Kreu Arte pamore Ferid Hudhri: Nga pritja e Bajronit në Tepelenë, në Sallonet e Artit...

Ferid Hudhri: Nga pritja e Bajronit në Tepelenë, në Sallonet e Artit nëpër Europë

Mëngjesi i 29 shtatorit të vitin 1808 e gjeti Bajronin pranë bregdetit të Shqipërisë. Kur lindi dielli ai ndodhej akoma më afër bregut dhe malet Akrokeraune iu dukën si “amfiteatër vullkanik natyre”1. Ishte bashkë me mikun e tij John Hobhouse në bordin e anijes “Spider” në udhëtimin e parë drejt Lindjes. Po atë ditë zbritën në Prevezë dhe të nesërmen morën rrugën drejt Veriut. Siç e kishin planifikuar kur u nisën nga Sicilia, ata do të shkonin në Janinë, në oborrin e Ali Pashës.Por gjatë udhëtimit u njoftuan se pashait i vinte keq që ato ditë ishte i detyruar të linte Kuvendin e tij për t›i dhënë fund një lufte të vogël  në Berat dhe i ftonte miqtë për t›u takuar në vendlindje, në sarajet e tij në Tepelenë. Gjatë qëndrimit në Janinë, Bajronin e priti sekretari i Vezirit për t’i uruar mirëseardhjen. Ai u tha miqve anglezë se Lartësia e tij kishte porositur të vizitonin Janinën dhe se kishte dhënë urdhër të përgatitej gjithçka për mirëpritjen dhe udhëtimin e tyre drejt Tepelenës2. Kishte vënë në shërbim të këtij qëllimi një eskortë që do t’i shoqëronte gjatë gjithë kohës, si e dhe disa kuaj të postës për të bartur bagazhet. Bajroni dhe Hobhouse qëndruan pak ditë në Janinë dhe më 11 tetor vazhduan rrugën drejt Veriut. Kaluan pranë Butrintit, fjetën një natë në Libohovë, qëndruan në fshatrat Erind e Qesarat dhe në mëngjesin  e datës 19 tetor të vitit 1808 u nisën në drejtim të Tepelenës ku i priste Ali Pasha.

Thomas Philips, Bajroni me veshje shqiptare

Ndonëse gjatë udhëtimit të dy Lordët anglezë u përballën me vështirësi nëpër shtigjet me baltë për shkak të përrenjve që zbrisnin nga malet, kur iu afruan Tepelenës e shprehën menjëherë kënaqësinë për vendin ku arritën. Vetë  Bajroni, në vazhdim të rrëfimit për këtë udhëtim, do të shkruante se nuk do ta harrojë kurrë pamjen e bukur në hyrje të Tepelenës, nga ora pesë e mbasditës, në perëndim të diellit.  Në vendlindjen e Aliut qëndroi më pranë shqiptarëve me veshjet e tyre nga më magjiket në botë, me fustanella të bardha e të gjata, me jelekët e qëndisur me ar3. Gjatë tre ditëve në Tepelenë ndjeu mikpritjen më të mirë të atij udhëtimi. Bashkëbisedoi disa herë me pashain. Aliu i tha Bajronit ta quante baba për sa kohë do të qëndronte aty dhe se e konsideronte si birin e tij. E trajtonte si fëmijë, i dërgonte bajame dhe sherbet, si dhe fruta e ëmbëlsira disa herë në ditë. Aliu e kuptoi që Bajroni ishte nga një derë fisnike, sepse kishte veshë të vegjël, flokë të dredhur dhe duar të vogla e të bardha. I shprehu edhe kënaqësinë për veshjen e tij të bukur. Ato ditë në Tepelenë kuvenduan gjatë për Anglinë dhe për shqiptarët. Biseduan për Portën e Lartë, për interesat franceze dhe angleze në Pashallëkun e Janinës, përmendën Napoleon Bonapartin dhe figura të tjera të njohura të kohës. Para se të largoheshin, Aliu u tregoi miqve anglezë se pranë Tepelenës ndodheshin disa rrënoja të lashta të Paleokastrës, me mure të moçme dhe gurë të skalitur. U tha gjithashtu se kishte urdhëruar të gatitnin disa kuaj që të shkonin për t’i parë.

