Kreu Letërsi Shënime mbi libra Fatlum Meholli: Prozat poetike të Ernest Koliqit

Fatlum Meholli: Prozat poetike të Ernest Koliqit

Në letërsinë shqipe, sipas shumë studiuesve, Ernest Koliqi konsiderohet si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Koliqi shquhet më së shumti me zhanrin e tregimit dhe novelës, që i shërbyen autorit si medium dhe mjet për të shprehur idetë e botëkuptimet e tij mbi traditat, zakonet shqiptare, problemet e ndryshme sociale e kështu me radhë. Ernest Koliqi, ndër tjerash, pasuroi letërsinë shqipe në aspektin estetiko-artistik edhe me anë të veprës letrare në prozë “Pasqyrat e Narçizit”. Shikuar historikisht, kjo vepër letrare botohet pas përmbledhjeve me novela dhe tregime siç janë “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”: për herë të parë botohet më 1936 në “Gazeta Shqipëtare”, ndërkaq si libër i veccantë i ripërpunuar botohet më 1963 në Romë.

Para se të flasim për prozat e “Pasqyrave të Narçizit” në veçanti, duhet theksuar disa kualitete zhanrore. Prozat e kësaj përmbledhjeje orientohen kah natyra dhe modelimi lirik, sepse ato pësojnë ndryshim në manifestimin e botës fiksionale, në narracion, në karakteret letrare e kështu me radhë. Përmbledhja “Pasqyrat e Narçizit” përbëhet nga shtatë proza, të cilat sipas karakteristikave të lartcekura konsiderohen si proza poetike. Madje edhe vet autori është i vetëdijshëm për përkatësinë zhanrore, me ç’rast ato i quan si “shtatë pasqyra, shtatë poemtha në prozë”.

Siç titullohet edhe vet përmbledhja, miti antik grek mbi Narcizin dhe pasqyrimi i tij në ujë janë embrioni i krijimit të këtyre teksteve letrare, gjegjësisht prozave poetike. Prandaj është me interes që të njihet mirë ky mit.

Sipas mitologjisë greke, Narcizi ishte i biri i perëndisë së lumit, Çefizit, dhe nimfës Liriope. Ai shfaqet si një djalë shumë i pashëm, me ç’rast nimfa Eho bie në dashuri me të. Mirëpo, Narcizi ia refuzon dashurinë Ehos, duke bërë kështu që nimfa Nemesis, që sipas mitologjisë greke ishte perëndeshë e hakmarrjes, ta dënojë Narcizin. Kësisoj, ai refuzon të gjitha dashuritë e tjera përveç imazhit të tij të pasqyruar në ujë/lumë. Kjo çon drejt shkatërrimit (vetëvrasjes) dhe shndërrimit të Narcizit në një lule të bukur që sot e kësaj dite e mban emrin e tij.[1]

Pra, Ernest Koliqi ndikohet dhe frymëzohet nga miti antik grek i Narcizit. E kjo hetohet qysh në fjalitë hyrëse të prozës së parë që titullohet “Ujët e pusit”:

Dashunova prrallën e Narçizit me të tânë hovin e gjakut t’im prandveruer. E gjithëkund e gjithëkah kërkojshem pasqyra ku m’u pasqyrue. Narçiz e quejta veten ndër ditët e rinis së parë, tue mos parandie asokohe sa trishtim mâ vonë do të më shkaktonte ky emën luluer.[2]

Koliqi i ndikuar nga shkolla simboliste, Pasqyrat e Narçizit i modelon mbi simbolikën e Narcizit, megjithatë ai e risemantizon mitin, me ç’rast ndryshimet janë evidente. Koliqi fokusohet vetëm te elementi i pasqyrimit dhe individualitetit. Me fjalë të tjera, autori merr mitin dhe e modifikon për nevojat e veta shprehëse. Po ashtu, duhet theksuar që vdekja (vetëvrasja) te miti i Narcizit, nuk është pjesë përbërëse e prozave poetike të Ernest Koliqit. Ndërlidhja e prozave poetike të Koliqit me mitin e Narcizit nuk ka të bëjë me narcizmin si dashuri në vetveten, por konsiston në dashurinë autoriale për atdheun, artin e kështu me radhë. Pra,  prozat e kësaj përmbledhjeje pasqyrojnë shpirtin e autorit në etapa të ndryshme të jetës. Madje, siç thotë edhe studiuesi Anton Berisha, dashuria dhe afërsia e autorit me mitin e Narcizit shfaqet për arsye se ai ndërmjet artit gjakon pareshtur ekzistencën dhe përjetësinë artistike.[3]

Narcizi i mitit grek pasqyrohej vetëm në pellgjet ujore, ndërkaq te “Pasqyrat e Narçizit” të Koliqit reflektimi përveç në ujë shfaqet edhe në pasqyra, në xham. Kësisoj, prozat poetike të kësaj përmbledhjeje bartin karakteristika autoideografike të autorit. Madje, edhe vet autori e thotë që shtatë prozat e “Pasqyrave të Narçizit” tregojnë shtatë fytyra të ndryshme në fazat e jetës së poetit.

