Kreu Letërsi Bibliotekë Faruk Myrtaj: Prej avujve, sapo kishin mësuar… (tregim)

Faruk Myrtaj: Prej avujve, sapo kishin mësuar… (tregim)

Thuajse trokiti maja-gishtash në portën e rrethinës së qelqtë të dushit që shfaqej si ishull i mbytur në mugull avujsh. Pa mundur të vështronte dot kurrgjë, iu bë se e qelqta u çelë paksa, pa u thyer.

S’mund të mos ndodhte pikërisht kështu, përderisa aty, brenda apartamentit, përballë dhomës së tyre të gjumit, vetëm ai – zotëria i saj mund të ishte. Me po aq siguri sa, brenda asaj kutie të qelqtë, në avuj uji, mund të ishte vetëm ajo, gruaja e tij.

Në atë trokitje, më shumë fshikje, maja-gishtat lanë gjurmën në atë veshje avujsh mbi qelq, si përcjellje dëshire dhe ndjesie se jo vetëm vazhdonte ta donte në mirënjohje të tërë këtyre viteve bashkë, por edhe që ai e kishte edhe më tej ëndje dhe kureshtje, ende-joshje që, madje edhe për trupin e saj, pavarësisht këtyre viteve. Për të mbetej, edhe më tej po ajo, si dikur, kur dukja ishte mbase më e madhe se qenia.

***

Edhe mund të rrëfehej nëse ndodhi ç’pritej, çfarë imtësisht, pas njomjes së lehtë të mollëzave të gishtave të dorës në brymën e avujve, edhe pse asgjë e re, kurrgjë e tjetërt nga ç’kishte ndodhur, si me tërë të tjerët, edhe me ta.

Megjithatë, kundruar jo si çdo herë tjetër, duke dalë si prej një mjegulle nga dushi, e fshehur e tëra nën një peshqir të bardhë e të bollshëm, prej gojës së saj u dëgjua zëshëm vazhdimi i pantomimës nisur prej brenda avujve të vetmisë se ngrohtë.

“Edhe unë ndjehem mirë, kur dëgjoj se vazhdon ta dëshirosh ende trupin tim. Edhe pse, në dije të hershme, nuk kemi parapëlqyer kurrë që trupi të na shfaqej thjesht e thjesht si kurth i bekuar fizik!”

“Mbase jemi shprehur edhe që dëshirimi më i dëshiruar ndodh në kundrimin pjesë-pjesë, si zbulesë për herë të parë!”, shtoi ai, duke qeshur.

***

Në të vërtet përgjërohej, pa fjalë, besonte i tëri se femra ishte tempulli i bekuar ku përulej së brendshmi besimtari i vet. 

Nuk ishin aq të rralla çastet kur do donte ta thoshte zëshëm këtë, edhe pse arrinte ta mbikëqyrte veten të mos ngutej, thjesht e vetëm se fill pas këtyre fjalëve do duhej të shtonte doemos diçka tjetër. Ngaqë me kohë ishte bindur se s’ishin të mjafta vetëm ëndja e ngasja, për tu kuptuar pasi të bënte këtë.

Ndjehej në drojë se të shumtët e njerëzve që kishte njohur, nuk e kishin pasur dot këtë mundësi, të pasjes së qetësisë së domosdoshme – në mos të plotë, prej pranisë së gjërave të domosdoshme, atyre elementare, për të gëzuar në to si komoditet të merituar intim përjetuar si privilegj jetik.

Edhe ata të dy bashkë, të shumtën e vjetëve, nuk e patën. Ngushëllohej se mungesën për to e kishin ndjerë vetëm së voni, vetëm kur filluan t’i plotësonin. Mbase kështu ishte rregulluar kjo jetë: të mos i dinin tërë gjërat që mungonin, të mos vinin ashtu në dyshim përkatësinë njerëzore.

Tërë njerëzve të lindur dhe rritur në mos-kamje të mjaftë, varfëria u shfaqej e plotë vetëm pasi ata dilnin prej saj. Kur s’e vuanin më, mungesën e ujit brenda shtëpive, kujtonin mungesën e tij dikur; kur po i gëzoheshin pasjes së ujit të ngrohtë për në kuzhinë dhe dush, habiteshin se si kishte mundur tu mungonte gjer edhe kjo gjë…

Sidomos për mungesat e vrazhda dikur, ai zgjidhte të mos flisnin në sy të fëmijëve ende të pa rritur. Nuk i druhej udhës nga kishin ardhur si prindër por, përderisa s’kishte qenë e shkuar e drejtpërdrejtë e fëmijëve, përse tu bëhej kujtesë?

Më tej akoma, gjithnjë duke iu bindur ndikimit të kushteve e rrethanave të jetëve të njeriut, të lloj-lloj njerëzve që kishte njohur, admiruar apo keq ardhur, jo vetëm besonte, e thoshte me thellësi bindjeje,  dëshironte t’ia dëgjonin të tjerët: “Nuk është i pa-dashurueshëm kurrkush në  këtë jetë…”

Hezitonte pak, kur matej të mendonte, edhe më pak të shprehej, se “s’kishte njerëz të pa-dashuruar.”

