Përktheu Roland Gjoza
DY NETË PARA SE TË FESTOJA 72 VJETORIN
ulur këtu në një natë zhegu përvëlues, ndërsa
pi një shishe kabernet shavinjon
pasi kam fituar 232 dollarë në garat me kuaj.
nuk kam shumë gjëra për t’iu thënë, veçse
po të mos ishte kjo këmba ime e djathtë,
kaq e pabindur,
nuk do të ndjehesha ndryshe nga sa jam ndjerë
30 apo 40 vjet më parë ( dhe për më tepër
tani kam më shumë para dhe mund
të siguroj një varrim
dinjitoz ) gjithashtu
ngas makina më të mira dhe
nuk ngarkoj më
thika automatike.
jam ende në kërkim të një heroi, të një heroi model
por nuk kam gjetur asnjë.
nuk jam më tolerant ndaj Humanitetit
nga ç›kam qenë ndonjëherë.
nuk jam i mërzitur me veten, përkundrazi gjej forca
për të qenë i vetmi që rikthehet
në kohët e
krizave.
kam qenë gati për të vdekur me dekada të tëra dhe
ushtrohesha dhe përsosesha
për fundin,
por bën kaq shumë
nxehtë sonte
dhe nuk arrij të mendoj aq shumë, por
ky kabernet i shkëlqyer
është i mjaftueshëm për mua.
nganjëherë nuk e besoj as vetë
si kam arritur gjer këtu
ky duhet të jetë një lloj mallkimi perëndie
kthyer në mrekulli!
vetëm një tjetër djalosh plak
duke pasqyruar forcën
duke buzëqeshur pak
ndërsa qytetet dridhen dhe dora e tij e majtë
ngrihet
mund të shtrëngojë
diçka
reale
KANCER
gjysmë njeriu dhe askund
vetëm fillikat
dëgjoj si rrroposet
kështjella brenda meje
i ngecur
në orën
më të errët
humba dhe
lojën e fundit
tani
zgjatem
drejt
kockave
dhe heshtjes
PLAK
jam plak por nuk e ndiej
ende
jam si një tank
që shkel me rrapëllimë
mbi mutin
e grumbulluar
prej kohësh
dhe vazhdimisht
ai mut
fizik dhe shpirtëror
shtohet dhe bëhet mal
ne vazhdojmë të ndotim
dhe stratosferën
mbeturinat hapësinore
notojnë
rreth e rrotull
poshtë
lart
aty
këtu
kujtoj gjyshen time
tepër të moshuar
nje masiv mishi i padobishëm
me sy të vdekur
dhe me një mendje
të mbushur
me mut
ajo më shkaktonte lodhje
isha i zhgënjyer
teksa e shikoja
ashtu
unë jam ende mish i lakmuar
më ndjekin qentë e zinj të vdekjes
më kafshojnë thembrat
janë kaq të mërzitshem dhe
s’më ndahen kurrë
kur të më vënë poshtë
ata do të festojnë
trofenë
e përpjekjeve të tyre.
vajza të reja
prej vendeve
të largët
do të më
qajnë
dhe kjo është
një e drejtë e tyre
dhe ferri do të jetë për mua diçka e re dhe
interesante
MENDJA DHE ZEMRA
pashpjegueshmërisht ne jemi vetëm
përgjithmonë vetëm
dhe ishte menduar
të ndodhte kështu
nuk ishte menduar
të ndodhte ndryshe
dhe kur beteja e vdekjes të fillojë
gjërat e fundit që dua të shoh
janë;
një unazë fytyrash njerëzore
që më vjen rrotull
miqtë e mi të vjetër
ata më të mirët
dhe muret e vetvetes
s’dua tjetër të pranishëm
kam qenë vetëm, por rrallë
i vetmuar
e kam shuar etjen
në pusin e vetvetes
dhe ajo verë ishte e mirë
më e mira që kam shijuar ndonjëherë dhe sonte
i ulur
ia ngul sytë errësirës
dhe i kuptoj më në fund;
errësirën dhe dritën
dhe gjithçka
midis
paqja e zemrës dhe mendjes
vjen
kur ne kuptojmë
ç›është ajo;
ka ekzistuar
dhe më parë
në jetën tonë të çuditshme
në lojën e kotë
të ditëve
merrni ç›të merrni
nga gëzimi
dhe gjithçka tjetër
lëreni pas
mos qani për mua
mos u trishtoni për mua
lexoni
ç’kam shkruar
pastaj
harrojini
të gjitha
pini nga pusi
juaj
dhe filloni
përsëri
POEZI E VJETËR
kjo është një poezi e vjetër
e një djaloshi plak.
