Kreu Letërsi Shënime mbi libra Gentiana Bajrami Atashi: Metamorfoza e shndërrimit të nënës në kukull

Gentiana Bajrami Atashi: Metamorfoza e shndërrimit të nënës në kukull

Hyrje

“Kukulla” e Ismail Kadaresë fillimisht u botua si pjesë e librit “Mëngjeset në Kafe Rostand – Motive të Parisit”. Në vitin 2015 u botua si roman me vete, me titullin  “Kukulla” dhe me nëntitullin “Portreti i nënës”. Në leximin e parë, ai shfaqet si roman absurd në cilësimin e nënës, por kjo paarsyeshmëri fiksionale tretet nga rileximet, sepse çdo herë e më shumë del në pah vlera e këtij romani, në veçanti për lexuesit semiotik siç kanë potencuar studiuesit si karakteristikë e veprës postmoderne.

Nga shumë kritikë, “Kukulla”, konsiderohet roman autobiografik dhe ashtu reflekton, sepse pothuajse e gjithë vepra përshkruan udhëtimin intim në jetën e Kadaresë, duke vënë në pah marrëdhënien e tij komplekse me nënën e tij.

Në romanin “Kukulla”, shkrimtari në mënyrë kronologjike jep të dhëna për jetën, nisur nga fëmijëria e deri në vitet e mëvonshme të pjekurisë së tij. Ismail Kadare përshkruan me mjaft përpikmëri periudhën jetësore të hershme (shkruan nga këndvështrimi i fëmijës) dhe rrëfimi vazhdon deri në momentin e shkrimit të veprës. Përbrenda këtyre dy skajeve, autori portretizon familjen dhe shoqërinë e asaj periudhe, në mënyrë specifike jetën nën konturat e komunizmit. Personazhi kryesor i veprës është kukulla, nëna e tij. Ai rrëfen ngjarjet që nga martesa e saj e detyruar si një shtatëmbëdhjetë vjeçare. Kadare përshkruan familjen e nënës (Dobatët) dhe të babait (Kadarenjtë); dy familje të një qyteti antik shqiptar (Gjirokastra), e që midis tyre, në mënyrë të nënkuptuar ka ekzistuar një lloj ‘lufte’ e ftohtë. Në mënyrë të hollësishme, Kadare tregon ndikimin e traditës së ashpër patriarkale, veçanërisht faktin që nëna qe e obliguar të jetonte nën vëzhgimin e vjehrrës së saj dhe ndikimin e po të asaj në vendimarrjet familjare, e cila qëndronte brenda ‘burgut’, duke ndjekur zakonet familjare. Rolin e babait e konsideronte gjykatës dhe funksioni i tij ishte gjykimi i marrëdhënieve midis gruas dhe nënës. Misteri i shtëpisë monumentale ishte burgu, enigmën e të cilit nuk e mësoi asnjëherë. Gjithashtu,romani mbizotërohet nga karakteristika të fillesës së shkrimeve të tij dhe jetës rinore, njohjen dhe martesën me Helenën, vitet e mëvonshme të krijimtarisë së tij, si dhe vdekjen e babait dhe të nënës.

Raporti i Kadaresë me nënën e tij është pasqyruar në shumë pjesë të romanit, por në mënyrën enigmatike, që sipërfaqësisht dukej i pazakonshëm. Përbrenda gjithë asaj mjegullie theksohej një lidhje e fortë shpirtërore, por që ishte e pamundur të kalonte në lidhjen e tyre reale. Gjatë leximit hetohen shumë karakteristika në mospajtimin, largësinë, ashpërsinë, fyerjen, ironinë e relacionit bir-nënë, por edhe ajo lidhje e ngushtë, e cila vështirë e perceptohej në leximet e para.

Kukull ishte emërtimi i shkrimtarit për nënën. Për arsyen e emërtimit të tillë të së ëmës duhet nisur nga ajo që veprat e Kadaresë shënjojnë thellësinë psikologjike, që në shumicën e rasteve duhet nënkuptuar hapësirat e brendshme të të pathënave dhe funksionin e tendosjes personale, gjë që e bën “Kukullën” roman unik në letërsinë shqipe, por edhe më gjerë.

