Kreu Letërsi Shënime mbi libra Gjovalin Shkurtaj: Kundrime dhe shënime rreth prozës së Ylljet Aliçka

Gjovalin Shkurtaj: Kundrime dhe shënime rreth prozës së Ylljet Aliçka

Qortova veten se si nuk kam gjetur ngenë të shkruaja në mos tjetër një artikull kundrues për ligjërimin e prurjet e shkrimtarit Ylljet Aliçka si porozator e si  skenarist nga më prodhimtarët. Dhe, si e ka thënë bukur populli ynë i urtë: “Më mirë vonë, se kurrë!”

(Prej librit “Kundrime  për ligjërimin artistik të disa shkrimtarëve të sotëm”)

Fjalë hyrëse

Më 16 dhjetor isha në përurimin e librit “Gegë e Toskë” të Mustafa Nanos në UET. Kur dolëm, mbasi mbaroi përurimi, teksa unë me time shoqe po prisnim autobusin e linjës “Qendër-Porcelan”, padyshim edhe me një farë ndjesie disi të pamirë se vetëm unë nuk kisha  makinë, kurse pjesëmarrësit e tjerë, përpos disa studentësh, kishin veturat e tyre, duke shikuar se mos arrinte autobusi, kalon para nesh në biçikletë dhe na përshëndet me mirësi Ylljet Aliçka, me të cilin para pak minutash kishim qenë ulur në radhët e sallës “Aula Magnia” ku u bë përurimi i librit. Thashë me vete, me një ndjenjë disi të papërcaktueshme: ”Paska edhe intelektualë të tjerë pa makinë, madje edhe të nivelit kaq të epërm  ditunor e profesional” …, por, duke sjellë në mendje, jo vetëm 49 vitet që ai ka punuar si mësues, profesor universiteti e diplomat dhe ambasador i Shqipërisë në Francë, përveçse është edhe një nga shkrimtarët më prodhmtarë e të vlerësuar të sotëm. Qortova veten se si nuk kam gjetur ngenë të shkruaja në mos tjetër një artikull kundrues për ligjërimin e prurjet e tij si porozator e si  skenarist nga më prodhimtarët.Dhe, si e ka thënë bukur populli ynë i urtë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Sapo mbërrita në shtëpi, hapa kompjuterin edhe i dhashë një sy jetëshkrimit të tij.

Fillon si mësues në fshatrat e rrethit Matit (1973-1981), pastaj jep ndihmesa të rëndësishme  si  ekspert didaktik e autor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor (1981-1992); më pas, në periudhën mbas shndërrimeve demokratike e ndërrimit të sistemeve, Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve (1992 -1997); pastaj Përgjegjës për informacionin dhe komunikimin pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë (1998- 2007); Ambasador i Shqipërisë në Francë, Portugali, Monako dhe UNESCO, përfaqësues personal i Presidentit të Repubikës pranë Orgnizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (2007-2013); Profesor në Universitetin Evropian të Tiranës (2013 – 2020) dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe Universitetin e Arteve.

Fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjejve (1999 – Çmimi i parë, seksioni shkrimtar i huaj, Konkursi ndërkombetar i tregimit, Teramo, Itali; 2000 – Çmimi i dytë, International competition Art e Letters de France, Bordeaux, France; 2001 – Penda e Argjendtë, prozë, libri “Kompromisi” Ministria e Kulturës Shqiptare, Tiranë; 2002 – Prix de la francophonie, Ministria e Cështjeve Evropiane dhe Punëve të Jashtme, Tiranë; 2009 – Special prize, VII Premio Letterario Nazionale, Rome, Italy; 2012 – Penda e Argjendë, romani Valsi i lumturisë Ministria e Kulturës Shqiptare, Tiranë). Ylljet Aliçka është gjithashtu personaliteti i anëtarësuar në një numër të madh shoqatash e akademish, si: Anëtar themeltar i shoqatës kulturore “Fabrizio De Andre” Milano, Itali; Qytetar nderi “LA REPUBLIQUE DE MONTMARTRE “, Paris, 2011; Anëtar i Akademisë  Franceze “Berry- Georges Sand “, Paris 2010; Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Frankofonë, Paris, 2012; Anëtar i Shoqatës së autorëve dramatikë dhe audiovisualë, SACD, Paris, 2006. 