Pasi vizituan edhe vendbanimin e hershëm  të Paleokastës, në mëngjesin e 23 tetorit Bajroni me Hobhouse vazhduan udhëtimin për në Athinë dhe në Stamboll, të shoqëruar nga eskorta e Aliut si dhe nga shqiptarë të tjerë, grekë, suljotë dhe arvanitas. Kur u largua nga Tepelena, bashkë me mbresat  e veçanta për njerëzit dhe natyrën, siç shkruan edhe në letrën dërguar nënës së tij, Bajroni mori edhe disa veshje shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë pesëdhjetë guine secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë dyqind guine.4 Thuhet se në një nga takimet me Ali Pashën brenda sarajeve në Tepelenë, Bajroni u vesh me fustanellën e gjatë dhe jelekun e qëndisur me ar. Siç shihet në disa piktura të shekullit XIX, edhe gjatë udhëtimit nëpër Greqi poeti anglez është paraqitur i veshur me rrobat shqiptare.

Edward Finden, Pallati i Ali Pashës në Tepelenë, litografi e shek. XIX

Në korrik të vitit 1811 Bajroni u kthye në Angli. Me mbresat e fuqishme nga udhëtimet në Portugali, në Spanjë, në Shqipëri, në Greqi e në Turqi ai krijoi një nga veprat e tij më të rëndësishme, “Shtegtimet e Çajld Haroldit”. Në shkurt të vitit 1812 u botuan në Londër dy këngët e para të atij vëllimi. Shumë vargje të këngës së dytë Bajroni ia kushtoi Shqipërisë. Siç kanë vërejtur edhe studiues të huaj, mbresat dhe përshtypjet midis shqiptarëve ndikuan shumë në jetën dhe krijimtarinë e poetit. Është shkruar gjithashtu se edhe vargjet e para të “Çajld Haroldit”  filloi t’i hedhë në letër gjatë kohës që udhëtonte midis shqiptarëve. Botimi i parë i këtij libri u shit menjëherë. Po ashtu e menjëhershme ishte edhe fama e autorit. Suksesi pas kësaj vepre i kapërceu shkallëzimet e zakonshme të famës, erdhi si në rrëfimet e përrallave, brenda një nate të vetme. Në mëngjesin e 10 marsit të vitit 1812, një muaj pas botimit të librit, vetë Bajroni u shpreh “U zgjova në mëngjes dhe pashë se isha bërë i famshëm”. “Çajld Haroldi” është përcaktuar si një nga veprat më të shquara të letërsisë botërore. Gete e vlerësoi Bajronin si Gjeniu më i madh i kohës, ndërsa Belinskij e quajti Prometheu i shekullit XIX. Krijimtaria e Bajronit pati një ndikim të madh e të menjëhershëm në letërsinë e të gjitha vendeve europiane. Shkrimtarë të shquar në Francë, në Gjermani, në Itali, në Rusi, në Spanjë e deri në Amerikë u bënë pasues të tij.

Roberto Gammone, Portreti i Donika Kastriotit, Romë, 2021

Pikërisht në kohën kur gëzonte famën më të madhe, në vitin 1813, i veshur me kostumin që mori nga Shqipëria, poeti i shquar pozoi para piktorit Thomas Philips. Në vitin 1814, pak muaj pas pikturimit, tabloja “Bajroni me veshje shqiptare” u ekspozua në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër. Po atë vit imazhi i kësaj pikture, i gdhendur në gravurë nga William Finden, u printua në shumë kopje, u botua në revista, gazeta dhe libra të ilustruara të kohës. Vite më pas u realizua edhe në teknikën mezotint (me ngjyra të buta, të sfumuara) nga piktori G. Sidney Hunt dhe u stampua në 400 kopje*. [Pasi i paraqitën në  pritje të ndryshme në Londër dhe i përdorën gjatë pikturimeve të disa tablove të tjera, veshjet e tij shqiptare Bajroni ia dhuroi mikeshës Margaret Mercer-Elphinstone, e cila më pas u martua në familjen Lansdown. Nga viti 1962 kostumi shqiptar i Bajronit, i veshur në një manekin me imazhin e poetit të shquar, u vendos Bowood House & Garden në Wiltshire, pronë e familjes Lansdown dhe shihen aty çdo ditë nga turistë të shumtë që vijnë nga e gjithë bota]*.

