Librin e parë të Dine Dines ma dha një bashkëvuajtës i tij, Shefqet Dobra, i cili më ftoi një ditë të shkonim në Gjazë, atje ku kish kaluar vite internimi bashkë me autorin e librit. Takuam një bashkëvuajtësin e tyre, i cili na ftoi në shtëpi. Kur erdhi e ëma, na tha: “Nënën time pyeteni nga `90-ta e këndej, se nga `90-ta e poshtë i është fshirë memoria.” Çuditrisht, shiriti ishte fshirë në vitet e vuajtjeve. (Kabinat elektrike digjen në mot të ftohtë dhe pajisjet elektronike, kur bjenë rrufe.) Pikërisht vitet e fshira nga serveri i kujtesës së saj i gjen të pasqyruara në librat e Dine Dines: “Mbi varkën e Karontit”, “Gjyqi i Shopenhauerit” dhe “Burgu i Spaçit”. Dy librat e fundit m`i dha miku i tij i hershëm, Tahsin Demiraj, ish regjisor i estradës së Lushnjes. Siç shihet, kam lexuar libra të dhuruara të një autori të dënuar, kaluar dorë më dorë mes miqësh. Një rreth vicioz ky ku vegjetojnë sa e sa libra e autorë. (Ato me përdorim të brendshëm, dikur quheshin “broshura”.) Në këtë “vdekje klinike”, por fat të keq ndodh të bjenë autorë dhe libra me vlerë, të cilët duhen shpëtuar. Do e quaja më shumë se mëkat, që libri i Dine Dines “Burgu i Spaçit”, të dënohej me heshtje, vetëm e vetëm se autori i tij s`është personazh mediatik, s`përfshihet në lista që lakohen rëndomë. I mësuar të presë prangat në duar dhe jo gjerdanin në qafë. (Për “Burgun e Spaçit”, i botuar në vitin 2021, gjej vetëm një shkrim modest të Lek Mirakajt, botuar në gazetën “Dielli” më 18 janar 2023, i cili shkruan: “Për ne që kemi pasur fatin e keq dhe të mirë njëkohësisht, me i jetu në vetë të parë shumë nga episodet dhe karakteret që Dine na i sjell në kujtesë, mund të them se na vijnë të freskëta, sikur të kishin ndodhur dje.”) Ky pohim vlen për të kuptuar se para bashkëvuajtësve autori e ka kryer detyrën, po ndaj lexuesit: a e ka përmbushur misionin? Tek besueshmëria e shoqëruar me fuqinë e fjalës, unë shoh arsyen e pahijshme, pse ky libër është rrethuar me heshtje, pavarësisht modestisë së autorit: “Nuk kam filluar të shkruaj që të bëhem shkrimtar, por që të ruhet kujtesa për rrugën që kemi kaluar.” Detyrimet në ruajtjen e kujtesës i kemi të gjithë, ndaj s`duhen rrethuar me “komplotin e heshtjes” rrëfime, ku dëshmohet historia e pamanipuluar për qëllime politike. Mos Dine Dine vuan veten, kur shprehet: “Njerëzit kryelart pothuaj e vuajnë krenarinë e tyre”, duke e konkretizuar këtë me një nga bashkëvuajtësit e tij: “Qemali duke qenë armik i betuar i komunizmit ishte shumë krenar e mburrej sa herë që t`i paraqitej rasti. Kjo lloj krenarie përbënte tërë jetën e tij.” S`është një armik i bërë me zor, apo imagjinar, që në të shkuarën deklaroheshin pas çdo akuze. Pyetjes së hetuesit, se a njihte ndonjë person nga vendlindja, ai i përgjigjet: “Kurrë s`e kam parë vendlindjen time, ndërsa ti me pyet se kë njoh në Bllatë, kur unë për fat të keq as e di nga bie kjo Bllata?!” I detyruar të njohë vetëm vendet e internimit, si: kampin e Tepelenës, Gjazën, Savrën, burgun e Spaçit e të Qafë Barit, vendlindja i është fshirë nga kujtesa. “Ne jemi viktima të emrit, të familjeve tona. Më kanë internuar 5 vjeç. Tani jam 36.”