Kreu Letërsi Bibliotekë “Fryma ime e dëshiron shiun”, poezi nga Daniela Xhani

“Fryma ime e dëshiron shiun”, poezi nga Daniela Xhani

HABITUS MENDOR

Një asgjë e pakuptuar në strofkën e mendjes
që shkul yje e thellimit mbjell fytyra
shpërfillëse, nganjëherë, kaq mizore
siç gishtërinjt’ e kthyer në gjallesa pa sy
teksa bien në rrëfimin e trupit,
për asgjë e lehtë përsëri errësira mbivendoset
gjerë-e-gjatë në gjithçka që e lodh kujtesën
sikundër gishtat mbi kodin e heshtjes;
heshtje brenda heshtjes,
ca trajta të pakuptuara
që ndahen.

QUID EST VERITAS?*

Një grua e zhveshur lakuriq
vështrohet në pasqyrën e mbuluar
që ruan imazhin e saj.


*Fraza (pyetja) gjendet në Ungjillin sipas Gjonit 18:38.

PRODIGIO

Mënyra sesi bie drita, këndi i përthyerjes
i ngushtë; muri brenda që zhduk njerëzit
por jo kujtesën. Vogëlima sidoqoftë!
Në parajsë ende s’është zbuluar zjarri
veç fryma cifloset e ngrohtë në patrajtë,
këmbët zgjerohen – që do të thotë heshtje
– në tempull. Dhe ti i dashur brenda meje
që kërkon me ngashërim Zotin…
Jam një krijesë e trishtë; kaq vite që nuk qaj.

FRYMA IME E DËSHIRON SHIUN

Fryma ime e dëshiron shiun,
duart e tua mbi tavolinë
mëngë dhe heshtje bashkë
bojë gështenjë. Në brendësi
zëri që flet më përhumb
nga lagështi e kodrave.
Mos vallë, mendimi i mbramë,
kërkon t’i fshihet
anatomisë së mendimit?

LACRIMAE RERUM

Kur trupi ra nga qielli, i lëngët si të metat e botës,
përfshirë kujtesën e përsëritur që ndëshkon fluturimin
pak mbi krateret e milingonave,
sytë me bindje të parakohëshme
dhe gojën e pezmatuar me natë,
brendia e marrosur bërtiti fort, –
mbase e vetmja gjë e vlerë – kuptomë!
Dhe as që e shtrëngova atë çast pafajësie.
Më fort kuptova trupin e gruas
që u hodh nga dritarja e ëndrrës.

PAK

Pesë qirinj të ndezur, burime drite
mbi kurbën e fytyrës – asaj here,
në rreckosje pashe muzgun të rrëzohej
dhe kohën të prishej lëkurës së qiellit
me re të rrëshqitshme – ngado
çdo përkulje shëmbëllen shenja
si arna në largësi të njëjtë
dhe pëllëmbën që mat barkun e butë
dhe zanoret e zgjatura, teksa një çast
hijet e trupit lakuriq mblidhen
brenda kapelës së zezë të magjistarit.

SHI GJAKU

Dritarja e shtëpisë së braktisur
në një mëngjes me shi…
Njolla gjaku në mure – fluturat
që gjithë natën dolën nga krizalidat
pa lëshuar asnjë tingull.

Pema, gjuha e reve, harmonia e shkurtër
e kohës, mes zgjimit dhe duarve;
gjethet e sipërme që pikojnë më poshtë;
të poshtmet që pikojnë këmishën
ku kopsa e tretë ka mbërthyer vrimën dytë.

TRE

Ne kët’ dhomë gjysmë të errët
që i jep thelb bardhësie lëkurës,
ankthi ul qepallat në bukuri intime
nën purtekat e zbehta të dritës,
që formojnë trekëndësha në pasqyrë,
besoj tek diçka e çfarëdoshme
në gjendje të përmirësuar,
Zoti është një trekëndësh i çfarëdoshëm.
Tash që flas me veten, heshtur,
duke lëvizur gjymtyrët e përveshura
mbi njollat e gjakut
përpiqem të lidh tre dhimbje të bukura
për të cilat ndoshta vetë jeta ia vlen.

Exit mobile version