Kreu Letërsi Shënime mbi libra Frano Kulli: Rrëfim letrar i Malësisë së përtejme…

Frano Kulli: Rrëfim letrar i Malësisë së përtejme…

“Mund të duket e çuditëshme, por për romanet e Fran Camajt nuk mund të shkruhet me mjetet e letërsisë, pasi që ai, realisht në to shkroi historinë e malësisë përmes letërsisë”. I pajtuar përpjesëshëm me këtë qëmtim me të cilin e përmbyll parathënien e romanit “Bisedë me gjyshin imagjinar”, dr. Haxhi Shabani, u grisha t’i filloj shënimet e mia modeste për këtë libër të fundit të autorit Camaj, pikërisht me të. E vërteta është se romani në fjalë, sikurse edhe të tjera vepra të mëparëshme të Fran Camajt janë rrëfim letrar ngjarjesh pikante të jetës në malësi; një gërshet i thurur me to e që në fund të thurjes del bukur i gjatë në kohë; një shekull e diç më shumë. Dy skajet e saj janë gripi spanjoll, i cili, siç njihet e dihet ka ngjarë në fillim shekullin e njëzetë, e konkretisht nis në vitin 1918 dhe për tri vite mori me vehte rreth 100 milion njerëz e mbyllet me covid 19, “murtajen” tjetër që ende e kemi nëpër këmbë. Si frymë  edhe do vite ma heret, qysh me 1913-ën, atëherë kur fuqitë e mëdha e lanë një pjesë të malësisë nën Malin e Zi. Këtë segment kohor të historisë, në të cilin ngërthehen e shtjellohen ngjarjet e romanit e përcakton në njëfarë mënyre edhe zgjedhja strukturore mbi të cilën autori e ka ndërtuar ngrehinën e vet; një strukturë që mbështetet  mbi dialogun imagjinar të rrëfimtarit të kresë së vendit, Palit, me gjyshin e tij ardhur si prej mitesh , tashma vetë në moshen e gjyshit, kohëjeta tokësore e të cilit përkon me këtë kalendar. Kjo shtjellje e lëndës historike të librit  si ndërkallje fantazmagorike me gjyshin imagjinar, po kështu i vjen në ndihmë autorit për ta trajtuar lëndën jetësore, historike, si lëndë artistike, romanore. Këtu më duket se tejkalohet ai filli ndarës midis një libri historik me fiction-in, çka dallon një libër historie nga një vepër të letërsisë artistike. Në këtë rast romani dhe , më duket se autori ia ka dalë. Përvoja e gjatë prej disa dekadash si gazetar e publicist, bashkëbiseda, intervista pra, si njëra prej zhandrreve klasike të publicistikës me dhjetra e dhjetra njerëz të gjallë, të moshave e gjinive të ndryshme, ushtrues të zejeve e profesioneve të ndryshme me tema e orientime të ndryshme e ka joshur vetvetishëm autorin e romanit tek përzgjedhja  e një strukture si kjo e librit të tij. Porse këtu, bashkëbiseda si në ajrí nis e vijon ndërmjet një të gjalli të kësaj bote dhe një tjetri të botës së përtejme; ajo ndërlidh gjithashtu dy skaje kohësh të ndryshme siç është koha që ndan, të themi tre breza, tri gjenerata, kohëjeta ndërmjet nipit dhe gjyshit. Ndërsa rrjedha kryesore orientohet tek ajo çka fillon e ndodh dikund rreth viteve ‘60 – ‘70 , atëherë kur për Malësinë fillon emigrimi masiv drejt perëndimit. Nëpërmjet pyetjeve jo të shkurta të gjyshit, vijnë masandej përgjigjet e gjata të Palit, e kështu ngërthehet shtjella e  rrëfimit përmes të cilit marrin udhë linjat kryesore të romanit.

