Kreu Letërsi Bibliotekë Funeral bluz: Poezi botërore

Funeral bluz: Poezi botërore

Përgatiti dhe përktheu Roland Gjoza

William Carlos Williams

E ENJTE

Kam parë ëndrra – si të tjerët –
Dhe asgjë s’ka ndodhur, për këtë arsye
Jam kaq i qartë
Dhe me këmbë në tokë
Shikoj lart në qiell 
Duke ndjerë rrobat e mia ne trupin tim
Peshën e trupit tim në këpucët e mia
Strehën e kapelës sime, ajrin që hyn e del
Në hundën time – dhe vendos të mos ëndërroj më.


W.H. Auden

FUNERAL BLUZ

Ndalni orët, shkulni telefonat
Gënjeni një qen që leh me një kockë
Mbyllni pianon dhe xhazin pushoni
Nxirreni jashtë arkëmortin, të vijë vercalli
 
Lërini aeroplanët të silllen mbi kokat tona
Duke shkruar me tym në qiell; Ai vdiq
Lidhni shiritin e zisë në qafat e bardha të pëllumbave
Lëreni policin e trafikut të veshë dorashka të zeza.
 
Ai ishte veriu, jugu, lindja dhe perëndimi im
Puna e një jave dhe e diela pushim
Hëna ime, mesnata ime, fjala ime, kënga ime
Kujtoja se kjo dashuri mund të ishte e fundit; por isha gabim.
 
Yjet nuk janë të domosdoshëm tani; flakini në abys
Hënën në kosh dhe diellin bëjeni thërrime
Oqeanet le të thahen, pyjet le të kthehen në hi
Nga asgjëja e mbetur ndoshta vjen diçka e mirë.


Edgar Allan Poe

HESHTJA

Ka disa cilësi –  që përfshijnë gjëra esenciale
dhe krijojnë një jetë të dyfishtë, mirëfilli reale
një entitet binjak që e ka zanafillën
te materia dhe drita, shfaqur në elemente të ngurtë dhe hije

Ekziston një heshtje e dyfishtë – deti dhe bregu
trupi dhe shpirti. Për njeriun që banon në vende të vetmuar
ku bari gjithmonë është i gjelbëruar, absolute është lutja;
kujtimi njerëzor, urtësia, loti i mirësisë
qe e bëjnë atë të fuqishëm, emri i tij është: “Kurrë më”.

Ai është Heshtja e përbashkët: mos e frikësoni!
nuk zotëron asnjë fuqi të së keqes; nuk është demoni
Por nëse ndonjë fat i mbrapshtë (krejt i papritur!)
ndjek hijen e tij ( ky mizor pa emër, ky përbindësh  
që përndjek yrtet e vetmuar ku nuk ka shkelur
asnjeri), atëherë ai ia beson veten Perëndisë!


Daniel Harper

E DASHUR AMERIKË

E dashur Amerikë,
Emri im është Daniel Harper.
Dikur mendoja se veshja e uniformës ishte thjesht detyrë.
Deri atë ditë, mësova – disa kosto paguhen me një jetë të tërë.
Misioni ishte rutinë… derisa shpërthimi shkatërroi gjithçka.
Mbijetova, por njeriu që isha më parë nuk u kthye kurrë.
Rruga për në shtëpi ishte e gjatë.
Mjaftueshëm e gjatë për të kuptuar këtë të vërtetë: lufta nuk mbaron kur kthehesh.
Tani jeta është e qetë. Shumë e qetë.
Aq e qetë sa mund ta dëgjoj kohën që kalon.
Një filxhan kafe qëndron pranë dritares, gjithmonë duke u ftohur.
Dhe unë ndenja aty më gjatë seç duhej, duke mos thënë asgjë.
Mendoj për vëllezërit e mi.
Ata që qeshën me mua… dhe ata që nuk u kthyen kurrë në shtëpi.
Ne besonim në diçka të thjeshtë
se disa njerëz nuk duhet të harrohen kurrë.
Kjo është arsyeja pse kam një kurorë në derën time.
Nuk është dekorim.
Nuk është një zbukurim festash.
Është një homazh i heshtur.
Për ata që dhanë gjithçka.
Për ata që u kthyen në shtëpi të ndryshuar përgjithmonë.
Dhe për ata që nuk u kthyen kurrë në shtëpi.
Sa herë që dikush kalon pranë derës sime dhe ndalet,
shpresoj të kujtojë një gjë: paqja nuk ka qenë kurrë falas.
Nëse jeni të gatshëm të kujtoni edhe ju…
le të flasë kjo kurorë per mirënjohjen që nuk e themi kurrë me zë të lartë.