Besonte se, në secilën rrethanë, secili njeri, e kishte dhe bënte sa mund ta gjente dashuruesin e vet. Ishte e kollajtë, sipas tij, ta besonin këtë, mjaft të kujtoheshin se s’kemi asnjë të drejtë ta krahasojmë dashurinë e dikujt me të tjetrit. Jo thjesht, për shkak të dukjeve të tjetra, linjave elegante a fytyrave joshëse, se sa pikërisht prej mungesave të pafundme përqark. Edhe vet dukja, pamja njerëzore, në sytë e tij dhemshurohej, teksa kujtonte se më të shumtëve prej njerëzve që njihte dhe dinte, u kishin munguar gjëra elementare, as “një strehë, s’e kishin…”, për tu mbyllur e gëzuar aty si në shtëpi të vetën prej shpirti të dy trupave në një…

E lejonte veten të shtyhej aq larg në domosdonë e dhembshurisë brenda dashurisë sa druhej për ndonjë moment keqkuptimi të pafajshëm…të shpallte se pa dhembshuri në të, as dashurinë s’mund ta kishte njeriu.

***

Kjo gjendje mbrëmësore, mbase e të dyve në të njëjtën kohë, në vegim të dyfishtë, ai i dehur me kundrimin e avullit që gufonte si frymëmarrje prej poreve të qelqta, ajo në ngazëllim që e kishte kapur prej atje brenda trokitjen në drojë të tij, shëmbëllyen me dy adoleshentë të pafajësisë së parë.

Në atë mjegullimë të thurur nga të dy, ngaqë ajo vet e kishte çelur paksa atë qelqurinë që megjithatë quhej derë, dhe ngaqë ai kishte provuar të rikthehej në kohën dikur, në heshtje të thellë të gjëmimtë  po zhvendoseshin për nga njeri-tjetri. Mbase kështu I kishte ndodhur njeriut të parë, joshur kush e di si në domosdo fjale, që vetëm dashurie mund të ishte ndaj njeriut tjetër ndodhur pranë tij.

Sidomos këto raste që sado si mund të ishin edhe më të shumtë, u kujtonin se mbase kishin humbur tërë ato kohë, mungesë të këtyre gjesteve a fjalëve që fare kollaj mund të ishin dhuruar ndaj njeri-tjetrit, për ta zhbërë që në krye të herës atë distancën që, prej një mijë pretekstesh apo arsyesh të vogla, guxonte të shfaqej midis njerëzve. Fill pas tyre, bëhej gjithnjë e dritëshme udha për të arritur në atë gjendjen flurore, si të kësaj mbrëmjeje pas kondensimit të këtij avulli, të shpërhapur avashëm në atë hapësirën e kaltër ku gjërat kote humbnin vetiu peshën. Thjesht se, në të vërtetë, s’e kishin pasur kurrë.

Ndaj duhej besuar se kënaqësi të tilla, që edhe pse duket sikur e kanë fillesën prej trupit, vetëm thjesht fizike s’mund të ishin. Padyshim edhe fizike, por vetëm sa energjia pranon të jetë e tillë.

Mbërritja më në fund në këto momente të symbyllta i siguronte sërish se, edhe nëse qenë vonuar, për mrekulli të tilla kurrë nuk bëhej vonë. Për këto lloj pemësh të përbashkëta kurrë s’bëhej vjeshtë e vonë. Prej fryteve të tyre, vetëm zhveshje s’do tingëllonte rënia e mjegullës së avujve, as rënia paksa në supet e peshqirit të hedhur.

***

Ngaqë besohej se ai dinte të priste më gjatë, zgjodhi ajo të fliste e para.

Në dije të thellë të brenda vetes se asgjë s’mund të ndodhte vetëm prej njërit, as me vetëm në njërin, ajo shtoi se edhe më e këndshme do të ishte, nëse ai do vononte të hynte në dhomën e gjumit, deri sa  ajo t’i bënte një shenjë, fare pak më vonë…

Prej avujve sapo kishin mësuar se bëhej më mirë po të hyhej duke trokitur, qoftë edhe fshikazi, si në brymën mbi qelqe. Edhe për në dhomën e gjumit, hyrja mund të bëhej edhe më e dëshiruar, pas një pritje të shenjës, prej brenda…

Po i bëhej se ishte duke e dëgjuar edhe ai, si diçka të shenjtë, privilegj hyjnor, idenë se dhoma e gjumit, edhe pse e mbarte kuptimin prej pranisë së të dyve atje brenda, kuptimin e parë fare e merrte prej pranisë së Saj, pra edhe prej lejes së saj, për të hyrë në të…

Exit mobile version