Kreu Opinion Feride Papleka: Mynever Shuteriqi-Fico – Retrospektivë e një jete

Feride Papleka: Mynever Shuteriqi-Fico – Retrospektivë e një jete

Një ditë tetori, një zë gruaje më mori në telefon dhe m’u drejtua frëngjisht duke më ftuar për kafe. Njëherë pandeha se mos ishte ndonjë shoqe nga Franca dhe ngurrova, por ajo duke e kuptuar ngurrimin tim e tha vetë emrin. E paimagjinueshme! Ishte Mynever Shuteriqi. E dija që kishte mësuar italisht dhe frëngjisht në shkollë, por nuk e mora dot me mend. Unë u tregova e gatshme dhe pas pak kohe u ndodha në Kafe Aroma, që e ka afër shtëpisë. Atë e ndihmoi për të zbritur nga kati i dytë një kujdestare. Ne kishim ardhur aty edhe shumë herë të tjera kur ajo zbriste vetë. Kemi shkuar edhe në kafe Toptani, në anën ku janë kopshtet e gjelbra të Akademisë, jo më larg se para pesë-gjashtë muajsh, apo edhe në kafe të tjera, por tani ecja e saj është vështirësuar. E veçanta ishte se ajo nisi të bisedonte frëngjisht. Unë nuk e pyesja gjithmonë frëngjisht se më dukej që e lodhja, dhe doja të mbaja si përherë ndonjë shënim nga jeta e saj; njohja jonë ka filluar qysh në kohën kur shkruaja librin për Shuteriqin. Sidoqoftë ajo ma kthente përgjigjen frëngjisht apo italisht. Nuk e kisha menduar kurrë se do të dëgjoja një grua që kishte shkelur 99 vjet e udhëtonte drejt 100-shit, të fliste aq rrjedhshëm frëngjisht apo italisht. Nuk qeshë e mahnitur se ajo mbante mend vetëm disa fjalë të shkëputura, por që bisedonte me fjali të lidhura, të shqiptuara natyrshëm, sikur të kishte jetuar në Francë dhe në Itali. Kjo është diçka e jashtëzakoshme. Nëse do të ma kishte thënë dikush tjetër, do ta shikoja me dyshim këtë fakt. Më kishte treguar Mira, vajza e Shuteriqit për ditët e fundme të tij, në spital, i shtrirë për vdekje, sesi i kishte humbur lidhjet me botën që e rrethonte dhe i ishin ringjallur lidhjet me botën e dikurshme duke deklamuar copëra poemash dhe ligjëratash frëngjisht, apo duke folur për kryengritjen e Gjon Kastriotit… Vetë Myneveri më kishte recituar sa herë vargje nga Komedia Hyjnore (La Divina Commedia) italisht, kishte përsëritur ndonjë thënie nga Zonja me kamelie apo të ndonjë vepre tjetër. Gjithsesi unë i quaja të gjitha këto rezultat i kujtesës mekanike. Por të folurit e tanishëm ishte tjetër gjë. Ne ishim në kafe dhe ndërkohë takoheshim edhe me njerëz të tjerë që e përshëndesnin gruan e famshme, me të cilën kisha fatin të bisedoja dhe ajo u përgjigjej lehtësisht duke e shoqëruar përgjigjen me të qeshurën e saj karakteristike, një e qeshur shpirtërore që e kishte bërë për vete Shuteriqin në bazën ilegale të shtypit të Luftës, në malësitë e Elbasanit.

***

Myneveri ka lindur në Gjirokastër më 21 qershor 1924. I ati i saj, nëpunës pyjesh, kishte botëkuptim liberal; rridhte nga një familje e mesme, por e vlerësuar në qytet. Ai vetë e kishte kaluar rininë në kurbet, në Amerikë dhe atje ishte shkolluar. Ishte kthyer më 1919 bashkë me fanolistët kur Noli pati vendosur të vinte në Shqipëri.

