Në veprën e Eugène Ionesco-s “Fotografia e kolonelit” (“La photo du colonel”, Gallimard, Paris, 1962) hyjnë gjashtë tregime (“Flamurkë”, “Fotografia e kolonelit”, “Këmbësori i ajrit”, “Viktimë e detyrës”, “Rinoqeronti” dhe “Bataku”) dhe ditari rrëfimtar “Pranverë 1939”…
Njohjen e parë me Eugène Ionesco (1909-1994) e kam patur me një pjesë te dramës “Këngëtarja tullace” inskenuar nga regjizori i teatrit Bekim Lumi, emërtuar “Çifti Martin” në 100 vjetorin e lindjes kur edhe botohet nr. 4 i revistës unike “Loja” që i kushtohet Ionesco-s. Në shqip disa nga botimet e dramaturgut rumuno-francez janë: Në vitin 1976 “Tri drama”, Sh. B. “Rilindja” (“Karriget”, “Këngëtarja tullace” dhe “Rinoqeronti”, përktheu: Eqrem Basha), në vitin 1995 “Onufri” boton dy drama: “Vrasës pa pagesë” dhe “Mbreti po vdes”, (përkthyer nga Shpëtim Karaj) dhe po atë vit Sh. B. “Globus R.” boton dramën “Rinoqeronti”, përkthyer nga Gjergj Zheji.
Vepra e Eugène Ionesco-s “Fotografia e kolonelit” (“La photo du colonel”, Gallimard, Paris, 1962) në të cilin hyjnë gjashtë tregime (“Flamurkë”, “Fotografia e kolonelit”, “Këmbësori i ajrit”, “Viktimë e detyrës”, “Rinoqeronti” dhe “Bataku”) dhe ditari rrëfimtar “Pranverë 1939”, në 50 vjetorin e botimit të parë te Ionesco-s në shqip (“Tri drama”, Rilindja, Prishtinë, 1976), nga “Pika pa Sipërfaqe”. Emmanuel Jasquart vëllimin e gjashtë tregimeve “Fotografia e kolonelit” e quan “skicë për pjesët e ardhshme teatrore” (“Loja”, f. 37) 1)
Prirje xhelozie për hakmarrje të përhershme, “shfaqja” dhe “zhdukja” e krimit si narracion në hapësirën “kohore” (“Flamurkë”)
Tregimi që hap këtë vepër është “Flamurkë”. “Çdo shpresë ishte e kotë: kurrë nuk do të zhdukej vetë.” 2), thotë rrëfimtari. Vetëm kufoma e pavarrosur nuk do të zhdukej vetë. Një tregim skicë që prek dimensione të absurdit dhe metafizikës. Pagjumësia krijon ndjenja joekzistenciale. Megjithatë “narracioni” kishte përfundim. Dhe “rrëfimi” vazhdon. Vrasja ka ndodhur dhjetë vjet më parë. Janë dy dimensione, janë dy anë që ndërtojnë mesazhin: e para, vdekja duhet të varroset sepse ajo ekziston më të gjitha formatet; e dyta, mëkati i fshehjes së vrasjes dhe dita e gjykimit si përfundim nga pagjumësia.
Tre personazh në fatin e tyre. Sikur i vdekuri flet përmes Madèlenas. Përmes urdhërave të saj. Ajo kurrë nuk i shqitet bashkëshortit. Edhe dhjetë vjet pas vrasjes krim pasioni!
Panorama arkitektonike e qytetit dhe idila e një ndërtimi “tjetër”përmes një vrasjeje dhe fotografisë (“Fotografia e kolonelit”)
Hapësira e lartësia në një semantikë stilistike gjuhësore të rrallë e gjetur me mjeshtëri filigrani. Një gdhendje e përsosur e pamjes: “… gjethet e pemëve janë harlisur tashmë, gjer në atë masë sa për të lejuar depërtimin e dritës, pa i errësuar ballinat, ndërkohë që, në të gjithë pjesën tjetër të qytetit, qielli është gri si flokët e ndonjë gruaje të moshuar dhe ka ende dëborë të ngrirë ndanë trotuareve, fryn erë.” 3)
Rrëfimtari në veten e parë. Pjesmarrës. Sikur e vërteta bëhet edhe më reale duke pyetur edhe veten: “… Po të vrisnim mendjen për gjithë fatkeqësitë e njerëzimit, nuk do të jetonim tani. Gjithnjë ka fëmijë të therur, pleq të uritur, vejusha, jetimë, njerëz në grahma.” (f. 23)
Shëtitjet në ajër, shpërqendrimet në profesione të tjera dhe ngazëllimi në përshkrimet koncize dhe në detaje (“Këmbësori i ajrit”)
Pasi lexova faqen e parë (botimi shqip) të tregimit “Këmbësori i ajrit” mora anën e gazetarit dhe jo të rrëfimtarit. Pyetja bëhet për lexuesin edhe përgjigje. Siç thotë rrëfimtari edhe tradhti. Mua më ka ndodh si gazetar një gjë e tillë. Pesëmbëdhjetë vite më parë të heq dorë nga shkrimet për teatrin dhe të vazhdoj të shkruaj për filmin, për kinematografinë. Më saktë, të intervistoj kineastë dhe të “ikja” nga ata që kishin të bënin me teatrin, nga dramaturgët.Takimi i rrëfimtarit më të bijen dhe të shoqen është një hyrje dhe dalje nga pyetësori i gazetarit për “të humbur”, për të shmangur përgjigjen!
