Kreu Arte pamore Federica De Bastiani: Përkthimi i ekzilit: piktura murale dhe letërsia, Kosova në...

Federica De Bastiani: Përkthimi i ekzilit: piktura murale dhe letërsia, Kosova në ngjyrat e kujtesës arbëreshe në Pallagorio të Kalabrisë

Edicioni i parë i “Java e Muraleve Arbëreshe”, i organizuar nga shoqata Fili Meridiani APS dhe i mikpritur në Pallagorio nga data 3 deri më 9 qershor 2026, lindi për të forcuar lidhjet e thella që ekzistojnë midis Arbërisë kalabreze dhe Kosovës. Përmes artit bashkëkohor, kujtesës, gjuhës dhe traditës, ky aktivitet krijoi një hapësirë të rëndësishme dialogu dhe takimi. Ky shkëmbim vlerash artistike dhe njerëzore u mundësua nga prania e profesoreshës Lebibe Topalli — dekane e Fakultetit të Arteve të Aplikuara në Universitetin e Ferizajt dhe drejtoreshë e Mural Fest Kosova — së bashku me katër studentë të këtij universiteti. Puna e tyre solli në jetë pesë murale të mrekullueshme në fasadat e disa shtëpive të fshatit, të frymëzuara nga traditat dhe motivet e përbashkëta mes Shqipërisë, Kosovës dhe botës arbëreshe. Këto vepra u konceptuan si pasuri e komunitetit dhe sollën një energji të re në këtë zonë të brendshme, duke nxitur një reflektim mbi identitetin e përbashkët dhe vlerën e kulturës që na bashkon.

Mes të pesë kryeveprave, murali i realizuar nga artistja e re Rema Salihu shpreh një lidhje mjaft intime midis artit dhe letërsisë. Vepra lindi me dy qëllime: të nderojë kujtimin e eksodit gjatë luftës në Kosovë dhe të vlerësojë Atë Elia (Sergio) Spezzano-n, prift dhe poet i lidhur me komunitetin e Pallagorio-s. Përmes poezisë së tij “Ai morti di Pristina” (‘Të vdekurve të Prishtinës’), ai krijoi një urë vëllazërimi midis popullit arbëresh dhe komunitetit shqiptar të Kosovës.

Këtij bashkimi mes artit pamor dhe fjalës poetike mund t’i shtohet, si një zgjerim natyral, jehona e romanit Bartësi i shpirtrave të përzënë dhe e tregimit me të njëjtin titull nga përmbledhja Kthimi i babait – Tregime e shkrimtarit Adil Olluri. Kur shikon pikturën, ndjen se si arti vizual materializon një moment të saktë të rrëfimit — atë çast dramatik të mbërritjes në kufi —, duke e kthyer bojën e shkrimit në ngjyrë dhe faqen e librit në vija me ndikim të fortë ekspresiv.

Motivi qendror i muralit është ikja. Vizualisht, në skenë dominon figura e një nëne që shtrëngon në krahë — ndoshta — një vajzë të vogël. Kësaj të fundit nuk i shihet fytyra, por vetëm një kapuç i kthyer prapa, sikur dëshiron të fiksojë në kujtesë, me çdo hap, tokën që po lë pas. Pranë tyre shfaqen dy fëmijë të tjerë: njëri i kthyer me shpinë dhe tjetri me fytyrë gjysmë të dukshme. Nuk mund të thuhet nëse ata janë pjesë e skenës kryesore apo fragmente të historive të tjera të dhimbjes, të shpërndara si kujtime të shkëputura. Pika qendrore e të gjithë vizatimit është vështrimi i gruas drejt së panjohurës, drejt një horizonti të papërcaktuar që mban brenda gjithë misterin e tij. Balli i saj i rënduar duket se mban peshën e madhe të shpirtit dhe trupit, pezull mes jetës dhe vdekjes.

Në sfond shfaqen disa figura grash të moshuara, edhe ato të kthyera me shpinë, sikur të ishin brenda një kampi refugjatësh duke parë rrobat e ndera; sikur të vështronin siguritë e tyre të brishta të varura në fillin e hollë të jetës. Duke analizuar pozicionin e figurave, del në dritë një detaj i rëndësishëm: e vetmja që tregon fytyrën e plotë është nëna, ndërsa nga figurat e tjera dallohen mezi profilet, supet ose shpina.

