Kreu Letërsi Bibliotekë “Gjurmë të zbathura” ese nga Rexhep Ferri

“Gjurmë të zbathura” ese nga Rexhep Ferri

1.

Për ta parë e për ta njohur jetën nuk po kërkoj as kafe, as cigare.

Ka ndryshuar filozofia për jetën.

Në rrudhat e trurit vizatova një profil. Kërkohet një rrëfim.

Në pasqyrën e dukjes, tragjedi moderne nuk është vdekja, por çmenduria e çmendurisë.

2.

Me shtatëdhjetë e dy be e rrëfe, për të gjitha dëshirat, për të gjitha mëkatet, pyes veten:

– Si i kemi punët?

Përgjigja kërkon falje.

Me më dhënë fat vdekja e di se çka bëj.

– A nuk shqetësohesh? – prapë më pyeti!

– Jo! – i thashë.

Njeriu është mbyllur në lëvozhgën e vet dhe sheh vetëm punën e vet.

Mos më pyetni pse?!

Psehun do ta kuptojmë nesër.

Me hapat e dinakërisë patriotike, ç’kuptim ka kjo metaforë patriotike?

Njeriu është histori e vonuar.

Fasadë, o Zot, fasadë!

Pa e ditur dhe pa e kuptuar sesa kushton fama e rrejshme, fytyrat e mbuluara me maska janë sinonim i së keqes.

Nga kjo ndërkohë kujt po i flas?

Për gjërat që nuk i kemi ditur edhe unë mendoj të njëjtën gjë.

Kur harrojmë se kush jemi, fundi vjen vet.

Përtej asaj që shohim, ku po shkojmë, mundohemi ta kuptojmë.

Me kokë të qethur, pikë, vizë, pikë.

3.

Në Teatrin Kombëtar shumë paskemi ëndërruar.

Ato ëndrra janë diçka që duhet thënë në fund të shfaqjes.

Për të treguar e për ta kënaqur veten.

Pa ndonjë shpjegim më erdhi të them:

– Një popull që pjesë të kulturës e ka lojën diplomatike, rrenën, mashtrimin kurrë nuk bëhet shtet, as popull.

Me frikë nga harresa.

Pa asnjë pyetje.

Pa asnjë përgjigje.

O Zot!

Pse të kemi Zot!…

Në këtë shkretëtirë na mori lumi.

Edhe pse nuk e dimë se çka të bëjmë me jetën, kur do të harrohet e gjithë kjo lakmi.

Një zë më tha:

“Lëreni djallin të mendojë për nesër!”

Afër çmendurisë qyqja qyqe.

Me një vezë në çerdhe të huaj.

Për shekullin që po i kërkon heronjtë e vet, anatomia e njeriut duke kaluar mbi kokën e vet, me gjurmë të zbathura, shkoi në Muzeun Arkeologjik.

Për dramën e fundit ngritet perdja.

Bie perdja.

4.

Për të gjitha luftërat, patriotët tanë sojlinj, trim mbi trima, me ta nuk ka mahi.

Për trimërinë e tyre nuk ka as fillim, as fund.

Jashtë kontrollit të tyre me bisht të syrit, çdo gjë ta vjedhin nga dora.

Dikush tha:

“Kjo është pjesë e punës sonë. E kemi zanat. Ky zanat e ka edhe një të kaluar”.

Për jetën e njeriut tonë sot gjenden shumë dëshmi.

Brenda sarkofagut me skelet njerëzor dhe të kafkave me monedhë në gojë.

Me frikë nga frika…

Realisht me fjalë të vizatuara si profil.

Për dilemat e jetës dhe dilemat e pasluftës.

Bota e botës së vogël me fillim nuk kuptoi asgjë. Për vetminë e saj as unë nuk dëshiroj të flas.

Si të isha në një kohë të largët.

Me fotografinë time e me frikë nga frika. E me frikë nga njëfarë imitimi e me frikë nga harresa.

Për kohën e humbur.

Dhe për gjithë atë çka kemi përjetuar.

Njeriut prap i shkon mendja te shija e ëndrrës mashtruese.

Fërkoni sytë, ndoshta kuptoni diçka.

Diçka që bjen në sy.

Me fërfëllimën e erës dhe në të gjitha largësitë që duken afër.

Për në parajsë paguhet udhëtimi.

5.

Mirëdita marrëzi!

Lëreni njeriun të kalojë.

Është gjëja më e afërt në botë.

Nëse deri tani nuk e keni ditur se kush është njeriu, kurrë nuk keni për ta kuptuar.

Ç’do të ndodhë do ta shohim.

Çka na solli kriza në heshtje nuk tregohet.

Sa më shumë që mësojmë nga jeta, aq më pak shohim ëndrra.

Në emër të atdhedashurisë ndoshta na duhet të rrëfehemi:

Në një faqe mali.

Në një degë ulliri.

Për njeriun, që është duke i dalur tymi nga goja, në Teatrin Kombëtar një tragjedi moderne.

Dora e kujt e mbylli derën?

Në Kopshtin Zoologjik me njerëz, si mund ta fshehim këtë fytyrë?

Çfarë marrëzie.

Shihemi më vonë.

Edhe pak e s’kemi për ta njohur njeriun.

Me gjurmë të zbathura ulemi në tokë

6.

Ku është njeriu?

Kësaj pyetje kush i del përpara.

Për faqen tjetër të murit nuk ndryshon asgjë.

Ishim gjashtë.

Ku janë tre?

Pa asnjë përgjigje për tre, të shohim ku janë tre!?

Kaq!

Vetëm kaq …

Si ta jetojmë jetën nga fillimi.

Për ta kuptuar është e pamundur për ta kuptuar.

Të kërkosh njeri është punë koti.

Për gjërat që nuk i kemi ditur, kjo e kaluar sjell një pyetje që njerëzit e bëjnë.

Me lirinë e të jetuarit, kur e pyesim veten, edhe kur mendojmë ndryshe.

Me hijen e mbetur si gjurmë të zbathura.

Bëjmë roje me armë brezi.

Pushkë krahu.

7.

Dëgjova se patriotët tanë mashtrues paskan punësuar edhe trupërojat për këshilltarë.

Nga kush po frikësohen dhe nga kush po lypin mend.

Ndoshta nga hija e mëkatit.

Nga hija e vet.

Gjatë natës si puna e djallit.

Sa e sheh përpara, të del mbrapa.

Sa e sheh mbrapa, të del përpara.

Këtë frikë nuk e kisha të njohur.

Për jetën di vetëm kaq.

S’mund të them asgjë më shumë.

Çfarë ndjenje e çuditshme na rrokë, s’kam çka të shtoj.

Nuk më lejohet as të mendoj.

Me gabime në hapa mbeta i vonuar.

Gjithmonë humbës.

Guri i varrit kujt i flet??

Ajo që dua t’u them është kapërcimi i shekullit me tre hapa mbrapa.

Me fat prej guri.

E shohim çka kemi humbur dhe çka kemi rrezikuar.

Larg dëgjohet një këngë nga “Lahuta e Malcis”.

Për dy plus tre s’kemi çka flasim.

Gjyshi nuk ka shitur byrek dhe qebapa…

Nëntor, 2019

Exit mobile version