-do i thotë hetuesit. “Të kam lënë kalama ti qënke bërë burrë?!”-reagon i afërmi i tij, kur e sheh pas shumë vitesh tek dera e burgut. Nëse do mbetej burgjeve: do i fshihej ndoshta dhe ideja e atdheut, por jo identiteti, që ia formëson forca e karakterit, rezistenca. (Edhe pse asnjëri prej të dënuarëve s`ishte nga Lushnja, në burg do njiheshin si “lushnjarët”.) Vetvetiu të mbetet në mendje thënia e tij: “Kur e keqja niset për rrugë do të arrijë në destinacion.” Po e mira, mos po bën sehir? “Është e çuditshme se si në rrethana të veçanta, edhe një njeri i thjeshtë që dihet se s`ka asgjë në dorë, me një fjalë, a thjesht me një shenjë mund të shkundë a të ta largojë si me magji moralin e rënë.” Ky njeri i thjeshtë “me një fjalë” e “me një shenjë” i shfaqur në të gjithë librin, ushtron një fuqi magjike, duke i dhënë kurajo. Dhe “ky i thjeshti” s`është nga radhët e familjes, fisit, “armiqëve të klasës”, por nga “popull i thjeshtë”, që shfaqte solidaritet larg syve të hafijeve. Neveria ndaj keqbërësve kompesohet me mirënjohjen ndaj atyre, që iu gjendën në jetë.
Autori i librit s`ofron ushqim për politikën, as për fanatikët e saj, po për lexuesin, duke thënë të vërteta që të tjerët u kanë kaluar anash. Duke lexuar librat e Dine Dines sheh se “armiqtë e popullit”, ku ai bënte pjesë, s`ishin të popullit, sikurse i arrestonin në emër të tij, pasi populli u bën vend me bujari në të përditshmen, duke u larguar moralin e rënë. Duke qenë mendjehapur shkon përtej skematizmit të ri bardhezi, i shfaqur si një zgjatim i së shkuarës, ku frazat politizuese janë po ato, veçse fjala e mallkuar “reaksionar” ndërron vend me atë të urryerën: “revolucionar”. Sikurse nuk fal persekutorët, autori nuk toleron as veset e të dënuarëve.
Të persekutuarit ndenjën në ato banga, ku u ulën të gjithë, përjashto të lartën, ku nuk shkonin të gjithë. Lexonin të njëjta libra që botoheshin, edhe në burg, përfshi dhe veprat e Enver Hoxhës me detyrim. Po ato gazeta, po ajo radio, përjashto tek-tuk ndonjë “libër të verdhë” të mbetur nga e shkuara, ndërsa të tjerët lexonin libra me izma e influenca të huaja, kësisoj: formimi kulturor ishte thuajse i përbashkët, sikurse kazma e punëtorit dhe mistria e ustait dhe palët i ndante vetëm propaganda, e cila hapte hendekun midis armiqëve të regjimit dhe mbështetësve të tij, ku dallohen militantët, gardistët, të zellshmit. Të parët shtërngonin radhët duke thënë: “ky është i sërës sonë”, ndërsa të dytët: “ky është i yni”. Më keq e kishin ata, që s`i pranonte as sëra dhe as pala tjetër, që s`i njihte si të vetët, përngjashëm me fatin e Grigor Melehovit tek “Doni i qetë” i Shollohovit, i cili, kur ishte tek “të kuqtë” e quanin “të bardhë” dhe kur shkoi tek “të bardhët” e merrnin për “të kuq”.