Vitet e fëmijërisë ajo i kaloi në Delvinë, ku u transferua i ati. Pasi mbaroi shkollën fillore me nota të larta, ai e regjistroi në Institutin Femëror në Tiranë, i cili quhej Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në kohën e Zogut. Arsimimi i fëmijëve ishte për të me shumë rëndësi. Myneveri sapo kishte mbushur të njëmbëdhjetat. Për herë të parë bënte një rrugë aq të gjatë nëpër Shqipëri. Mbresat e saj për atë udhëtim janë të pashlyeshme: “Muzgu na zuri duke kaluar qytetin e Kavajës. Emrin e qytetit ma tha im atë. Unë isha mrekulluar nga dritat. Për herë të parë shihja dritë elektrike. Kisha parë vetëm fenerë dhe llambë me vajguri. Rrugët dhe shtëpitë ishin plot ndriçim. Më dukej sikur po jetoja një përrallë” (Nga bisedat, shtator 2016).

Foto e vajzave elbasanase në Institutin Femëror, Tiranë.
Mynever Fico, numri 9, e dyta në rreshtin e parë, pranverë 1939

Duke qenë e zellshme në mësime dhe shumë e hapur në shoqëri, Myneveri fitoi shumë shpejt adhurimin e shoqeve. Mes porosive që i pati dhënë e ëma kur u nis për Tiranë, ishte edhe se “duhej të tregohej e sinqertë dhe e dashur me shoqet, se tash e tutje ato do të ishin familja e saj”. Dhe ashtu ndodhi: konvikti; shoqëria; jeta klandestine; jeta në mal; puna në Elbasanin e çliruar; pastaj bashkëjetesa me Dhimitër S. Shuteriqin, një fenomen i rrallë i asaj kohe; jeta shoqërore; Librazhdi; Tirana; familja e re; Fakulteti Gjuhë dhe Letërsi; Pogradeci; Durrësi; Vlora; Përmeti; Shkodra; miqësitë e panumërta; Moska; Beogradi; Pekini; Rubiku, shëtitja nëpër Shqipëri; Shkupi ku ishte Zana, e bija me të shoqin diplomat; Kanadaja ku emigroi i biri; Orikumi… Një udhëtim i gjatë, tërësisht romanesk. E ëma e saj nuk u gabua; ajo kishte arsim dhe edukatë të qytetëruar, sepse i ati i vet kishte qenë gjyqtar në Stamboll. Pas vdekjes së tij familja kishte rënë në varfëri dhe ishte kthyer në Shqipëri.

Shkolla ka qenë një vend i dashur për Myneverin si për të gjithë nxënësit që u ecën mbarë mësimi.  “Atje, ishte tjetër jetë, me kushte moderne në konvikt, me disiplinë dhe rregullore: mësim, gjuhë të huaja, veprimtari sportive. Për mua u hap një dritare e madhe në jetë” (Nga bisedat, shtator 2016). Përveç notave të larta në lëndët bazë, më 1938 ajo u shpall edhe kampione e shkollës në ping-pong. Ishte ndër të parat edhe në të dyja kurset e gjuhëve të huaja italisht dhe frëngjisht, të cilat iu deshën disa vite më vonë në bazën e shtypit ilegal që nxirrte buletinin kryesisht nga lajmet e radios në gjuhë të huaja për Luftën e Dytë botërore dhe fillimisht kur punoi në Agjensinë Telegrafike shqiptare pas Çlirimit. Për çudi vatrat e dikurshme të nxënies së këtyre gjuhëve mesa duket u riaktivizuan fort këtë vjeshtë. 

