Kreu Letërsi Bibliotekë “Grataçiela të Nju Jorkut”, poezi nga Roland Gjoza

“Grataçiela të Nju Jorkut”, poezi nga Roland Gjoza

GRATAÇIELA TË NJU JORKUT

grataçiela të nju jorkut
poshtë jush lëvrijnë si mizat e dheut njerëzit e kasolleve dhe barakave
që vijnë nga e gjithë bota
vij dhe unë nga një shtëpi përdhese prej qerpiçi
që e fuste shiun brenda
dhe e mblidhte nëna
në legenë e tenxhere që i vinte mbi shtretër e dysheme
vijnë gjysh stergjyshërit tuaj, grataçiela
se në themelet tuaja tendat e indianëve lekurëkuq u ngritën
vigvamet, kasollet prej balte e kallami
prandaj erdha dhe unë, që nëna t’i thoshte plaç varfërisë!
po s’ma shpëtove dot, ajo kishte shpresë se do ta shëronin mjekët amerikanë, 
vdiq pa ju parë
i merreshin mendtë kur ngrinte sytë lart dhe s’i çonte dot gjer në majë
se i vinte për të vjellë
do dalim, nënë, të shohim manhattanin?
jo, bir, s’kam sy
s’jam fajkua apo skifter që t’i arrij ato kulla të larta
nëna i do, po zemrën e ka te ajo shtëpi përdhese prej qerpiçi ku ju linda
te ai varr i babait tuaj që mezi pres ta përqafoj
dhe të kërcejmë tango si dikur
në lulishtet e verës!
 
grataçiela të nju jorkut!
kapelen e saj të rinisë me pendë zogjsh
po ua vë mbi kokë!
të mos i merren mendtë
të mos i vijë për të vjellë
të më duket nëna madhështore.


NATA AMERIKANE

dhe nata e futi qytetin në një thes të zi dhe më la vetëm fillikat
ato vende ku linim takimet s’i kam
as makinën që e lashë nën drurët e parkut s’e kam
vetveten shoh se kam sy të brendshëm
dua t’i bëj sy të jashtëm por diçka s’funksionon
dhe pylli i vogël pas dritares s’është më
sytë e mi të papërsosur s’shohin në terr
amerika e teknologjisë duhet të bëjë diçka patjetër
primitiv jam nga sytë
amerikë, ktheji sytë nga nata që e futi qytetin në një thes të zi
e hodhi mbi shpinë dhe
iku
s’është plehrë nju jorku, amerikë
bëj diçka
krijo sy teknologjikë
po amerika s’është zoti
dhe ajo në zot
beson!
 
nata kthehet në agim dhe dorëzon nju jorkun


KËRMILLI DHE AMERIKA

i erdhi keq një kërmilli
për amerikën
që s’merrte frymë nga vrapimi
e mori me vete
në pyllin e budës
te lutej
amerika
qesh 
 
fillon festa!


AEROPORT

një aeroport gjigant dua të jem
të shoh pritjet
dhe lamtumirat
ndarjet dhe bashkimet e syve
se zemrat fshihen
një aeroport gjigant
të pres avionët e linjave 
t’i shoh të gjitha ngjyrat e racave
fustanin dhe flokët me rica të afrikanit
sytë me bisht të kinezkave të holla
gajden e irlandezit dhe fustanellën e tij
pelerinën e kuqe të tibetianit me flokë të lidhur bisht
dhe dai lamën të shoqëruar nga rojat e sigurisë
dua të shoh vajzat e bukura dhe gratë më të bukura se vajzat
kushedi shoh dhe veten time kur isha i ri dhe ëndërroja të shkoja në amerikë
në vendin e drajzerit dhe uitmanit, emily dickinsonit dhe bukowskit
një aeroport gjigant dua të jem
avionët kane diçka prej dashurisë së madhe që bashkon tokën me qiellin
kushedi shoh nënën që zbret prej andej dhe ma bën me dorë
ketu ndalem
s’jam më aeroport
po thjesht një roland i mbytur në lotë


FUQIA E DASHURISË

edhe dita më e keqe e ka një diell të vogël
nën qepallat e një gruaje të re që fle
edhe një udhëtim me tren manhattan forest hills
kur mërzia të është bërë perandori
e ka një mundësi të vogël shprese
vetëm kaq të mendosh se në të gjithë kopshtet
ka lulëzuar manushaqja e zezë midis barishteve të egra
dhe kur një vajzë e bukur seksi futet në vagon me një tufë lule
tingujt e shopenit të kujtohen dhe harron melankolinë
edhe kur s’ke gjë për të ngrënë
dhe në shtëpi të presin lugët dhe pirunët në sirtar
dhe pjatat e zbrazëta mbi njëra tjetrën
ke librat e tu që ende kanë zjarrin që s’fiket
për ty
 