Ç`mund ta shtynte një vëlla, që ta harronte përjetë vëllanë e tij, shtron autori pyetjen, duke iu referuar një të burgosuri me vëllanë prokuror në kryeqytet? (Përngjashëm me rastin e Kasëm Trebeshinës.) Sikurse në të kundërtën: ku e gjente forcën “i harruar nga të gjithë, që besonte se regjimit do të rrëzohej”? Në këto kontraste, autori zbulon karaktere reale, duke mos bërë aludime dhe insinuata, ku fshihet persekutori dhe i bihet në qafë atij iu gjend në ditë të keqe. “Drejtori i burgut Jovan Ziu ishte nga Gorreja e Lushnjes. Atë s`e njihja, por dy nipat e tij vëllezërit Uan Ziu dhe Andrea Ziu i kisha patur dikur shokë klase e kisha patur kujtime të paharruara me ta. Megjithëse i përkisnim dy poleve të kundërta, dy klasave të ndryshme, ata kishin pasur ndjenja të veçanta për mua, sidomos Andrea që ishte më i ri, moshatar me mua dhe punonte si arsimtar.” Nëse ai do spekulonte me vuajtjen duke përdorur një gjuhë diabolike, bashkë me drejtorin e burgut do penalizonte dhe nipat e tij, pra, bashkë me të thatin do digjte dhe të njomin, në një farë kuptimi do rikthente “luftën e klasave”.
Sikurse dihet Lushnja mban rekord përsa i përket qendrave të internimit, ndaj dhe një shkollë, ajo e Plukut: mban emrin e Lek Previzit. Të internuarit mes tyre: Savrën e mbanin si kryeqytet të Lushnjes. (Në demokraci këtë rol do e luante Karbunara.) Ndërsa Lushnja caktoi Tiranën si kryeqytet. Një shoku ynë na thoshte dikur, kur ata bënin ndeshje futbolli me të internuarit, duke mos i fshehur emocionet klasore dhe fitores mbi ta i gëzoheshin si një fitore politike. Më pas, ai bëri shumë shokë prej tyre. Meqë fola për dallimin tek propaganda, nga pala “pro regjimit” poetë e shkrimtarë të qytetit të Lushnjes do të përfundonin në burg, do çoheshin për riedukim në kooperativë, do u hiqej e drejta e botimit, do shiheshin me dyshim. Një shkrimtar nga Lushnja e kishte më të lehtë të përfundonte në Savër, se sa e kundërta, sikurse provoi Dinia të bëhej aktor apo muzikant dhe u refuzua, sepse nuk ua duronin inteligjencën. “Ahmet Kolgjini ishte i urtë, i zgjuar, ndaj u vriste sytë.”-shprehet autori. Ndiqni këtë episod interesant në burgun e Spaçit: “Shoku im i vuajtjeve që e kish ngrysur tërë jetën internimeve e tani së fundi në burg, bënte të njëjtën gjë. E shihja çdo ditë ose së paku çdo dy ditë tek parakalonte me një “vepër” të re të diktatorit…E rëndësishmja ishte që atje në bibliotekë shënohej firma e tij për aq e kaq vepra të lexuara. Kuptohej, si rregull, sa më shumë të lexoje aq më shumë riedukoheshe me frymën e tyre.” Me gjithë kritikat e bashkëvuajtësve: “Duke vënë firmën se ke lexuar një libër në dy ditë i ke bindur ata se vërtetë ky njeri ka vendosur të riedukohet?”, ai u përgjigjej qetësisht: “I bini daulleve sa të doni se unë kam planet e mia e s`dua t`i di se ç`mendoni ju.” (Driteroi, anëtar i komitetit qendror, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, i thotë librarit të njohur gjirokastrit Alizoti: si shumë libra të Enverit e të Marksit kishte në rafte?! Ai i përgjigjet se kishte edhe më shumë, por: “kam vajtur në Komitetin e Partisë dhe i kam vënë mbi tavolinë çdo instruktori dhe punonjësi të partisë, dhe iu kam thënë: këto janë ato librat, që duhet t’i dini ju, se jeni marksistë dhe ju duhet t’ia shpjegoni popullit. Ju nuk merrni asnjë libër nga këto.”) I bashkoni të dy episodet: të burgosurit politik me veprën e diktatorit në sqetull dhe të instruktorëve të partisë, ç`paradoks me të cilët qe e mbushur ajo kohë groteske?! Ish koloneli Iljaz Ahmeti, sa herë që hynte komisari në kamp, i kërkon me insistim t`i sjellin një njeri kompetennt, që të diskutojë për marksizmin, shkruan Dinia në libër. Qemal Murrizi, fshatar nga Shëne Premtja, dikur kishte qenë kryetar kooperative e që kishte patur nderin të priste e të shoqëronte Beqir Ballukun dhe e kishte pësuar për shkak të miqësisë me të.