Vitet që kaloi në Institutin e Vajzave i dhanë Myneverit një kulturë të përgjithshme të qëndrueshme. Në shkollë qarkullonte në mënyrë të fshehtë edhe letërsi përparimtare dhe asaj i pëlqente shumë letërsia dhe jeta letrare në përgjithësi. Lexonte autorë të përkthyer, por edhe në italisht, si Dante Alighieri, Tolstoi, Dostoyevski, Dumas e të tjerë. Lexonte edhe autorë shqiptarë, sidomos ata të Rilindjes Kombëtare. Në prag të pushtimit dhe pas pushtimit në shkollë u kryen mjaft manifestime antifashiste. “Në krye të tyre ishte Margarita Tutulani, Ramize Gjebrea, Nexhmije Xhuglini, Fiqret Sanxhaktari, Naxhije Dume, Liri Lubonja e të tjera” (Nga bisedat, shkurt 2016). Idetë e reja e tërhiqnin vajzën gjirokastrite dhe kur erdhi t’i vazhdonte dy vitet e fundit në Normalen e Elbasanit, sepse atje banonte tashmë familja e saj, ajo u lidh me idetë komuniste. “Im atë u detyrua të më transferonte në Normale, sepse jo vetëm nuk e përballonte dot më ekonomikisht pagesën, por më kryesorja ishte se pas pushtimit, përveç fashistizimit të shkollës, qëndrimi në Tiranë paraqiste rreziqe për jetën. Shkolla Normale e Elbasanit ishte model i arsimimit dhe unë ndjeva kënaqësi nga ky ndryshim. Duke qenë se klasat ishin me djem dhe vajza, ajo jetë mësimore ndikoi shumë për emancipimin e studentëve e të familjeve të tyre në Shqipëri, si edhe të krejt popullatës së qytetit” (Nga bisedat, tetor 2016).

Qyteti i Elbasanit solli risi në jetën e saj. Në pranverë të vitit 1942 ajo u pranua në rininë komuniste dhe u zgjodh në udhëheqje të rinisë së shkollës. Në vjeshtë mori pjesë në disa veprimtari antifashiste që organizheshin nga patriotë dhe nga Partia komuniste në Elbasan, duke përfituar nga fakti se ishte në shkollë dhe nuk do ta mbikëqyrnin. Në shtëpi kishin një radio dhe me një kushëri të saj Elmaz Xhango (dëshmor i atdheut), i cili bënte pjesë në grupet komuniste, filloi të dëgjonte radio-Moskën italisht. Njëherë, dëgjoi edhe teatrin “Orët e Kremlinit”.

Ajo kishte lidhur miqësi me të rinj e të reja antifashistë, si Llambi Peçini, Aleksandra Shuteriqi, Thoma Kalefi (dëshmor i atdheut), e të tjerë që bisedonin për një botë të re që do të vinte edhe në Shqipëri. Thomai kishte ardhur nga Amerika dhe dallohej mes të tjerëve për idetë e tij shumë të përparuara dhe për kulturë në sjellje. Ajo shkëmbente libra me të, por shkonte rregullisht edhe në bibliotekën e qytetit, gjë që nuk ishte e zakonshme për vajzat e asaj kohe. Në një koleksion të revistës Bota e re e vitit 1938, ajo lexoi edhe botimet e një shkrimtari të panjohur për të, Dhimitër S. Shuteriqi. I bëri përshtypje sidomos poezia Vdekja e peshkatarit. Lexoi edhe shkrimin eseistik Mbi drejtimet e reja letrare dhe ndonjë tregim. Të gjitha i pëlqyen, por imazhi që krijoi për autorin, është i çuditshëm. Nga temat që trajtonte ai iu duk i moshuar.

