MBRËMJE
Një yll i vetmuar
Atje lart shkëlqen,
Syri im i etur
Tretet në eter.
Ylli përmbi tokë,
Unë nën këtë qiell,
Ai diç më thotë
Unë diç i them.
1972
SONTE
Sonte nuk kam gjumë
Ma vodhën yjet cinxëri –
Zemra ime sonte
Si deti nën hënë shushurin,
Jam hedhur
Në krahët e mëndafshtë të natës,
Në sy më flenë
Dy kulumbri dhe një bukureze :
Sonte jam universi
Qe fsheh mistere.
1973
SI DHJETË VJET MË PARË
Dëborë e bardhë si ëndërr fëmijërie
Peizazh i shtrenjtë që shpirtin ma ngroh,
Nën plojën e butë të kristaleve magjike
Harroj se ka trishtime kjo botë.
Fluturat më ulen në sy e në duar
E zemra më lutet të qesh marrëzisht,
Të kthehem sërish në ato ditë të arta,
Kur u njohëm bashkë e u bëmë miq.
Prapë jemi miq, kjo është e zakonshme
Por dhe e pazakonshme njëkohësisht,
Vështrimet tona të pastra si loti, janë ftohur
E tronditur ndonjëherë, pa dyshim.
Por ka mbetur dashuria e plotë si një diell,
Që prapa reve i bukur dhe i zjarrtë rri
Dhe është e domosdoshme në këtë kohë të sertë,
Si dita e kthjellët pas një moti me shi.
Kjo bardhësi hyjnore që prej qiellit bie,
E nusëron qytetin e dashurisë sonë,
Një vogëlush që nga sytë dhe balli është ti,
Futet mes nesh e me borë na qëllon.
Bajram Curri, janar 1983
MË KA MARRË MALLI
Më ka marrë malli për të qeshurën tënde –
Gurgullimë ujërash pranverorë,
Degëz e çelur lulemolle.
Për sytë e tu –
Burim i kulluar që ma huton vështrimin,
Pasqyrë ku më duket vetja e bukur.
Më ka marrë malli për dorën tënde –
Rreze agimi që zgjon ujërat e blerta.
Krehër hëne që çlodhet në kokën time.
Për profilin tënd –
Vizatim i druajtur dhe kryeneç
Yll që më tërheq në orbitë.
1984
NE BAJRAM CURRI
Të vish edhe njëherë këtu
E të zbulosh gjurmët e rinisë tënde.
Të zgjosh ëndrrat e çuditshme që ke pasur
Të rikrijosh veten tënde të dikurshme.
Të dëgjosh të qeshurën e pafajme të dashurisë.
Të ndiesh druajtjen e puthjes së parë,
Të sjellësh në mend përqafimin pas një trëndafili.
Gezimin tënd për fëmijën e parë
Dhe ta kuptosh se jeta është një lumë,
Që rrjedh teposhtë me rrëmbim ;
Pastaj t’i lësh të gjitha këto
Dhe të soditësh fytyrat e njerëzve
Që të kanë dashur
E i ke dashur,
Të takosh vajza e djem,
Që të kanë parë në sy
Të rishohësh prushin e zjarreve të dikurshëm
Në sytë e tyre,
Sepse “shpirti i nxënësit
Është një zjarr për t’u ndezur”1)
Dhe të përtërihesh.
1985
TI ISHE QIELLOR
Ti ishe qiellor,
M’u desh të bëhesha me flatra për të të mbërritur,
Koha pas meje rrëshqiste si trëndafili i rërës,
Ditët e mia i ngjanin Spirales me ëndrra
Që e turbulluan Gëten;
Duke ardhur drejt teje,
Sy burrash të tjerë më kanë vështruar,
Sepse çdo grua është një Tokë e Premtuar,
Por mua të tërë më dukeshin Zota pa qiell.
10 janar 1990
NGANJËHERË
Nganjëherë më grisen të gjitha velat
Dhe dallgët e mendimeve më përplasin larg,
Dëgjoj brenda meje krakëllima, rënkime,
Si në anijethyerjet e mëdha.
Kur dua të mbledh partallet,
Për ta bërë prapë atë që ishte UNE,
Arrij ta kuptoj humbjen ;
Sytë i mbaj hapur, por nuk shikoj,
Goja më kyçet.
Me kë të flas ?
Ndërsa ngrihen rreth meje aq e aq mure,
Atëherë më josh kënaqësia e panjohur
E një fundi ku mbretëron Hiçi,
Por të shoh ty i dashur
Dhe drejt teje vij
Si drejt një limani plot dritë e kaltëri.
APOKALIPS
Kur mungon ti
Mbarë gjithësia përmbyset
Dielli jep shpirt
Në ujërat vdekëtare,
Hëna dhe yjtë
Marrosen nëpër humnera,
Pa e ditur që atje është fundi i tyre,
Lulja e zbehtë e Narcisit rritet
Më e lartë se Kulla e Babilonit.
Qielli zvogëlohet:
Nuk ka vend as për Zota
dhe Olimp,
As për parajsë;
Shumë shpejt edhe zogjtë do të vdesin
Nga Përmbytja e shpirtit tim.
LUTJE
Do të desha që me një nga durt e tua
Sonte të krijoj një lule të rrallë
Trëndafil që zemrën me aromë ta shuaj
Ose dhe zambak që ta mbjell mbi varr.
A ma premton dorën tënde të shtrenjtë,
Që të lindem një grimëz për herë të dytë,
Shpirtin të deh nga drita jote e dielltë
Dhe në çastin kobzi t’i mbyll e qetë sytë.