Megjithatë, një lexim ndryshe i veprës bën që piktura të kalojë edhe kufijtë e origjinës së saj. Edhe pse vepra lindi si homazh për kujtimin e konfliktit në Kosovë, imazhi hapet drejt një përmasë universale. Ai të kujton edhe një nënë arbëreshe të para gjashtë shekujve, të bllokuar në të njëjtën dramë, duke ikur drejt një destinacioni që nuk dallohet sepse është ende i panjohur. Kështu, në pamundësi për të pasur një përgjigje të sigurt, arti ngre një pyetje pa përgjigje përfundimtare: vështrimi i asaj nëne ka humbur në zbrazëtinë e ekzilit apo ndjek horizontin e një shprese të mundshme? Rreth këtij dyshimi mund të imagjinojë lirisht çdo kalimtar: është figura ajo që kryqëzon vështrimin me të, apo është vetë kalimtari që dëshiron të kapet nga ata sy? Ky vështrim simbolizon mungesën e një mbërritjeje përfundimtare dhe tragjedinë e dëshpërimit përreth.

Sipas këtij interpretimi, nëse gruaja e pikturuar do të ishte një personazh i Ollurit — si nëna te tregimi ose vetë Valdetja në roman —, do t’i jepte formë momentit më të hapur të rrëfimit: atij çasti ku hapësira mbetet aq e gjerë dhe e turbullt, sa të duket si një hap në zbrazëti. Mund të jetë pika ku, me rrëmbimin në ëndërr të Bardhylit nga rojet, bashkëshortja e tij Valdetja mbetet vetëm me vajzën, Jetën. Në atë moment, bëhet e pamundur t’u jepet zë pyetjeve të dhimbshme si: “Ku është burri yt?”, “Ku është Bardhyli?”. Në roman, madje edhe rrëfyesi në vetën e dytë — me gjithë gjithëdijeninë e tij — duhet të heqë dorë nga pyetja e drejtpërdrejtë: “Bardhyl, ku je?”. Edhe pse ai di çdo detaj, vendi i rrëmbimit është një hapësirë pa identitet i kërcënuar nga shtypja e njerëzve pa shpirt. Këta njerëz, bashkë me pengjet, kanë zhdukur edhe atë pikë sekrete dhe të fshehur ku vetëm lexuesi mund të hyjë përmes faqeve të librit. Ajo hapësirë misterioze bëhet një zbrazëti ku dyshimi se ku ndodhet personazhi — dhe nëse është ende gjallë — mbetet i heshtur dhe pa zgjidhje. Megjithatë, nëse në roman kjo ndarje e dhunshme nuk shkon përtej dimensionit të pavetëdijshëm, në tregim ajo bëhet një realitet i ashpër tregimtar. Tragjedia e ekzilit shfaqet kështu në dy anët e të njëjtës dramë: në veprën e parë kalimi i kufirit bëhet me babanë, në të dytën ndodh pa të. Në të dyja rastet, figura e gruas mbetet shtylla qendrore e këtij dialogu mes teksteve, pavarësisht pranisë ose mungesës së një figure mashkullore:

«E shihje kufirin tek të priste. Nuk ishte më larg se njëqind metra. […] Me dorën e majtë e mbaje vajzën, ndërsa me të djathtën valixhen e stërmbushur. Po ashtu, edhe Valdetja ishte e ngarkuar dhe ecnit me një ngadalësi të padurueshme për ruajtësit e vijës ndarëse në mes të dy vendeve. Afër kufirit, sytë të panë edhe njerëz të tjerë […]. Shihje pleq e plaka, të rinj e të reja, fëmijë që vajtonin, të renditur në rresht të gjatë […].»[1].