Në librin me tregime “Gjyqi i Shopenhauerit” Dinia përmend një episod, që për pak desh i kushtoi. E caktojnë të shkruajë parrulla dhe të pikturonte portretin e Enver Hoxhës. Shkon dhe i merr një format të gatshëm Lek Previzit, i cili e udhëzon: “Ky është më i miri që kam, është bërë me projeksion, por duhet të kesh kujdes kur ta stamposh, sepse këtu syri i majtë është grisur pak e duhet mbajtur me kujdes.” Për mos t`u dukur i paditur në sy të Lekës, e injoroi kujdesin që duhej të tregonte me syrin e majtë. (Thuhej se Enver Hoxhës e kishte pëlqyer portretin e vet të vendosur në qendër të Lushnjes nga i deklasuari Lek Previzi dhe i kënaqur paskish thënë: “Pikërisht për piktor të tillë kemi nevojë ne.”) Pasi përfundoi stampimin në prani të përgjegjësit të sektorit dhe veterinerit, ata e pëlqejnë duke shprehur entuziazëm dhe ai ikën me mendje të fjetur. Por, vonë i vijnë në shtëpi të shqetësuar, pasi operativi vigjilent e kishte kapur defektin e syrit të majtë te bërë me projeksion dhe u bënë namin se ua kishte hedhur armiku. Nëse ata nuk do e kishim marrë përsipër përgjegjësinë, dezinjatorit do i viheshin prangat. Veterineri i flet për reagimin kërcënues të operativit: “A e kuptoni se po mbroni një armik?!” Bënte sikur mbante shënime, që të na friksonte. Ndoshta se zë gjumi se i iku nga dora një zog i majmë.” Në këtë mozaik episodesh dhe karakteresh ti përjeton dramacitetin e vazhdueshëm, që të ndjek në libër, ku tabloja para teje shfaqet me të gjithë të vërtetat, ndaj të cilave jemi të gjithë dëshmimtarë.
***
Shihni se sa i sinqertë është rrëfimi i tij: “Kur i dënonin shokët e mi me radhë, një e nga një, gjithmonë i thoja vetes, si ështe e mundur? Pastaj i kthehesha anës tjetër, është e pamundur, me siguri do të kenë llomotitur diçka. Pse s`më dënojnë mua?” Kur e pësoi vetë, bindet. Nëse paragrafin e mëposhtëm do e publikoja pa emrin e autorit, zor se e gjente kush se këto radhë i ka shkruar një i persekutuar, i cili jetonte në barakat e internimit në Savër: “Gjithçka dukej frymëzuese; dielli vezullues, nji fllad i ëmbël që të mbushte me frymë, lulet shumëngjyrshe në oborr dhe flutura nga më të ndryshme në madhësi e ngjyra. Që të jem i sinqertë, shkak i këtij frymëzimi, ishte bërë një arsimtare e hijshme, e cila një ditë papritur erdhi dhe u ul pranë karriges sime, ndërsa haja drekë në mencën e sektorit, pasi atë ditë nënën s`e kisha aty…Kur e pyeta nëse vërtetë dëshironte të më shihte sa më shpesh, ajo tundi kokën me një buzëqeshje të ëmbël dhe u zhduk si një krijesë ere.” Ah, kjo krijesa prej ere, që duket e zhduket si një mirazh?! Mosha djaloshare aq do, që të hidhet në aventurë. I kujtohet fëmijëria, kur pa dashur kishte vrarë një bilbil, ndërkohë që kënga e tij dukej sikur po i jepte hov vërshimit pranveror. S`është fjala për pranverën socialiste dhe ai i pikëlluar i bën copë e çikë llastiqet. Në dallditë e moshës, kur një buzëqeshje e ëmbël femrore po e ftonte për aventurë rinore, nga maja e një bunkeri shfaqet përgjegjësi i sektorit dhe i thotë të paraqitej në polici prej nga do të hapej porta e ferrit. Do e gjykonin për mëkate, që s`i kish bërë kurrë. “S`kisha parë minierë me sy në jetën time dhe tani duhej të punoja në të 8-10 orë.” Në fund të këtij ferri ai shkroi libra, por më parë ishte nisur të bëhej muzikant dhe aktor. Kish provuar të konkuronte për aktor në Lushnjë para një komisioni, ku i pranishëm ishte dhe një i ardhur nga Tirana. Interpreton një fragment nga “Fati i njeriut” të Shollohovit. Komisioni e miraton, por, një i afërt i tij, i regjur në vuajtje do i thotë t`i largohej skenës. “Është ndryshe, kur ata të thërasin, e ndryshe kur ti u paraqitesh vetë dhe u kërkon favore. Do ta shohësh edhe vetë se sa të sjellshëm e të gatshëm janë ata, kur ndodhesh përballë.” Po sikur komanda të propozojë që të futesh në estradë, i thonë bashkëvuajtësit. Ai refuzon, pasi vendet e privilegjuara i zinin spiunët.
