Kreu Letërsi Bibliotekë “Gloria in excelsis Deo” nga Anna Kove

“Gloria in excelsis Deo” nga Anna Kove

E pabotuar, fragment nga libri në proces, me katër noveltha

(X1)

Karma është kurvë e madhe, më tha Julia atë ditë kur u ktheva nga takimi im i parë. Karma? Po, po. Ajo i ka fajet të gjitha. Julias i pëlqente shumë të filozofonte. Unë nuk ia kisha ngenë edhe aq shumë. Ç’më duhej të dëgjoja filozofime dashurore, sidomos asokohe? E çdo takim të parë, përveç ditës, ka edhe shumë gjëra që e bëjnë pjesë të pashlyeshme të kujtesës. Ç’ditë e javës ishte, nuk e mbaj mend. Duhet të pyes Julian. Vendin? Ah, vendin poooo. Vendi përbënte ngjarje më shumë se dita. Bari i njohur në qendër të kryeqytetit, me emrin që Julias i pëlqente fort; me siguri i kujtonte se edhe emri i saj ishte i lavdishëm, po aq sa i barit. Pse duhet të takohemi gjithmonë këtu, e pyesja sa herë ajo kapërcente shkallët dhe u rëndonte takave me forcë, aq sa të gjithë të kthenin kokën, thua se zhurma e këmbës së saj mbi mermer ishte zhurma e skeptrit mbi tokë, kur mbreti paralajmëronte vendimin e radhës dhe të gjithë duhet të ndalnin frymën. Ndaj vinim gjithmonë aty… shkallët ishin të shtruara me tapet të kuq e parmakë të artë. Për t’u ngjitur te kati i dytë i barit, ku ishte edhe një dritare e madhe që të lejonte të tymosje, duhet të ngjisje gjithë ato shkallë, e ndjekur nga vështrimet kureshtare nga poshtë lart të klientëve të shumtë, që zinin tavolinat e katit të parë. Ky ishte akti i parë i shijimit të lavdisë, thoshte Julia. Pastaj akti i dytë ishte ai i shijimit të kafesë më cigare. Dhe i treti? Ajo thoshte i bisedave tona.

– Edhe pak e mbërrij tek ti, – dëgjova në telefon zërin e tij të plotë, ku ndihej edhe paksa tension në frymëmarrje.

– Po të pres, – i thashë unë me zë të dridhur.

– Ku po më pret?

– Ku? Si Ku? Te “Gloria”, pra, – i thashë në të qindtat e sekondës. Nuk e di se si e pata ashtu atë ndjesi, se njerëzit nuk duhet të pyesin për gjëra që dihen. Ai, edhe pse nuk e kishte idenë se ku ishte “Gloria”, më tha:

– Mirë, do të të gjej edhe ty edhe “Glorian”.

Dhe na gjeti. A ishte dashuri me shikim të parë? Jo… Nuk ishte krejt ashtu. Madje, kam qeshur disi, kur kam ndier shikimet grishëse, sytë e lëngështuar që zor të kuptoje dot në shkëlqenin nga instinkti apo vinin nga thellë shpirti. Unë isha qenie dyshuese sa i takonte dashurisë me shikim e parë, por krejtësisht naive sa i takonte magnetizmit etik të herës së parë apo atij drithërimi kënaqësie estetike, po të herës së parë, që më përcillej si imazh ndjellës. Ah, ja ato më godisnin në zemër, më bënin të gëzoja fort: magjia e fjalëve, lojërat e emocioneve; gëzimi i pranisë, kur fjala bëhej mish. Dhe kjo më çmendte e gëzonte, thua se ngjizej në ndonjë altar diku të padukshëm dhe që vetëm me shpirt mund ta shikoja, ta përjetoja. Si vinin ashtu këto ndjesi të thella deri në thelb të zemrës, sa të magjepseshe nga forca e elektricitetit që ishte aty, madje i fortë deri në rrezatimet e syve dhe i bënte ata të ishin të verbër. Krejtësisht të verbër.

– Moj, po ti pse je këtu tani? – më pyeti Julia. – A nuk duhet të takoheshe me të sot?