Mynever Fico, Elbasan, verë 1938

Më 1943, kur Myneveri ishte në maturë, shkolla Normale u mbyll. Diplomën e mori pas Çlirimit si shumë të tjerë. Kështu ajo filloi veprimtarinë ilegale me rininë që kishte përqafuar idealet për një botë të re. Shpërndante trakte dhe komunikata komuniste, në të cilat bëhej thirrje për luftë deri në fitore kundër nazifashistëve. Dhe erdhi kështu arrestimi i parë. Ja si e përshkruan ajo: ”Ishte mesnatë dimri. Dera ushtonte nga goditjet e forta. Mbase i binin me qytë pushke. Qentë lehnin. Prindërit e kuptuan dhe unë munda të fshihja disa komunikata me nënën time në një palë dysheku. Ballistët kërkuan dhe nuk gjetën gjë, por megjithatë më pyetën nëse isha Mynever Fico. Sigurisht që e pohova. ‘Je e arrestuar’- më thanë. Hoqa pizhamat dhe u vesha për burg. Pyetjet nisën që sapo u dorëzova: ‘Kush ju udhëheq? Ku i merrni komunikatat? Cilët janë drejtuesit e qarkorit? Etj.’” (Nga bisedat, janar 2017). Në burg ajo gjeti edhe një shok, me të cilin atë ditë kishte qenë në një mbledhje rinie. Dikush i kishte tradhtuar. Gjatë kësaj kohe, në shtëpinë e saj prindërit rrinin me ankth. Shumë vite pas Çlirimit, kur punonte në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe sistemonte disa dokumente të hershme, ajo gjeti një letër që i ati u dërgonte autoriteve të vendit ku u kërkonte “të mos ia internojnë vajzën aq të re “. Si përfundim ajo doli nga burgu pas tetë ditësh për mungesë provash. “Ndihmoi fakti që nuk i gjetën komunikatat, por edhe solidariteti. Midis atyre që ishin kundër komunizmit, kishte edhe nga ata që e përkrahnin lëvizjen patriotike. Një person nga familjet e pasura që punonte në drejtorinë e burgut, dhe që nuk kursehej kur mblidhja ndihma për Luftën, u bë fjalëmirë dhe më liruan” (Nga bisedat, mars 2017). Por e liruan me kusht që të rrinte në shtëpi. Megjithatë, ajo nuk mundi ta zbatonte atë “kusht” se ishte e lidhur me lëvizjen antifashiste. Liria e atdheut kërkonte edhe vrullin e saj rinor.

Kështu erdhi edhe arrestimi i dytë (Arkivi Qendror, Fondi 254, viti 1944, dosja 200). Ishte pranverë e vitit ‘44. Përsëri natën ushtuan goditjet në derë. E morën dhe pas dy netësh e liruan, sepse këtë herë ishin shumë të arrestuar dhe nuk kishte vend për t’i mbajtur.

 Veprimtaria ilegale sa vinte dhe shtohej, por ajo nuk mendonte fare për vdekjen që e priste në një arrestim të tretë. Ishte kohë idealesh. Një ditë, duke kapërcyer nga një rrugë në tjetrën, i ra tufa me komunikata që kishte fshehur në astarin e palltos. Para saj ishte duke kaluar një patrullë  ushtarake që për fatin e saj nuk e dëgjoi zhurmën e fletëve që ranë. Ajo gjeti guximin e i mblodhi shpejt. Nazistët nuk të falnin po të zinin me komunikata komuniste. Kështu ndodhi që njërin nga shokët e veprimtarive komuniste, mikun e saj të ngushtë, shqiptaro-amerikanin Thoma Kalefi, gjermanët e kapën, e torturuan dhe e pushkatuan një ditë maji të vitit ‘44. Atë e kishte kallëzuar një bashkëpunëtor i nazistëve. Nga goja e Thoma Kalefit, në prill të vitit 1939, ajo kishte dëgjuar për herë të parë fjalët tragjike: „Do të arratisem. Nuk duroj të jetoj në një atdhe të pushtuar. Jemi një grup që do të organizojmë jashtë rezistencën që s’e bëri Ahmet Zogu.“ (Nga bisedat, shtator  2018). Thomai ishte duke mbaruar në mënyrë të shkëlqyer Normalen. Këto fjalë kishin zgjuar vetëdijen e saj patriotike. Në të vërtetë sipas kujtimeve të z. M. Llanaj, Thoma Kalefi ishte ndër organizatorët e protestës së madhe të normalistëve me parrullat: „Poshtë Italia fashiste! Të mbrojmë Atdheun!“ Pastaj organizatorët kanë bërë thirrje për të shkuar deri te kazermat e ushtrisë që të rrëmbenin armët, por ato nuk funksiononin; i tillë ishte urdhri i mbretit. Gjithashtu ai me disa të tjerë, gjithnjë sipas kujtimeve, kanë shkuar në prefekturë, kanë hequr flamurin italian nga ballkoni i saj dhe e kanë grisur. Kuptohet që qeveria fashiste në Elbasan e konsideronte të riun Kalefi si një antifashist të betuar. Pastaj ai me disa shokë u arratisën për në ish-Jugosllavi që të „organizonin rezistencën“. Atje pas disa kohësh u kap, u burgos dhe më tej u soll në burgun e Tiranës, i dënuar me vdekje. Pas dy vjetësh, i arratisur nga burgu, ai shkoi fillimisht në çetën e Pezës dhe pastaj u lidh me qarkorin e partisë në Elbasan. Në këtë kohë ata u ritakuan me mall. Myneveri ishte bërë e re komuniste dhe ai një luftëtar komunist me përvojë burgjesh që punonte në mënyrë klandestine, sidomos duke organizuar shpërndarjen e komunikatave komuniste. Ajo e kujton gjithnjë me mallëngjim atë veprimtari që u ndërpre atë ditë maji të vitit ‘44, kur Thoma Kalefin e zbuluan… Ajo dhe të gjithë anëtarët e tjerë të grupit që i shpëtuan ndjekjeve dhe burgut, fituan një urrejtje, e cila u kurorëzua me ngjitjen në mal. Liria e vendit ishte çështja më sublime në jetën e rinisë së asaj kohe pa liri. (Pas rënies së komunizmit në shkallë botërore dhe pas vendosjes së sistemit të ri shumëpartiak më 1992 edhe në Shqipëri, urrejtja ndaj atyre që luftuan, por që kishin përqafuar idealin komunist bëri që edhe komunisti i ri, dëshmor i atdheut Thoma Kalefi të pësonte në Elbasan një luftë të egër klasore, e cila përfundoi me vendimin dhe veprimin e turpshëm për heqjen e bustit të tij përpara një shkolle pas afro dyzet vitesh. Megjithatë cilatdo forca që duan të hedhin baltë mbi emrat e atyre që dhanë jetën për liri, nuk do të munden të shlyejnë gjakun e tyre të pastër, derdhur në altarin e lirisë së këtij trualli).