Edhe përzgjedhja e dy momenteve tragjike për njerëzimin krejt, po sigurisht edhe për malësorët siç janë dy pandemitë jetëmarrëse, që ndajnë ndërmjet një shekull shërben si shtrati ku pushojnë mirë ngjarjet e romanit, që anojnë më fort nga drama e tragjikja. Fran Camaj, ndryshe prej plot autorëve dhe librave të tjerë që janë shkruar për Malësinë e mënjanon patetikën e rrëfimit për të; ai ka preferuar që për lexuesin e tij të sjellë Malësinë reale me dhuntitë piktorike që i ka falë zoti e natyra, por edhe me rreziqet sistematike që e kanë kërcënuar pa dá atë. Qysh prej ndarjes e copëtimit të saj,  ku vijon e s’ndalet drama e epërme e malësorëve. Camaj, me finesë e mjeshtrí i “shmanget” hymnizimit të qëndresës së malësorëve, nuk ndalet veç te ajo, çka ka qenë me plot arsye subjekti i shumë e shumë veprave pararendëse historike e letrare, të autorëve malësorë po edhe të tjerëve autorë shqiptarë. Në romanin e tij, Camaj ndal më tepër se te historia, te e përditëshmja, jetesa, jeta e gjallë e malësorëve, bashkëkohësia e tyre, me virtytet e veset e njeriut (homo sapiensit) malësor. Virtytet e trashëguara po edhe veset e përftuara prej ashpërsisë që i ka diktuar e sotmja e tyre, në konceptin historik të saj, dominojnë krejt lëndën historiko-artistike të romanit. Fokusi i tij rrokullon gjysmëshekullin e fundit atje në malësi, qyshsekur , për rrethanat e diktuara sa përdhunshëm aq edhe në mënyrë të stërholluar, nis e shfaqet plaga e rëndë e mërgimit.

E epërme për nga epiciteti është linja e dashurisë e lidhjes së pafat të njeriut me mjekërr të thinjur “, Ilirit me Ajkunën, kushërinen e vet. Gjithë ajo çfarë ndodh me këtë lidhje krejt të pamëkat e të pafajshme, qysh prej zanafillës së saj e që rrokulliset si një tragjedi njerëzore e rregjistrave të lartë ndjesor, përcillet tek receptorët e lexuesit me të njëjtin rregjistër që autori e ka parashkruar. Largimi i djemve e i familjeve prej dheut të tyre, e hallakatja nëpër botë e ka shprishë familjen malësore aq sa ka ndërhy fatalisht në antropologjinë e njeriut malësor. Duke i imponuar atij zakone e sjellja të reja të përshtatura me perëndimin e jetën e tij të vrullëshme, duke mënjanuar ndërkohë e lanë mbas dore kodet e bukura të jetesës së malësisë. Por edhe ndarë e individualizuar atë, duke e bërë njeriun malësor më “metalik”, më të ftohtë. Sindrom, që po shfaqet thuajse njëlloj edhe në Shqipërinë e dy-tri dekadave të fundit… Kështu Pali “vetmisë i frigohej më shumë se vdekjes”, thotë diku ai. Deri këtu ishte shprishë pra jeta e malësorit sa ai i druhej vetmisë, një dukuri e shfaqje e paprovuar më parë, kur malësorët ishin mjaft më të lidhur , në të mira e në derte, sido vështirësive që vetë jeta në male paraqet. Sikurse linjë paralele e kësaj drame për té (Palin) është fakti i dhimbshëm se “ai motrat as i kishte njohur…” dhe kjo ka qenë plagë e randë fort që u shkaktua qyshse malësia u nda dysh me vijë kufitare ndërmjet dy shteteve.

