Kreu Letërsi Shënime mbi libra Fjoralba Dikollari: “Përçmimi” – thërmimi i idealit martesor e njerëzor

Fjoralba Dikollari: “Përçmimi” – thërmimi i idealit martesor e njerëzor

I shkruar në vitin 1954, “Përçmimi” vjen si një nga përjetimet më të thella të jetës së Alberto Moravia-s, në një kohë kur marrëdhënia me gruan e tij, Elsa Morante, gjendej në një kolaps përhumbës si pasojë e një rrugëtimi të gjatë së bashku. Kështu edhe heronjtë e veprës kërkojnë lumturinë personale, por që shkrimtari i çon gjakftohtë gjithnjë drejt kolapsit.

Romani është sjellë me një frymë pesimiste dhe me një erë poetike tepër delikate, veti të përcjella në gjuhën shqipe me një kujdes tejet të përpiktë nga Aida Baro. Romani flet për familjen Molteni, bashkëshorti Rikardo është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, me një mendësi të thjeshtë, larg botës intelektuale me profesion ish-daktilografiste, është e dhënë pas konceptit të zotërimit të një shtëpie sipas normave të një jete borgjeze karakteristike të kohës. I influencuar nga mendimi marksist siç është ai i tjetërsimit të punonjësit, Moravia zbërthen qashtër luftën e brendshme shpirtërore, që Molteni është i detyruar të përballojë për hir të dëshirave të së shoqes. Zbërthimi i së padukshmes së marrëdhënies të mijëra betejave që kanë personazhet në brendinë e tyre, analiza e krizave pa rrugëdalje të shoqërisë borgjeze, është epiqendra e talentit të penës së Alberto Moravia-s.

“Po në ç’gjendje jam kështu që sillem në këtë mënyrë? Si u katandisa në këtë far feje? Sa poshtë kam rënë…’’(Përktheu: Aida Baro)

Nga ana tjetër, gjendet Emilia, e ardhur nga provinca, e mbrujtur me një karakter, siç e cilëson autori, të përgjithshëm dhe të thatë, përballë një realiteti që nuk kish qenë  kurrë pjesë, asaj të një Rome borgjeze të viteve ‘50, një realitet ku fjalën e fundit e vulos etja për sukses e karrierë, dhe mungesa e moralit. Në brendinë e saj Emilia, pa një shkak konkret nga një moment, mendim, apo ndjesi e caktuar ngjiz gradualisht ndjenjën e “përçmimit”, i cili do të jetë aktori kryesor i ngjarjeve, që do të minojë një herë e përgjithmonë martesën e çiftit.

“-Unë të përçmoj… ja çfarë ndjej për ty, ja pse s’të dua më…Të përçmoj dhe më vjen ndot sa herë që më prek… Ja kjo është e vërteta… të përçmoj dhe më kall krupën!| (Përktheu: Aida Baro).

Mungesa e fjalës është ajo që do të ngrejë themelin e një muri të pakapërcyeshëm të marrëdhënies së çiftit. Përçmimi shfaqet si një e vërtetë e errët, e papërcaktuar dhe që do të ngulë në qenien e tij mendimin thikë, do ta gërryejë kobshëm së brendshmi, me një dhimbje therëse gjithnjë në rritje. Përpos kësaj, Molteni thjesht nuk arrin të kuptojë bazën e kësaj ndjenje që i kishte përpirë qenien së shoqes. I gjendur krejt papritur në një realitet që kurrë, as në makthet e tij më të errëta s’do ta kishte imagjinuar, ai orvatet deri në dëshpërim në rrëmimin e zbardhjes së atyre “përse-ve” rraskapitëse, të cilat nuk marrin kurrë përgjigje ashtu siç ia lypste nevoja shpirtit dhe mendjes së tij. Një personazh i mësuar të meditojë thellë, brenda një bote të brendshme ku, materiali, cinizmi, shitja e shpirtit nuk zënë hapësirë përpara dashurisë së pamatë, lirisë së mendimit, lirisë së shpirtit, të cilat janë armiq të përjetshëm përballë çdo dogme zvetënimi që shoqëria e ushqen pamëshirshëm. Por duket se “përçmimi” ka zënë rrënjë me një fuqi mbinatyrore, simboli i pafundësisë së detit i rëndon në qenie Moltenit ashtu siç shfaqet trumfues përçmimi i Emilias ndaj tij.

“kapak mbi kokën tonë ra gjithë ai det” (Komedia Hyjnore, Dante Alighieri, përkthyer nga Pashko Gjeçi).

Vetë Emilia nuk mëton t’i japë një përgjigje shteruese. Përse i gjithë ky përçmim? Ideja e tij rrjedh në roman si një ndjenjë e papërcaktuar, e padeshifruar, gjë që e vë në mëdyshje lexuesin deri në fund për të zbuluar thjesht arsyen “përse Emilja urrën bashkëshortin e saj?”

Përveç krizës martesore, dy tema të tjera qendrore në roman janë edhe kinemaja, e shpalosur si një botë e robëruar e tregut komercial, zhveshur nga çdo element artistik cilësor. Propozimi i shkrimit të skenarit të një vepre homerike, “Odiseja” shfaqet edhe si një pasqyrë e brendshme e ngjarjeve të jetës së Moltenit me bashkëshorten e tij. I gjendur midis luftës së brendshme për të krijuar një vepër sipas aspiratave të tij artistike përballë mendjengushtësisë së producentëve e regjisorëve, mundi i tij për të sakrifikuar ëndrrat e së ardhmes për nevoja ekonomike, idealet e tij do të mbeten në hije, si një realitet i shtrirë në kohë sa vetë ekzistenca e njerëzimit. 

Moravia shquhet për aftësinë e tij të të thërrmuarit të “idealit” në jetën njerëzore. Në vend të tij, me një finesë mendimi kaq të hollë, e çon personazhin nga një gjendje e shkërmoqur shpirtërore në një vetëzgjidhje konkrete që shpalos mesazhin aq ekzistencial për qenien atë që “lipset për të jetuar”.

Exit mobile version