***

Myneveri u bë gati për të dalë partizane gjithë verën e vitit 1944. Ajo ishte pranuar në Partinë komuniste në qershor dhe pati shprehur dëshirën për të dalë në mal, por i thanë se duhej të priste sa të shprehnin vullnetin edhe vajza të tjera. Dhe ja, shtatori që do ta rreshtonte bashkë me vajza të tjera në radhët e Brigadës XVII Sulmuese, e cila do të përurohej në Gjinar, në vendin e quajtur Fushëkuqe (Fusha e Kuqe), erdhi. „Ky lajm ishte i gëzuar jo vetëm për rininë komuniste të qarkut të Elbasanit, por ishte një mundësi për çdo atdhetar që donte të luftonte pushtuesin” (Nga bisedat, shtator 2018). Familja e saj ishte e lidhur me Luftën çlirimtare. Nga ajo shtëpi u bënë tre luftëtarë të ushtrisë partizane, sepse motra doli partizane fill pas saj dhe vëllai kishte dalë në mal një vit më parë. Ajo u nis nga qyteti me një grup të rinjsh e të rejash një mbrëmje të vonë gushti, të cilët gjetën një grykë ku nuk mbërrinte projektori armik që kontrollonte lumin Shkumbin, u kapën dorë për dore dhe kapërcyen mes valëve me ujin gjer në grykë.  „Kur mbërritëm fitimtarë në krahun tjetër, dikush ia nisi këngës, por sado që nata ishte e bukur, ai u detyrua ta ndërpriste se mund të zbuloheshin. Ishte kohë lufte“ (Nga bisedat, shtator 2018).