Në tregim, përkundrazi, zëri i djalit përshkruan peizazhin e shkretë që ka përpara, duke ndier zbrazëtinë e mungesës së babait. Ky i fundit, deri pak orë më parë, mbante peshën e rëndë të valixheve dhe të familjes. Është sikur kjo peshë e padurueshme, fizike dhe shpirtërore, duhet të bjerë me dhunë mbi dikë, duke ngarkuar figurën e nënës që gjendet e vetme duke tërhequr fatin e saj:

«Unë dhe nëna, duke i bartur zhargas valixhet, që jo më shumë se para dy orëve i bartte babai, ngadalshëm hymë brenda saj, të cilën shiu lart nga qielli dhe loti poshtë nga njeriu e kishin lagur aq shumë, saqë e kishin shndërruar në një vend ku e merrte të ftohtën, nga koka deri te këmbët, çdo shpresë e të sapozbriturve. […] Në këtë vend të zbylltë nuk shihje gjë tjetër pos njerëz të lodhur dhe të këputur në shpirt. Syri im shihte fëmijë duke qarë, burra duke vrapuar pas bukëve dhe mburojave të najlonta, gra e vajza të reja shkëlqimhumbura dhe pleq që bënin be e rrfé se këso lufte nuk kishin parë e nuk kishin përjetuar asnjëherë.».[2]

Murali sjell kështu ndjesinë e të njëjtit kalim. Në mur, nëna shfaqet duke larguar fëmijët për të mirën e tyre: një gjest mbrojtës dhe i vendosur që shkon kundër dëshirës së saj, në vuajtjen e thellë të dikujt që nuk di ku të shkojë dhe nëse ai vend do të jetë i sigurt. Kjo lëvizje e fortë emocionale merr formë në tensionin e ballit dhe të syve: është një vështrim fiks që përmbledh lodhjen e rrugëtimit drejt një shpëtimi, i cili nuk është mungesë rreziku, por një përpjekje ekstreme për t’i ikur vdekjes:

«Në mesditë e kape vajzën për dore dhe u niset në drejtim të autobusëve. Assesi nuk donte të nisej. Frikësohej nga një rrugëtim i ri. […] E vogla nuk bindej derisa Valdetja e tërhoqi aq përdhunshëm e aq fuqishëm, gjë që nuk e kishte bërë asnjëherë, edhe përkundër vajit të saj që nuk pushonte dot. Hipët në një autobus të kaltër […].».[3]

E njëjta dinamikë rishfaqet në kujtesën e protagonistit të tregimit:

«Në një mesditë nëna më kapi për dore dhe më tha se duhej të iknim në një vend tjetër. Nuk doja assesi të nisesha. Doja ta prisja trenin e babait, por ajo më tërhoqi aq përdhunshëm e aq fuqishëm, gjë që nuk e kishte bërë asnjëherë dhe përkundër vajit tim që nuk pushonte dot, më hipi me një autobus të kaltër […]. Nuk e dija se ku po na dërgonte ai. Ndoshta në një luginë tjetër.».[4]

Kjo plagë e thellë gjen një zë shpirtëror dhe një urë vëllazërimi në poezinë e Atë Elia (Sergio) Spezzano-s. Nëse nga njëra anë poezia është homazhi i priftit për viktimat e Kosovës, nga ana tjetër murali bëhet homazh për vetë kujtimin e tij, duke shkruar vargjet e tij me të bardhë mbi një sfond blu paqësor. Siç thekson Fabrizio Centofanti në parathënien e përmbledhjes Croci del Sud, poezia e Spezzano-s është një «bukuri që ecën» drejt vuajtjeve njerëzore, e aftë t’u japë zë të shtypurve.

Fjalët e marra nga “Ai morti di Pristina” krijojnë një simbiozë me ngjyrat e vizatimit dhe kërkojnë të përcjellin një gjendje shpirtërore të kundërt me plagën e lënë nga lufta. Nëse konflikti sjell imazhin e errët të atij që ka «lyer / Me të zezë muret e […] / Ndërgjegjes…»,[5] përgjigjja e artit kalon errësirën e dhunës. Në këtë pikë, motivi i ikjes dhe i ndarjes kalon nga një formë në tjetrën: kufiri gjeografik i teksteve të Ollurit projektohet në kufirin vertikal të murit, ndërsa pesha e rëndë e ekzilit kthehet në shprehje pamore, duke u shfaqur në tiparet e markuara të nënës dhe në krahët e gjerë që mbrojnë fëmijën e saj të pambrojtur. Kjo dinamikë e dhimbjes mposhtet nga vargjet e shpresës së Atë Spezzano-s, të cilat gjejnë pasqyrim në gjuhën joverbale dhe në ngjyrat e zgjedhura. Në dominimin e toneve të ngrohta si rozë dhe e kuqe, në kontrast me blunë dhe të bardhën, del në pah zëri i një brezi artistësh të lindur pak vite pas përfundimit të konfliktit, që ruajnë kujtesën historike si një mësim të çmuar për të mos u harruar.