Camaj nuk e idilizon as e idealizon malësorin; tek malësori i tij nuk shquan vetëm mirësia e bukuria fizike e shtatit e bukuria e shpirtit, dlirësia e butësia e tij shembëlltyrë në botën shqiptare për femrën, por edhe qëndresa e fortë në mbrojtje të dheut të vet. “Mielli asht dhezë (ndezë)” , thuhej në malësi, atëherë kur mielli ka ndejë për një kohë të gjatë në thes, ose petullat që qiteshin për natën e ditët e T’lidhunave, sikurse edhe në festat fetare katolike që luteshin e luten në malësi edhe sot e kësaj dite, shën Gjoni i Hotit, Zoja e Grudës, Sh’na Ndou me 13 qershor, gjithashtu etj. Virtytet dhe gjithçka është krijuar e lëmuar përmes tyre, traditat, doket e zakonet e lavdërueshme janë aty vetvetishëm. Por asesi si një perde për të mos tejkqyrë tek e murrmja a e zeza e veseve, shumica të përftuara atje përtej oqeanit. Vrasjet e pa shkak, që vijnë si pasojë e jetës së çthurur të disa të rijve në mërgatë, mbledhur përreth tymnajës së një lokali ku përzihen konsumi pa masë e kriter i pijeve alkolike e i drogës, ka qenë për vite me radhë e ligë shoqnore që e ka gërrye Malësinë dhe pikëllimi i autorit shpërfaqet i drejtëpërdrejtë dhe i pakompromis me ndërgjegjen e vet krijuese. Ai nuk ia fsheh vetvehtes e as lexuesit të vet plagën e rëndë që ka mahis krejt malësinë. Sikurse nuk fsheh, gjithashtu ardhjen në ato fillime të djelmoshave me vetura të shtrenjta fort në Malësi nga Amerika e largët, shpesh herë të marruna “uha”, vetëm e vetëm për t’u dukë të pasun para malësorëve të këtushëm. Ani pse kjo do të thoshte vite pune të shpenzuara e jo vetëm kaq. Dami më i madh, që autori veçon e thekson asht  përshtypja e rrejshme se emigrimi asht veç thasë me pare e bollek, që për të tjerë të rinj prej malësie ishte një joshje e njellje për atje. E kështu vargu për andej nuk ndalej e Malësia boshatisej. Ashtu siç e kishte dashtë dhe e donte, madje ishte investuar me të gjitha format e mjetet pushteti jugosllav atëhere. Ky është thelbi i krejt bisedës së Palit me gjyshin imagjinar, çka në të vërtetë është thelbi i mesazhit, që autori don t’ia kumtojë lexuesit të vet, kohës dhe njerëzve të vet.

– I shihja malsorët që punonin edhe punë që askurrë nuk do të pranonin t’i bënin në Malësi e mendoja: po të punonin këtu në vendlindje sikurse punojnë në Amerikë athua do të kishin pasë nevojë të shkonin varg atje?…më kujtohet nji gjamatar i njohur në malësi – kujton Pali, mbas vizitës së parë atje – që në vajin për  të vdekurin e përcillte me fjalësi këto: ule kryqin(kurrizin) e puno, se Amerikë e ke kudo…

Në malësi ekzistonte besimi se është mëkat të trazohen dallëndyshet ose t’u prishen çerdhet. Ata besonin se kjo ka lidhje me zojen e bekuar. dhe ky kumt i tij, në mënyrë të tërthortë është një thirrje shpirti për bashkëvëllezërit malësorë, që në shumicë e prej shumë kohe janë nisë rrugëve të shtegtimit, të mos u fashitet prej shpirtit ndjesia e të rikthyerit në folenë e vet. ashtu siç është rituali instinktiv i dallëndysheve…

Për këto e të tjera arsye si këto  romani “Bisedë me gjyshin imagjinar”, vjen si një libër i mirëpritur, kurse autori edhe kësaj here një misionar pasionant e i paepur  i kauzës së jetshkrimit së malësisë, ashtu siç ajo pulson në çdo ind të qenies së tij. E kanë thënë heret latinët “scripta manent, verba volant – e shkruara mbetet, fjalët fluturojnë” dhe unë besoj se an Camaj këtë urtí e ka e do ta ketë motivin e përhershëm të krijimtarisë së vet letrare e publicistike, në plotpërputhje me frymën e vet krijuese.

Exit mobile version