Botohet me shkurtime. Një version më i gjatë i këtij artikulli është botuar në vëllimin “Kufiri i lëngshëm. Marrëdhëniet letrare dhe ndërkulturore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”, përgatitur nga Daniele Comberiati dhe Emma Bond, Shtëpia Botuese “Besa”, 2013.
Për të emërtuar tekstet që janë përkthyer një herë dhe më pas janë ripërkthyer në një gjuhë të tretë, kritiku Michael Orthofer ka huazuar nga gjenealogjia një shprehje poetikisht të ngjeshur: twice removed. Në një artikull të botuar më 2003 në revistën online The Complete Review, Orthofer-i shpreh habinë që, edhe sot, veprat e disa autorëve të njohur përkthehen në anglisht nga përkthime tashmë ekzistuese. Si shembuj ai përmend Sándor Márai-n, Haruki Murakami-n, Witold Gombrowicz-in dhe Ismail Kadarenë dhe arrin në përfundimin se “pa një revoltë të madhe kundër përkthimit të dorës së dytë – nga lexuesit, kritikët, autorët dhe vetë përkthyesit – ka të ngjarë që përkthime të këtij lloji të vazhdojnë të botohen”.[1]
Në Itali, vetëm një pjesë e vogël e veprave të Ismail Kadaresë është përkthyer drejtpërdrejt nga shqipja. Shumë prej tyre përfshihen në katalogun e shtëpisë botuese Longanesi, e cila i ka blerë të drejtat nga Fayard-i, botuesi i vetëm i Kadaresë në Francë. Siç shpjegon Fayard-i në faqen e vet, veprat e Kadaresë janë përkthyer “në rreth dyzet vende”. Do të ishte më e saktë të thuhej se, në shumë prej këtyre vendeve, lexuesit kanë në dispozicion vetëm përkthime të bëra nga versioni frëngjisht, shpesh pa qenë në dijeni të kësaj.
Në Brazil, përkundrazi, përkthimet e drejtpërdrejta dhe ato të tërthorta janë të pranishme në masë të barabartë. Ka, së fundi, edhe vende – ndër to Spanja, Gjermania dhe Vendet e Ulëta – ku tekstet e Kadaresë përkthehen vetëm nga shqipja.[2]
Përkthyesit e Kadaresë ndahen kështu në dy kategori, sipas faktit nëse e njohin apo jo shqipen. Në vitin 2005, David Bellos-i, përkthyesi kryesor i Kadaresë në anglisht, së bashku me studiuesen e letërsisë frënge Barbara Bray – e ndarë nga jeta më 2010 -, kujtonte kështu se si e kishte zbuluar autorin e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur:
“Kur, dhjetë vjet më parë, drejtori letrar i The Harvill Press, Christophe MacLehose, më kërkoi të përktheja Dosjen H të Ismail Kadaresë nga versioni frëngjisht, në fillim ngurrova. Nuk flisja shqip – edhe sot njoh vetëm pak elemente të kësaj gjuhe të çuditshme e të vështirë. Dhe, për më tepër, kisha parimet e mia! […] “Përse nuk e përktheni tekstin drejtpërdrejt nga shqipja?”, e pyeta MacLehose-in. Ai ngriti drejt qiellit krahët e tij të gjatë. “Ah, sikur ta dije…”, ishte përgjigjja e tij e mistershme dhe e pakundërshtueshme.”[3]
Instinkti im i parë, kur, në vitin 2008, Fandango më propozoi të përktheja esenë Dante, l’incontournable (në shqip Dantja i pashmangshëm), ishte të kontrolloja të vetmin tekst të Kadaresë që kisha në shtëpi: romanin e shkurtër L’aquila (Shkaba), përkthyer nga Francesco Bruno dhe botuar nga Longanesi më 2007. I vetmi shënim për origjinalin ishte: “Përkthim nga teksti frëngjisht L’Aigle”, pa u dhënë emri i përkthyesit nga shqipja në frëngjisht. Kjo m’u duk e çuditshme; po aq më habiti fakti se nuk kishte njerëz të aftë të përkthenin drejtpërdrejt nga shqipja. Por Fandango këmbënguli. Pranova, ashtu si Bellos-i, duke e mbytur zërin e skrupujve të mi.