Robert Hayden

ATO TË DIELA DIMRI

Edhe të dielave im atë zgjohej herët
vishte rrobat e dimrit, ato me ngjyrë blu në të zezë,
pastaj me duar të çara që i dhembnin
nga puna në acar gjatë ditëve të javës
ndizte zjarrin. Askush nuk e falënderonte 
asnjëherë. Zgjohesha dhe ndieja të ftohtin që zbutej, zhbëhej.
Dhe dhomat ngroheshin dhe pastaj ai na telefononte,
dhe unë ngrihesha ngadalë dhe vishesha,
duke pasur frikë nga zenkat dhe ngrindjet në atë shtëpi,
duke i folur atij me indiferencë 
atij qe kishte mundur të ftohtin e dimrit
kishte lustruar dhe këpucët e mia të mira.
Çfarë dija unë, çfarë dija unë
për skutat e egra dhe të vetmuara të dashurisë?


Margaret Atwood

NË SHTËPINË E DJEGUR HA MËNGJES

Në shtëpinë e djegur ha mëngjes.
E merrni me mend; nuk ka shtëpi, nuk ka mëngjes,
por unë jam këtu gjithsesi .

Luga që është shkrirë fërkon
enën që është shkrirë gjithashtu.
Askush tjetër përveç meje rreth e rrotull.

Ku kanë shkuar, vëllai dhe motra,
nëna dhe babai? Ndoshta janë bregut,
tutje diku. Rrobat e tyre ende varen në klozet,

Pjatat e tyre të grumbulluara pranë lavamanit,
i cili është ngjitur me sobën e drurit
me skarën dhe kazanin e tij të nxirë,

Çdo detaj flet qartë,
filxhani prej kallaji dhe pasqyra e djegur.
Dita është e ndritshme, po këngë s’dëgjohen askund,

Liqeni është blu, pylli vigjëlon përtej.
Në lindje një masë resh
ngrihet në heshtje si bukë e zezë.

Mund të shoh mbetjet në mbulesën e vajit,
Mund të shoh tym e blozë në qelqe,
ato shndritje në vendet ku dielli godet.

Nuk mund t’i shoh krahët dhe këmbët e mia
apo të di nëse kjo është kurth apo bekim,
duke e gjetur veten këtu, ku gjithçka

në këtë shtëpi ka vdekur prej kohësh,
kazan dhe pasqyrë, lugë dhe enë,
bashkë me trupin tim,

me trupin tim që kisha atëherë,
dhe trupin që kam tani
ndërsa ulem në tryezën e këtij mëngjesi, e vetme dhe e lumtur,

këmbët e zbathura të fëmijës mbi dyshemenë e djegur
(pothuajse mund t’i shoh)
në rrobat e mia që digjen, pantallonat e shkurtra të holla te gjelbërta

dhe bluzën e verdhë të ndyrë
që mban mishin tim të nxirë, joekzistent,
rrezatues. Inkandeshent.


Paul Lawrence Dunbar

JETA

Një kore bukë dhe një copë vend për të fjetur,
Një minutë për të buzëqeshur dhe një orë për të qarë,
Një imtë gëzimi për një trishtim te madh,
Asnjeherë një e qeshur, por rënkime të fshehta 
Kjo është jeta!

Një kore bukë dhe një copë vend që dashuria i bën të çmuar,
Një buzëqeshje për të ngrohur dhe lotët për të freskuar;
Gëzimi duket më i ëmbël kur shqetësimet vijnë parreshtur
Dhe një psheretimë është më e vyer se hareja qe sjell festa
Kjo është jeta!


Beth Copeland

FUND NËNTORI

Shoh një gjethe të vyshkur që dridhet në erë
me kërcellin që ende rri lidhur pas degës
dhe mendoj se sa kokëfortë kam qenë
duke kundërshtuar të bëj ato gjëra 
që nuk ishin parashikuar për mua
dhe duke mos ditur diçka më të mirë
po prisja nëse do të shkëputesha prej degës
dhe do të përplasesha me stuhinë, se guximi
për të dështuar është dhurata më e madhe e jetës.


Walter De La Mare

NAPOLEONI

Çfarë është bota, o ushtarë?
Bota jam unë;
Kjo borë që s’pushon kurrë
Ky qiell i vrenjtur i veriut;
Dhe kjo vetmi e tmerrshme, ushtarë
Përmes së cilës po shkojmë
A s’jam unë?


