Kreu Letërsi Bibliotekë “Fytyra që unë shoh”, poezi nga Nurie Emrullai

“Fytyra që unë shoh”, poezi nga Nurie Emrullai

HISTORI E DËGJUAR

Unë po vdes etjeje,
ngase nuk ka ujë
ku s’ka pirë hëna…

Thonë se poetët u helmuan,
ngase u munduan të pinë dritën e saj,
ngase u munduan të fshihnin marrëzinë.

Por, unë, tani, po vdes etjeje
për pak ujë me dritë hëne,
e veç njëherë çmendurinë ta mbërthej në krahë.

Kurorë vdekjeje m’u bëftë dritë e saj!
Jeta ime n’sa faza duhet të shuhet,
që rishtazi të mbushet?

(Sipas Li Po-es
dhe Ezra Pound-it)


VRIMA E ZEZË

Zbrazëtira:
(midis fjalës që thua,
dhe asaj që pret të thuhet):
thithen të gjithë yjet,
pihet gjithë drita e hënës,
pëlcet dielli në galaktikën e vjetër…

Rruga e qumshtit ndodhet atje
ku shputat e fëmijëve të sapoformuar
rrëshqasin si në park të lojërave
e presin thithjen për në vrimën e zezë.

Retë bien prej qielli,
fillon festa e pizhamave në të gjithë spitalet,
ku jastëkët janë mbushur me pambukun e reve të rëna.

Dhe bie shiu në formë sherbeti dhe
i zbut të gjitha retë,
të cilat zvogëlohen e shkrihen mbi pëllëmbë si pambuk sheqeri…

Dhe pacientët ndjehen fëmijë kur provojnë se si goja e tyre shkrihet në një.

Vazhdojnë të gjitha të thithen në vrimën e
zezë, e cila merr macen me gjithë lisin ku kruhet,
merr rrënjet e rrënjëve të cilat jetojnë mbi
eshtrat e të parëve…
“Boll më!” ‒ thuaj diçka!

Ajo thotë:
“Të gjithë në këtë jetë e kanë një djegë…”
Dhe secilit në dhomën e botës fillojnë
t’i pikojë nga një pikë djerse
që thithet në vrimën e zezë,
me të cilën formohet uji amoniak i
fetuseve që presin lindjen.

“Po, s’ke çfarë bën.”
Dhe është ajo koha pra
midis fundit të fjalës
dhe fillimit të një tjetre,
është si të kapërcesh
nga një shekull në tjetrin të zgjohesh,
dhe buçet simfonia
ku në të njëjtën kohë luhet
kaosi me rendin
dhe era thithet që të thithë
gjethet ‒ ngjallen, aty kalben, aty rriten
para syve të mi.

Bien zogjtë në tokë,
secili mban në qafë emrat tanë,
emrat e atyre që do të linden.
Këtu brenda e nxe tërë botën,
këtu brenda nxe të gjithë luftrat,
Por, vrima e zezë
nuk thith tradhtarët,
nuk thith mëkatarët që mëkatuan me jetë…

Ndaj do rrimë këtu
e do të vrasim mendjen…

Si mbyllet biseda ndryshe?
“Të gjithë e kanë një djegë të hapur në këtë
dhé.”


LIQENI I DRITËS

Të shohim se si luhatesh midis dy qyteteve
ti ke zgjeruar shtatin,
ti je i të dyve,
dhe i askujt s’je,
përveç se i dritës që me miliona vite në thellësi të vetes e ruan.

Liqeni i dritës
në natë të errët linde,
n’këtë tokë pa truall,
pa emër jetojmë të dy bashkë,
por të dy notojmë brenda vetes.
Unë thellësinë time
e mas në reflektimin e fytyrës
mbi valet që ma godasin ko(k)hën
liqen i dritës.


SA ZGJAT JETA?

Jeta s’është ma e gjatë se një ditë.
Brenda asaj dite lindim ditën tjetër.
Brenda asaj dite terrsojmë veten.

Jeta s’është ma gjatë se një ditë.
Përditë ne jemi
n’boshtin e vetvetes
dhe duhet të mbahemi n’të.

Veç ata që s’janë t’vërtetë në ditën e tyre
humben dhe jeta u duket e gjatë,
si përrallat të cilat nuk mbarojnë edhe pasi të gjithë flejnë..

Jeta s’është ma e gjatë se një ditë,
e ajo ditë një shenjë në ballin e tokës lë.
Një gur.


FYTYRA QË UNË SHOH

Në pak fytyra që mbaj mend
gjithmonë imazhi i parë i tyre
më shfaqet nën hijen tënde,
Secilave prej tyre fillojnë
t’u bien kaçurrelat mbi fytyrë
dhe unë atëherë ua largoj prej syve
E shoh veç dy zgavra të një
“na ishte nji moti-moti…”

Në pak fytyra që mbaj mend
gjithnjë n’kujtesën time
e qeshuna e tyne më vjen me buzëqeshjen tënde (sa e ëmbël që qe!)
dhe kur afrohem për ta prekur
bahet greminë e nji kohe që
m’tërheq në vetminë e saj.

Në pak fytyra që mbaj mend,
(oh, sa pak fytyra që mbaj mend!),
jeni ju duart e Adamit, që në një natë
kur Zoti na dha mendjen,
atëherë grisëm lëkurën
për të parë ç›fshihet nën të…
E kërkojmë dhe sot, sa larg Parajsës,
ku nuk njihemi, e nuk vihemi re.


EROS

Kur ti je afër meje
unë notoj nëpër qetësinë e ujërave
si lotus shpërthej mbi gjoksin tënd…

Si pilivesë notoj në cektësinë e ndjenjës
dhe mjaftohem me aq pak hapësirë…

Kur ti je afër meje dielli me rreshk ngadalë
si mjellmat kur nxjerrin kokën nga uji
e lajnë shpinën e njeri-tjetrit… zgjatem drejt teje.

Por kur ti nuk je…

Unë mbetem Ofelia gjithnjë e pagjetur…

Exit mobile version