Përveç disa rasteve të rralla e të shkëlqyera, si ato të përfshira në kolanën e Einaudi-t Shkrimtarë të përkthyer nga shkrimtarë, përkthimet e dyfishta vështirë se mund të mbrohen. Ato u bëjnë padrejtësi lexuesve, të cilët shpesh nuk janë në dijeni të kalimit të dyfishtë, dhe janë tejet munduese për përkthyesit, që përballen jo vetëm me rrezikun e keqkuptimit të tekstit – rrezik i qenësishëm në vetë aktin e përkthimit -, por edhe me frikën se mos përcjellin më tej një gabim të përkthyesit të parë.
Le të kthehemi te Histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligierin (ky është nëntitulli) e Kadaresë. Tema kërkonte përpikërinë më të madhe, por kalimi përmes frëngjishtes i shtoi pashmangshëm vështirësitë dhe dyshimet; një pjesë e tyre u zgjidhën falë autorit të versionit frëngjisht, Tedi Papavramit. I lindur në Tiranë më 1971, Papavrami njihet kryesisht si violinist dhe pikërisht falë talentit të tij muzikor mundi të shpërngulej në Francë më 1982 për të studiuar. Në vitin 2001, pas një ngjarjeje për të cilën do të flas më tej, Fayard-i i besoi përkthimin e veprave të Kadaresë.
Gjatë shkëmbimeve tona, Papavrami pranoi disa gabime, të vetat ose të redaktorit të Fayard-it, duke më dhënë mundësi të riktheja kuptimin e origjinalit. “Kërkoj ndjesë për këto pasaktësi”, shkroi më pas, “por edhe unë vetë, në disa pjesë, e kam pasur të vështirë ta kuptoj këtë tekst. Nga të gjithë librat e Kadaresë që kam përkthyer, ky është ai që më ka vënë më shumë në vështirësi.” Kurrë një rrëfim nuk ishte pritur me kaq dëshpërim.
Në vitin 2010, Fandango botoi një tekst të dytë të Kadaresë, Il mostro (Përbindëshi), një roman që ndërthur plane të ndryshme kohore, duke luajtur me paralelizmat dhe pikëtakimet ndërmjet mitit të rënies së Trojës dhe ngujimit të Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës. Mësova me tmerr se Papavrami nuk do të mund të më ndihmonte, sepse autori i versionit frëngjisht kishte ndërruar jetë prej disa vitesh. Quhej Jusuf Vrioni dhe historia e tij do të meritonte një libër më vete.[4]
I ndarë nga jeta në Paris më 2001, Vrioni ishte alter ego-ja frënge – ose, më saktë, frankofone – e Kadaresë. I lindur më 1916 në një familje aristokratike shqiptare, kishte kaluar pjesën më të madhe të rinisë në Francë, ku i ati shërbente si ambasador dhe ku ai kishte fituar një zotërim të përsosur të frëngjishtes. Në vitin 1943 vendosi të kthehej në Shqipëri. Katër vjet më vonë u arrestua me akuzën se ishte spiun, u torturua dhe u burgos. Pas lirimit, në vitin 1959, nisi të përkthente për të siguruar jetesën: përkthente në frëngjisht tekste politike, ndër to edhe veprat e Hoxhës, si dhe tekste letrare, sidomos ato të një autori të ri me emrin Ismail Kadare.
Siç tregon vetë Kadareja në një intervistë të botuar më 1999 në La Matricule des Anges, zanafilla e suksesit të tij në Francë shkon në fundin e viteve gjashtëdhjetë, kur gazetari Pierre Paraf, gjatë një udhëtimi në Shqipëri, hasi rastësisht në versionin frëngjisht të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, të përkthyer nga Vrioni dhe të botuar tre vjet më parë me porosi të autoriteteve komuniste. Paraf e mori librin me vete në Francë dhe shtëpia botuese Albin Michel e botoi më 1970, pa qenë e detyruar të blinte të drejtat, pasi Shqipëria e Hoxhës nuk kishte nënshkruar asnjë traktat për të drejtën e autorit.
Për vite me radhë, Vrioni, i parë me sy të keq si ish-i burgosur politik, mbeti një përkthyes i padukshëm. Emri i tij nuk shfaqej askund dhe lexuesit e parë francezë të Ismail Kadaresë duhej të mjaftoheshin me shënimin e vagullt: “Përkthyer nga shqipja”. Vlerësimi i punës së tij erdhi vonë, kur Vrioni i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, me botimin e Urës me tri harqe dhe Prillit të thyer – të botuara përkatësisht më 1970 dhe 1980 në Shqipëri dhe që dolën të dyja në Francë më 1981. Në vitin 1985, për herë të parë pas më shumë se dyzet vjetësh, Vrioni mundi të dilte nga Shqipëria; ndërsa më 1997 vendosi të largohej përfundimisht nga vendi dhe të kthehej në Paris.