***
Ardhur nga barakat me lagështi të Savrës, sapo zbret nga autoburgu sheh: “Përballë sheshit ku bëhej apeli qendronin madhështore dy ndërtesa tre katëshe. Kurrë në jetën time nuk kisha banuar në pallate…Gjatë gjithë kohës që je brenda je i detyruar ta shohësh tjetrin, qoftë ky ish ministër i kabinetit Hoxha qoftë gjeneralin 90 vjeçar të kohës së Duçes apo ndonjë fshatar të varfër nga të cilët kishte me shumicë.” Ky ishte Spaçi i tmerrshëm, që në sytë e atij që jetonte në barakë shfaqet befasues. Kur hyn në qeli syri i kap një merimangë. “Merimangës çdo ushqim që t`i japësh e kthen në helm.”-thotë një i urtë, përkundër xixëllonjës që ai shihte në fushë, të cilat e kanë dritën veti të qënies së tyre, sikurse dhe autori i librit. Si të ishte një Spidermen zë e kqyrë merimangën se si ajo thurrte rrjetën, ku binin në kurth insektet. (Kur e arrestuan Spartak Ngjelën i thanë: “Tani s`do të derdhësh më helm nëpër Tiranë!” Të gjithë mund të nxirrnin helm nga goja veç diktatorit, që i kishte “buzët me sheqer”.) “Ndërsa hanin shegët, të gjithë bënin nga një çikë humor e bisedonin më lirshëm se në shtëpinë e tyre. “A, ma ky qënka burgu?”-mendoja me vete. Kur isha në internim, në shtëpinë time edhe kur flisnim me njëri-tjetrin brenda katër mureve të shtëpisë, e ulnim zërin, sepse, thoshim edhe muret kanë vesh, apo dikush mund të vinte e të përgjonte jashtë dritares.” Kur del nga biruca, ku e dënojnë pse kishte përshëndetur një njeriun e tij, bashkëvuajtësit e presin duke ia shtruar me të ngrëna: “Ajo javë (në burgun e Spaçit) pa ekzagjerim kaloi si në ditë dasmash.” Mos po e zbukuron realitetin, duke shfaqur reminishenca të realizmit socialist? Kur dikush dilte nga burgu, hapeshin fjalët: “Ishte bërë si poç!” (Nëse lexon dy librat e Remarkut “Tre shokët” dhe “Shkëndija jete”, tek i pari ndjen pesimizmin e “brezit të humbur”, ndërsa tek i dyti që i zhvillon ngjarjet në kampet e shfarrosjes ka nota optimiste.)