– Po, – i thashë, – u takova.

Ajo shtangu. Gjuhën e saj, që s’di të futet në gojë thuajse kurrë, e zuri ngërçi. U krijua një situatë gati paniku mes nesh. Unë nga frika se atëherë e kuptova realisht ç’kisha katranosur dhe ajo ngase ende nuk po kuptonte asgjë.

– Po ç’dreqin ndodhi?

– Dëgjo, Julia, qetësohu. A nuk më ke thënë se asgjë nuk ndodh pa shkak?

– Po, të kam thënë. Po fol, pra, çfarë ka ndodhur?

– Mirë, unë po të them se ç’më ndodhi, ndërsa ti mundohu të gjesh shkakun. Se ajo që ndodhi, iku, u bë.

– Ja, ta marrim me qetësi. Ikim pimë një kafe te “Gloria”, – tha Julia, – dhe atje m’i tregon të gjitha.

– Joooooo, – ulërita unë me sa kisha fuqi zëri në fyt. Jo te “Gloria”, se atje e lashë atë vetëm dhe ika.

– Si moj ike?

– Po, ika. I lashë të kuptojë se po ulem në tualet. Dhe nuk u ngjita më lart.

– Ç’dreq veprimi është ky?

– Kështu m’u dha të veproj. Vetë më ke thënë se karma është veprim që i referohet një koncepti shpirtëror dhe të ndikon pavetëdijshëm në trup e mendje. Ja ashtu i tha mendja trupit të zhvendoset.

– Moj, ose ti ose unë jemi të çmendura tani në këto momente.

– Të dyja jemi, Julia. Qysh se nuk dimë të shijojmë më asgjë, pa teorizuar pafund.

– Atëherë eja e më trego… se ketë punë e qan ti, – dhe më kapi për krahu.

Unë nuk dija nga t’ia nisja. Rrezikoja të dukesha krejt qesharake jo vetëm në sytë e saj, por edhe vetes nuk po ia duroja atë ndjesi të çuditshme që më qe mbledhur në fyt e gati po më mbyste.

– Kisha frikë të rrija, Julia, – i thashë. – Kisha shumë frikë.

Asaj i dolën sytë nga vendi. Sytë e mi ishin tërë tmerr e panik po ashtu.

– Pse, ç’kishte ai për t’u frikësuar?

– Ishte pikërisht ai që kisha pritur. Nuk ndryshonte fare, fare nga modeli, e kupton ti këtë? Ç’mbetej më pas kësaj, po të rrija? E kupton, Julia?! Edhe kur vinin e iknin të tjerë. Këtë prisja…

– E kuptoj, zemër. Dhe mos ma hidh më poshtë kurrë teorinë e karmës e as mos u tall më me mua.

– Ah, të lutem, Julia, mos sërish, se nuk kam nerva të dëgjoj teorizime tani.

– Më dëgjo. Karma jote e solli atë njeri tek ti. Dëshira për t’u dashur fort me një model, që e kishe zgjedhur përpara se ai të vinte. Modeli, me të cilin ti ke bërë dallimin, ekziston, dhe ti tani e di. E pe, e preke, e puthe. Ja ku e gjetëm edhe shkakun e veprimit tënd. Ai është atje, ku e ke lënë vetëm, te “Gloria”. Po sytë si i kishte kur të shihte?

– Vërtet do ta dish, Julia? Iu ngjanin syve të ujkut. Po, po. Sy si të ujkut. Dhe mua m’u kujtua një roman i porsalexuar i Schmitd-it, ku Anna e Brugg-ës u akuzua për herezi, sepse komunikonte çuditshëm me ujkun. Njësoj si ajo Anna e mesjetës isha edhe unë para tij, ambivalente. E adhuroja kafshën e fortë e superiore para meje dhe projektoja njëkohësisht frikëra të shumëllojshme me shpejtësi drite.