1995
NATYRË E QETË
I
Diell që perëndon
Qiell i portokalltë
Tinguj në dhomë
Puthjet tona të harruara
Vështrimet tona të hutuara
Heshtja vrastare
Dhe duart tona,
Dy pëllumba
Që kërkojnë të ngjiten në qiell.
II
Fytyrat tona të lodhura
Kundërshtojnë pasqyrën
Dhe gjërat e ndriçuara,
Hapësira e pafund është
Si një pamundësi
Për të shkuar larg –
Lulet që mblodhe për mua
Këtë ditë pranvere
Përgjojnë mbi tryezë.
NJË ZË
Dëgjoj në heshtje dhe e çuditur
Një zë
Qetësisht kthehem pas:
Ka ndodhur dje apo ka një shekull,
Që ky zë më ka turbulluar
Në labirintin e jetës time,
Ai është tokë dhe det
Muzikë dhe jetë ai është.
RRËFIM
Sa e gjatë ishte java!
Dhe horizontet plot mjegull qenë,
Njerëzit e njohur
Më dukeshin të panjohur,
Çfarë zbrazëtie!
Por unë jetoja tjetër kohë,
Në një vend të largët,
Midis trëndafilave të Bengalit,
Që të parë nga lartësitë e kaltra,
Duken si zjarre të vegjël –
Me imazhin tënd në sy
Dhe me zërin tënd të skalitur në shpirt
Duke shtrënguar zemrën,
Zemrën time të brishtë si një zog,
Që krejt i përgjakur
Endërron fluturimin e mbramë.
METAMORFOZE
Kam disa fjalë pa zë për të thënë,
Fjalë të hutuara,
Të huaja për kohën time.
Fjalë blu,
Që zbresin nga qiejt e lartë,
Të yjezuara, të çuditshme.
Fjalë të tejdukshme,
Pasqyrë e shpirtit të botës,
Ikanake, të ndritshme.
Fjalë ëndërr,
Që zgjohen nga përjetësia,
Me bukuri kobtare, rrezëllitëse.
Fjalë zjarr,
Të ngjyera me të verdhë e të kuqe,
Zemra ime papushim aty digjet.
DIALOG
Ti më pyet se çfarë shoh
Një udhë të panjohur
Ti më pyet se çfarë mendoj
Trëndafilin e dashurisë
Ti më pyet se çfarë kërkoj
Ëndrrat e humbura
Ti më mbështjell
Me duart e tua filiza pylli
Që ngatërrohen
Në flokët e mi
Toka fillon të rrotullohet
Në krahun e kundërt
Atëherë bota nuk ekziston
As metropolet
Vetëm ti dhe unë,
Dhe asgjë tjetër.
OPTIMISTE
-Alegrovivacce-
Agu
Dielli
Dita
Fati
Vështrimi
Buzëqeshja
Muzgu
Hëna
Dashuria
Trëndafili
Puthja
Prehja
Qielli
Hëna
Yjtë
Foshnja
Ngjitja.
DASHURIA
Ishte një stinë e mistershme
Vjeshtë e parë
Dhe trëndafilat kuqëlonin së tepërmi
Vitet dhe ditët tona
Nisën të prarojnë
Dhe në një çast
U përndezën
Në një hapësirë abstrakte.
Ne heshtnim
Dhe kur flisnim
Thoshim diçka pa lidhje
Që mbi të gjitha nuk e dëgjonim,
Vetëm zemrat
Kishin një gjuhë të kuptueshme.
Pataj nisëm të ecnim
Në mes të kozmosit të tmerrshëm
Të hutuar e të mrekulluar
Me fatin tonë përdore.
SYREALISTE
Bota jonë shpërbëhet ngadalë
Fjalët popullojnë një botë tjetër
Natyra hap dyert magjike
Ngado shihen shtatë ngjyrat e ylberit
Unë jam purpuri që të huton
Ti shndërrohesh në horizont
Dhe më tërheq lart, larg
Ecim apo lundrojmë?
Nuk e di,
Por rrugët bëhen ajrore
Bimësia lëviz me ne
Pemët ruajnë stinën e artë
Flladi na përkëdhel
Si fëmijë të urtë
Me duart e tij të ëmbla;
E tashmja dhe e shkuara ikin
Mbetet vetëm e ardhmja
Hipotetike,
E vockël
Dhe e madhe
Njëkohësisht.
Tiranë, 10 janar 2020
POEMA IME
Poema ime është
Një dashuri sublime
E ndritshme dhe e errët
Pa kontekst
Që nuk vdes kurrë
E lirë, abstrakte
E mëvetësishme
Si drita.
2022
ÇASTE
Ndonjëherë,
Në mes të natës,
Zgjohem e lemerisur
Një makth më mbërthen:
Zëri yt diellor.
A është arratisur ai nga shpirti im,
Apo ende aty banon?
TRËNDAFILI
E kujtoj atë trëndafil
Ngjyrën e tij të kuqe, të kulluar
Si rubin
Një ditë vjeshte
Që ishte llahtarisht e bukur
Dhe e trishtuar
Nga mendimi i fshehtë
Se vdekja mund t’ia behte papritur
Si magji e zezë
Dhe mund ta flakte tutje
Mizorisht atë trëndafil.
Në dhomë trëndafilin e kuq
Unë e afrova te zemra
Dhe i këndova në heshtje
Një këngë të padëgjuar
Këngë e çuditshme
Me kuptime të fshehta
Si mbishkrimet e lashta
Këngë e thellë
Përzier me atë lloj bukurie
Që ka brenda çdo amour fou
Bukuri e vdekjes.
10 janar 2025