Fillimisht ata u vendosën në fshatin Lleshan dhe punuan në terren duke bërë propagandë për fitoren mbi pushtuesit. E mësuar në kushte të një jete qytetare, ajo njohu skamjen dhe jetën e mjerë të fshatit. Natën të rinjtë dhe të rejat flinin jashtë, mbi lëpushkat e misrit në oborr të kasolleve të fshatarëve. „Kur ishte ftohtë futeshim brenda dhe flinim përtokë mbi rrogoza. Si nënkresë përdornim një trung prej druri të lëmuar, si pjesëtarët e tjerë të familjes dhe hidhnim përsipër ndonjë mbulesë të vjetruar. Hanim bukë tërshëre që mezi kapërdihej se kishte brenda fije kashte që të mbysnin. Prapëseprapë, mikpritja e fshatarëve edhe në ato kushte ishte e paharrueshme dhe besimi i tyre te lufta partizane ishte i madh“ (Nga bisedat, shtator 2018).

Ditën e përurimit të Brigadës, ajo ka marrë pamjen e luftëtares së re. Ka shkurtuar flokët dhe ka vënë në kokë kapelen partizane. Veshur edhe me një palë pantallona angleze, me çorape deri në gju, me çantë në shpinë, ajo dhe shoqet e saj shndërrohen në një model të ri ri për fshataret dhe fshatarët që jetonin në një prapambetje shekullore.

Ndërsa shokëve të tjerë iu komunikua sesi do të shpërndaheshin nëpër kompani dhe skuadra, atë e thërret sekretari politik i qarkorit, Zihni Muço e i komunikon punën në bazën ilegale të shtypit. Ajo e pret disi ftohtë këtë vendim dhe ngurron, sepse kishte dalë „për të luftuar me armë“, por kur i thonë se në grupin e punës do të jetë edhe Dhimitër Shuteriqi, ajo kundërshton hapur, sepse i duket e vështirë të punojë me një shkrimtar. Por vendimi ishte urdhër. Komunistët duhej të shkonin atje ku u thuhej. Ajo pas disa minutash ndodhet ballë për ballë me „shkrimtarin“, ish-mësues në Normale për disa muaj para mbylljes së saj, por që nuk i ka dhënë mësim. Kishte ndjekur vetëm një ligjëratë të tij me normalistët për revolucionet në Francë. Ajo e përshëndeti e i dha dorën. Ai iu përgjigj përshëndetjes së saj duke thënë se „i bëhet qejfi që edhe ajo është ngjitur në mal me nxënës të tjerë të Normales“. Të nesërmen grupi merr rrugën për në bazën e shtypit. „Ishte një mëngjes i freskët, plot dritë e diell, atë ditë shtatori që ekipi ynë i vogël u nis për në fshatin e thellë Stërstan, ku do të vendosej baza e re e shtypit. […]. Zbritëm për afro dy orë nëpër faqet e pyllëzuara dhe zumë vend në një  fshat të vogël me shtëpi të shpërndara, një këtu  një atje“ ( Mynever Shuteriqi, Zëri i Popullit, 22 korrik 2008). „Zyra“ ishte një kasolle e ulët,  e veçuar, vend që e dinin vetëm dy a tre njerëz. „Një gardh na ndante nga blegërimat e bagëtive. Zilkat tringëllinin  gjer në orët e vona të natës. Zjarr bënim në një sobë të vjetër me qyngje të ndryshkuara. Era e plehut na zinte frymën. Ca dërrasa që i vendosëm rreth e qark sobës me dru i dhanë vendit një pamje disi të banueshme“ (Nga bisedat, dhjetor 2019). 

Qysh atë ditë në mbrëmje ata fillojnë punën. Në mes të ”dhomës“ kanë improvizuar një „tryezë“ me dërrasa. Normalistja regjistron lajmet si ndihmëse e „shkrimtarit“ duke dëgjuar me vëmendje italisht dhe frëngjisht. Kurse „shkrimtari“ përveç frëngjishtes që tashmë i ishte bërë si gjuhë e nënës, sepse ka bërë nëntë vjet liceun e Korçës dhe gjashtë vjet në Francë, dëgjon edhe anglisht, italisht dhe portugalisht. Transmetimet jepeshin në orë të ndryshme dhe ata rrinin zgjuar gjer pas mesnate. „Fillimisht regjistronim lajmet e radiove aleate: radio-Moska, radio-Londra në gjuhën italiane dhe frënge. Radio-Londra transmetonte edhe shqip“ (Nga bisedat, dhjetor 2019). Buletini dilte në kushte primitive, por mbarohej në kohë dhe me cilësi nga Guri Lubonja, një ish-liceist që e mësoi shtypshkrimin nga pasioni që kishte për librat kur shkonte në shtypshkronjën Dhori Kote në Korçë. Ai e zhvilloi pasionin e tij duke përdorur teknikën e kohës në dobi të Luftës çlirimtare.

