Kreu Letërsi Bibliotekë Gent Markaj: Dymbëdhjetë (tregim)

Gent Markaj: Dymbëdhjetë (tregim)

1.

Ishte e treta revistë letrare që ia refuzonte tregimin me heshtje, mirëpo për dallim prej herëve të tjera, pas këmbënguljes së saj këta denjuan t’i kthenin përgjigje për t’u përligjur disi: “Na vjen shumë keq, e nderuar, por duket sheshit se keni përdorur Inteligjencën Artificiale.”

 Zana s’po u besonte syve.

“Por nuk e ka shkruar ejaji, more, ju shitoftë zana!” shfryu ajo vetë më vete, jo pa një ndjenjë faji. “Unë e kam shkruar, unë!”

Në raste të tilla, kur vlonte gjaku në damarë, i ndodh shumëkujt të tallë, të fyejë apo të mallkojë me zë. Zanës jo. Goja e saj s’nxirrte kurrë fjalë të rënda apo të shëmtuara. Edhe atë fyerje a nëmë që ia behte në mendime ajo e mbante në vete derisa të shuhej si vetëtimë, pa e nxjerrë kurrë bubullimën. Edhe fjalën e mirë e thoshte përherë pa potere. E tillë ishte ajo.

Zana ishte në përgatitje e sipër të librit të saj të parë, me gjithsej dymbëdhjetë tregime, të gjitha të shkruara nga njeriu, mbi njeriun, për njeriun. A i kishte shkruar përnjëmend vetë, apo kishte bërë me hile, për shembull, duke kërkuar ndihmë prej dikujt më të mençur se homo sapiensi? (Gjithologu i lagjes; shkrimtari i njohur, i përkthyer në tri-katër gjuhë; apo, mos qoftë e thënë, algoritmet?)

“Po”, do të përgjigjej ajo, në kuptimin po, më ka ndihmuar dikush.

“E kush?!”

Ajo thjesht do të bënte me gisht drejt qiellit.

2.

Kishte njerëz për të cilët dora kompensonte pjesët tjera të trupit, për shembull, shkrimtarët. Për këta dora ishte një gojë e dytë. Me të parën u flisnin njerëzve, me të dytën njerëzimit. Herë ia arrinin, herë s’ia arrinin, por të paktën provonin.

E përgjatë dymbëdhjetë muajve Zana më shumë kishte shkruar sesa folur. Për dymbëdhjetë muaj kishte hedhur në letër njëmbëdhjetë copë tregime, ndërsa për të dymbëdhjetin e kishte kruar kryet bukur gjatë. Le ta quanin fiksim të panevojshëm, le ta shihnin si njeri të çuditshëm, le ta tallnin po të donin edhe pas shpine, por ajo i donte fiks dymbëdhjetë tregime; as më pak e as më shumë. Jo për gjë, por dymbëdhjetëshi duke qenë numër shpirtërisht i plotë, i jepte librit një ndjesi plotnie të cilën dhjetëshi s’mund ta bënte kurrë.

Po për çka të shkruante se? Rrëfimet e para i kishte thurur me perin e temave sociale, prandaj në këtë pikë s’donte ta përsëriste më veten. Për vuajtjet e zemrës njëherë për njëherë s’e kishte ndër mend të shkruante, as për të ëmblat, as për të hidhurat. Pe i harxhuar, thoshte me vete. Për tema feministe jo se jo. Këto ende s’ishin harxhuar por me to kishte kush merrej. Zana donte diçka më ndryshe.

Një ditë të rëndomtë kishte bërë një bisedë të thellë me FolABC-në si me një shoqe të vjetër, një shoqe që i dinte gati të gjitha përgjigjet e të gjitha pyetjet, ose të paktën mëtonte këtë gjë. Tema e bisedës? Nuk e di. Nuk më ka treguar. Ajo çka di unë është se duke shkruar e shkruar, në një moment të caktuar ajo ishte ndalur, e vërshuar nga një ndjesi habie. I kishte ardhur shumë çudi sesi njeriu kuvendonte me një kompjuter pa frymë sikur të ishin shokë. Bashkë me habinë dhe mahnitjen i kishte ardhur edhe një ide. I kishte shkrepur në krye ta letrarizonte një bisedë me Inteligjencën Artificiale. Pse jo? A mos ishte hera e parë që dikush paraqiste përditshmërinë në letërsi?

