Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ardian Ndreca: Kumtet e andrrave të këqija

Ardian Ndreca: Kumtet e andrrave të këqija

Ky libër me tregime i shkrimtarit Ndue Ukaj asht nji metër me të cilin autori mat dhe shmatë vetveten dhe gjinin e tokës prej së cilës ai ka dalë. Me nji gjuhë të thjeshtë, nganjiherë madje tepër të thjeshtë e pa trope, ai ndërton dhe zbërthen kryqëzimet e sotme të jetës sociale e politike të Kosovës së tij. Ndodh që nganjiherë të distancohet prej ngjarjeve që rrëfen tue i vendosë në kohna të paidentifikueme, pa deklarata pompoze toponimesh apo vitesh. Fabulat janë elementare, por asht elementarja ajo që ndërton intimitetin e nji bashkësie që ka pësue thyemje dhe damtime strukturale dhe po vonon me e marrë veten.

Ukaj asht rrëfimtar i qetë, sintaksa e tij ma së shumtit i ngjan asaj të rrëfimeve të motit buzë votrës, figuracioni asht i kandshëm, ndërsa erudicioni dhe formimi profesional ia lejojnë me hy e me dalë lirisht në fushat e pamata të letërsisë botnore prej kah zgjohen hera herës reminishenca të kandshme n’daç letrare n’daç filozofike.

Tek tregimi Ëndrra e perandorit autori lot me shtjellat e botës onirike, tue e kthye pallatin e perandorit në nji muskul kardiak ku ndihet vetëm ushtima e zemrës së tij të rrethueme prej vetmisë së pushtetit. Gjithçka asht pezull, e tmerrueme prej nji horror vacui që mbështjell keqas ata që kanë pushtet të pakufizuem dhe të pakontrolluem. Janë pamje jashtë kohet që ngatërrohen me jetën normale të cilitdo që provon sadopak andjen e pushtetit. E gjitha ngjet gati me vumjen në nji skenë metropolitane të bërthamës së nji tragjedie të vjetër. Andrra e mallkueme asht zhguelli prej frike e ankthi që rrethon misterin demoniak të pushtetit.

Pasqyra e një gjenerali asht rrëmimi freudian dhe rigjetja e ndërgjegjes, dorëzimi përpara së vërtetës, asaj që shpeshherë uniforma që i kemi ndërtue vetes msheh me vullnet dhe pa vullnet. Rrëfimi ka reminishenca psikoanalitike dhe mton me ndërtue nepërmjet nji fabule të thjeshtë rrugën e mundimshme të njohjes dhe pranimit të vetvetes.

Tema e pushtetit trajtohet edhe tek tregimi Shpërfillja e një udhëheqësi ku kulti personal merr përmasa patologjike të cilat të përkthyeme në art kumtojnë fundin e atij që e mban pushtetin. Ideja e nji uni hipertrofik që kaplon gjithçka që përmbys normalitetin e jetës së njerzve pse don që çdo detaj i saj të ketë vulën e vullnetit dhe dëshirave të tija, përshkon çdo rresht dhe na kujton disa faqe të trishtueshme të historisë sonë të shekullit XX.

Protagonisti i tregimit Një letër pa paralajmërim ndërthur dukshëm temën e pushtetit me zhvillimet tragjike të periudhës së mbaspamvarsisë në Kosovë. Tensioni i rikrijuem prej mujsharëve hyn frikshëm nën lëkurën e nji intelektuali patriot që ka vetëm nji faj: nuk asht ba borizan i farsës së atyne që për pushtet plaçkisin dhe rrënojnë të ardhmen e atdheut të tyne.

Fryma alegorike ndihet edhe tek tregimi Muzeu më i madh i historisë, ku Ndue Ukaj flet për muzeun e trajtuem si ngrehinë politike në shërbim të kësaj të fundit, pra historia e rrahun në kudhrën e politikës, e përthyeme me forcë për interesa të vogla meskine klanore. Kalojnë para syve skenat qesharake të ndamjes së nji lavdie të paqenë prej atyne që politikën e konceptojnë si grabitje të komunitetit ndërsa luftën si nji rast të papërsëritshëm me dalë në ballë siç del zakonisht gjithçka e pavlerë e rastësore që përmban historia.

Nji lakim të përafërt edhe pse në nivel tjetër ai i ban historisë edhe tek tregimit Pak para se të binte errësira, ku ndihet i fortë ndikimi pozitiv femnor, dashunia si balsam për melankoninë e intelektualit, në cilindo rreth të ferrit të ndodhet ai.

Marrinë që kapërthen do njerëz të lodhun prej rrengjeve të historisë, të cilët duen me konvertue në lavdi të paqenë personale vuejtjet shekullore dhe gjakun e derdhun prej trimave, autori e quen “sëmundja e lavdisë” dhe i jep hapsinë tek tregimi Manual drite, i cili përshkohet fund e maje prej shijes së keqe që len zhgënjimi prej asaj andrrës që s’u realizue dot. Onomastika në dorën e tarafeve, bustologjia, monografitë pseudohistorike me porosi, plagët e atyne që duen me projektue vetveten me zor në histori, mungesa e realizmit dhe e modestisë, që në fund krejt dëshmojnë edhe për ftohjen e idealeve të nalta të politikanit ma të madh, andrrimtarit të Kosovës së lirë dhe demokratike, Ibrahim Rugovës.

Krahas historisë së zvetnueme të trimave që dalin mbasi ka mbarue lufta, për autorin ekziston edhe nji histori e mirëfilltë, madje me nota intime familjare, nji të tillë përshkruen tregimi Kur gjyshi im vizitoi Romën ku ai përshkruen me lirizëm spontan e të çlirët figurën emblematike të gjyshit të tij, nji plak që mëson e udhëheqë në rrugën e virtytit me shembullin e tij të përkorë.

Autori e prekë me delikatesë magjinë e asaj kohe të artë që asht fëmijnia, i afrohet me detaje dhe përçon emocionet e pararendësit të tij gjatë nji vizitë në Selinë Apostolike në Romë.

Ky libër i Ndue Ukajt meriton me u lexue për stilin e zhdërvjellët dhe për ndjeshmëninë e naltë qytetare. Autori rrëfen me vetëdije dhe me respekt plagët e tokës së tij, nji vend ku ai dhe të ngjashmit e tij janë dhe ndihen përditë e ma shumë nji pakicë kulturore dhe shpirtnore. Këto tregime rrëfejnë me art mungesën e shpresës, thyemjen e andrrës por edhe dëshirën e nji ringjalljes së vërtetë të nji populli.

Exit mobile version