Me Dhimitër S. Shuteriqin, Gjinar, shtator 1944.

Ngaqë kishte përvojë në botime, Dhimitri e kuptonte se çdo të thotë të përgatitësh një shkrim për shtyp dhe ua bën të lehtë punën edhe të tjerëve duke punuar vetë në çdo proces. Ai krijonte barazi me të gjithë dhe vajza e re e largoi druajtjen e fillimit. Ajo nisi ta shihte atë si njeriun që di gjithçka. Kurse ai aty e mori vesh se ka të bëjë me një trimëreshë që si ilegale ka shpëtuar dy herë nga kthetrat e gestapos.

Në kohën e lirë, ajo me ekipin e vogël shkojnë nëpër shtëpitë e fshatarëve, sigurisht duke mbajtur të fshehtë misionin kryesor. Ata bisedojnë për një sërë problemesh. Fshatarët ishin të interesuar për çështjen e tokës që aktualisht ishte e bejlerëve, për shkollimin e fëmijëve, sepse ata vetë ishin lindur dhe po plakeshin pa mësuar shkrim dhe këndim. Disa prej tyre nuk kishin lëvizur kurrë nga fshati. Besimi që shprehnin ata për programin e Frontit ANÇ dhe për të ardhmen e lirë që nuk ishte e largët, është një lëndë letrare që do të ushqejë më vonë disa tregime të Shuteriqit.

E vërteta është se ajo vjeshtë e vitit ‘44 qe si pranverë për Mynever Ficon. Krahas punës për të regjistruar lajmet që vinin nga Fronti i luftës, ajo po gjen edhe dashurinë e jetës. Sigurisht, duke punuar për të njëjtin ideal, Myneverin e Dhimitrin i bashkon edhe një ideal tjetër, njëlloj harmonie shpirtërore që rrallë haset në jetë. Dhimitri vjen nga lufta, nga beteja të përgjakshme. Varfëria e kasolles është një gjë e dorës së fundit për të. Ai ka parë beteja fitimtare, por edhe humbje të rënda. Ka parë si vdesin trimat. Për fatin e njohjes së tyre ai i ka shpëtuar edhe vetë për një fije peri vdekjes. Vajza e re është e qeshur, gati e lumtur. E bukur si mosha e rinisë që ka mbi supe. Pas atyre muajve të mundimshme me dy arrestime dhe me pushkatimin e mikut të saj të ngushtë Thoma Kalefit, është një rastësi magjike që po ia largon hidhërimin. Ajo është e shpenguar, e nayrshme, e zgjuar. I pranon duke buzëqeshur lulet e malit që shpesh herë „shkrimtari“ ia lë në duar me sloganin „si e vetmja shoqe e grupit“. Dhimitri i mbledh zakonisht në agim, në një korije aty pranë, ku shkon për t’u çlodhur pasi mbaron punë me Buletinin. Në këtë mes kumti ishte i fshehtë, atë e dinë dy zemrat e dashuruara, por asnjëri nuk linte vend për dyshime. Ligjet e luftës duheshin respektuar. Para disa muajsh ishte pushkatuar Ramize Gjebrea, një veprim kriminal i kryer nga disa partizanë, komunistë ekstremistë.  Shpesh herë shkrimtari e pyeste: „Mos u lodhe?“ Kur vinin për vizita te fshatarët, kujdesej që ajo të ulej në vend të mirë. Por Myneverin e vlerësonin të gjithë, sepse ishte shoqja e vetme e grupit.

