Kur shihja në galerinë MOMA të Nju Jorkut tablo të artit modern, më kujtohej Besim Golemi, sidomos koha: kur rrinim bashkë dhe në Bibliotekën Kombëtare shfletonim albume me piktorë abstrakt, ndaj të cilëve Besimi linte mendjen dhe unë tregohesha i rezervuar. Nëse pëlqente një gjë, ai e përjetonte si të kishte rënë në kontakt me mrekullinë dhe ti duhej t`ia mbaje anën për t`mos ia prishur atë marrëdhënie hyjnore. I ndruhesha reagimeve impulsive të tij, që, në kohën e vrulleve revolucionare, të hapnin avaze. Ishte krejt i zbuluar, nëse doje ta dëmtoje. Të ishe i dashuruar me ngjyrat, në kohën e realitetit bardhezi, vetvetiu e mbartje rrezikun.
Kur ulem të pi kafe me llafe në Lushnje, përsëri më kujtohet Besimi, thuajse i harruar, në mos i quajtur i tejkaluar nga pretendentët e radhës. (Besimi nuk ka qenë aq i qeshur, sa duan ta skicojnë, as aq i vetmuar sa duan ta vizatojnë, as aq i luftuar, sa duan ta pikturojnë. Në esen “Gjaku i ëmbël i Besim Golemit” Xhevahir Lleshi e portretizon kështu: “E kam të fiksuar portretin e tij: fytyra pakëz gjatoshe, tiparet e skalitura fort, sytë e zjarrtë si gaca që të digjnin, vështrimi i tij pak flu, por i kujdesshëm në përqendrim, dhe e qeshura e tij e çuditshme, pak si e fshehur dhe pastaj çelej e shtrihej në gjithë tiparet e fytyrës.”)
Nuk njoh një të dytë, të besonte aq shumë tek vetja, i skllavëruar ndaj gjithçkaje që bënte, i dalldisur, me zjarrmi dhe hove, mbushur me energji të skajshme, duke u matur veçse me të mëdhenjtë e artit, si e vetmja referencë e tij. Meqë të mëdhejtë i përkasin panteonit e qiellit dhe ai, nxitoi të ikte: më shumë i shtyrë nga e rëndomta se sa i tërhequr nga e magjishmja, ndaj dhe qielli e mori shpejt. Njësia matëse: i krahasueshëm me të mëdhenjtë, ia njihte aq natyrshëm vetes, sa dhe ne u mësuam, t`ia merrnin si normalitet, sikurse e kujton dhe Mimoza Ahmeti: “Më erdhi njëherë nga Gjermania Besim Golemi. Më ka dashur shumë dhe më ka vlerësuar shumë! Më quante dhe magjistaria e fjalës. Pa një dhomë të thjeshtë, dy fëmijët, dy piktura. I tronditur nga pikturat më tha: “Ç`a bën ti këtu moj me këto kalamjë?!-dhe shtriu dorën sikur të ishin sende.-Ç`a është ky para tej, po ai!-dhe më përmendi ca emra.-Ti je magjistaria e fjalës?!” Aty kuptova se midis një mashkulli gjenial siç ishte ai, dhe një gruaje qoftë dhe gjeniale siç mund të isha unë! Në atë kohë kam qenë vërtetë e jashtëzakonshme!” Besimi, kur heshte të dukej si murg dhe kur ekzaltohej, teatral. Teksa të hidhte vështrimin, të kqyrte në mënyrë të tillë, sikur po të peshonte: vleje apo nuk vleje si portret, se për të tjerat as që donte t`ia dinte. Ndodhte t`i thoshte dikujt: “Mos lëviz!”, nxirrte bllokun dhe hidhte vetëtimthi impresionet e para dhe, kushedi se në ç`tablo do ta mbaje frymën. Më kishte rastisur ta shihja në studjo duke pikturuar, ku shtati i gjatë me lëvizje të dallueshme, ngjashëm me mizanskenat e një dirigjenti, t`i afrohej tablos me hapin kompas, sikur donte ta përpinte telajon dhe, me lëvizje të shkathta të penelit hidhte imazhe dhe, po aq vrullshëm tërhiqej pas, duke mbyllur njërin sy, i fiksuar gjatë dhe pasi bindej për çka duhej të bënte më tej, një hap i dytë dhe peneli vallëzonte në telajo. Nëse gjithë ky ritual përfundonte sipas pritshmërive të tij, atëherë kujtohej për praninë tënde dhe të jepte një të qeshur. Domethënë, shkoi mirë! Në rast se jo, i shtohej nervozizmi, ku peneli trazohej në tavalloz dhe njolla e fshirë ia linte vendin një tjetre. Uroja, që të mos ndodhte kjo e dyta, se tersi do quhesha unë. Kur bënte portrete, rrinte gjatë në studjo, ndërsa peisazhet i gjuante në natyrë, duke ecur kilometra të tëra deri sa t`i mbushej mendja se ku duhej t`i ngulte kambalecat. Ishte po aq realist sa të tjerët, ndërkohë një kamuflues i regjur për të fshehur eksperimentimet të yshtura nga albumet me piktorë modernë. Kurajon asnjëherë nuk e çoi në lartësinë e guximit, por, shpirtin novator s`e zbriti në konformizëm. Në gjykimin tim, moderniteti i tij kaloi paq, ngaqë ai ishte një vizatues i shkëlqyer, duke mos e tradhëtuar figurën, objektin.