Suksesi i menjëhershëm i Bajronit zgjoi një jehonë të madhe edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët nëpër botë. Pas vargjeve të  Çajld Haroldit  “Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi/ mbi ty o nënë burrash të egër…”, shënimeve për këtë vepër ku i përshkruan shqiptarët si raca më e bukur në botë, apo mbresave për mikpritjen shqiptare të shprehura në letrat dërguar nënës dhe miqve të tij, si dhe pikturës  Bajroni me veshje shqiptare, i vlerësuar si portreti më i bukur dhe më i njohur, Shqipëria dhe shqiptarët, nga viti në vit u bënë gjithnjë e më tërheqës për artistët. Nga një vend që ndonëse dukej nga Italia, ishte më pak i njohur se brendësia e Amerikës siç kish shkruar vite më parë Edward Gibbon (1737-1794), Shqipëria u bë e pranishme edhe nëpër galeritë, sallonet dhe akademitë e artit të Europës. Tablotë me figura shqiptarësh, të veshur me fustanellat e gjata e të bardha dhe jelekët e qëndisur me ar, u pikturuan edhe në Greqi, Maltë, Turqi, Egjipt, Siri e vende të tjera ku artistët i hasën gjatë pikturimeve të tyre. Me temën shqiptare u angazhuan disa nga shkrimtarët dhe artistët e më të njohur të Europës. Nisur edhe nga numri i madh i gravurave, litografive, akuareleve, portreteve, skulpturave, relieveve dhe tablove në përmasa të mëdha kushtuar Shqipërisë, që u realizuan gjatë shekullit XIX, në një prej revistave amerikane më të njohura të atyre viteve, do të shkruhej se shumë është folur dhe shumë është shkruar këto kohë për shpirtin gjallërues dhe kryengritës të shqiptarëve.6 

G.A.Sasso, Aliu me Bajronin dhe J. Hobhouse në sarajet e Tepelenës, gravurë e vitit 1819

Si një nga personazhet kryesorë të letrave, shënimeve dhe disa vargjeve te “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, edhe për Ali pashë Tepelenën u ringjall një interesim më i madh nga shkrimtarë, diplomatë, artistë dhe udhëtarë të asaj kohe. Jehona e këtij vlerësimi u pasqyrua edhe në shumë vepra arti. Takimet e tij me Bajronin i shohim në vizatimin e grafistit italian G. A. Sasso (1819), në akuarelin e piktori francez L. Dupre (1823) ku shfaqet çasti i takimit të parë dhe festa e organizuar në sallonin e madh midis një grupi vajzash që vallëzojnë, ndërsa te litografia e autorëve anglezë E. Finden, W. Purser (1830) paraqitet pallati i madh i Tepelenës dhe mjedisi i brendshëm, aty ku u bënë takimet. Nga kërkimet e deritanishme, litografia “Sarajet e Aliut” është e vetmja vepër arti që paraqet pamjen e plotë të atyre ndërtesave, para se të shkatërrohen nga një zjarr i madh që rrënoi katin e dytë dhe, më pas, të gjithë pallatin. Litografia e autorëve anglezë mbetet gjithashtu e vetmja dëshmi figurative reale, e vizatuar drejtpërdrejt nga natyra, në ditët e shkëlqimit të plotë të asaj ngrehine. Në kohën kur pikturohej kjo pikturë konsulli anglez William Leake ka shkruar se kështjella dhe saraji i Vezirit në Tepelenë kanë pamje madhështore dhe janë krejt në harmoni me panoramën e mrekullueshme përqark. Pallati i Aliut është një nga banesat më romantike dhe më ngazëllyese sa mund të përfytyrohet.7 