Autorja e shkrimit, Gentjana Bajrami Atashi, duke marrë romanin “Kukulla” të nënshkruar nga Kadare

Metamorfoza e nënës

 Gjeneza e shndërrimit të nënës në kukull, gjurmohet me elementet autobiografike të viteve fëmijërore dhe rinisë së Kadaresë. Së pari, autori nxjerr në pah shpërputhjen e nivelit shoqëror të familjes së Dobëve dhe të Kadarenjve. Hatixheja ishte vajzë e rritur në një mentalitet komplet tjetër, në një familje të emancipuar dhe të pasur; në roman përmendet shkollimi i familjarëve të saj (ungjve të tij të cilët ishin shkolluar në Budapest dhe Moskë). Kontrastet e radhës familjare ai i përshkruan nga këndështrrimi i një të rrituri, pasi që do të ishte e pamundur të hetoheshin në fëmijërinë e tij.Përveç dallimit se shumica e Dobatëve ishin në jetë, kurse Kadarenjtë ishin të vdekur, ai dikton edhe shumë element të ndryshueshmërisë në mes të këtyre dy familjeve: shtëpitë, parfumet, violinat, bujqit grekë të ish-pronave të gjyshit, ish shërbëtorët, bisedat dhe leximi i gazetave për çështje me rëndësi, si neoshqiptarizma, idetë e Frojdit e të Branko Merxhanit, etj., që për tjetrën ishin të pazakonta. Të dy familjet kishin vendosur që në raportet e tyre të maskoheshin: Dobatët ta fshehnin pasurinë e tyre, kurse Kadarenjtë maskimin e madhështisë së rreme. Në njërën nga faqet, Kadare shkruan: A mund të krahasohej, për shembull, rënia e violinës, me dy dhomat ku s’na lejohej të hynim ose me hapsanën, siç quhej burgu? Kontrasti në mes të këtyre dy familjeve ishte më i thelle se sa dukej.

Madhështia e rreme dhe relacioni i kundërshtisë

Rritja e kësaj vajze shtatëmbëdhjetë vjeçare ishte ndërprerë nga një marrëveshje që qysh në fillesat e saj ishte e gabuar: ‘mëkat’ që s’ishte marrë vesh kurrë. Ajo hidhet në një familje të madhe dhe të mbyllur, ku gjithçka sillej rreth vendimeve të një kryefamiljareje që përveç që në rrethin e tyre kishte emër si grua buzëhollë dhe e mençur si fëmijë dhe Kadare e konsideronte të tillë. Do t’i duhej një jetë e tërë që të kuptonte esencën e nameve të tilla për “mençurinë e tëpërt”, në veçanti të gjyshes, që përmes shenjave të fshehura vërehet qartë pikëpamja jo e drejtpërdrejtë e Kadaresë për gjyshen. Prandaj, metaforikisht e ka cilësuar të tillë “e mençur”, duke shprehur ironi të thellë për mediokërit. Mediokriteti paraqitej si veçanti e gjithë familjes jo vetëm e gjyshes dhe hetohet në shumë raste. Si mosdalja e grave të moshuara nga shtëpitë e tyre ishte një dok i pashpjegueshëm dhe i paarsyeshëm. Mosdalja, sipas Kadaresë ishte një lloj statusi, në një formë ngritje rangu ose cilësi e një mondaniteti apo formë e disa familjeve gjirokastrite, të cilët vuanin nga mania e mendjemadhësisë. Vetë autori i cilëson doke të njerëzve të marrë, që kishin lidhje me ngritjen e autoritetit. Pastaj lëkundja e babait, domethënë qëndrimi neutral në raport me gruan dhe nënën, që sipas zakoneve të qytetit të vjetër epërsia në çdo rast duhej t’i takonte nënës, dhe si i tillë ai cilësohej si një i luajtur mendësh. Kadare citon se: Prej kohësh mendonin se “mikrobi i madhështisë” i ishte ngjitur ndërkaq jo vetëm asaj, por edhe mua qysh se kisha mbushur njëmbëdhjetë vjet. Ethet e lavdisë si tipar i karakterit të tij kishin vazhduar në gjithë rininë e tij, mbase gjatë gjithë jetës së tij.

Raporti mohues midis vjehrrës dhe nuses u hetua që në ditën e parë të martesës. Raporti i tyre shpesh dukej i lehtë për t’u kuptuar, por shpesh bëhej aq i pazbërthyeshëm, ashtu që mjegulla do të largohej vetëm pas shumë vitesh për ta kuptuar realitetin. Për balancimin e raportit të këtyre të dyjave, gjyqi ishte ai që gjykonte veprimet e të dyjave, e gjykatësi ishte babai. Procesi gjyqësor i këtyre dy grave ishte i papërfunduar; proces për diçka që nuk zgjidhej. Nga këndvështrrimi i Kadaresë si fëmijë ky proces ishte grotesk, por që duke u rritur ajo hetonte diçka me të thellë në gjithë këtë pështjellim.