“Unë nuk i mbaj mëri atdheut” titullohet një intervistë e tij e vitit 1991 në një media gjermane. Kjo intervistë ka vlerën e një autoportreti. Shihni se kujt ia drejton ai mirënjohjen: “Unë kam mendimin se nënë më bëri artist,-e cila i thoshte se:-fillimisht ti ke vizatuar me sy.” Në fakt, mirënjohja duhet të shkonte për njeriun, që e zbuloi dhe u kujdes për arsimimin e tij, duke shkuar tek ministri i arsimit për kohën, Thoma Dejlana, dhe ky ishte: Faslli Haliti. Ndodhur para një kompozimi të Besimit, ekspozuar në sallën e katit të dytë në shtëpinë e vjetër të kulturës, mësuesi i vizatimit do më thoshte për ish-nxënësin e tij: “Këtu në çdo centimetër katror ka art.” Pyetjes së gazetarit gjerman, se cilët ishin miqtë dhe shoqëruesit e tij në Shqipëri, ai i përgjigjet: “Nëna, Xhek London, babai, Shopenhaueri, Dielli duke perënduar, vëllezërit, kali i bardhë, Pikaso, Van Gogu, gratë, Bluzi amerikan, Tina Turner, Dostojevski”. Nuk përmend asnjë artist shqiptar, le mik apo shok, as Mimozën, që në numër mund t`i kishte më shumë se kushdo tjetër. Më qeshet kur shoh ndonjë, që tenton ta privatizojë njohjen me të, pasi ai nuk ngurronte të thoshte, sidomos në çaste dëshpërimi: “Njerëzit për mua janë si punë e stiletit, kur i mbaron boja e hedh.” Për pikturën ishte gati të hidhte në erë dhe veten. Duke u shprehur: “Unë nuk i mbaj mëri atdheut”, përkundër atyre që për dështimet e tyre fajsojnë atdheun, inatet duhet t`i ketë me ata, që i mbajnë peng krijimtarinë të dhuruar prej tij.



Besim Golemi ishte aq i veçantë sa dhe piktura e tij, tek e cila shkriu të gjithë talentin, duke e lënë veten në plan të dytë. Më pas në plan të tretë, të katër, të pestë, deri sa i dha fund jetës me hedhje nga një lartësi pallati. Qe i bindur, se vdekja nga lartësia, ku ai qe ngjitur, do i vinte. Kujtoj mbrëmjen e fundit, kur Besimi nga trotuari përtej rrugës do më thërriste: “Fatbardh Rustemi je i madh!” Për Besimin nuk kishte të mesme: o i madh, o i vogël. I ngrita dorën dhe teksa mori rrugën për më tej, pashë t`i merreshin këmbët. Ishte hera e parë, që e shihja të dehur. (Drejtori i shkollës ku Besimi ishte mësues, më ishte ankuar për neglizhencat e tij në punë. “Mos e luaj. Lëre në botën e tij!”-i thashë. I fyer, ngaqë Besimi nuk e pyeste, drejtori nis t`më jepte shembuj të shkeljeve disiplinore të mësuesit të vizatimit, sikurse e njihte ai. “Në atë shkollë përsoni më i rëndësishëm është ai.-ia preva shkurt. Nga Gjermania kishte përfunduar në një mësues fshati. Nuk më la kohë të bëja më të mirën për të.) Të nesërmen, kur po shkoja në një mbledhje në prefekturën e Fierit, tek ura e Sheqit, pashë Besimin, që ecte nëpër shi, i lagur. E mora me mend, që kishte shkuar të takonte të birin, i cili jetonte me të ëmën në Fier. Ishte duke kapërcyer një urë, një kohë apo vetë jetën? Të nesërmen mora vesh lajmin e hedhjes së tij nga pallati. “Një porosi kam për popullin tim: të ecësh, të ecësh drejtë, por gjithmonë duke vështruar Evropën në sy: boll me frikë tek hiletë dhe tek kurthet.”-e mbyll ai intervistën me gazetarin gjerman. Edhe këtu, ai i drejtohet të mëdhenjëve dhe popullit, i bindur se hilet dhe kurthet i bëjnë veçse të vegjëlit, që ai i injoronte, pa i shkuar në mend se ata mund të hakmerren dhe në postmortumin e tij.