2
 
të kam dashur më shumë se veten
në rininë e fortë si rrufeja
që i dogji ditët tona
me bukuri
të kam dashur, por më shumë të dua tani
që s’i shqiptojmë mirë fjalët se kemi vënë proteza
dhe puthjet ngjiten në gropat e faqeve
s’ka më netë të zjarrta
po zemra ende nxjerr flakë
të dua nuk shqiptohet
po ndjehet më e fuqishme në prekjet e vogla
pa mish
po me kocka
në sëmundjet
ilaçet që harrohen
në shëmtinë që këmbehet me bukurinë
në kujtime
të dua
çmendurisht të dua
sepse e di që shpejt do të ndahemi
dhe lutem të shkoj i pari
dhe ti të mbetesh edhe për shumë vjet
harromë
aq shumë të dua
sa zotit i lutem
sa më shpejt
të më harrosh mua
  
3
 
jemi dy qenie të çuditshme prej libri
që u censurua
i fshehëm mëkatet
gëzimet
dhe urrejtjet
askush nuk i mori vesh çastet tona intime
një jetë plot gabime
një jetë që e shamë
një jetë që e dashuruam
një jetë që e mallkuam
dhe tani erdhi fundi
më tepër se kurrë
jemi të bashkuar
dy qenie të shëmtuara
që çuditërisht u afruam
kapemi për dore
shtrëngohemi
frika na ka dashuruar
s’puthemi
s’bëjmë seks
s’themi të dua
po flemë të përqafuar
frika na ka dashuruar


NË NJU JORK NDODHI KJO

hapat e saj
apo hapat e hënës në times square
bethoveni po kalonte, ende s’e kishte ngritur kapakun e pianos
në krah mbante gruan time nuse të re
maestro, i them, ç’po ndodh?
erdha të bëj dhe një herë dhëndër
po unë jam plak tani dhe ajo grua nuse është shumë e re
si atëhere kur ktheheshim nga parisi
pas muajit të mjaltit
tani je në nju jork ku ndodh gjithçka
tha ai
ngriti kapakun e pianos, sikur ngriti apokalipsin dhe zbuloi krijimin
gruaja ime e re dhe unë i ri
nuk vinim kurorë në tiranë po në katedralen e shen patrikut në avenjunë e gjashtë
ngjitur me rockefeller center
natyrisht ishte një ëndërr
u ngrita dhe lexova letrën që gruaja më kishte ngjitur te frigoriferi
2 kg qepë, rrepka, sallatë
mos harro të marrësh vajzën nga shkolla
dhe një zemër e kuqe e  bërë me buzë
në fund të letrës
më buzëqeshte.
  
 
SHOH SI IKËN DITA
NGA FYTYRA JOTE
 
 shoh si ikën dita nga fytyra jote
ngjyrat, shndritjet, nuancat e holla
një rrudhëz aty, një rrudhëz këtu
në vendet ku të kam puthur
ndërroi dhe fjalori i ëmbël i emocioneve
me një fjalor të arsyeshem
zemra u shkëput nga zona e mesdheut
dhe po shkon drejt polit të veriut
aventura dikur aq e bukur
po quhet e ndaluar
eja, e dashur, të hamë një darkë te Belavy
ajo bën jo me gisht
eja, e dashur, të pijmë kafe jashtë
te kafenetë e lagjes metropolitan, te italiani
ajo s’flet
më vështron e menduar
shoh si po vjen muzgu ngadalë
muzgu blu
dhe na mbulon të dyve
 
 
 
PËRSËRIS GJESTE RINIE
  
përsëris gjeste rinie dhe s’e mbledh mendjen
kur ti më thua; je i lojtur?
kurmi yt s’është më i freskët, po i përjetshëm ka mbetur
për këtë budalla që të do akoma
për elizën e bethovenit ka plakje? i them me përkëdhelje
ti je eliza
dhe nëse u shpik atomi
dhe bomba atomike u shpik, këtë e ndihmoi dashuria
ti përsërit; ke lojtur?
po unë kaq dua
që ti të qeshësh me budallallëqet e mia
përsëris gjeste rinie
 