Ata që e kanë njohur e kujtojnë si një njeri, kultura dhe finesa e të cilit kishin të barabartë vetëm përulësinë e tij.[5] Orthofer-i nënvizon se përkthimet anglisht mbajnë zakonisht shënimin “Translated from the French of Jusuf Vrioni”. Në Itali, për një kohë të gjatë, kjo praktikë e mirë u shpërfill, dhe as mua vetë nuk më shkoi ndër mend të kërkoja që emri i Papavramit të përfshihej te Dante, l’inevitabile; gabimin e ndreqa në dy përkthimet pasuese, Il mostro dhe La nicchia della vergogna. Pas vdekjes së Vrionit, Fayard-i i kërkoi Papavramit të merrte përsipër përkthimin e veprave të Kadaresë.
Ndryshe nga Vrioni dhe Papavrami, të cilët mund të përkthenin nga gjuha e tyre amtare në një gjuhë që e kishin bërë të tyren,[6] shumë nga “përkthyesit e drejtpërdrejtë” të Kadaresë e kanë mësuar gjuhën e vendit të shqiponjave për arsye shpesh të pazakonta. Për përkthyesin spanjoll Ramón Sánchez Lizarralde dhe për gjermanin Joachim Röhm, shtysa ishte ideologjike.
Në vitin 1977, me ftesë të regjimit të Hoxhës, Röhm-i, atëherë tridhjetëvjeçar, dhe e shoqja u shpërngulën në Shqipëri, ku jetuan për tre vjet. Pasi u kthye në Gjermani, Röhm-i u bë përkthyesi kryesor i letërsisë shqipe në gjermanisht. Lizarralde, i ndarë nga jeta më 2011, në moshën vetëm gjashtëdhjetëvjeçare, ndoqi një rrugë të ngjashme. Anëtar i Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste, në vitin 1980 shkoi për të studiuar në Tiranë, ku u njoh me Kadarenë dhe u diplomua në gjuhë shqipe, përpara se të kthehej në Spanjë më 1984.
Në Vendet e Ulëta, Kadareja ka dy përkthyes që e njohin shqipen: Roel Schuyt-in dhe Jacqueline Sheji-n. Kjo e fundit, pasi mësoi gjuhën e të shoqit, artistit Qenan Sheji – maqedonas, por pjesëtar i pakicës shqiptare të atij vendi -, përktheu disa autorë shqiptarë.
Roel Schuyt-i, përkundrazi, e mësoi gjuhën e Kadaresë me kërkesën e një botuesi. Kjo histori e pazakontë tregohet në faqen e Çmimit të Përkthimit Aleida Schot:[7]
“Rreth vitit 1994, një redaktor i shtëpisë botuese Van Gennep pyeti një anëtar të jurisë së çmimit nëse njihte dikë që ishte në gjendje të përkthente nga shqipja. Shtëpia botuese kishte blerë të drejtat e veprave të Ismail Kadaresë, por nuk kishte askënd të cilit t’ia besonte një përkthim të drejtpërdrejtë nga shqipja. Anëtari i jurisë u përgjigj pa ngurruar: “Drejtojuni Roel Schuyt-it. Nuk jam i sigurt nëse e di shqipen, por, po të jetë nevoja, do ta mësojë.””
Kam pasur vetëm një shkëmbim të shkurtër me Ramón Sánchez Lizarralde-n, të cilit iu drejtova pasi zbulova se përkthyesi i Le monstre nuk ishte Papavrami, por Vrioni. Nuk pajtohesha dot me idenë se s’do të mund t’i kërkoja sqarime dikujt që e kishte lexuar tekstin në shqip dhe, pas një kërkimi të shpejtë, e gjeta shpëtimtarin tim te Lizarralde-ja.
Në email-in ku më bashkëngjiste tekstin e El monstruo, shkruante: “Është vërtet për të ardhur keq që nuk arrihet të gjendet një përkthyes i mirë i drejtpërdrejtë [në italisht]… Nuk dua të të dukem mendjemadh, por, po të gjesh dallime ndërmjet frëngjishtes dhe spanjishtes, versioni im do të jetë pothuajse gjithmonë më besnik, edhe për sa i përket frazimit dhe tonit.”