Kështu ikin ditët me punë dhe me peshën e një ndjenje të re.  Dhe vjen mbrëmja e paharruar e 11 nëntorit kur çlirohej qyteti i Elbasanit dhe ata të dy kanë mbetur rastësisht vetëm në odën e një fshatari. Tani misioni i tyre ka përfunduar. Zjarri i jep intimitet atij vendi të thjeshtë. Sendet mbulohen me një dritë të mistershme. Dëgjohen të shtëna të forta, gjëmime topash që vijnë së largu nga lufta për çlirimin e Tiranës. Ata ndihen të gëzuar, por edhe të trishtuar njëkohësisht. U vjen keq që do të ndahen nga ajo miqësi e çiltër, nga ai mjedis, nga njerëzit e atyshëm. Janë shumë gjëra, por kryesorja është se mund të ndaheshin nga njëri-tjetri. Ajo kohë me adhurim paska qenë vërtet një ëndërr e shkurtër?! Ata vështrojnë lojën e flakëve. Vajza e re është vërtet simpatike, por nën ndikimin e ndjenjës së zjarrtë të dashurisë, fytyra e saj zbukurohet. Pas pak ajo dëgjon një zë që i flet fare me të vogël e i thotë se ai nuk dëshironte të ndaheshin, por „të vazhdojnë miqësinë e të jenë përsëri bashkë“. Shikimet e tyre, i atij i përmalluar dhe i asaj disi i çuditur, por që kishte  brenda një pohim, në çast kryqëzohen. Ai i pëshpërit diçka në formë pyetjeje që ajo nuk e dëgjon saktë nën peshën e emocionit. „Nuk arrita t’i përgjigjem. Ndjeva një përqafim të vrullshëm, por sakaq të butë e ledhatues. Nuk iu shmanga siç do të kisha dashur e siç kisha menduar, sepse e kuptova menjëherë që ajo ndjenjë e panjohur deri atëherë, kishte lindur prej kohësh te unë, që kur e pashë për të parën herë dhe më tërhoqi me tërë qenien e tij, duke fiksuar në mënyrë të pavetëdijshme modelin e burrit, të bashkëshortit tim të ardhshëm“ (Mynever Shuteriqi, Një jetë në dashuri, Dituria, 2007, f. 12).

Nuk pati mes tyre fjalë të mëdha e as premtime. Të nesërmen e saj dite në fotografinë e fundit me grupin, ata duken të tjerë njerëz. Lumturinë e kanë të shkruar në fytyra. Myneveri kthehet në Elbasan me lirinë dhe me dashurinë, dy thesare të vërteta.

Tërë jetën Mynever e Dhimitër S. Shuteriqi punuan për një shoqëri të emancipuar dhe u ndien të gëzuar bashkë me fëmijë, nipër dhe mbesa. Ajo vetë është bërë stërgjyshe. “Gjithë natën e djeshme kam menduar dhe në mëngjes thashë: Dhimitri ka qenë njëra prej gjërave më të bukura që më dhuroi jeta” (Nga bisedat, 5 tetor 2023).

Pas vdekjes së Dhimitrit, Myneveri botoi librin me kujtime Një jetë në dashuri (Dituria, 2007), në të cilin jepen episodet e veçanta të një jete të përbashkët që brof nga e kaluara me romantizmin e dashurisë së tyre që zbret nga malet dhe i përkushtohet jetës në liri me vetëdije, vullnet e pasion duke skicuar njëherësh një portret të pazakontë të Shuteriqit të dashuruar me gjithçka të bukur e të shtrenjtë dhe të Shuteriqit punëtor të palodhur të kulturës shqipe. 

Ajo, gjithashtu, ka punuar pareshtur për të nxjerrë edhe më në dritë veprën e tij me kujdesin për botimin e teksteve që i kishte lënë gati për botim, me përgatitjen e atyre që la në dorëshkrim, me zbulimin e teksteve të reja dhe me sistemimin e ditareve e të shkrimeve të panjohura të tij, disa prej të cilave janë botuar në shtypin e përditshëm.

 Tiranë, nëntor 2023

Exit mobile version