Disa mbresa e shënime që duhen vijuar

Po i kthehem zakonit tim të përvitshëm: në prag të Krishtlindjeve, zakonisht e shkruaj nga një kundrim për poetë a shkrimtarë që më pëlqejnë.Kam shkruar parëvjet për prurjet ligjërimore në poezitë e Skënder Buçpapajt, si dhe për ligjërimin poetik të Agim Vincës, para do kohe kam mbajtur një  “Fjalë përuruese  për librin  e Kadrush Radogoshit ”Palimpsest Orfeik 2”, botuar nga Shtëpia Botuese NACIONAL, Tiranë, 2018, 131 faqe; vjet shkrova studimin “Metaforika origjinale dhe pasuria ligjërimore në poezinë e Gjekë Marinajt “, që e botova më vonë dhe te “ExLibris” dhe, i trimëruar nga mirëpritja e referatit tim “Mustafa Nano adhurues dhe hulumtues i zellshëm i vlerave historike e etnokulturore të shqiptarëve (Kundrime dhe vlerësime për librin i tij “Gegë e Toskë”, UETPRESS,Tiranë, nëntor, 2022, 383 f.), po ma ka anda ta vijoj traditën me një kundrim për prurjet leksikore e risimet kuptimore e frazeologjike në prozën e Ylljet Aliçkës.

Në rrjedhë të moteve kam lexuar disa prej librave të tij, por në raftin e bilbliotekës sime nuk i kam të gjithë.Ai ka tregime, novela e romane në gjuhën shqipe, po edhe të përkthyera në gjuhë të huaja. Në gjuhën shqipe, me sa di unë, ka botuar: Tregime (1998) Onufri; Kompromisi (2001) Onufri,  Rrëfenjë me ndërkombëtarë (2006) OMSCA;  Parullat me gurë (2007) Toena; Rrëfenjë me ndërkombëtarë (2008) Toena,  Koha e puthjeve (2009) Toena, Valsi i lumturisë (2012) Toena,  Metamorfoza e një kryeqyteti (2019) Onufri.Ndërkaq, po shkraun edhe vepra për dramatike.Pak javë më parë, Teatri Epsperimental i kryeqytetit shfaqi me sukses dramën “Luda”, të cilën e pashë me shumë ëndje.

Pra, një studim për gjuhën dhe stilin e sidomos për prurjet leksikore e risimet kuptimore e frazeologjike në prozën e Ylljet Aliçkës do të kërkonte kohë të gjatë dhe përmasat e një studimi monografik për doktoraturë, që unë, me gjithë shpirt, do të uroja ta ndërmerrte ndonjë nga studiuesit e rinj, disa prej të cilëve i pashë me kënaqësi në sallën e UET-së ku u bë përurimi i librit “Gegë e Toskë”. Pashë aty, ndër të tjerë, ish-studentin tim, poetin e studiuesin Ermir Nika. Kushedi, kur ta lexojë këtë shkrim timin, mbase i prin e mbara e ia hyn një pune të tillë, të cilën unë, në shkrimin tim vetëm sa po e përpajnoj. Kohët e fundit, meqë edhe pesha e gati 80 viteve që kam mbi supe rëndojnë, më duket se unë (po dhe krejt brezi i studiuesve tashmë jashtë “ringut”) e kemi për detyrë, madje edhe për mision, të ideojmë edhe fusha e tema të rëndësishme për t’ua bërë të lakmueshme doktorantëve të rinj.Hartimi dhe botimi i studimeve të gjera filologjike për shkrimtarinë e autorëve të  letërisë sonë të mëparshme e të sotme është një detyrë me rëndësi dhe me vlerë për njohjen e prurjeve e prijeve të shqipes së shkuar. Sikundër ka bërë, ndër të tjerë, profesoresha Shefkije Islamaj me monografitë e saj të gjera “Gjuha e Jakov Xoxës-Veçori leksiko-semantike dhe stilistike”, Prishtinë, 2000, 422 faqe); “Gjergj Fishta –Gjuha dhe stili, Prishtinë, 2012 në dy vëllime me 1100 faqe) dhe, pak muaj më parë, edhe me monografinë e gjerë “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021 (829 f.).