Pas vizitës së Bajronit, në Tepelenë erdhën më shumë artistë europianë për të pikturuar Aliun, si edhe motive të tjera nga bota shqiptare. Arkitekti i njohur Charles Cockerell i filloi pikturimet në Shqipëri pasi u takua dhe u miqësua me Bajronin në Athinë. I nxitur edhe prej përshtypjeve të poetit nga vizitat në Tepelenë dhe nëpër troje të tjera shqiptare, Cockerell bashkë me mikun e tij Thomas Hughes ndoqën thuajse të njëjtin rrugëtim. Hughes shkruante mbresat e çdo dite, ndërsa Cockerell vizatonte pamje të ndryshme. Ditën që u takuan me Ali pashë Tepelenën, gjetën më shumë motive për t’i përshkruar dhe pikturuar. Cockerell-it arkitekt i bënë përshtypje sarajet luksoze të pashait dhe qëndroi tri ditë duke pikturuar fasadat e jashtme dhe mjediset e brendshme. Pikturoi edhe Aliun brenda sallave luksoze të pallatit, midis shqiptarëve me fustanella që lëviznin nëpër ato mjedise. Aty realizoi tablonë më të bukur për Aliun dhe një grup shqiptarësh me veshjet tradicionale. Piktura e Cockerell-it i u realizua në Shqipëri të njëjtin vit (më 1914) kur në Londër u ekspozua tabloja “Bajroni me veshje shqiptare”, që gjithashtu e kishte pikënisjen nga udhëtimi drejt Tepelenës. Katër vjet më pas, më 1818, edhe ky akuarel magjepës (enchanting water-colour), siç vlerësohet në librin kushtuar autorit të saj C. Cockerell8, u ekspozua në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër, në të njëjtën sallë ku ishte vendosur  katër vjet më parë “Bajroni me veshje shqiptare”.

Joseph Petzl, Robinat, tablo e vitit 1836, Count Lerchenfeld, Munich

Këto janë dy nga ngjarjet më të bukura dhe më të rëndësishme e asaj periudhe. Në kohën kur i gjithë vendi ishte ende nën Perandorinë Otomane, dy tablotë  me motive arbërore ekspozohen në Londër, në një nga institucionet më larta të artit botëror. Nga kërkimet e deritanishme këto janë të parat vepra arti kushtuar Shqipërisë që futen në sallonet e artit europian. Pak vite pas ekspozimeve në Akademinë Mbretërore të Londrës edhe tri tablo të tjera me imazhin i Ali pashë Tepelenës u paraqitën në Sallonet e Parisit (Salon de Paris), që vlerësohen midis ekspozitave më të rëndësishme të shekullit XIX në Francë dhe në gjithë Europën. Artisti francez  Louis Dupré ekspozoi për herë të parë aty pikturën më të rëndësishme që kishte realizuar në Shqipëri. Në Sallonin e Parisit të vitit 1824 u paraqit me tablonë e titulluar Ali Tebelen, pacha de Janinna, à la chasse sur lac Butrinho (Ali Tepelena, pashai i Janinës, duke gjuajtur në liqenin e Butrintit). Kjo vepër si dhe portreti i veçantë që krijoi më pas për Aliun, vlerësohet si imazhi më i autentik nga i cili janë mbështetur disa nga autorët e tjerë të mëvonshëm. Edhe mjeshtri më i shquar i romantizmit francez Eugène Delacroix u ndikua nga kjo tablo Dupré-së për vizatimit e tij me figurën e Ali pashë Tepelenës*.