Në këtë vepër autori identifikon veten në raport me botën shqiptare dhe të kaluarën përmes shenjave të ndryshme identifikuese, të cilat, edhe sipas Sabri Hamitit, mund të jenë: pusi i ujit, pasqyra shkodrane, përroi i Dukagjinit, kroni, çutërra në Helveti e xhami i dritares.[4]

Veprën “Pasqyrat e Narçizit”e përbëjnë shtatë proza poetike që janë refleksione autoriale. Në prozën e parë që quhet “Ujët e pusit”, autori sheh reflektimin e fytyrës së vet në ujë dhe dashurohet me të ngjashëm si Narcizi mitik, vetëm se Koliqi në identitetin e tij, ndërkaq Narcizi i mitit në pamjen. Koliqi në këtë pjesë rrëfen se qysh në fëmijëri ishte dashuruar me ujërat e rrjedhshëm, me natyrën; me fjalë të tjera, në gjithçka që lidhej me Shkodrën, vendlindjen.

Te “Pasqyra e vjetër shkodrane” kujtohet e kaluara e Shkodrës. Narracioni fokusohet në reminishencat autoriale mbi zakonet, traditat, elementet e vjetra që lidheshin me ambientin e Shkodrës. Duke na bërë të kuptojmë që elementet e ndryshme tradicionale do të mbesin vetëm si kujtesë. Gjithashtu në këtë pjesë shfaqen edhe besëtytnitë si për shembull tersi që mund të vjen kur shikohen pasqyrat gjatë natës:

Ajo më tha me nji zâ të prém:

– S’bân. Nuk duhet m’u shikue natën në pasqyrë.

Ásht keq

– Keq? Pse keq?

– Pse njashtu!

Po ashtu shpërfaqja e shenjave identitetare vendëse hetohet edhe te “Kroni i bardhanjorvet”, ku autori, ndër tjerash, pasqyron fazën e fëmijërisë. Tashmë kalohet nga “uji i pusit”te “kroni” dhe rrjedha ujore e tij që mund të simbolizojë rrjedhën e madhe shekullore të traditës shqiptare. Edhe te tregimi “Prrue në Dukagjin” narracioni ndërlidhet me dashurinë autoriale për bjeshkët e mëdha e të bukura të atdheut e kështu me radhë.

Vazhdohet me tregimin tjetër “Nji çutërr në Helveti”, në të cilin Koliqi përpiqet që të hetojë ndikimin e kulturave të huaja në kulturën e tij dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, duke u ndërlidhur edhe hapësirat zvicerane ku ndodhej. Ky tregim ka edhe një nëntitull “Kushtue kujtimit të Dom Lazër Shantojës”, me ç’rast reflektohet mërzia e madhe e autorit për vdekjen e këtij veprimtari e poeti shkodran, të cilin Koliqi e admironte.

Pas kësaj, kemi të bëjmë me pjesën tjetër që titullohet “Vala e detit”. Prej ujit të pusit, kronit, përroit, tashmë kalohet te deti. Simbolika e detit qëndron në hapësirën e madhe e të rrafshët të tij. Një lidhje mes vendesh dhe kulturash të ndryshme. Deti shqiptar autorit ia kujtonte historinë deri në Iliri:

– Jo, mue deti shqiptar më bân  me ândrrue. Kur kët Shqipni e dashunojshem njomsisht me nji zêmër poeti gjashtëmbëdhjetëvjeçar shpesh mue m’a grabitshin fantazín e dalldisun nga leximet historike anijet illyre. Ándrrat e mija velezojshin me anije illyre mbi nji det epopeje.

Sikur te tregimi paraprak, edhe te “Xhami i dritores sime” kemi të bëjmë me elemente të shumta filozofike, meqë autori përsiatë mbi të kaluarën dhe botën e brendshme. Duket sikur tashmë ai është në kulmin e formimit të tij kulturor, nëse krahasohet me fëmijërinë dhe adoleshencën te pasqyrimi në ujin e pusit, të kronit… Pasqyrimet deri te kjo pjesë shfaqeshin vetëm nëpër ujëra të ndryshme, ndërkaq tashmë reflektimi bie mbi xhamin, duke simbolizuar dhomën, zyrën, ku ndodhet autori. Dritarja është simbolika prej së cilës ofrohet mundësia e vrojtimit:

Hapa dritoren kah oborri i shtëpis edhe në vend të pamit të përditshëm m’u shtrue para nji botë e vogël, e ylbertë, gadi e panjoftun, nonse përfshinte sende të njoftuna. Por asnji çudi nuk m’a luejti shpirtin, i cili më dukës se e prittë at vegim të jashtëzakonshëm, n’at mbasdite t’ambël.

Pra, jepen memoriet që janë akumuluar si pasojë e përvojës jetësore autoriale dhe nacionale, duke ngërthyer kështu elemente psikologjike e arkipsikologjike. Prej xhamit të dritares shihet natyra, kalohet te dashuria për vendlindjen, për përroin e Dukagjinit, gjeografinë, karakteristikat tradicionale e kështu me radhë.

