Kreu Arte pamore Fate Velaj çel në Vjenë ekspozitën “E KUQJA MES TEJE DHE MEJE”

Fate Velaj çel në Vjenë ekspozitën “E KUQJA MES TEJE DHE MEJE”

Pas shumë vitesh jashtë skenës vjeneze,

Fate Velaj u rikthye me një ekspozitë gjithëpërfshirëse si piktor, fotograf dhe romancier.

Në këtë ekspozitë, Velaj paraqiti një vepër shumëdimensionale që kapërcen kufijtë mes imazhit, fjalës dhe perceptimit.

Ekspozita bashkoi pikturën, fotografinë dhe reflektimin letrar në një koncept të vetëm artistik – një mendim në ngjyra, në histori njerëzore të kapura në format RAW, dhe në fjalë.

Ekspozita u hap më 5 mars në Vienna Grand Gallery.

„Kur them art, kam parasysh tërësinë e tij“

— Leo Zogmayer

“E KUQJA MES TEJE DHE MEJE”

Kështu e titulloi Fate Velaj këtë ekspozitë, në të cilën u paraqiten 43 piktura, disa prej tyre në formate  deri në 150 × 230 cm.

Po ashtu, ai paraqiti fotografi nga cikli

“ANTHOLOGJIA E FYTYRAVE – një homazh për njerëzimin”, si dhe romanet e tij.

Për pikturat e paraqitura, Velaj shprehet:

Idetë e para për serinë e pikturave “E kuqja mes teje dhe meje” më erdhën pasi lexova romanin e André Breton – L’amour fou (Dashuria e çmendur).

Gjatë punës mbi këto vepra nuk kam dashur kurrë të përqendrohem në detaje. Në fakt, kjo nuk më ka interesuar ndonjëherë vërtet.

Ajo që më ka magjepsur gjithmonë ka qenë analiza e atmosferës, dhe në këtë rast – ajo brenda dhomës së gjumit.

Aty ndjen aromën e gjithçkaje:

të mallëngjimit,

të bukurisë,

të xhelozisë dhe frikës,

të seksit,

të dëshirës dhe pasionit,

dhe mbi të gjitha –

të dashurisë.

Fragment nga fjala në hapjen e ekspozitës

“E kuqja mes teje dhe meje”

…Në historinë e artit, rastësia është njohur prej kohësh si pjesë e procesit krijues – nga Dadaizmi, te Surrealizmi, e deri te Action Painting, rrymë kjo që është e pranishme edhe në pikturat e mia në këtë ekspozitë.

Por rastësia në hapjen e një ekspozite nuk është një rrymë artistike.

Ajo është thjesht një ngjarje e jetës.

Ishte një artikull mbi “ambasadorin e çuditshëm të Shqipërisë në Vjenë dhe ambasadën që ngjan me një Tate Modern”, botuar në një gazetë, që më solli përsëri pranë Wolfgang Bandion – një miku të vjetër me të cilin prej kohësh kishim humbur kontaktet.

Kur ai pa pikturat në muret e ambasadës, nisi menjëherë përgatitjen e kësaj ekspozite, në të cilën sot paraqitem para jush si piktor, fotograf dhe shkrimtar.

Rastësia deshi që kjo ekspozitë të përkojë me 35-vjetorin e ekspozitës sime të parë në Austri, diku në një qytezë të vogël larg Vjenës. Një ekspozitë modeste. Me pak punime. Por që ndezi një zjarr të vogël brenda meje.

Po ashtu, kjo ekspozitë vjen edhe në 25-vjetorin e ekspozitës sime të parë në Vjenë, e cila rindezi një flakë të madhe në këtë qytet dhe më futi në agjendat e artit dhe kulturës që më çuan fillimisht në Bruksel, e më pas nëpër metropolet europiane – dhe akoma më tej.

Shpesh më pyesin:

si erdha te piktura, fotografia dhe letërsia?

Përgjigjja ime është gjithmonë e njëjtë:

“Në fillim ishte ngjyra.

Dhe ngjyra ishte piktura.”

Por kur piktura ime kaloi nga konkretja te abstraktja, brenda meje u rindez një kërkesë tjetër: kërkesa për konkreten.

Dhe kështu erdhi fotografia.

Fotografitë e mia u bënë njerëzit – ata që kanë diçka për të treguar. Ata që dikur kishin pasur një jetë ndryshe nga e sotmja dhe ndjenin nevojën ta rrëfenin.

Dhe pikërisht këtu lindi një dëshirë tjetër: t’u jepja fjalën atyre.

Pra, lindi letërsia.

Dy vite më parë hapa një ekspozitë me fotografitë e mia në Museo d’Arte Contemporanea di Cosenza. Titulli ishte:

“Fate non si fermò a Eboli”.

Ishte një provokim ndaj romanit të Carlo Levi – Cristo si è fermato a Eboli, që do të thotë se “civilizimi u ndal në Eboli”.

Por nëse antifashisti Carlo Levi e pa këtë “mungesë civilizimi” gjatë internimit të tij nga Musolini në vitin 1935 në Aliano të Basilikatës, unë e kam parë atë në shumë vende të botës – edhe sot.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

shumë nga këto punime i kam krijuar në një kohë kur ju keni qenë në gjumë. Në tre… ose katër të mëngjesit.

Jo vetëm ju.

E gjithë Vjena flinte.

Mozarti flinte.

Beethoveni flinte.

Schubert dhe Strauss flinin.

Ndoshta Gustav Klimt ishte ende duke “Puthur”… por këtë nuk mund ta vërtetojmë dot më.

I vetmi që ishte zgjuar isha unë.

Duke pikturuar.

Jo puthjen e Klimtit –

por “të kuqen mes teje dhe meje”, një pjesë e së cilës ndodhet sot këtu.

Dhe për këtë dua t’ju falënderoj juve që gjetët kohën dhe rrugën për të ardhur e për t’i parë këto punime; kolegët e mi ambasadorë nga vende të ndryshme që më nderuan sot me praninë e tyre; dhe mbi të gjitha Klarën, gruan time, e cila nuk u ankua kurrë kur unë ngrihesha në mes të natës për të pikturuar këto vepra – madje, në shumicën e rasteve, bëja edhe pak zhurmë…

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill 2026.

Exit mobile version