keni kaq kohë
që e keni dëgjuar
jam ulur këtu
sërish
i dehur
tavlla plot
shishe rreth e rrotull
poezi të shpërndara
në dysheme
ndërsa nata shkon drejt agimit
unë bëj të njëjtën punë
shtyp e shtyp
me gabime
dhe
bulkthat kanë kohë
që flenë
baret
janë mbyllur
gjithashtu
Li Po duhet t’i ketë kaluar
të gjitha këto përvoja
si unë
përshëndetje, Li Po, ti
provues i krisur
i barërave dehëse
bota vazhdon të jetë
e mbushur plot
me zemërim
dhe
dëshpërim mbytës
ti e dije mirë ç›duhej bërë
me poezinë
i vije zjarrin
dhe e lije të lundronte
poshtë në lumë
ndërsa perandori qante për këtë
humbje
( por ti dhe unë
e dimë fare mirë
se kjo është
pjesa më e natyrshme
e kësaj loje )
dhe ky çast është
tani
dhe
për fat
kam një pije
atje majtas
në dysheme
midis poezive
përmes tymit
bie mbi tavëll
bytha më digjet
vetullat më përzhiten
kërcej jashtë
marr tjetër drejtim;
koktejl poezia!
dhe më vjen një zë
nga muri ngjitur
“ TË QIFSHA TY
ME GJITHË MAKINËN E SHKRIMIT”
janë të shumtë
pacientët
që më shajnë kështu;
është ora 3:45 e
mëngjesit
por unë nuk ndalem
duke shtypur
kam për të shijuar
dhe këtë pije
të fundit,
sepse prej kohësh
e kam mundur vdekjen
të paktën
10.000 herë.
departamenti i policisë së Los Angjelesit
një tjetër
problem
PO VJEN FUNDI
ora 2 e mëngjesit
në dhomën time të vogël
lë makinën e shkrimit
për pak kohë
ndez cigaren tjetër
dhe vazhdoj të dëgjoj
Bethovenin
në radio.
unë dëgjoj dhe dukem
kaq i çuditshëm
i plogët,
një qenie parazite
mendjen e kam te një poezi tjetër
dhe tek një tjetër pas saj
dhe tek ushqimi i keq që ha
a s’është kjo
një mrekulli
në kohën që po më vjen fundi
si dikur
dhe tani
unë admiroj guximin dhe të pirët prej sarhoshi
të kompozitorit
vdekur
mbi 100 vite më parë
kush është më i ri dhe më i fortë
ai është sigurisht
po dhe unë jam
shkëlqejnë shekujt
prej magjisë së rrallë
të krijesave hyjnore
që na shkëpusin prej të zakonshmes së tmerrshme
dhe sëmundjeve të pashërueshme
që na rrethojnë
ndez cigaren e
fundit
kujtoj të gjitha orët 2 të mëngjesit
të së kaluarës sime
i nxjerr jashtë bareve
në kohën që mbyllen
i nxjerr në rrugë
( një zhgan i rreckosur
me vetmi fillikate
njerëz
ishim ne )
secili zvarritet në shtëpinë e vet
vetem
shumë më mirë është të jetosh
si unë
tani
të thuash
gjallë jam
gjallë
të dëgjosh për
optimizmin
mirësinë
shpresën
të mrekullueshmen
SIMFONINË E TRIUMFIT;
jetën e re.