Pablo Neruda

ATJE NË MUZG

Atje në muzg, në det
Hedh rrjetën e trishtë drejt oqeaneve të syve të tu
Në vetminë time më të thellë dhe më të zjarrtë
Prej fundesh më sjell krahët e një njeriu të mbytur
Dërgoj sinjale të kuq drejt syve të tu të munguar
Si valë deti, si dritë fari në plazhin e shkretuar
Ti je errësirë përplot aromë femre në largësi të pafundme
Andej nga ty, nganjëhere bregdeti shfaqet frikshëm
Atje në muzg, në det
Hedh rrjetën e trishtë në ujin blu që ngre valë dhe suvalë
Ne oqeanet e syve të tu
Zogjte e natës çukitin yjet e parë
Iskrat ndezin zjarre si shpirti im kur të them; te dua!
Nata kalëron mbi pelën hije
Anembanë mbi tokë perde bien


Howard Nemerov  

NËSE MË PYET PËR DALLIMIN MIDIS PROZËS DHE POEZISË

trumcakët qëmtojnë në shiun e ftohtë
dhe ti vështron shiun si shndërrohet në dëborë
duke rënë pjerrët prej një hapësire të padukshme si argjend
e bardhë, e ngadaltë, me hap të lehtë

dhe vjen nje çast që nuk i dallon më trumcakët
veç kur fluturojnë lart, në vend që të bien.


Jacques Prevert

JETË FAMILJARE

Nëna thur
Djali shkon në luftë
Ajo mendon se kjo është fare e natyrshme, nëna
Dhe babai
C’bën babai?
Ai ka një biznes
Gruaja e tij thur
Djali shkon në luftë
Ai ka një biznes
Ai mendon se kjo është fare e natyrshme, babai
Dhe djali
Dhe djali
Dhe çfarë gjen djali atje?
Ai s’gjen absolutisht asgjë; djali
Djali dhe nëna që thur
Babai me biznesin e tij
Ai me luftën
Kur lufta të mbarojë
Ai do të kthehet te biznesi i babait
Lufta vazhdon
Nëna vazhdon të thurë
Babai vazhdon biznesin e tij
Djali vritet në luftë
Ai nuk vazhdon asgjë
Babai dhe nëna shkojnë në varrezë
Dhe kjo për ta është fare e natyrshme
Babai dhe nëna
Jeta vazhdon
Jeta e thurjes, e biznesit, e vdekjes
Biznes, luftë, thurje, luftë
Biznes, biznes biznes
jetë dhe varrezë


Paul Eluard

NJË BUZËQESHJE E VETME

Një buzëqeshje e vetme mjafton
Çdo yll i përket natës
Një buzeqeshje e vetme për të dy

Dhe bluja e syve të tu të lumtur
Kundër madhësisë së natës
Duke gjetur flakën e saj në sytë e mi

Dhe unë shoh për të ditur
Se si nata krijon ditën
Pa asnjë ndryshim nga pamja jone.


Kim Addonizio 
  
BLUZ PËR DANTE ALIGIERIN 

pa shpresën, ne mund të jetojmë me dëshirën 
  
INFERNO, IV 

Dhoma jonë është shumë e vogël, çarçafët rrëmujë, nxehtë 
Dhoma jonë është një lloj ferri, e shkatërruar krejt 
Këtu vritet gjysmë litër Draumbuie që sapo e kemi blerë 
  
Kemi ecur mbi Arno dhe jemi kthyer mbrapsht sërish 
Ne ecim gjithë ditën, ecim dhe në mbrëmje, humbim s’dimë sesi 
Grindemi, bredhim si në një rreth. Dhe më në fund krejt rastësisht 
  
Shohim hotelin tonë. Ditën tjetër nisemi në Romë 
Atje gjejmë Interkontinentalin dhe një kishë plot me kocka 
Hamë jashtë ushqim kinez dhe ecim nëpër rrugë gjer vonë 
  
Nuk ishte ndonjë udhëtim kushedi, por thjeshtë një tranzit 
Nuk ishte ndonjë dashuri e përjetshme, ose një mashtrim i tillë 
Ishte thjeshtë diçka që ndodhi rastësisht 
  
Ne mbyllëm valixhet, kthyem makinën me qira 
Paketuam suveniret, mbërritem në aeroport, u ulëm në bar 
Dhe filluam të flisnim për pornografi dhe filma super star. 