Si të gjithë ata, që kanë neveri për skematizmin, që socrealizmi i mediokërve po e zyrtarizonte si mënyrë të të menduarit, Dinia i largohet shablloneve, klisheve, që për fat të keq riciklohen në të gjitha kohërat. “Kur ndonjëri vinte të më takonte thjesht si i burgosur, sapo largohej Qemali vinte gishtin tregues: “Ky është spiun, ky tjetri është njeri i mirë, ai me kurrizin e dalë nuk është njeri i keq veçse ështe tepër fukara e sillet mirë me ne se i japim ndonjë kafe.” Në librat me temë nga burgjet e diktaturës s`më ka ndodhur që të flitet kaq shumë për spiunët, duke i kategorizuar dhe në tipa, se sa në librin, që duhet lexuar: “Burgu i Spaçit”. “I përgjigjesha secilit shkurt e me kujdes, sepse kudo të rrethonin spiunët.”, “Samiu më tha se të gjithë të burgosurëve që u jepen poste ishin spiuna.” Ja dhe një skenë dramatike, si në filmat e Hollivudit: “Unë që e shihja për herë të parë atë skenë të tmerrshme s`mu durua e tentova që t`i ndaja, por dy duar të fuqishme më kapën nga të dy krahët e njeri prej tyre më tha që të mos përzihesha në të tilla raste, sepse ai që po godiste i kishte nja gjashtë shokë nga pas që e ruanin dhe e mbronin…Daja i cili s`ma lëshonte krahun, më tha se ai që ndëshkohej ishte spiun, ndërsa ai që e ndëshkonte ishte njeri i ndershëm.” Dhe ky dallim bëhet midis dy vetave të të njëjtit fat. “Gjak, gjak, gjak, ja ky është komunizmi. Ne këtu në burg po e aplikojmë me spiunat.”-thërret një i indinjuar.
“Kishte dhe spiuna “të moralshëm” që ruheshin të mos binin në kontakt me njerëz që sipas tyre i donin….S`e mbaj mend se përse e akuzuan, por, me siguri si agjent të Malazezëve sepse andej kish ardhur. “Po ç`t`i bësh,-thoshte ai,-po të më shohin që shoqërohem me ju një herë ose dy, dhe fap, më tërheqin prej mënge. Pa hajde këtu do më thonë! Ku njihesh ti me ta, ç`flasin, ç`thonë? Edhe sikur ju të mos e keni hapur gojën kurrë, unë duhet të shpif diçka. Se ndryshe më heqin kotheren…me presin kokën! Kjo është arsyeja që unë ju shmangem.” Tronditëse. Ja dhe një tip tjetër: “Kam firmosur, por gjer më sot s`i kam bërë keq njeriu”, ndërsa unë e përktheva: “Kam firmosur, por deri tani s`më kanë kërkuar gjë, që t`mund t`i bëjë keq njeriu.” Spiunëve u jepeshin punët më të lehta. Kur u dilte boja i përdornin si dëshmimtarë. Shpesh binin viktima të poshtërsive të tyre, duke përfunduar në burg. “Dajë Veliu shkonte në takim me mikun që i kish dalë dëshmimtar, sepse njeri kishte të birin tjetri të bijën që kishin bërë krushqi.”, “Kisha dëgjuar që arkitektit e piktorit Maks Velo i kish dalë dëshmimtar piktori dhe shoku i tij i ngushtë Edison Gjergo. Pastaj kishte hyrë në burg vetë. Edhe në burg ai shoqërohej me të.” Në fillimet e burgjeve të diktaturës kishte më pak spiuna. “E vure re atë që më përshëndeti, është spiun. Kur më vijnë nga shtëpia e qeras me ndonjë ushqim. E di si më tha një ditë: “Si e shpjegon këtë që po të them. Po të mos bëjë dy-tre raporte në ditë e t`i postoj në komandë, s`më zë gjumi.”?! Mos vallë heshtja ndaj librit duhet marr dhe si një ndëshkim i personazhëve në fjalë?