Dy përkthimet ishin vërtet të ndryshme nga njëra-tjetra, siç nxori në pah një krahasim i imët e i mundimshëm. Në disa pjesë ndreqa ato që ishin gabime të mirëfillta të Vrionit – ose, ku ta dish, ndoshta të vetë Kadaresë. Në pjesë të tjera iu përmbajta përkthimit frëngjisht. Më shumë se një herë iu luta Shën Jeronimit të më merrte në mbrojtje, duke pyetur veten se ç’kuptim kishte ai trekëndësh letrar i papërsosur.
Një fill përgjigjeje e gjeta në një artikull të Lizarralde-s, të botuar më 2001 në revistën online El Trujamán.[8] Duke kujtuar kohën kur Kadareja ishte ende i panjohur në Spanjë, Lizarralde shkruante:
“Ishte afërsisht viti 1988 kur, pas vitesh endjeje nga një shtëpi botuese në tjetrën, duke u përpjekur t’i bindja drejtuesit se ia vlente të botohej Ismail Kadareja në spanjisht dhe se, natyrisht, unë isha njeriu i duhur për t’ia përkthyer veprat, hasa – ose ndoshta qe ai që më hasi mua – një botues që prej kohësh përpiqej ta botonte autorin tim, por nuk pranonte të ndërmerrte një përkthim të dyfishtë nga frëngjishtja. Ishte Mario Muchnik-u, në atë kohë në krye të shtëpisë botuese që edhe sot mban emrin e tij. Me një besim krejt të pajustifikuar në aftësitë e mia letrare, ai u përfshi menjëherë me pasion në projekt […] dhe unë iu vura punës – ose, më mirë, ai më vuri në punë. Nuk qe e lehtë. Shtëpia botuese franceze, që zotëronte të drejtat botërore të veprës së Kadaresë, u tregua prerazi kundër idesë që ajo të përkthehej nga shqipja, ndërsa në atë kohë marrëdhëniet e mia me autorin ishin pothuajse të paqena. Më shumë se një herë na kërkuan që versionin frëngjisht ta përdornim si pikënisje për atë spanjisht. Por Mario nguli këmbë, më mbështeti dhe ne e vazhduam punën tonë.”

Fayard-i, i përfaqësuar nga agjencia letrare The Wylie Agency, zotëron të drejtat e përkthimit të librave të një vargu autorësh jofrancezë, ndër ta Kadareja. Dhe, po t’i besojmë rrëfimit të Lizarralde-s – rrëfim që, veç kësaj, vërtetohet nga përqindja e lartë e përkthimeve të dyfishta të veprave të Kadaresë -, Fayard-i parapëlqen që versioni frëngjisht të merret si versioni i referencës. Përse një autor dhe botuesi i tij do të parapëlqenin kalimin e dyfishtë ndërmjet tekstit dhe lexuesit, me të gjitha rreziqet që ai sjell?
Në artikullin e tij, Orthofer-i parashtron një hipotezë interesante:
“Një shpjegim të fundit për zgjedhjen e pazakontë që të përkthehet një tekst tashmë i larguar një shkallë [once removed] nga origjinali mund ta kërkojmë tek ajo që botuesi dëshiron të paraqesë: ndoshta ajo që synon t’i ofrojë publikut anglishtfolës nuk është teksti origjinal, por përkthimi.”
Më pas Orthofer-i sjell shembullin e romanit Le braci të Sándor Márai-t, i përkthyer në anglisht nga versioni gjerman i Christina Viragh-ut, Die Glut. Ai hamendëson se botuesit Knopf – në Shtetet e Bashkuara – dhe Viking – në Britaninë e Madhe – mund të kenë bërë një arsyetim kryesisht ekonomik:
“Duke pasur parasysh suksesin kritik dhe tregtar të versionit të Viragh-ut – si edhe interesin e pakët që kishte ngjallur për afro gjashtëdhjetë vjet teksti hungarisht i Márai-t, i vitit 1942 -, kjo hipotezë nuk duket edhe aq e pagjasë.”
Në rastin e Kadaresë kemi një botues, Fayard-in, që i nxit botuesit e tjerë të parapëlqejnë përkthimin e dyfishtë dhe këtë e bën me mbështetjen e autorit. Ndonëse arsyeja ekonomike nuk mund të përjashtohet krejtësisht – në fund të fundit, fama e Kadaresë lulëzoi falë penës së rafinuar të Jusuf Vrionit -, ka edhe nga ata që e shpjegojnë ndryshe dëshirën për ta lënë në hije versionin origjinal.
