Kreu Letërsi Bibliotekë “Fatamorgana”, poezi nga Jolanda Kodra

“Fatamorgana”, poezi nga Jolanda Kodra

Jolanda Kodra

Shënim: Kjo është një nga vjershat e pabotuara të mamasë që i kushtohen temës së mallit dhe të mungesës. Nuk e ka datën e shkrimit, po aluzioni për “t’ëmblat vite që ikën e vanë”, domethënë për moshën e rinisë, dëshmon se duhet të jetë shkruar aty nga vitet pesëdhjetë, kur nëna ime i kishte kaluar të dyzetat dhe diktatura ishte veçanërisht e ashpër (K.Kodra)


Ku je ti, ku je, o dhe i largët
Që ëndrra e poetëve gjithnjë i fali jetë,
Vegim i ëmbël bukurie të mistershme
Që i lumturon shpirtërat e paqetë?

Nga shkëlqimi i diellit i rrethuar
Apo nga mjegulla e melankoli,
Ti je mbretëria e muzës së amshuar,
Atdheu i gjithkujt do bukuri e poezi.

Aty kalojnë ndër fusha pa mbarim
Magjistarë, zana, nimfa; enden në çetë
xhinde dhe xhuxha. Pallate plot shkëlqim
nëpër agime rrezatojnë dritë.

Vello të trëndafilta, të bardhë e të kaltër
Mbulojnë lehtë livadhet ngjyrë smeraldi.
Zogj të mrekullueshëm çajnë qiejt e pamatur
Në horizontin që s’njeh asnjë cak.

Murmurijnë ujërat, flasin me njera-tjetrën
Gjethet një gjuhë të mistershme dashurie,
Një lule e mahnitshme që s’këputet
shpërndan për rreth një aromë fshehtësie.

… agime shkreptimtare, perëndime flake,
Mbasdite t’arta, errësi e yjëzuar,
Hije të pyllit, të kadifenjta male,
Mjegulla të paqarta, ngjyra të vagëlluara…

Mbi kalin e vet  fluturak që nis vrapin,
Midis blerimit dhe trëndafilave,
Rend e bukura Anxhelikë[1]  dhe flladit
Ia kumton të dashurisë shqetësimet.

Në atë vend  gjithçka është harmoni,
Dhe Kalibani[2] ka një bukuri.
Një flakë aty digjet në përjetësi,
Një  flakë e ndezur  që në lashtësi.

Shpirtrat  e shqetësuar  dhe të pakuptuar
Në atë  breg të përjetshëm gjejnë qetësi,
Duke parë  bukurinë e amshuar
Që sundon e qeveris  në atë mbretëri.

Atje Pani[3] me fyellin  e vet plot magji
Qetëson zemrat, shpirtërat  tërë zemërim,
Zbut çdo kujdes, shuan çdo mëri,
E çon njeriun  drejt të  lartit synim.

Në përkëdheljen e butë mëngjezore
Çdo realitet i zymtë  gjen shndërrim,
Një dritë  ideali aty shkëlqen  prore,
Shpirtit të etur i jep qetësim.

Edhe unë  në t’ëmblat  vite që ikën e vanë
Lakmova ëndrrën e bukur  që ti je,
Të pashë, të desha ty, fatamorganë,
Tani po të kërkoj e s’të  gjej më.


[1]*  Është fjala  për mirazhet  që shfaqen në shkretëtirë. Këtu ka kuptim simbolik.

  Personazhi i “Orlandit të tërbuar” të Ariostos.

[2]  Xhind i së keqes  te “Shtërngata” e Shekspirit.

[3]  Perëndi mitologjike.

Exit mobile version