KUR MUNGON DASHURIA
Kur mungon dashuria,
fjalët bëhen rruazore të zeza
dhe shkeputen nga dora e besimtarit.
Kur mungon dashuria,
s’e ke më merakun e nënes
mencurinë e babait,
as dhembshurinë e fëmijëve,
Kur mungon dashuria
ditet jane përsëritëse.
S’është më deti brenda nesh
me zhurmën e mëndafshte
nga hapesirat e tij.
Dhe lotët, me pretekstin më të parë
çlirohen nga pesha e mundimit,
kaq e ligë, kur moti është i lig
bëhet jeta kur mungon dashuria,
aq sa s’di nëse jeton
shpesh vendos dorën mbi zjarr
për të bindur veten: a jam gjallë?
Kur mungon dashuria
i kemi borxh vetes oazën e palumturisë,
që prej frikës s’qemë të zotët ta gjenim.
RRËFIMI
një ditë
në dëshperim të thellë
me emrin e shenjtë të Atit u luta
duarkryqëzuar
në botën time
kisha ngelur ngelur si bardhësia verbuese e kripës që deti lë pas
zog i hedhur nga drurët
në këmbët e tua isha unë
unë, qelqi i thyer i të gjitha fjalëve të pathëna,
nuk kaloi shumë dhe takova djallin
nuk dija si të mendoja
çfarë t’i thoja
në cilat ujëra t’i drejtoja sytë,
nëse kjo ishte përgjigja e tij
apo i ligu donte të më hidhëronte me retë?
pastaj u bë natë
por drita e mirësisë kurrë nuk u shua
me një buzagaz çapkën gëlltisja lotët që rridhnin poshtë qafës.
në mëngjes
qielli im u mbush me ëndrra
plot hi ndërtues
tokave të mia
kopshteve të tua
njeri, që aq shumë të dua.
TE PRAGU
sa herë jam kthyer me mall tek ti
si i mërguari tek pragu ku e priste nëna,
udhërrëfyer nga drita e shenjtë
mundimshëm rrugëve te shkretëtirës,
Ti – Toka e premtuar,
disa kalimtare mbollën gjemba
dhe pastaj u cuditën si nuk mbijne trëndafila,
jo te gjitha dhimbjet shërohen ,
disa jane aq të thella, sa mbesin aty
por ti, ti kaq e ëmbel,
ti di të rrëzosh kurorën
me dafina që u kishe vendosur
të huajve “që të deshen “
e sot me lot ne sy kthehesh përsëri,
si te pragu ku te priste nëna,
tek vetja ime
tek shpirti im.
RRËFIME TË NDRYDHURA
(Femrave shqiptare)
Do t’i njihni ato nga e ecura çapkëne,
me një përzjerje buzëqeshjesh të fishkura
që u fërgëllon në trëndafilin e kuq të buzëve.
Xixëllonjat e kohëve të ngrohta
që trembin errësirën
kanë patjetër gropuar gjoksit një histori,
kujtimi i thikës së mprehtë në mish,
jastëku mbledhur zhubra-zhubra ankthi.
E kanë një tablo të bukur e të fshehtë,
të njerëzve plot dritë shpëtimi në shpirt
që zgjatur u kanë dorën në kohë braktisjesh.
Do t’i njihni patjeter ato
kur shfaqen si mantel qëndisur me diell
mbushur me gëzim të shenjtë
si në sytë e përdëllyer të ikonave.
E qeshura vezulluese heshtjeve të thella,
ku lulja në ngjyrë gjaku
ndrydh një rrëfim në kraharor.