Teksa po shfletoja librat e Ylljet Alickajt, ku kam shënuar fjalë, togfjalësha e frazeologjizma të veçanta, në një skedë brenda librit “Parullat” kisha shkruar me bojë të kuqe: “Fati i njeriut është një nga çudirat më të padeshifrueshme të jetës!”Dhe, ndërsa po kërkoja e rrëmoja në shënimet e mia, m’u dha të dëgjoja intervistën e Ylljetit në  “Refleksione” te ABC-News dhe, ndër të tjera, ai tha se te ai roman dhe përgjithësisht në shkrimtarinë e tij ka mbështetje të madhe në përjetimet e në biografinë e vet. Ndër të tjera, ai tregoi se si veprohej për shkruarjen e parudhave në fshatin ku ai punonte si arsimtar. Natyrshëm, ashtu duke folur me vete, pa zë, përsërita thënien e urtë të italiane “Non ogni male viene per nuocere”(Jo çdo e keqe vjen për të keq.) Në vitet (1973-81)  kur, ashtu si shumë intelektualë të tjerë nga Kryeqyteti, në përputhje me kriteret e punësimit të asaj kohe, autori ynë shërbeu si mësues në zonën e Matit, ku do të shihte nga afër e me sytë e vet se çfarë ndodhte në “fshatin socialist”, ndonëse atje nuk e kishin emëruar për të mirë, megjithatë, ai ka parë dhe njohur nga afër shumëçka, përjetoi dhe vetë ai, po sidomos u regj së vërejturi mundimet e përjetimet e pamira të atyre njerëzve që e fitonin bukën e gojës jo vetëm duke përballuar vështirësitë e vendit e të klimës, po edhe, mbi të gjitha, duke qenë nën trysninë e pashembullt të një politike e ideologjie pak të thuash nga më të mbrapshtat në Evropë. Kështu, ndonëse e padëshiruar dhe e padëshirueshme, ajo periudhë e qëndrimit disavjecar në një fshat malor i shërbeu shkrimtarit të ardhshëm si një “minierë floriri” për të nxjerrë edhe së andejmi tema, motive, mënyra të thëni dhe për ta vënë gishtin e vet pikërisht në plagën e madhe, ndoshta edhe të  pashërueshme, të shkaktuar në shpirtin e shqiptarëve nga ai sistem dhe nga qeverisja e pushtetarëve të pashpirt, të pandershëm e  të pandreqshëm.

I urtë, i butë, i sjellshëm dhe, mbi të gjitha vëzhgues i  vëmendshëm dhe me atë njohje  që fitoi gjatë tetë viteve që qëndroi në fshat “në gjitin e popullit”,Ylljeti nuk kishte udhë tjetër veçse të mbante mend, të shkruante në rrudhat e ballit e në zemrën e tij të ndjeshme se si po zvetënohej shpirti i popullit jo vetëm në kryeqytet e në qendrat e mëdha urbane, po edhe në malësitë e largëta, se si i ngriheshin idhuj të rremë “jetës së re” e “njeriut të ri” ndërsa shembeshin përditë  kisha e xhamia dhe traditat e doket  e hershme e të bukura të shqiptarëve.Me “hejbetë” plot me përjetime e përvoja të hidhura, ai do të kthehej në kryqytet dhe do të priste kohën e përshtatshme që të nxirte së andejmi temat e romaneve të tij, duke nisur me “Parullat në gurë” (2007) e duke vazhduar me “Rrëfim me ndërkombëtarë” (2000  e ribotim 2006) e për ta përthekuar madhërisht me “Metamorfoza e një kryeqyteti”(2019) që del (ndoshta dhe enkas) si homonim  me veprën e Franc Kafkës dhe u jep lexuesve paraqitjen e jetës së kryeqytetit shqiptar (dhe më gjerë të krejt jetës së shqiptarëve në harkun kohor të dy sistemeve (të socializmit dhe të “demokracisë”) një aso paraqitjesh që e kanë lexuar vetëm në libra rënqethës si “Arkipelagu Gulak” i Boris Pasternakut; kurse brenda hapësirave shqiptare, ky roman mund të krahasohet me filmin “Vdekja e kalit” të regjisorit Sajmir Kumbaro dhe me veprat më të mira të letërsisë bashkëkohore me tematikë të ngjashme.