Siç e kemi përmendur edhe më herët, shihet që në këto shtatë proza poetike jepen fragmente të rëndësishme nga etapat e ndryshme të jetës së autorit, me ç’rast prozat marrin karakter autobiografik. Mosdhënia e totalitetit të botës dhe përqendrimi vetëm në disa detaje dhe fragmente specifike jetësore janë karakteristika të veçanta të këtij lloji prozaik, pra prozës poetike.

Prozat e “Pasqyrave të Narçizit” thyejnë rregullat e modelit klasik kompozicional, me ç’rast nuk respektohet hyrja, kulminacioni dhe përfundimi specifik. Mund të thuhet që këto proza që modelojnë përmbledhjen, nuk trajtojnë ngjarje siç ndodhë në tregimet e mëhershme të Koliqit. Rrjedhimisht, “Pasqyrat e Narçizit”nuk kanë subjekt të mirëfilltë, ato vetëm se parashtrojnë botën e brendshme të autorit përmes një gjuhe specifike. Me fjalë të tjera, shtatë pasqyrat e Koliqit nuk na shfaqin ngjarje të veçanta nëpër të cilat kalojnë karakteret letrare dhe ballafaqohen me probleme të ndryshme. Ato përmes pasqyrimit/reflektimit mishërojnë identitetin autorial, përkatësinë nacionale, identifikimin me shenjat tradicionale e kështu me radhë. Ngjason me një tendencë për njohjen e vetvetes, duke parë rrezikun e humbjes së shenjave identitare.

Narracioni është një kategori tjetër e veçantë e “Pasqyrave të Narçizit”, që shenjon një kthesë në teknikën e rrëfimit të Koliqit. Për kohën, një teknikë e tillë ishte e pazakontë në letërsinë shqipe në përgjithësi. Pra, narracioni i këtyre varg prozash modelohet nga veta e parë, përkatësisht nga narratori karakter. Një karakteristikë e tillë narrative e vë narratorin në krye të ngjarjeve, vetëm se këtu narratori karakter nuk ndërmerr veprime, ai vetëm rrëfen për anën e brendshme, perceptimin e botës, të kaluarën, shenjat identitare e kështu me radhë. Tipi dominues narrativ në prozat poetike të “Pasqyrave të Narçizit”është ai homodiegjetik, i realizuar përmes një gjuhe mjaft simbolike e lirike. Përdorimi i vetës së parë si zë i tregimtarit është një element tjetër që forcon konstatimin që këto proza poetike bartin shenja autobiografike të Ernest Koliqit.

Në analizën e zhanrit të prozës një rëndësi duhet t’i kushtohet edhe kategorisë temporale. Kështu që, duhet përmendur edhe disa veçori të kësaj natyre në prozat poetike të “Pasqyrave të Narçizit”. Fillimisht, koha në këto proza nuk është e përcaktuar. Ajo nuk jepet me objektivitet ose në mënyrë konkrete, por manifestohet si një kohë mitike, abstrakte dhe fund e krye subjektive. Siç e kemi përmendur, ka pjesë kur kalohet deri në Iliri atje, më pas kthehet në kohët aktuale e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, koha nuk i përgjigjet njëfarë paraqitjeje lineare.

Gjithashtu edhe vendi në “Pasqyrat e Narçizit” nuk është një vend i përcaktuar ku vendosen karakteret letrare. Refleksionet dhe përsiatjet e çojnë narratorin karakter në Shkodër, Zvicër etj. Kësisoj, lexuesi nuk është i sigurt për vendosjen e saktë të hapësirës së veçantë.

Prozat poetike të Ernest Koliqit manifestojnë mjeshtërinë artistike në prozë të këtij autori, pikërisht për shkak të novacionit të tij prozaik dhe tematik, gjuhës, formës, narracionit etj., duke pasur për bazë gjithnjë poetikat e rrymës simboliste që Koliqi i hasi dukshëm te veprat letrare të shkrimtarëve të shkollës shkodrane të jezuitëve, me në krye Ndre Mjedjën.

Për dallim nga përmbledhjet e tjera me novela e tregime si “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”, me të cilat Koliqi arrin popullaritetin, “Pasqyrat e Narçizit” krijohen për veten me një gjuhë simbolike e të tërthortë, me ç’rast nuk kanë për qëllim përçimin e ndonjë mesazhi moral, kombëtar. Kësisoj, tregimet e kësaj vepre kërkojnë një lexues semiotik/intelektual dhe përjashtojnë lexuesin semantik.


[1]  Kathleen N. Daly: Greek and Roman Mythology A to Z, Chelsea House Publications, New York, 2009, pg. 99. 

[2]  Ernest Koliqi: Pasqyrat e Narçizit, në Vepra 2, Faik Konica, Prishtinë, 2003, fq. 317. Të gjitha citimet e tjera i referohen të njëjtit botim.

[3]  Anton Bersisha: Proza e Ernest Koliqit, në Jeta e Re, Rilindja, Prishtinë, 1995, fq. 54.

[4]  Sabri Hamiti: Vepra 8, Faik Konica, Prishtinë, 2002, fq. 594.

Exit mobile version