Pak vite më pas, në Sallonin e Parisit të vitit 1831, piktori Alexandre Colin ekspozoi dy vepra kushtuar Ali pashë Tepelenës: portretin Ali Pacha d’Epire  dhe tablonë Ali Tepelen, pacha de Janina, dans le bras de Vasiliki, sa femme chérie (Ali Tepelena, pasha i Janinës, në krahët e Vasiliqisë, gruas së tij të dashur). Vite më vonë, në bazë të pikturës ku pashai tepelenas paraqitet në krahët e Vasiliqisë, u realizua një acqua tinta me të njëjtin titull nga artisti francez Alexandre Vincent Sixdeniers, në vitin 1833, sikurse tabloja me ngjyra vaji e piktorit grek Spiridhon Kristidhi, në vitin 1900*.

Edhe në albumin e parë me kostume të zgjedhura nga Shqipëria dhe Greqia, që u botua në Londër nga Joseph Cartwright (Selection of the costumes of Albania and Greece, London, 1822), një pikturë e veçantë i kushtohej Aliut. Ndërsa një vit më vonë, sipas vizatimeve nga W. Davenport u realizuan gjashtë akuatinte me ngjyra nga piktori G. Hunt më 1823 me imazhe nga ngjarjet kryesore të Ali Pashës (Historical Portraiture of Leading Events in the Life of Ali Pacha, London, 1823). Akuarele dhe litografi me ngjyra për pashain tepelenas u botuan edhe në albumet me krijimet e piktorëve Poer Peresford (Scenes in Southern Albania, London, 1855) dhe Louis Dupré (Voyage à Athens et à Constantinople, Paris, 1825).

Ali pashë Tepelena dhe Vasiliqia, litografi e vitit 1842, sipas tablosë së piktorit R. Monvoisin

Me veprat e tjera që u krijuan edhe më pas mund të themi se Ali pashë Tepelenës i takon numri më i madh i tablove që u është  kushtuar figurave të rëndësishme të historisë shqiptare gjatë shekullit XIX. Portretet e tij më të hershme fillojnë para vitit 1804. U realizuan gjatë takimeve me pashain në Janinë dhe në Tepelenë. Më të njohurit janë tri akuarelet nga John Philip Morier (viti 1803), nga William Haygarth (viti 1810) dhe nga Henry Holland në vitin 1813. Midis krijimeve më të hershme është edhe litografia e piktorit italian Dall’Acqua që u botua si ilustrim i librit të François Pouqeville me shënime nga  udhëtimet në More, Konstadinopojë dhe në Shqipëri (Voyage en Moree, a Costantinople et en Albanie, Paris, 1805). Artisti italian ka krijuar një nga imazhet e rralla për figurën e Ali pashë Tepelenës. Në atë litografi nuk ka asnjë ndikim prej vizatimeve, linogravurave apo tablove të autorëve të tjerë europianë për Aliun, madje mund të quhet një nga veprat më të veçanta, që nuk u përsërit tek asnjë nga modelet e mëpasme.

Një numër i madh vizatimesh, gravurash, akuarelesh dhe litografish u realizuan edhe për vrasjen tragjike të Ali Tepelenës, në ishullin e liqenit të Janinës në 5 shkurt të vitit 1822. Plot 200 vjet më pas shohim se artistë të vendeve të ndryshme vazhduan të krijojnë vepra të tjera artistike kushtuar pashait shqiptar. Edhe tani, ndërkohë që trupi i Aliut prehet midis Janinës dhe Stambollit, imazhet me portretit të tij vazhdojnë të ekspozohen në disa nga muzetë dhe galeritë e artit nëpër botë. Dy nga pikturat më të njohura ndodhen në Muzeu Britanik në Londër dhe Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut. Biblioteka Kombëtare e Francës ruan rreth 20 litografi me portrete të Aliut, po ashtu shumë punime të tjera artistike gjenden nëpër disa arkiva, muze, galeri apo koleksione publike e private nëpër botë.