***
Të njëjtit regjim i shërben oficer Pjetri bashkë me nënoficer Zefin, por pse dallojnë aq shumë? “Oficer Pjetri, i ashpri, njeriu strikt që s`i thyente kurrë rregullat, njeriu serioz dhe i palëkundur ishte thyer për ca çaste dhe po ëndërronte me sy hapur. Lindur e rritur nëpër shkrepat e Spaçit të Mirëditës, që s`kishte parë veçse gra të stërmunduara e të rrudhosura, të veshura me brekushe ishte e natyrshme që të mahnitej tek shihte një femër krejt tjetër nga ato që i kish zënë syri tërë jetën.”-shkruan ai, teksa po takohej me të shoqen, Adrianën, të cilën e ka dhe bashkautore në librin “Gjyqi i Shopenhauerit”. Ja dhe një skenë tjetër ku figura e oficer Pjetrit del e plotë: “Bixhozçinjtë sapo hynë, pa asnjë zhurmë si të ishin të komanduar bënë një rreth të madh dhe filluan të luanin…Loja ecte me një qetësi shembullore. Paketat vërtiteshin sa tek njëri tek tjetri…Deri në ato çaste as e kisha imagjinuar një oficer komande, sido që të ishte ai, të maskohej me uniformë të burgosuri.” I kap të burgosurit duke luajtur bixhos dhe në një thes ua mbledh të gjitha paketat e cigareve. “Pastaj, me një buzëqeshje të lehtë ironie, si njeriu që ngadhënjen mbi të tjerët, iu drejtua krevatëve që heshtnin, si t`iu drejtohej varreve: “Ama trima jeni! Po si ore u zhdukët për dy sekonda?! Pa çohuni, çohuni njëherë!…Deshët të ma hidhnit, ë? Akoma s`e keni mësur ju që, kur jam unë në detyrë nuk bëhen kësi lojrash. Unë kam përshtypjen se më njihni ashtu siç ju njoh edhe unë…Sikur të rrinit këtu në shesh të burrave do të kishit ca lehtësira, por tash që u fshehët si minjtë nëpër biruca s`është faji im.” Kur drejtori e dënon me 10 ditë në birucë, vetëm se përshëndeti familjarët në ikje, me nënoficer Zefin mund të flisje ç`të doje dhe të shaje. Asnjë i burgosur s`kishte pësuar ndonjë zarar prej tij. “Më ka porosit baba kushedi sa herë qi mos t`iu baj keq të burgosurëve se nuk do ma falë mundin sa të jetë gjallë! Amaneti i babës asht ligj për mue.”
Syrit të autorit nuk i shpëton as korrupsioni i administradës së burgut, duke përfshirë dhe mjekët. Kush bënte pjesë në grupin e shkarkimit të ushqimeve, shtonin xhepat të fshehura të rrobave si e si të vidhnin ndonjë send. Asllan Balla tek Klubi i Shoferit në Lushnje ishte i zoti të bënte para, por, pjesën më të madhe të fitimeve ia merrnin sigurimsat, në formën e borxhit dhe, nuk ia kthenin. Në fund vendosën ta burgosnin. Dine Dine guxon të përshkrojë dhe një skenë të tillë: “Kur zbrita në katin e mesëm të ndërtesës së burgut tek pushimi i shkallëve, më goditi pamja e dy burrave që putheshin buzë më buzë…Një kureshtje instiktive më bëri të kthej kokën. Ç`të shoh! Tellalli i burgut, Grigor Xarxalla bënte dashuri me një të burgosur tjetër, që me siguri flinte në katin e mesëm.” Sa më gjatë të rrish këtu i thonë, do mësohesh me këto skena dhe do i kalosh me indiferencë. Ja dhe një tip tjetër: “Fallxhiu po i përmendëte ca emra, atij të panjohurit e i bënte ca parashikime që e dehën fare…Më pas i tha se tellalli Grigor Xarxalla do t`i sillte një telegram ku do ta njoftonin për një takim me familjen, brenda tre ditësh…Pasi u gëlltit nja dy-tre herë i tha troç se e fejuara e kishte tradhëtuar e nuk dukeshin shenja se do t`i vinte në takim.” Tjetri u turr ta rrihte.