Një sqarim paraprak: vetë koncepti i versionit origjinal, kur është fjala për Kadarenë, është problematik. Siç shpjegon Lizarralde në parathënien e botimit spanjisht të Kamarjes së turpit, Kadareja e shfrytëzoi botimin e veprave të tij të plota – të nxjerra në Francë nga Fayard-i dhe në Shqipëri nga Onufri – për t’i rishikuar tekstet:
“Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për ndreqje dhe ndryshime me karakter thjesht stilistik. Nganjëherë arrihet deri te ripunimi i disa personazheve dhe i pjesëve që nuk e bindnin plotësisht Kadarenë. Së fundi, ka raste kur ndryshimet konsistojnë, nga njëra anë, në rikthimin te varianti fillestar i tekstit, të cilin autori e kishte ndryshuar për arsye që lidheshin me censurën ose me oportunitetin politik, me qëllim që të siguronte mbijetesën e veprës pas kritikave që kishte marrë; nga ana tjetër, në heqjen e elementeve që, qysh në krye të herës, ishin futur për të mundësuar botimin e tekstit në kushtet e regjimit të asaj kohe.”[9]
Botimi i veprave të plota nisi në vitin 1993, por Kadareja e kishte marrë zakonin t’i rishikonte tekstet e veta qysh me përkthimet e para në frëngjisht. Prandaj, me shprehjen “version origjinal” mund të kuptohen tri tekste të ndryshme – të paktën në rastin e romaneve më të njohura të Kadaresë, të shkruara përpara largimit të tij nga Shqipëria më 1990: versioni i parë i botuar në shqip; versioni i Jusuf Vrionit, i rishikuar me miratimin e autorit, prej të cilit, siç e dimë, rrjedh një pjesë e madhe e përkthimeve në gjuhë të tjera; si edhe versioni shqip i rishikuar dhe i ndrequr.
Duke iu kthyer arsyetimit të Orthofer-it, çfarë dëshiron, pra, t’i “paraqesë” publikut Fayard-i? Thjesht një version të përmirësuar të veprave të Kadaresë? Dhe në ç’mënyrë është ndikuar përfytyrimi që lexuesit kanë për autorin nga monopoli i botuesit francez?
Këtu duhet të përmendim, të paktën në vija të përgjithshme, polemikën shumëvjeçare ndërmjet mbrojtësve dhe kundërshtarëve të Kadaresë, të rigjallëruar më 2005, kur autorit shqiptar iu dha i pari Man International Booker Prize. Për admiruesit e tij, të cilët, krahas talentit letrar, lëvdojnë edhe guximin e treguar përballë regjimit komunist, ky vlerësim ishte më se i merituar.
Kundërshtarët e tij, përkundrazi, e denoncuan atë si lëvizjen e radhës të një fushate që prej vitesh, sipas tyre, fshihte natyrën e vërtetë të Kadaresë: atë të një njeriu bashkëpunëtor të regjimit komunist, por aq të shkathët sa, pas shpërnguljes në Evropë, të kryente një kthesë të kujdesshme, duke i ndryshuar sipas rastit veprat e mëparshme dhe duke u ngritur në simbol të qëndresës kundër egërsisë së diktaturës.
Ndërmjet këtyre dy skajeve gjejmë qëndrime më të nuancuara, në veçanti atë të Peter Morgan-it, pedagog i Studimeve Evropiane në Universitetin e Sidneit dhe autor i një studimi biografik të kohëve të fundit për Ismail Kadarenë.[10] Pa e mohuar dykuptimësinë e marrëdhënieve që e lidhnin Kadarenë me regjimin komunist, Morgan-i e interpreton atë si një strategji mbijetese, që pati sukses edhe falë rolit të përkthimeve.
Në një artikull të vitit 2008, Morgan-i kujton se, në vendet socialiste, “vija ndarëse ndërmjet kundërshtimit dhe bashkëpunimit ishte shpesh e hollë”.[11] Ndonëse i njeh privilegjet që i qenë dhënë Kadaresë – ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe më pas deputet, nuk u burgos kurrë, nuk iu nënshtrua asnjë mase ndëshkimore dhe mundi vazhdimisht të udhëtonte jashtë vendit e t’i botonte tekstet e veta -, Morgan-i pohon se “Kadareja nuk ishte i lirë t’i refuzonte ato dhe se [këto privilegje] kishin një çmim. Ashtu si çdo aspekt tjetër i jetës së tij në Shqipëri, edhe ato kontrolloheshin nga lart. Për të mbijetuar, Kadaresë iu desh t’i përshtatej regjimit dhe t’i përdorte privilegjet për t’i shërbyer çështjes së krijimtarisë së vet”.[12]

Në një artikull tjetër, me titull “Translation and Dictatorship”, Morgan-i pohon se Kadareja gjeti te përkthimet e Jusuf Vrionit një spirancë shpëtimi, “të vetmen mënyrë për ta ruajtur veprën e vet në trajtën që dëshironte”.[13] Kështu, përkthimet, edhe pse të mëvonshme se versioni shqip, do të ishin më origjinale, sepse qenë të çliruara nga prangat e censurës dhe të autocensurës.