– Kushedi s’i mund të ndihet një ujk i dashuruar nga një princeshë, kështu gjithë hire e ngjyra si ti? Më fol edhe pak, – më nxiti Julia…

– Po nuk ka reagime në sytë e ujkut ndaj ngjyrave, o zemër; as nuk i sheh e as i dallon dot bukuritë e tyre. Në këtë sens, unë nuk bëj asnjë dallim nga kopeja e gjahut. Aq më tepër aty, në prarimin e artë dhe tapetet e kuqe të “Glorias”. Është i ndjeshëm ndaj lëvizjes, ujku. Sytë i reagojnë nga lëvizja. Ndaj s’munda të rrija më gjatë pa lëvizur… E kupton tani pse ika?

– Pra ti nuk mendon se do ta humbësh, tani që gjete modelin?

– Ç’dreqin ke që më shikon kështu?! Vetë ma ke ënjtur kokën me ato teoritë e rimishërimit. Do ta kem sërish kur të rimishërohem… Unë kuptova t’i lexoj psherëtimën dhe jo fjalën. Ia lexova atë që mbante brenda fare dhe nuk e tha dot.

– Prandaj shkove në atë takim?

– Po, prandaj shkova. Edhe pse e dija vazhdimin. Shkova të shihja se ç’isha gati të humbisja, pikërisht në më të dashurin vend tonin, te “Gloria”.

– Prit radhën tani, – më tha Julia. – Kur t’i shkosh ti, do të ikë ai, – dhe më propozoi gjithsesi të shkonim e ta festonim me ndonjë gotë verë. Ashtu bëmë, ngjitëm shkallët duke qeshur me zë e duke përjetuar aktin e parë të shijimit të lavdisë me përplasjen e takave fort pas shkallëve.

(X2)

Nuk u zgjova atë ditë si zakonisht nga alarmi i regjistruar në telefon. Ishte zgjim i pazakontë. Nga disa tinguj të cilët më depërtuan deri në gjumë; u rrotullova disi nëpër krevat me shpresën se mos vazhdoja edhe pak të flija, por s’munda. Dera e blinduar dhe muret e trasha nuk lejonin asnjë lloj zhurme të futej brenda. Dritaret i kisha mbyllur, grilat po ashtu. Asnjë magnetofon a radio nuk kisha në shtëpi. Televizorin e fika me telekomandë, para se të shtrihesha. Atëherë nga dreqin futeshin deri brenda veshëve këta tinguj? Më dukej se i dëgjoja me gjithë qenien. Se edhe trupi sikur po lëvizte nëpër shtrat, ashtu si në sintoni me to. Nuk doja të zgjohesha aq shpejt. Ishte ditë pushimi.

U ngrita në përgjumje e zgjim njëherësh për të kuptuar nga vinin ata tinguj të hareshëm e grishës. Shkova drejt dhomës së ndenjjes. Atje ekrani i televizorit dukej i fjetur dhe sikur më thoshte: merru me veten zonjëzë, nuk është koha fare të më ndezësh kaq herët. Asnjë pipëtimë në dhomën e ndenjjes. I dhashë karar me mend se kishte qenë ëndërr. Po përpëlitesha në mundin për të kujtuar se nga ata tinguj më vinin aq të njohur. Po, po… sa u shtriva, sërish m’u shndërruan në tinguj alarmi. Alarm i kujtesës së ndërgjumur. Gjithkujt i ndodh që tinguj të caktuar t’i rikujtojnë vende, ngjarje a njerëz të caktuar. Kjo violinë magjishëm klithte si në ekstazë, pastaj mpakej në rënkim e sërish tingëllimi përfshinte ca lëvizje të dorës dhe harkut mbi violinë, si të dy trupave nga ngjeshja pranë e pranë gjatë të njëjtit vallëzim. Po, në të njëjtin vallëzim… Vallëzimi ynë i parë trup mbi trup.

Aty poshtë dritave të një peme që s’bëzante, për të na veshur me ngjyrat e dritave dhe tingujt e më të perëndishmes festë të lindjes. Nën tingujt e asaj melodie çmbështillnin poshtë pemës, në vend të dhuratave, lëkurën nga eshtrat tona prej pasionit të ndezur. 

Exit mobile version