Edhe zgjedhja e hapësirës ndihmon në vlerësimin e mesazhit: murali u realizua në një kënd të veçuar, i rrethuar dhe i mbrojtur nga shtëpitë përreth, gjë që e kthen sheshin në një vend reflektimi nën qiell të hapur. Ky dialog kujton vlerën e artit në hapësirat komunitare si një mundësi për reflektim të thellë. Edhe pse tiparet e nënës mbeten të shënjuara nga dhimbja, piktura dhe fjala duket se bashkohen drejt të njëjtit shpëtim. Mes vargjeve dhe harmonisë së ngjyrave ndodh një lidhje e thellë: të dyja format e shprehjes thërrasin njëra-tjetrën si shenja të shpresës. Pikërisht si në shkrimet e Ollurit, edhe lirika e Atë Spezzano-s nuk ka ndjenja urrejtjeje që e vrasin njeriun nga brenda, por shkon tërësisht drejt një perspektive rilindjeje: «Dashuria ime?… / E megjithatë unë e di se do të vijnë / Përsëri ditët në të cilat / Do të zgjasim duart tona të varfra / Për të kapur jetën / Dhe qenien e saj».[6]

Skena e lë të hapur fundin e rrëfimit, ashtu si imazhi në mur hap perspektivën drejt horizontit. Në asnjë nga këto gjuhë shprehëse — pikturë, prozë apo poezi — nuk vendoset fjala e fundit, dhe kjo zgjedhje është e qëllimshme: t’i lihet hapësirë imagjinatës për të shkuar përtej, edhe në tragjedinë më të madhe të ekzistencës njerëzore.

Forca më e vërtetë e këtyre veprave qëndron te aftësia e tyre për të aktivizuar atë shumëfishues kuptimor që është tipik për artin: të kalojë natyrën e vet dhe të dalë përtej shenjës. Kështu, atij që vëzhgon i ofrohet mundësia ta lexojë veprën nga bota e tij e brendshme. Në fund të fundit, pasurimi që bashkon artin pamor dhe atë të fjalës lind pikërisht nga dialogu i tyre i thellë, i aftë të gjenerojë kuptime unike dhe gjithmonë të reja. Përmes këtyre lidhjeve shpirti njerëzor mëson të njohë veten, duke mbajtur gjithmonë hapur një dritare drejt takimeve të reja. Kjo është ndoshta shprehja më e lartë e mrekullisë së brendshme që jeton te njeriu, e aftë të rezistojë edhe kur drama duket se nuk lë hapësirë për asnjë pritshmëri.

Siç tregon vepra e plotë e realizuar nga artistja e Mural Fest Kosova, mesazhi është i aftë të përmbysë perceptimin e kufijve të ngurtë të tragjedisë: pritet një ditë e re, një faqe e re për t’u shkruar, qoftë mbi një fletë letre apo mbi një mur nën qiell të hapur. Dhe kur të bjerë shi, pika të ngjashme me lot të vërtetë do të lagin fytyrat e shqetësuara të pikturës; kur të kthehet dielli, ngjyrat do të ndriçojnë vargjet e pritjes dhe të shpresës, të gatshme për të shtrirë krahët drejt një ylberi të ri vëllazërimi.

Bibliografia:

Olluri, Adil (2020): Bartësi i spirtrave të përzënë. Roman. Tiranë: Onufri.

Olluri, Adil (2023): Bartësi i spirtrave të përzënë. In: Kthimi i babait. Tregime. Tiranë: Onufri.

Spezzano, Padre Elia (2020): Croci del Sud. Poesia. Pasturana: Puntoacapo Editrice, Collezione Letteraria.


[1]  Olluri, 2020, 111.

[2]  Olluri, 2023.

[3]  Olluri, 2020, 132.

[4]  Olluri, 2023.

[5]  Spezzano, 2020, 62: ≪dipinto / Di nero i muri della […] / Coscienza…≫.

[6]  Spezzano, 2020, 62: ≪Amore mio?… / Eppure io so che verranno / Nuovamente i giorni in cui / Tenderemo le nostre povere mani / Ad afferrare la vita / Ed il suo essere≫.

Exit mobile version