Ndeshja e këtyre dy botëve të kundërta shkakton një mbyllje në vete të Kukullës, një largesë dhe një mospajtim i brendshëm me një realitet të ri, ku gjithçka përfundonte përbrenda një bashkëjetese boshe, një bote që nuk i takonte asaj. Merrej me mend se lidhjet e Kukullës me shtëpinë nuk mund të ishin veçse të sipërfaqshme. Ajo sipas gjitha gjasave në pamundësi që ta përballonte këtë kontrast jetësor, zgjedh tërheqjen dhe nënshtrimin në atë rreth të vetmuar. Shpresa e saj ishin fëmijët, si çdo dëshirë e një nëne, por kjo gjë nuk u përmbushë asnjëherë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës me djalin e saj, Ismailin. Ai nuk e njohu anën e vërtetë të saj, së paku sa ishte ajo në jetë. Edhe pse qe lidhja më e fortë jetësore nënë- bir, kjo lidhje kishte një largesë në realitet, dhe një ashpërsi e shprehur përmes ironisë nga ana e të birit. Kukull ishte ajo jo vetëm nga përshkrimi i jashtëm: e bardhë, e lehtë, e brishtë si prej porcelani dhe naive sikur një kukull, por edhe nga ana subjektive, sepse roli i një kukulle është sjellje e kënaqësisë tek të tjerët; një objekt i thjeshtë loje. Si e tillë, realiteti jetësor i Kukullës, u bë i errtë në një shtëpi që të hante. Kjo frazë ka përqendruar tërë trishtimin Hatixhes, e cila nuk mund t’i shprehte ndjenjat, mendimet, dëshirat, pasionin vetanak dhe e gjithë qenia e saj, prandaj çdo ditë humbte nën errësirën e një jete të mjerë. Autori paraqet në fomën më të mirë karakterin letrar që mishëron individin, konkretisht vizionin e tij për gruan shqiptare në një periudhë kohore ‘mbytëse’. Edhe pse dukej aq naive dhe e brishtë kishte një fshehtësi të çuditshme. Dukej se nuk i dinte gjërat, por në realitet dinte shumë, dhe e gjithë enigma e saj fshihej prapa cilësimit të opinionit të të tjerëve, “gjendje ekonomike”.

Pazbërthyeshmëria e figurës së nënës

Nëna, sipas Ismail Kadaresë të cilit i kishte bërë përshtypje poezia e e Andrei Voznjesenskit, që në një shpjegim të tij për ato vargje tregonte lidhjen e sintagmave nënë dhe terr, e sipas gjitha gjasave ky krahasim kishte të bënte me pazbërthyeshmërinë e nënës, ashtu sikur terri.

Pazbërthyeshmëria e nënës së Kadaresë qe karakteristikë që e përshkon gjithë romanin. Në një nga pjesët në mënyrë të sipërfaqshme përmendet një histori dashurie e nënës para martesës, por që me një fjalë ai s’do ta konsideronte as “dashurizë” historinë e treguar, duke e lënë në turbullirë mendjen e lexuesit se mos ishte ai i gjithë shkaku i misterit të karakterit të saj.

Gjithashtu, Kadare kishte dyshime në të ashtuquajturën dashuri midis babait dhe nënës. E quante dashuri në shikim të parë, duke e krahasuar me atë të Dantes dhe Beatriçesë. Mbase paradoksale dashuria e tyre që filloi nga një shikim nga dritarja dhe pas treçerek shekulli më vonë të mbyllet me dëshirën e nënës, për t’u varrosur në një varr me atë (bashkëshortin).

Enigma e nënës ishte aq e fortë sa që e krahasonte më hyrjet e daljet e fshehta të shtëpisë së tij, që nuk i kishte zbuluar kurrë, që shpesh dukeshin si kod i pashmangshëm për analizën dhe zbërthimin e këtyre mëdyshjeve.

Kah fundi i romanit, Kadare thekson rolin dhe ndjeshmërinë e nënës për artin në përgjithësi. As ajo, babai dhe vetë shkrimtari mbase as dyzimi i saj njerëzor nuk arriti ta kuptonte. Sensi dhe vetëdija e saj për artin shkonte përtej parashikimeve të tyre. Ishin të tjerët të cilët e vunë në pah ndjeshmërinë dhe pasionin e saj për Teatrin, Pallatin e Kulturës, Klubin e Shkrimtarëve, Galerinë e arteve, hotel Dajtin. Ishte shumë vonë kur Kadare kishte arritur të zbulonte se në ditët e bukura vishej me rroba të veçanta dhe dilte në ecjen e lehtë, e që në të vërtetë ajo fshehurazi shkonte në teatër. Zjarri pasionant për artin nuk i ishte shuar edhe pas kaq vjetësh, por që vazhdoi ta mbajë të gjallë në vitet e mëvonshme të jetës me një ndjesi dhe interes të pazakontë. Ajo mbeti gjithmonë e njëjta në stilin e saj kuptimi e moskuptimi bashkë, të bëra njësh, në jetë e në mosjetë.

