Kreu Letërsi Shënime mbi libra Frano Kulli: Tre cikle dhe një dizajn metaforash nga Melita Vjerdha

Frano Kulli: Tre cikle dhe një dizajn metaforash nga Melita Vjerdha

Poezia e Melita Vjerdhës duket që ka nisë si një lojë shfrimesh ndjesore, e vetvetishme, ashtu siç poezia në fakt, si rregull nis. Nuk ka një shenjë fikse nisja, gjithmonë ajo na vjen si diçka fluide; zor se ndokush nga poetët na e ka thënë e mund të na e thotë se kur dhe ku është starti i poezisë së tij të parë, e shumta mund të na ketë rrëfyer çastin e ngjizjes së saj në vehtjen e tij a të saj. Nga përjetimi, si proces më përpara saj. Më pas vjen çasti tjetër kur ajo fillon e frymon, atëherë kur shpërndahet e etertë në përthithjen e shqisave të lexuesit a dëgjuesit të saj. Autorja ka ardhë këto ditë me librin e saj të parë, mbasi është ushtruar nja dhjetë vjet të mira vehten me ushtrime vokale (vokalica) e shkrimore nëpër aulat ku poezia tingullohet po  them unë (lexohet) dhe nëpër faqet ku publikisht ajo shkruhet. Te ExLibris, gjithashtu ku ajo e ka çmuar si piacen e lartë të deklamimit të vehtjes poetike. Duket se në rrugen e saj qysh prej fillimeve ajo është ndalur jo një po disa herë në suspancat e nevojëshme për té. Të parat krejt kanë qenë  paraqitjet në ato, që ende ashtu thirren “Festivale të poezisë së pabotueme” në Shkoder qysh me 2014-ten dhe aty ajo na dëshmon vetimas se ka çka kumton nga vehtja për të tjerët. Nuk e pohon vetë, se nuk është e bindur apo nga ndrojtja që vjen si ngerç prej modestisë a prej vetbesimit ende të papërftuar së ploti!

kam frikë t’u flas yjeve

për të fshehtat e pagjumësisë…

kam frikë ta  zotnoj fjalën

ta gdhend

ti jap frymë

ngjyrë                                                                      shpresë

kam frikë të shoh në sy

kam frikë nga frika ime.

Por pohimi na vjen prej ndalesës së do të tjerëve për tè.; te poezia e saj. Zija Vuka, një studiues i censhëm, njëri prej tyre, që pati ofruar dijet e veta të imta e të plota të njohjes dhe kritikës letrare në kutin vlerësues të “të pabotuemve”, një sipërmarrje jo e vogël dhe një rrisk jo i pakët i tij ky. Poeti e studjuesi me emër në letrat shqipe Primo Shllaku, gjithashtu. Ata e thonë me ndalesen e tyne në poezinë e Melitës e me vlerësimin publik që kanë dhënë. Megjithatë libri, që para pak kohësh ka dalë, duket që ka ardhë pa kurrfarë nguti.

Në tre cikle shpërfaqet libri:ekuilibër-kur plaket heshtja-kuadri i nji epoke gri dhe ndërmjet dizajn metaforash. Një libër edhe në formë pak atipik, me një format gati katror dhe me një titull, në vetvehte metaforë “n’ teh”.

të mora tehun e dritës

dhe mpreha sytë e mi… (renato)

nga cikli:”kur plaket heshtja”

Një cikël i një gjinie tjetër në librin me poezi; 10 piktura, një tubë metaforash me një tjetër gjuhë, që autorja e ka thirrë dizajn metaforash…

Liriku ynë, Ndre Mjeda, në të vetmin punim të tij teorik  mbi poezinë “Permbi poesi pergjithësisht”[1], të cilin e pati lënë në dorëshkrim, ndërlidhjen e poezisë me pikturën përreth të bukurës, si kategori estetike e shpreh kështu:

Bukuria mundet me kenë lânda edhe e tjéra arteve te bukra, si e piktur’s e e skulptur’s, por gjith’ e cila e punonme mjete e vegla t’veta: poezia e shfaq me t’shprehun, e jo sido, por me njât’ të shprehun qi i del prej tugës [2] së zemrës e prej fuqis’ së perfytyrimit... Nedy mëndyra poeti mundet me shpreh’ bukurin’, d.m.th. a tuj pershkrue sendet e bukra të natyrës, a tuj krijue me mend të vet nji send pernjimend të bukur. Ut pictura poesisi[3] ka thanë Horati[4] (latinisht: piktura është si poezia), perifrazon Poeti.

Ndoshta Melita e ka pasë si rrëfyesë këtë sentencë të poetit, në zgjedhjen e saj a ndoshta, thjeshtë kështu i ka ardhë si përzjerje e vetvetishme e mjeteve shprehëse për kumtet e saj poetike.


[1]  Punimi “Permbi poesi pergjithësisht” u nxor nga dorëshkrimet e poetit prej Ndue Doçit dhe u botua te “Kombi”, në vitin 1941, nr 8-9. (sipas: Rinush Idrizi: Ndre Mjedja, Onufri, Tiranë 2017

[2]  tugë – zjarmí, shqetësim

[3]  Ut pictura poesis (latinisht) –  piktura është si poezia.

[4]  Quintus Horatius Flaccus – Horace më 8 dhjetor, viti 65-8-av. – J. C.

Exit mobile version