E përdorimi i FolABC-së një kohë përnjëmend pati marrë dhenë: përpos dreqit që e përdorte për të dreqëruar, e përdornin edhe nxënësit për detyra të shtëpisë, të mençurit për t’u ngopur me dije, mashtruesit për të mashtruar, të sëmurët për të kërkuar shërim, botuesit për të bërë ballina librash, e përdornin gazetarët, politikanët, klerikët, agjentët e fshehtë… Të gjithë këta, kufizimet e trurit njerëzor rrekeshin t’i kapërcenin nëpërmjet një truri jonjerëzor.

Zana jo. Ajo s’e përdorte kurrë për këso punësh. Ajo thjesht kishte bërë dy-tri llafe me të, në lidhje me njerëzimin dhe të ardhmen e tij të paqartë, pastaj atë bisedë e kishte paraqitur në mënyrë besnike në letërsi. E kishte paraqitur me mjaft shkathtësi, mbi të gjitha me një gjë që s’guxonte të mungonte kurrë: me zemër. Mendja e saj do ta prisnin me krahë hapur, do t’ia jepnin dorën e do t’ia rrihnin shpatullat, por ja që ata e pritën me këmbët e para.

Na vjen shumë keq, e nderuar, por duket sheshit se keni përdorur I…

E frustruar në kulm nga moskuptimi me të tjerët, Zana u mat t’i fshinte të gjitha skedat dhe dosjet me tregime që i ruante në kompjuter; të mos e çante kryet më kurrë me redaktorë, botues, shkrimtarë apo letërsi por zemra s’ia mbajti të çonte dorë ndaj krijimeve të veta. Në momentin më të rrezikshëm, kur tundimi shkatërrues ishte në zenit, nëpër mend i vetëtoi rasti i Kafkës i cili në një çast mizorie artistike apo dobësie njerëzore kishte zhdukur krijimet e veta dhe kaq mjaftoi që mishi t’i bëhej kokrra nga koka te këmbët. Diçka e fortë bubulloi brenda saj dhe ia ndali dorën dorasëse pak para krimit.

Kur ia përmendi shoqes së ngushtë se po mendonte ta linte letërsinë, ajo ia kujtoi plot urti:

“Zana, shpirt, kur je në hall, s’është marre të kërkosh ndihmë!”.

Ajo kishte dëgjuar se jo rrallë njerëzit në nevojë i drejtoheshin ndonjë shkrimtari vullnetmirë për t’ua shkruar historinë e tyre vetjake, siç i drejtoheshin mjekut për receta ilaqesh. S’do mend, zvarranikë kishte edhe aty sa të duash por nëse kërkonte me kujdes, dhe mbi të gjitha, nëse shpresonte fort, atëherë me pak fat mund të gjente edhe dikë që ia kuptonte hallin.

3.

Këtu hyj në lojë unë. Shkrimtar me ca libra të botuar, ca të pabotuar e një të papërfunduar. Gjithnjë në kërkim të frymëzimit të radhës, gjithmonë mirënjohës kur më bie në dorë ndonjë ide pjellore, asnjëherë ngurrues kur vjen puna për të hedhur iluzione në erë apo rrëfime në letër.

Njëherë për njëherë po punoja në librin tim të ri, i cili duhej të kishte as më pak e as më shumë se dhjetë rrëfime. Jo për gjë por dhjetëshi më jepte një ndjesi plotnie matematikore, të cilin asnjë numër në botë s’mund ta zëvendësonte dot. Fjala vjen: dhjetë gishtërinj të duarve, dhjetë gishtërinj të këmbëve, dhjetëshi si baza e sistemit numerik, pastaj dhjetë fëmijë te legjenda e Kostandinit e Doruntinës,  e kështu me radhë. Natyrisht, nuk dua të them që numra të tjerë si treshi, shtatëshi apo dymbëdhjetëshi nuk përfaqësojnë poashtu plotni dhe përkryerje, por për mua dhe shumëkënd tjetër dhjetëshi mbetet mbreti.