Nuk më takon mua të jap cilësimin për vlerat letrare e artistike të romaneve të këtij prozatori, sepse ajo u takon kritikëve e studiuesve të letërisë dhe, në fakt, sikundër del edhe nga çmimet, mirënjohjet dhe nga shkrimet e botura në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja,  proza e Ylljet Aliçkës është nga më meritoret në letërsinë e sotme shqiptare. Prandaj, më mirë, duke kujtuar thënien e urtë “Këpucar, mos shko përtej këpucëve!”, le të ndalemi te vlerat gjuhësore, duke ravijëzuar disa prurje e prirje ligjërimore  e stilistike që nden proza e Ylljet Aliçkës dhe që, pa synuar të bëjmë një analizë shteruese, mund të cilësohen si të atilla që e karakterizojnë stilin  mjaft origjinal të këtij krijuesi, pa dyshim nga më meritorët në letërsinë e sotme.

1.Fjala i rrjedh si një lum i gjerë. Nga leximi i romaneve të Ylljet Aliçkës lexuesit i bie në sy rrëfimi i shtruar, i thjeshtë dhe i matur, që rrjedh i denjtë si lumenjtë në pjesën fushore, pa dallgëzime e pa zhurmim, pa rropamë. Proza e Ylljetit është e tipologjisë “fiction”, por mbështetet gjerë në fakte e prurje të kohës, të dokumentuara e të ditura nga kushdo që e ka përjetuar atë periudhë të jetës shqiptare, por  ai ka zotësinë që rrëfimin e bën të atillë që ka në shtrat ironinë dhe paraqitjen satirizuese. Shkrimtari ynë na shfaqet si një “protokolist” i palodhshëm i shoqërisë shqiptare në një hark kohor që përfshin më se gjashtëdhjetë vjet të jetës sonë,  tregon dhe fakton, duke u mbështetur në radhë të parë në përvojën e vet apo, sikundër e ka pohuar në një intervistë te “Refleksion”, mbi 80 për qind të atyre që tregon në romanet e tij i ka të jetuara, janë pjesë e jetës së tij e kanë, pra, karakter  autobiografik.Kjo i jep prozës së tij jo vetëm vërtetësi, po edhe e bën të jetë një dokumentim i një periudhe që, po të mos fiksohej në vepra kësodore, edhe mund të harrohej dhe të dukej e pabesueshme. Dhe, gjithandej, me një zotësi të madhe, tekstin e romaneve të tij e shoqëron një nëntekst i këndshëm me një theksim ironik, që shkon bukuraza deri në satirë e  sarkazëm therëse, që të bën të qeshësh. Natyrisht është ajo një e qeshur edhe therëse,  djegëse e që ka një shtrat të qartë shërues. Krejt ashtu si barnat (ilaçet) e mira: janë të hidhura kur i pi, por me atë hidhërim e përmbajtje që kanë, e shërojnë sëmundjen, e shpëtojnë të sëmurin.