Vepra të panjohura më parë po dalin nga shtëpitë e ankandit Christie’s  dhe Southbye’s në Paris, Londër, Nju Jork etj. Po bëhen të njohura edhe piktura të tjera nga koleksione të ndryshme publike apo private. Imazhet e dy prej veprave që botohen në  ilustrim të këtij shkrimi paraqiten për herë të parë për lexuesin shqiptar. Janë dy nga kompozimet më të bukura pikturale me këtë temë. Në tablonë e piktorit italian Luigi Zuccoli është fiksuar çasti i takimit të parë të Aliut me Vasiliqinë. Një takim i rastësishëm. Një vajzë e re del përpara pashait të madh për t’i shprehur lutjen e saj, për të shpëtuar familjarët nga dënimi. Aliu pranon kërkesën e vajzës. Më pas, siç është pasqyruar edhe në shumë piktura të autorëve të tjerë, Vasiliqia bëhet gruaja e dashur e Pashait. Tabloja e piktorit Zuccoli është realizuar në vitin 1841 dhe ruhet në Pallatin Isimbardi në Milano.

Ndërsa piktori Joseph Petzl, nën ndikimin e shkrimtarëve e artistëve romantikë, na sjell një skenë tepër të ndjeshme dhe prekëse për botën perëndimore të shekullit XIX: rrëmbimi i vajzave të reja për t’i bërë robina. Në tablonë e piktorit gjerman paraqiten disa vajza të rrëmbyera që luten para Aliut për shpëtim. Pashai shikon i qetë me vëmendje. Bri tij, i mbështetur në kolltuk është i nipi, i veshur me fustanellë dhe jelekun e qëndisur. Aliu këtu shfaqet më i ri se në pikturat e mëparshme. Kur Petzl pikturonte në Greqi, pashai tepelenas kishte mbi 10 vjet që ishte ndarë nga jeta. Për ravijëzimin e portretit të tij duket se është mbështetur te litografitë e Louis Dupré-së, autorit më autentik që e vizatoi direkt nga natyra. Ndikimi nga Dupré shihet jo vetëm për portretin e Aliut me kësulën e tij karakteristike, por edhe në pikturimin e nipit. Kjo tablo e pikturuar në vitin 1836 ruhet në Koleksionin Count Lerchenfeld, në Munich.

Vitet e fundit po rikrijohen tablo të tjera me personazhe të rëndësishëm të historisë shqiptare, që ndonëse në pamje të parë duken si imazhe të shekullit XIX apo më të hershme, nga teknika e pikturimit si edhe shëmbëlltyra e heronjve kuptohet qartë se janë krijime të ditëve të sotme. Portretet e Gjergj Kastriotit, Donikës dhe Gjon Kastriotit, të realizuara nga piktori italian Roberto Gammone (l.1979) janë tri nga pikturat më të bukura të këtij lloji. Edhe imazhi i pikturës kushtuar Donika Kastriotit, njësoj si dy tablotë e mësipërme, paraqitet për herë të parë për lexuesit shqiptarë në ilustrim të këtij shkrimi.

______________________

1.     Bajron, Xh. G., Çajld Harold, shqipëruar nga S. Luarasi, f. 51, Onufri, Tiranë, 1999. [Ndërsa në shënimet për Çajld Harold-in Bajroni ka shkruar shkruar se i ka parë malet Akrokeraune të Himarës, në dukje të frikshme, por madhështorë (Byron, The complete poetical works, London, 1853)]

2.     Hobhouse, J., A Journey through Albania and other Turkish Provinces, London, 1813 (përkthyer nga Dh. Qiriazi, Toena, Tiranë, 2001)

3.     Hobhouse, J., Po aty, f. 4

4.     Nga shënimi në fund të letrës së Bajronit dërguar nënës së tij më 12 nëntor 1809.

6.     Mayhew, A., In albania with the ghegs, Scribner’s Monthly, vol. XXI, f. 381, New York, 1881.

7.     Leake, W., Travels in Northern Greece,  f. 30, London, 1835.

8.     Watkin, D., The Life and Work of C. R. Cockerell, f. 15, London, 1974.

*       Shënime nga kërkimet në Akademinë Mbretërore të Arteve, Londër, Muzeun e Luvrit, Paris, The Wiit Library, Londër, Bowood House & Garden, Wiltshire etj., dorëshkrime, imazhe dhe faksimile, arkivi personal, F.H.

Exit mobile version