  Se ku ma gjeti Zana numrin e telefonit ajo e dinte, veçse një mëngjes, në ditën e shtatë të javës, më shkroi një mesazh dhe më shpjegoi kështu-kështu e kam punën, ti që je shkrimtar a ka mundësi ta bësh të njohur problemin tim nëpërmjet letërsisë? Bëhu rrëfimtari im, si Pamuku për Kemalin te “Muzeu i pafajësisë”!

  Me thënë të drejtën, më zuri bukur ngushtë. E para herë në jetën time që po përballesha me këso kërkese, e para herë që dikush binte në gjunjë dhe duke ma zgjatur lapsin në kuti, të më pyeste: “A dëshiron të bëhesh rrëfimtari im?” Shyqyr që nuk ishte kush pranë meje që të shihte sikletin tim. Oh Zot, mos po më vinte në lojë? Mos po bënte trolling?

Në të vërtetë, ideja nuk është se s’më pëlqeu. Po, kjo teknikë ishte paksa e vjetruar dhe e dalë mode por s’do të bëhej nami ta provoja një herë. Edhe në dështofsha, dështoj për një qëllim fisnik. Ajo çka më bezdiste fort është se më dukej nënçmuese ndaj zonjushës që unë të rrëfeja përjetimet e saj kur ajo ishte e zonja edhe vetë.

  Nisa të shtyp rrufeshëm tastet e telefonit të mençur për të formuluar këtë përgjigje palidhje:

Përshëndetje, e nderuar! Më vjen shumë keq por të dielave shkrimtarët nuk punojnë me palë. Më shkruani gjatë javës, nga ora nëntë e mëngjesit deri në tre pasdite. Pushimi i drekës: 12:00 – 13:00. Ju faleminderit për mirëkuptim!

Natyrisht, s’më kishin lënë mendët t’i çoja përmbajtje të tillë një të panjohure, por siç ndodhte shpesh me letërsinë, kur ndodheshe para një flete të bardhë që të kërcënonte me zbrazëtinë e saj, nganjëherë duhej shkruar gjëja e parë që të vinte në mend, për t’u çliruar rrjedha e bllokuar dhe për të dalë nga burimi gurgullueshëm ujët e kulluar.

Pa humbur kohë, e fshiva këtë përgjigje dhe ia ktheva në mënyrë paksa më profesionale:

Zonjushë e dashur,

Ka plot shkrimtare gra të cilat mund ta shkruajnë historinë tuaj shumë më mirë se unë, në radhë të parë ju vetë!

Përgjigja më erdhi pa u vonuar.

“E di, e di, por do të doja që këtë ta bësh ti.”

“E pse unë?” ia prita. “Unë mund t’i shoh më mirë gjërat nga këndvështrimi i burrave, por për të rrokur këndvështrimin e grave nuk ka më të mirë se vetë gruaja.”

“E ç’rëndësi ka, njerëz jemi si njëri, si tjetri!”

“Njerëz, njerëz jemi, por secili sy sheh më mirë nga ana e vet e hundës!”

Heshtje. E dija mirë se vonesa në përgjigje nuk nënkuptonte mundjen e saj por të kundërtën, përgatitjen për goditjen vdekjeprurëse! Dhe ja ku ia behu pas pak ajo që pritej.

“Kush nuk di, mund të mësohet. Historia ime le të shërbejë si pikënisje!”

Anipse asaj s’ia thashë, vetes s’mund t’ia fshihja se ky debat e pat. “Kush nuk di, mund të mësohet,” përsërisja me vete përgjigjen shituese, duke tundur kokën.

“E kam një kusht të vetëm para se të jap një po ose jo përfundimtare.”