Frika e mohimit të nënës nga djali është përshkruar në mënyrë të tërthortë. Ishte një frikë e brendshme e asaj që herë pas herë i shfaqej si ankth. Shqetësimi i saj nuk u shua pothuajse asnjëherë, pra vazhdoi deri në përjetësi. Edhe pse autori e dinte që frika e nënës ishte e kotë, e pakuptimtë, ai kurrë nuk u shpreh me të, sepse e kishte të pamundur t’ia shpjegonte. Tërheqja nga autoriteti i saj si nënë ishte i qëllimshëm, sepse e dëshironte dhe e kërkonte lirinë e djalit në një botë që ishte e izoluar. Mbase thirrja e saj “mos më moho”, kishte një domethënie të thellë, në formën që nëse mohimi është aspekt i të përfituarit në avancimin e tij, atëherë le të mohohet nga i biri. Thelbësore ishte ‘shkëlqimi’ ose ‘lartësimi’ i tij. Përkundër ashpërsisë, dhe raportit tallës ndaj nënës që shprehet në faqe të tëra të romanit, ana tjetër e karakterit të djalit ishtë formë e dhembshurisë, sepse e tmerronin lotët e saj, si rrjedhojë ndjente dhembje të papërballueshme. Këtë gjë sigurisht që e ka ndjerë edhe babai i tij gjatë jetës, por ishte e pashmangshme që të përmbyste traditat e shtëpisë treqindvjeçare.

Pikëpamja e tij për nënën me kalimin e viteve ndryshonte në zbërthimin e së vërtetës përkundër pasakatësisë së arsyes në vështrimin e asaj, që pikërisht tek ajo fshihej zanafilla e dhuntisë së tij për të shkruar. Mbase gjithë ato që i kishte marrë, i kishte marrë nga një qumësht ndryshe, qumësht gjiri i një kukulle, e mbi të gjitha ndjesinë e tmerrit të ftohtë si të një gipsi, e që më vonë, çnjerëzorja tek ai do ta mbronte nga tmerri i njerëzve. Gjithçka e nënës i kishte kontribuar në punën e tij, madje edhe dhembja, mungesa, lotët, çdo gjë që e kishte dëmtuar atë, ishte bërë në çfarëdo forme pjesë e artit të tij. Ajo medeomos kishte dalë përballë me të dhe artin e të birit e që njëra gjithsesi do të humbiste. Ajo që u tret ishte pikërisht ajo, pra nëna. Përfundimisht hoqi dorë nga çdo ‘pozitë’, veçanërisht nga të qenit nënë, duke u shndërruar në kukull, për t’ia falur të birit lirinë, në një botë ku liria ishte e pazakontë,  si copa e bukës së racionuar në kohën e gjermanëve, që e shkëpuste nga pjesa e saj e paktë, për të ma dhënë mua fshehtazi…

Përfundim

Ky roman shenjon guximin e autorit për një histori të qytetit të Gjirokastrës, me ngarkesë ironie, duke e përshkruar veten në disa aspekte si një të ri arrogant, i fiksuar, e që më pas krijon një këndvështrim të ndryshim nga tradita dhe jeta mbytëse e vendlindjes dhe vlerave të së kaluarës, që kishin shënuar fëmijërinë e tij dhe jetën e nënës. Kadare nuk thekson çështjen e pakënaqësisë së Kukullës në mënyrë të drejtpërdrejtë, por që në mënyrë implicite transmetohet pakënaqësia e nënës në rrjedhën e romanit.

Diskursi i tij shfaq në mënyrë të nënkuptuar afërsinë e brendshme në mes tyre, por pamundësinë për ta shfaqur nga ana e autorit, kurse nga ana e nënës reflektohet me kujdesin, shqetësimet dhe dëshirat në raport me të.

“Kukulla” nuk është një roman idesh, pra në thelb është një roman i reflektimit të një marrëdhënieje, i përmirësimit, i vlerësimit dhe dinjitetit tipik si veprim definitiv i nderit përpara qenies më sublime, nënës së tij.

Exit mobile version