2.Ligjërimi i personazheve dhe ngjyresa e mjedisit dhe e kohës. Gjuha e vetë autorit është e thjeshtë, e rrjedhshme, e pasur por pa tepri figurash e pa stërzgjatje, po edhe ligjërimi i personazheve është po ashtu i pangarkur me fjalë e terma të rrallë, dialogu jepet i natyrshëm dhe pa e tepruar “me kripë e piper” krahinorist a vendorist e profesional.Gjithmonë autori synon të japë aq ngjyresa e përftesa stilistike sa duhet, pa tepri dhe në një ngërthim sintaksor e stilistikor që, mbi bazën e ironisë e të satirës, të bën t’i mbash duart në ije që të mos vdesësh së qeshuri. Unë vetë, një mbrëmje, teksa po nënvizoja fjalë e mënyra të thëni nga “Metamorfoza” e mora në telefon Ylljetin dhe i thashë se  kaq bukur i ka përmbledhur e  përfshirë në rrëfim parullat e kohës, saqë jam shkrirë së  qeshuri apo, sikundër thonë në anët e Mbishkodrës,”gati kam pas dekë prej gazit”.

Natyrisht, për brezin e lexuesve të moshës së tretë, që janë versnikë me personazhet e ngjarjet e romaneve e skenarëve të filmave të Ylljetit, të qeshurit është  i hidhur, i zymtë apo, si do të thuhej me një frazeologjizëm të arbërishtes “qeshin si delja në hedh”, kurse për brezin e ri, po të mos ishte pjesa e dytë e “Metamorfoza e një kryeqyteti”, ato që rrëfen, përshkruan e sjell autori do të dukeshin të pabesueshme. Pjesa e dytë, gjithashtu, është e atillë që të vë në mendime, ka një nëntekst të fuqishëm e kushtrimues dhe që, për fat të keq të shqiptarëve e të shqiptarisë, ka si nëntekst fjalën e urtë franceze “’istoire se repet”(histora përsëritet). 

Autori shkon me “kutin “ e traditës më të hershme e më të mirë të krijuesit që thuhet në maksimën latine “con granis aris”(duke shoshitur e situr).

Si të gjithë njerëzit e urtë e të ditur, Ylljet Aliçka, edhe mbasi do të kthehej në kryeqytet, edhe mbasi t’i shndriste ylli i suksesit me botime të pëlqyeshme e të vlerësuarra me çmime , edhe mbas emërimit në detyra të rendësishme si diplomat e deri në shkallën më të epërme diplomatike të ambasadorit, ka mbetur po ai burri i urtë, i qetë e i shkueshëm dhe i dashur me miqtë, i buzëqeshur e dashamirë më këdo.

Lexues të nderuar! E tillë, e qetë, e shtruar, e natyrshme dhe pa asnjë përpallje e rropamë vjen edhe gjuha e romaneve të Ylljet Alickës.

3. Disa shembuj ilustrues. Një nga cilësitë më të vlerësueshme të prozës së shkrimtarit Ylljet Aliçka është ngjyresa e kohës, nëpërmjte mënyrave të të thënit dhe parullave e ligjërimuit të personazheve,duke pasqyruar natyrshëm, gjymtimet dhe shtampëzimet që kishte pësuar prej trysnisë ideologjike të kohës. Ja disa prej tyre, të cilat nuk kanë nëvojë për komente.

“Frymë e theksuar disfatiste, që jo vetëm nuk lë hapësirë për shndërrimin e dhembjes në forcë, por ngjall njëkohësisht ndjenja të theksuara ligështimi.”

“I përqendruar te puna e lodhshme, qëllonte që ai të pikaste në gishtërinjtë e armiqve ndonjë unazë të punuar me shije të hollë. Në kësi rastesh, ai u thyente gishtërinjtë armiqve për t’u marrë unazën e për t’ia dhënë më pas gruas së vet e cila, në shenjë respekti për të shoqin, e ruante dhuratën si kujtim të ndier.”

“I lutem Partisë që me shpatën e saj të mprehtë të presë nga rrënjët pjesën e keqe të jetës sime dhe të më konsiderojë si ish-birin që ka gabuar rëndë, në mënyrë që të vete në varr jo si armik i Partisë e popullit, por si qytetar i thjeshtë patriot.”