Carol Ann Duffy 

Shën Valentini 

As trëndafil të kuq, as zemër sateni s’të jap 
Po një qepë 
Është si hënë e mbështjellë me letër bojë kafe  
Që premton dritë 
Në zhveshjen e kujdesshme të dashurisë. 
 
 Kështu 
 Do të verbohesh nga lotët  
Si një dashnor 
 Reflektimin tënd da ta kthejë 
 Në një foto pikëlluese që dridhet. 
  
Përpiqem të jem e sinqertë. 
As ftesë surprizë, as puthje s’të jap 
Po një qepë 
Puthja e saj e egër do të ngjitet në buzë 
Zotëruese, besnike 
Si ne të dy 
Për sa kohë do të jemi bashkë 
 
 
Merre!  
Rrathët e saj prej platini sajojnë një unazë martese 
Nëse të pelqen, merre! 
Po është vdekjeprurëse. 
Aroma e saj ngjitet në gishtat e tu 
Që mbajnë thikën. 


Yehuda Amichai

PAS DASHURISË, NJË QEN

Kur t’i më braktise
e lashë qenin t’u merrte erë
gjinjve dhe vaginës sime. Si e nuhati mirë e mirë aromën
u nis që të kërkonte

Unë shpresoj se do t’i shqyejë
testikulat dhe do të kafshojë penisin 
ose të paktën do të më sjellë çorapet e tua midis dhëmbëve.


Emily Dickinson
 
THJESHTËSI NATYRALE

Sa i lumtur është guri i vogël 
Që rrokulliset në rrugë fillikat
Nuk pyet për karrierë dhe famë
Nuk ka nevoja ekzistenciale
Me veshje të thjeshtë primitive
Kalon si një univers më vete
I pavarur si dielli
Me të tjerë apo vetëm fare
Duke iu bindur dekretit absolut
Thjeshtësisë natyrale.


Charles Bukowski 
 
NJË GRUA NË RRUGË

vetëm këpucët e saj
do të më ndriçonin dhomën
si një mijë qirinj
 
ajo kalon si të gjitha gjërat
shkëlqen në qelq
si të gjitha gjërat
që bëjnë diferencën
 
dhe largohet


Jean Toomer  

BUZËT E TUA JANË TELA BAKRI

Pëshpërijnë globet e verdhë
Shkëlqejnë mbi shtyllat e fenerëve që lëkunden
Si pijanecë ilegalë që pijnë mjegullën
 
Fryma jote shkëputet nga globet e verdhë
Dhe vjen tek unë e lagësht
 
Marr në telefon centralin elektrik
Se kam frikë
Mos telat e linjave kryesore janë pa izolantë
 
 ( Fjalët e tua luajnë butësisht lart e poshtë
Korridoreve të qullura të tabelave; rrezik- vdekje! )
 
Pastaj me gjuhë heq shiritin ngjitës
Dhe shtyp buzët e tua mbi të miat
Gjersa bëhen inkandeshente.


Christina Rossetti

MË KUJTO


Më kujto kur të kem vdekur
Kur të kem shkuar në tokën e të heshturve
Kur s’do ma mbash më dorën në dorën tënde
Kur s’do ma kthesh kokën për të më përshëndetur
Më kujto, por jo ditë për ditë, si dikur
Kur bënim plane se ku do të shkonim
Vetëm më kujto, kaq dua
Se nuk është më koha për këshilla dhe lutje.
Dhe nëse do të më harrosh për pak kohë,
Prap do të më kujtosh, mos u trishto;
Veç errësirë ishte ajo, një mëkat i vogël
Një mungesë e çasteve të dikurshme
Më mirë harromë dhe buzëqesh
Ç›mbetet të kujtosh është vuajtje!


Henry Wardsworth Longfellow

BATICA RRITET, BATICA PLATITET

Batica rritet, batica platitet
Ndajnatëherë dhe terr, pulëbardha këlthet
Në kum të detit, të lagësht, ngjyrë dhe
Shtegtari nxiton drejt qytetit
Batica rritet, batica platitet

Terratis terri çati dhe mure
Por deti, deti i zi vajton me kumb
Valë e vogël me duar të bardha, të buta
Gjurmët në rërë i zhduk
Batica rritet, batica platitet

Mengjesi thyhet, kuajt në stallat e tyre
Shkrofëtijnë, hingëllijnë e s’gjejnë qetësi
Dita po vjen, thotë stallieri, por kurrë më
Shtegtari s’do kthehet në breg përsëri
Batica rritet, batica platitet

Exit mobile version