkthyer nga Jung Yewon; Lidhur me vajzën time nga Kim Hye-jin, përkthyer nga Jamie Chang; dhe Lepuri i mallkuar nga Bora Chung, përkthyer nga Anton Hur. Të tre veprat nuk e shmangin kurrë shikimin, por depërtojnë drejtpërdrejt në botën dhe brendësinë e njeriut.

Exit mobile version