Analizat e Morgan-it mbështeten në dallimin – të mbrojtur edhe nga vetë Kadareja – ndërmjet disidencës politike dhe asaj letrare. Kadareja, argumentojnë admiruesit e tij, nuk ka pretenduar kurrë se ishte një Václav Havel. Qëndresa e tij është shprehur përmes krijimtarisë dhe shkrimit, ndaj vlera e tij duhet gjykuar vetëm në planin letrar.
Nuk u takon botuesve të deshifrojnë të kaluarën e Kadaresë ose të gjykojnë staturën e tij morale. Megjithatë, ata mund ta zvogëlojnë largësinë ndërmjet veprave të tij dhe lexuesve, duke lënë pas një faqe jo fort të lavdishme të historisë së përkthimit.
Janar 2012
Francesca Spinelli
(1980) është gazetare dhe përkthyese italiane. Ajo jeton në Bruksel, ku shkruan për migracionin dhe azilin, dhe kontribuon në Internazionale. Ajo është redaktore e librit Letra të Reja Persiane. Vështrime nga një Itali në Ndryshim .
SHËNIME
1. Michael Orthofer, “Twice Removed. The Baffling Phenomenon of the Translated and then Re-Translated Text”, The Complete Review, vëll. IV, nr. 4, nëntor 2003 – snipurl.com/21b53mj.
2. Duke u kthyer më prapa në kohë ose duke shqyrtuar katalogët e shtëpive botuese më të vogla, mund të gjenden përkthime të drejtpërdrejta edhe në italisht ose në anglisht; megjithatë, ato mbeten përjashtime brenda një panorame kryesisht frankocentrike.
3. David Bellos, “The Englishing of Ismail Kadare. Notes of a Retranslator”, The Complete Review, vëll. VI, nr. 2, maj 2005 – snipurl.com/21b54hm.
4. Kujtimet e tij gjenden në frëngjisht: Mondes effacés: Souvenirs d’un Européen, Paris, J.-C. Lattès, 1998.
5. Luan Rama, “Le vol de l’aige” – snipurl.com/21b0udj.
6. Është me vend të kujtohet edhe një bashkatdhetar tjetër i tyre, poeti dhe kritiku letrar Arshi Pipa. I lindur në Shkodër më 1920, Pipa kaloi dhjetë vjet në burgjet komuniste, përpara se të arrinte të arratisej nga Shqipëria. Nga viti 1958 deri më 2007, vit kur u nda nga jeta, jetoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pipa përktheu vetëm një roman të Kadaresë – Chronicle in Stone (Kronikë në gur), Londër, Serpent’s Tail/Al Saqi Books, 1987 -, por, pas një mosmarrëveshjeje me botuesin, i cili e kishte ndryshuar përkthimin pa dijeninë e Pipës dhe kishte hequr shënimin e tij hyrës, kërkoi që emri i tij të mos përmendej në botim.
7. I krijuar në kujtim të sllavistes holandeze Aleida Schot, çmimi jepet çdo dy vjet për një përkthim nga një gjuhë sllave në holandisht.
8. Ramón Sánchez Lizarralde, “Pionero a la fuerza”, El Trujamán, 1 qershor 2001 – snipurl.com/21b3f7s.
9. Ismail Kadare, El nicho de la vergüenza, Madrid, Alianza Editorial, 2001, f. 7.
10. Peter Morgan, Ismail Kadare: The Writer and the Dictatorship 1957-1990, Oxford, Legenda, 2010.
11. Peter Morgan, “Ismail Kadare: Modern Hero or Albanian Dissident”, Translation Review, nr. 76, 2008, f. 24 – http://www.utdallas.edu/alta/pdf/TR76.pdf.
12. Po aty, f. 26.
13. Peter Morgan, “Translation and Dictatorship”, The AALITRA Review, nr. 2, 2010, f. 39 – snipurl.com/21b4koz.