I kërkova të ma dërgonte dorëshkrimin e librit të saj, për ta parë çka kishte shkruar deri atëherë dhe ajo ma dërgoi pa vonuar me postë elektronike. E shtypa dokumentin dhe menjëherë u ula t’ia lëshoj një sy.

Kur e mbarova mbeta pa fjalë. More, kjo qenka Anxhelina Xholi e letrave, mendova, ose më mirë me thënë, zanë e malit. Mora me vrap telefonin dhe i shkrova plot ngazëllim të tepruar: “Po, pranoj!”

I premtova se do ta kryeja shumë shpejt.

“Nëse duhet, do të çohem nga varri për ta mbajtur premtimin.”

“S’ke nevojë hiç të çohesh nga varri, thjesht mos vdis!”

“Urdhëro?! A e di, moj, sa e vështirë është sot të mos vdiset?

“Në daç beso, në daç mos, por edhe unë e di. E di madje aq mirë sa habitesh…”

I përvesha mëngët menjëherë dhe iu vura punës. Gazi nisi të ridhte pa zë. Përnjëherësh u ndez një flakë e njëtrajtshme rrethore, një kurorë e kaltër zjarri. Tenxherja u vu mbi zjarr pa tingullin e saj të metaltë. Mbi shuplakë e rraha tri herë qeskën e kafes 3 në 1, pastaj e hapa dhe e zbraza në filxhanin me fotografinë time. Uji i nxehtë ra mbi përzierjen industriale të kafesë, sheqerit dhe qumështit pluhur për të m’u bërë ilaç në këtë orë të vonë.

U ula në tryezën e punës, të ndyer nga kafeja e herëve të shkuara, dhe nisa të hedh në letër ndodhinë e Zanës, siç ma kishte rrëfyer ajo, si dhe bisedat tona, siç i kisha përjetuar vetë.

Lapsi gërvishte letrën përherë pa potere. Një fllad i papritur e lëvizi nja njëzet shkallë derën pjesërisht të hapur por as ajo s’deshi të ma prishte qetësinë. Ishte sikur një dorë e padukshme po vinte gishtin te buzët për t’u thënë objekteve rreth e rrotull: “Shët! Po shkruan!”

M’u deshën gjashtë ditë punë. Shkruaj e shkruaj. Përmirëso e shkatërro. Fshi skedën e vjetër, fillo të renë. Fjali pas fjalie e paragraf pas paragrafi, tregimi nisi të merrte formë.

Kur më në fund ia vura pikën u mbështeta fitimtar për shpinëzën e karriges, me ndjesinë e alpinistit fillestar që për të parën herë është ngjitur në majën e Korabit. Për ta kurorëzuar këtë ndërmarrje të mundimshme, pranë titullit të tregimit vë emrin tim. Vetëm timin. Jo të sajin, as të shoqes, as të redaktores. Timin.

Marr të dy tregimet – timin dhe të Zanës – dhe ia nisi redaksisë së revistës “Shkrimtari”. Në numrin e radhës që dilte në vjeshtë, botuan krah për krah të dyjat. Edhe librat tanë dolën në të njëjtën stinë: i Zanës, me njëmbëdhjetë tregime, dhe i imi, me nëntë. I saji kishte një titull interesant, titullohej Apostujt e Njëmbëdhjetëshit.

 Fati e deshi që ato ditë të ndodhte takimi i parë dhe i fundit mes nesh, në një rrugë të rëndomtë të kryeqytetit. Teksa po ecja mendueshëm, ma kap krahun papritur një dorë e butë gruaje. Kur kthehem e shoh Zanën. Më shikon me buzë në gaz, duke rrezatuar delikatesë zonjore kurse për të më përshëndetur, më përshëndet me shkëlqimin në sytë e saj, pa e hapur gojën fare. Qëndrojmë në vend, pa ia ndarë sytë njëri-tjetrit derisa ajo çan akullin e para, duke vënë në lëvizje duart e saj punëtore. “Faleminderit!” më thotë me gjeste. Plot mirënjohje ia kthej përgjigjen po në gjuhën e shenjave: “Faleminderit ty!”

Exit mobile version