***
Në burgun e Spacit, pa qenë i burgosur, në mesin e tyre ishte dhe Ismail Kadare, ndaj një ditë, komandanti i burgut do i thotë: “T`martën kur t`vinë autoburgu bash po ta sjellin itu Kadarenë.” Nuk mund të mos bëjë përshtypje dhe mënyrë se si ai sheh shkrimtarin: “Më ka ndodhur të dëgjoj lëvdata të shkallës sipërore nga individë të njohur rastësisht për veprimtarinë e Ismail Kadaresë, por gjatë bisedës kam zbuluar me keqardhje se nuk kishin lexuar as dhe një shkrim të tij; ashtu si të tjerë, për shembull këtu, në burg, pa e njohur veprën e tij, ndoshta edhe pa lexuar ndonjë novelë apo roman të autorit, i përmbysin lëvdatat e të parëve, i shndërronin në mohim dhe jo rrallë në fyerje. Për një gjë jam i sigurt; Kadareja është nga të paktët shkrimtarë kudo që të ndodhen, vepra e të cilit do të jetojë gjatë…shumë gjatë. Dhe kjo falë talentit dhe mënçurisë së tij. I sulmuar nga shkrimtarë mediokër rë realizmit socialist jo rrallë është rrezikuar ta sillnin, aty ku ndodhesha dhe unë, në Spaç, apo dhe më keq siç kanë bërë dhe me shumë të tjerë, dhe kjo do të ishte një goditje, një humbje e dhimbëshme për kombin. Enver Hoxha ishte një liliput para emrit Kadare…Në Spaç ndaheshim sa i përket vlerësimit të Kadaresë. Një pjesë, ku isha dhe unë, Visar Zhiti, etj., që e vlerësonim, thuajse e adhuronim, e shihnim si lëvruesin më të mirë të gjuhës artistike, më të madhin e të gjithë kohërave. Të tjerë e cilësonin si “shkrimtar oborri” dhe nuk i njihnin asnjë meritë. Kur atje në burg erdhi “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave”, na dha shpresë, madje na bindi se kohërat e lavdishme të diktaturës po mbaronin. E lexuam me një frymë dhe për mjaft kohë e diskutonim me njeri-tjerin. Mbas shtypjes së revoltës së Qafë Barit, komandanti i burgut në një fjalim, të mbushur me kërcënime, në mes të tjerash tha: “Ne Kadarenë do t`ua sjellim këtu pas 48 orësh”! Uroja sinqerisht që Kadareja ta fitonte çmimin Nobël. Nuk ishte vetëm në të mirë të tij, por në radhë të parë të Shqipërisë. Në fund të fundit ai e meritonte atë.”
Nuk ngurron të shkruaj se burgu është një hambar gjigand thashethemesh ku të burgosurit ushqehen papushim çdo ditë. (Në një bisedë me Kadarenë, për “hambar gjigand thashethemesh” ai mbante: kinostudjon, shkollave e arteve dhe RTVSH-ën.) Dhe më tej, Dinia shkruan: “Burgu bëhet dyfish i vështirë se dominojnë ordinerët, shpifësit, hajdutët, spiunët, të korruptuarit.” Me sa duket, pikërisht këta, kur prekën lirinë u bënë edhe më ndotës. Kur ishte në internim qëllimisht nuk e përshëndetën përgjegjësin të hipur mbi kalë. Ai i fyer desh të hakmerrej, duke shpifur kundër tyre. “Si është e mundur që të shpif përgjegjësi?”-ndërhyn një servil i tij, ndërsa sekretari i partisë e tërheq mënjanë duke e këshilluar: “Baje nji farë autokritike si të dush ti dhe ne do ta pranojmë.” (M`u kujtua autokritika vrastare e Kadaresë, mbyllur me fjalët: “Arma dhe kur shrep padashje, të vretë.”) Pranon të bëje një autokritikë formale dhe sekretari e mbyll mbledhjen i kënaqur: “-Po ja qo ish! Qy e bari autokritikën, me kaq mledhja maron.” Sa e sa shkrimtarë e dramaturgë e patën personazh pozitiv sekretarin e partisë dhe të gjithë dështuan. Ja një sekretar partie i përshkruar nga një i deklasuar me kaq vërtetësi dhe orgjinalitet, se fesnikëria nuk e ka për zakon që ta manipulojë të vërtetën. Mediokrit e djeshëm gjithë të këqijat i shihnin tek personazhët negativë, aq sa komunistët shmangeshin t`i luanin në skenë, ndërsa skematikët e sotëm e përdorin bojën e zezë ndaj “heroit pozitiv” të rënë nga vakti. Jeta është me ngjyra, përtej furçës me të cilën lyen propaganda. Një autor me personalitet e sheh botën me sytë e tij, pa ia patur nevojën syrit me projeksion “të largpamësit”…