NJË LETËR NGA HADI NË KUTINË TIME POSTARE
lexoj;
z. Chinaski, ne erdhëm për t’ju thënë nëse
jeni i interesuar për një drekë falas.
ne do të vimë përsëri
pasdite
do të sjellim ca birra.
tani është ora 14:00
presim telefonin tuaj nëse jeni i interesuar.
397 – 8211
Steve dhe Frank
PA PËRVOJË NË DASHURI
vajzë e vogël e zeshkët me
sy të ëmbël
po vjen koha
të përdorësh thikën
po unë s’do të frikësohem
s’do të bëj me faj
ty
po veten
ndërsa ngas makinën
përgjatë bregut
fillikat
shoh valëvitjen e palmave
të palmave të shëmtuara të rënda
të gjallët s’mbërrijnë
të vdekurit s’largohen
nuk të bëj me faj
e harroj thikën
kujtoj puthjet
buzët tona që s’dinin të puthnin
se s’kishin përvojë në dashuri
kujtoj ato çaste
si më dhe gjithçka që kishe
dhe unë
si të dhashë ç›kish mbetur
ende
kujtoj dhomën tonë të vogël
atë ndjesi delikate për ty
dritën në dritare
historitë e tua
librat e tu
kafenë tonë të mëngjesit
mesditat tona netët tona
trupat tanë që u derdhën së bashku
kur binim për të fjetur
rrymat e vogla, rrjedhjet
të menjëhershme dhe të paharruara
këmba jote këmba ime
krahu yt krahu im
buzëqeshja jote, ngrohtësia
jote
që më bëjnë të qesh dhe tani
vajzë e vogël e zeshkët me
sy të ëmbël
ti nuk ke thikë, thika është
imja
nuk po e përdor
ende
GJENIU I TURMËS
ka shumë urrejtje, pabesi, dhunë, absurditet te njerëzit mesatarë
qenie të gatshme për te furnizuar ushtritë në çdo kohë
dhe më të mirët në vrasje janë ata që predikojnë kundër saj
dhe më të mirët në urrejtje janë ata që predikojnë dashurinë
dhe më te mirët në luftë janë ata që predikojnë paqen
ata që predikojnë zotin, kanë nevojë për zotin
ata që predikojnë paqen nuk kanë paqe
ata që predikojnë paqen nuk kanë dashuri
kujdes nga predikuesit
kujdes nga të diturit
kujdes nga ata që gjithmonë lexojnë libra
kujdes nga ata që e urrejnë varfërinë
ose nga ata që janë krenarë për të
kujdes nga ata që shumë shpejt ju ngrenë në qiell
dhe presin t’ua kthesh me të njëjtën monedhë
kujdes nga ata që menjëherë ju censurojnë
se kanë frikë ngaqë shumë gjëra nuk i njohin
kujdes nga ata që kërkojnë t’i ndjekë turma
ngaqë vetëm nuk ndjehen të fortë
kujdes nga burri mesatar, kujdes nga gruaja mesatare
kujdes nga dashuria e tyre, se dashuria e tyre është mesatare
në çdo gjë kërkojnë mesataren
por janë gjeni në urrejtjen e tyre
ka shumë gjenialitet në urrejtjen e tyre për t’iu vrarë
për të vrarë dikë
duke mos duruar vetminë
duke mos kuptuar vetminë
ata do të përpiqen të shkatërrojnë gjithçka
që ndryshon nga botkuptimi i tyre
duke mos qenë në gjendje për të krijuar art
ata kurrë s’do ta kuptojnë artin
dhe dështimin e tyre si krijues do ta arsyetojnë
vetëm si dështim të botës
duke mos arritur të dashurojnë vërtet
ata do ta besojnë dashurinë tuaj të gënjeshtërt
dhe pastaj ata do t’ju urrejnë
dhe urrejtja e tyre do të jetë një kryevepër
si një diamant rrëzëllitës
si një thikë
si një mal
si një tigër
si një bar helmues
arti i tyre i mahnitshëm!