e shquar Sali Shijaku
Në gazetën “Koha jonë” e 18 prillit 1998, 28 vite më parë, vdekja tragjike e piktorit Besim Golemi shoqërohet dhe me dy shkrime homazh nga shkrimtari Bujar Xhaferi dhe piktori Vladimir Myrtezai. “Ai pikturoi gjithë jetën ëndrrën e tij me një penel të lirë…pikturonte duke klithur nën zë… Ai ishte ndër të paktët që në vend të herarkëve pikturoi koka të bukura minatorësh dhe shkrimtarësh. Për të sjellë ndërmend këtu portretin e Dritero Agollit, Ismail Kadaresë, Petro Zhejit e Rudolf Markut.”-vë në dukje Bujari, duke shtuar: “Tek pinim kafe në hollin e hotel Dajtit në Tiranë, më tronditi kur më tha se po punonte pikturën e tij të fundit…Besimi kishte pikturuar për herë të parë dhe të fundit vetveten.” Ndërsa Vladimir Myrtezaj ndalet në vlerat e artit të tij: “Natyrë artistike dhe shumë i talentuar! Me temperament të vrullshëm në shfaqjet e tij….I vetmi dhe i mrekullueshmi në llojin e tij. Vdekja e Besimit qe e dhimbshme dhe tragjike. Më vjen të skuqem pak, kur mendoj që Golemi me vetëpërjashtimin e tij, sikur sfidon të gjithë racën e kalkulatorëve të vetëquajtur dhe të vetëzgjedhur “kritikë” dhe “artistë” dhe vazhdojnë e luajnë komikisht në arenën e artit, ku me një cinizëm vulgar, bashkë me shtetin dhe racionalitetin e tyre, pozojnë brenda kësaj arene.” Ndoshta tek të tillët duhet kërkuar, që për Besimin s`po kujtohet askush. Të shohim se c`ka në mend të bëjë Mimoza Ahmeti, e cila ka premtuar të shkruaj një kapitull më vete për Besim Golemin. “Në të majtë të hollit dallova një figurë të gjatë, diçka midis një prifti dhe një dinozauri; ky ishte vetë Besim Golemi…Unë dhe Besimi ndenjëm gjatë aty mes pikturave, ku filloi edhe ajo miqësi e çuditshme për të cilën do të shkruaj një tjetër kapitull. Para se të nisej në emigrim, në Gjermani, ai erdhi disa herë në apartamentin ku jetoja asokohe te Rruga e Durrësit, me Aurelin. Më kishte bërë edhe një portret, që e ruaj edhe sot e kësaj dite, edhe kur u transferova e mora. Aureli ishte zakonisht indiferent, plot impenjim me botën e tij të përkthimeve dhe zbulimeve letrare. Besoj se ka qenë para ikjes në Gjermani, kur Besimi më la një seri nga bojërat e tij, furça dhe kanavace dhe më tha: “Përdori!”…Besimi më kishte prurë nga Gjermania libra arti, Munch, Van Gog..Me dedikime për mua: “Magjistares së madhe të fjalës”. Kam vite, që e kam ngritur zërin për ta shpëtuar Besim Golemin nga harrimi, i vetmi që më është përgjigjur, një ish nxënësi i tij nga Divjaka, Enea Janko, i cili disa punime të Besimit i ekspozoi me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, duke u bërë dhe korniza nga më të shtrenjtat, të cilat më pas iu kthyen familjarëve. Iku nga kjo botë, duke lënë bojëra, furça dhe kanavacë, që të përdoren…