“Të nesërmen u zgjua nga të qarat e çiliminjve në çerdhen ngjitur me derën e tij. Lau sytë me currilin e paktë të një ibriku para derës së çerdhes dhe pasi hëngri pjesën e ushqimit të mbetur nga mbrëmja, u paraqit te zyrat e Këshillit, ku i caktuan vendin e punës: stalla e lopëve, atje ku do të mbulonte detyrat e ushqimit të lopëve, leximin e shtypit dhe pastrimin e stallës.”

“Lefterisë i ka mjaftuar përfundimi i një shkolle të mesme për t’u punësuar shefe kuadri në ndërmarrjen e rrobaqepësisë, ku vigjilonte ruajtjen pastër të vijës së Partisë, sa herë zbulonte ndonjë punëtore që sabotonte shtetin duke qepur shtrembër kostumet e dokut apo duke mbajtur fundin pak mbi gju. Lefteria acarohej edhe kur nuhaste ndonjë vajzë që bënte dashuri para martese. Në kësi rastesh, ajo merrte masa të ashpra ndaj “fatkeqes, së cilës i kishte marrë koka erë”. Por, po u zëmë besë punëtoreve të rrobaqepësisë, ajo është, si të thuash, një shefe kuadri shushkë.”

“Erdhi një kohë kur një pjesë e mirë e shqiptarëve u bindën se në demokraci paratë mund të fitohen edhe pa punuar, thjesht duke i futur ato nëpër fondacionet piramidale që kishin nisur të shfaqeshin në vend, falë disa kapterëve largpamës në fushën e biznesit.

Por, sapo njerëzit kishin futur gjithë ç’kishin, duke shitur edhe shtëpitë, rastisi që skemat piramidale u shembën, duke marrë me vete edhe ato që qeveria e kohës i cilësoi si kursimet e ndershme të shqiptarëve. Si pasojë, në vend pllakosi kriza e tmerrshme e vitit 1997 që u shpalosi shqiptarëve mundësi të pafundme për t’u vrarë e kacafytur me njëri-tjetrin.

Ndodhka, pra, që një vend mund të mbetet edhe pa polici, pa ushtri, pa qeveri, pa gjykata, pa burgje; me sa duket, historia njerëzore nuk është e huaj ndaj këtyre të papriturave.”

“Andrean, e takova para nja një viti. Ra biseda për librat, e di si më tha: “Eh, librat, tani i kemi sa të plasim, i shkelim me këmbë e s’i lexojmë. Le që, kush çan kokën sot. Qoftexhiu i lagjes sime i mbështjell qoftet me fijet e holla të Biblës, kurse me faqet e Uliksit të Xhojsit bëjnë kaush për të shitur caracë e hide. Jo, or mik, jo, kush ua ka ngenë librave sot.”

Në variantin më të gjerë, që do të botohet në faqet e librit tim “Kundrime  për ligjërimin artistik të disa shkrimtarëve të sotëm”), natyrisht, do të jepen  edhe disa shembuj te tjerë, duke përzgjedhur nga një ose dy fraza të tilla prej librave të tjerë: “Parullat në gurë, “Valci i lumturisë” dhe, nga ndonjë prej skenarëve të filmave dhe nga drama “Luda”.

I uroj autorit frymëzim e vlagë pune dhe për vepra të tjera në prozë e në dramë dhe skenarë filmash, si dhe, sikundër e shpreha më lart, do të gëzohesha shumë nëse ndonjë nga filologët e rinj do të ndërmerrte një studim monografik të plotë për prurjet leksikore e frazeologjike dhe përgjithësisht për gjuhën e stilin e shkrimtarit Ylljet Aliçka, duke jetësuar kështu porosinë e vyer  e të pavdirë të Dritëro Agollit, i cili me të drejtë kërkonte që  “në faqet e shtypit letrar dhe të shtypit profesional të gjuhësisë, të ketë artikuj studimorë për evoluimin e gjuhës artistike në prozën tonë të viteve të fundit, në romanin, novelën, tregimin.”

Tiranë, dhjetor 2022-shkurt 2023

Exit mobile version