 
PLATONI
 
nga platoni erdhëm te frojdi
dy kundërshtarë të fortë
po më i fortë se ata ishte marksi
që e mundi platonin me kapitalin
dhe frojdi mundi platonin me seksin
platon, më ndje
ndonëse dashurova në kohën tënde
si një naiv i pandreqshëm
frojdin doja
po s’më linte marksi me kapitalin
tani ngjis shkallët në muzg, për te shkuar në shtrat
të rinjtë dalin të bëjnë seks në klubet e natës
më ndjek nëpër shkallë platoni plak
marksi më pret te biblioteka e vjetër
s’i doli profecia e revolucionit proletar
pret të më hapë një debat për mbivlerën
teorinë e punës  së papaguar
ai të drejtë ka
po më të drejtë ka frojdi
platoni hap dritaren dhe hidhet nga kati i tetëdhjetë e shtatë
unë pi një mini aspirinë
dhe bie të fle
me një keqardhje të thellë per platonin plak
 
 
KJO E DIELË S’DUHET
TË VINTE PA TY
 
 kjo e dielë s’duhet të vinte pa ty
kjo e dielë kaq blu
nju jorku nuk është përgatitur për ndjenja të mëdha
miliarderët
s’kujtohen për lule
 
mund të vinte e hëna kur shkoje në shkollë e para
mund të vinte e marta kur blije bukën dhe një shishe qumësht
unë t’i ndiqja lëvizjet e ti më ndieje me hundë
po ishe kaq e statujtë
sa statujat e vërteta më dukeshin të gjalla
e mërkura të shkëpuste prej buzëve
refrenin e një kënge të xhani morandit
occhi di ragazza
dhe bëheshe më e bukur
sa herë shikoja koncertet e verës italiane
në netët blu mediterrane
në romë, venecia, bari
i kisha zili këngëtarët
televizorëve tanë u vinin zhurmues
që asgjë të mos shikonim nga bota perëndimore
po kishim një kanoçe që e fshihnim
llamba magjike e aladinit
natën lëviznim antenën të shikonim telenorbën
që shfaqte filma me skena seksuale
e enjtja ishte braktisja e orës se mësimit
për të parë martesë italiane
me sofia loren dhe marcelo mastrojanin
të mos ishte italia ç’do të bënim?
padyshim që do të çmendeshim
kudo daci bao dhe aksione revolucionare!
e premtja ishte me shi, kështu më kujtohet
e premtja e zezë, thoshte nëna ime fetare
e shtuna e rrëmbyer, se e nesërmja do të ishte pushim
e diela vinte për të dy
në gjashtë te sahati i madh
ajo tundëte kokën
as jo as po
s’vinte
nisej po s’mbërrinte
s’e linin nëna dhe babai
u desh
e diela e trembëdhjetë
ky numër ters
që ajo të më thoshte duke qarë
mos më lërë shenjë
dhe ne të dy te qeshnim
 
 
kjo e dielë duhet të vinte me ty
prej kohës së xhani morandit
me të famshmen occhi di ragazza
që dhe nju jorku të qeshte i lumtur
dhe miliarderët të dhuronin lule!
 
 
SA TË BUKURA ISHIT
 
sa të bukura ishit! ato të gjimnazit më të bukura,
po edhe të fakultetit, veçse prej provimeve, jetës në konvikte
ndonjë rrudhë e imtë, paralajmëronte prishjen, me dhembje shenjtërie
kishit emra të bukur, po dhe të shëmtuarit, prej puthjeve, u bënë të bukur
ishit të drojtura në fillim, se vinit nga provinca të largëta
dhe ende në vesh kishit zërin e ëmbël të nënës; kujdes, shpirt!
zërin e babit që ju shponte timpanin; ruani nderin, mos na turpëroni!
po veshët nga dylli u mbyllën prej puthjeve, fjalëve; të dua, në errësirë
më i shtrenjtë se nëna dhe babai u bë i dashuri i ri
dhe kjo në fillim ishte e tmerrshme, aq sa e ndjetë si një krim
pastaj u mësuat me mëkatin, gënjyet ashtu si pafajësisht
ikën vitet si trena ekspres dhe tani pothuajse e keni harruar rininë
veçse çaste të shkëputura kujtoni se jeni bërë vetë nëna me vajza të rritura
dhe përseritni fjalët e ëmbla të nënës tuaj ; kujdes, shpirt!
hapni albumet kur mbeteni vetëm dhe shikoni fotografitë
dhe lotët që ju shkasin janë lotët e nënave, që s’i ndjetë atëherë
dhe psherëtimat e dhimbshme janë psherëtimat e tyre, që nuk ua vutë veshin

Exit mobile version