Dialogu flet për dëmshpërblimin e ëndrrës, për kundërbotën, për lugatin dhe besimin popullor, për hiçin, për ngazëllimin e parrëfyeshëm, për fotonët, për pikëllimin, për fluturimin, për kacavjerrjen etj.
Të jesh këmbësor i tokës dhe këmbësor i ajrit siç thotë rrëfimtari “dua të eci nëpër bar, dua të eci nëpër ajër, pa ndihmën e një mekanike artificiale” (f. 45), ku “akulli pasonte zjarrin, zjarri pasonte akullin në një shkretëtirë akulli dhe shkretëtirë zjarri” (f. 49) është lartësim hyjnor. Autori ka arritur kulmin e njohjes përmes thellësisë semantike te “profesionit”! Dyzimi si krahasim: kinematografia si vetlevizje e fotografisë dhe personazhi i këmbësorit nëpër ajër. Në tërë këtë tregim kemi përshkrime me një gjuhë brilante. Stilistikë e pasur.
Ligjërimi i mbyllur dhe fjalori i dendur e konciz i japin tregimit një shije artistike për rilexim. Gjithashtu rrëfime të tilla sjellin përherë universalen letrare përmes detajit përshkrues stilistik.
Ndërhyrja e policit dhe rikthimi i kujtesës për të arsyetuar skematizmin dramaturgjik të një vrasjeje (“Viktimë e detyrës”)
Përmes këtij rrëfimi “në kohëzgjatje të shkurtër” vihet në pah diktati, dhuna, frika dhe në fund pas një arratisjeje të çastit të Madelenës e cila “ishte zhdukur përgjithmonë” edhe akti i një vrasje me thikë që ishte “viktimë e detyrës”. Skematizmi përmes dialogut e përshkrimit poetik. Titulli në fund. Ky tregim është inskenuar në teatrin e Kuartit Latin (“Loja” f. 39) në vitin kur është shkruar, në vitin 1953.
Tjetërsimi i shoqërisë në përfytyrimin e banorëve si psikozë kolektive dhe citati i autorit përmes biografit Emmanuel Jacquart (“Rinoqeronti”)
Tregimi “Rinoqeronti” dhe pastaj si dramatizim që në fillime ka pas një histori “të ngjeshur”. 4)
Përditshmëri. Konflikti me mikun për rinoqerontin me një bri a dy brirë! Të jesh “ata” a vetvetja? “Ata” janë “të tjerët” a rinoqerontë? Personazh real me qendrime pragmatike, varësisht nga iluzioni i debatit. “Rinoqerontët lulëzojnë vetëm në përfytyrimet e zonjëzave. Janë mit, si disqet fluturues” dhe si “Psikozë kolektive … njëlloj si feja, që është opium i popujve!” (f. 63)
Një përshkrim thellësisht krahasues panteonik: “… Botari po e shitonte Dydarin me një vështrim si vetëtimë.” (65)
Vetvetiu ata kanë zënë vend në shoqëri. Statistikat sikur vijnë e bëhen thelbi i veprimtarisë së përditshme. Siç ndodh edhe sot nëpër disa institucione. Po cilësia? Po, vlera? Fajet mbeten jetim. Po dinamika e energjisë skenike?! 5)
Njerëzimi drejt të papriturës dhe iluzionit realist. Dhe në thelb “fotografitë e vjetra”. “… njeriu nuk duhet të vihet gjithnjë në ndjekje të zhvillimeve, duhet ta ruajë thelbin e vet të mirëfilltë. Duhet mbajtur, sidoqoftë, njëfarë drejtpeshimi; të ndryshojë, posi, por… të qëndrojë midis të ngjashmëve. Unë nuk i ngjaja në askujt dhe asgjëje, përveçse disa fotografive të vjetruara, që nuk kishin më lidhje me të gjallët.” (f. 73-74)
Pragmatizmi ekzistencial në periudha kalimtare dhe përsëritja e figurës së krahasimit në funksion të përshkrimit (“Bataku”)
Sikur “Bataku” është një vazhdim i tregimit “Rinoqeronti”, një monolog autobiografik për personalitetin “e moshuar”. Njeriu ka dilema. Përherë dhe në përditshmëri. Dhe në vazhdimësi. Këto ditë në kapërcim mes një viti shkollor dhe përfundimi të muajve të verës së nxehtë vjen thënia ekzistenciale dhe e domosdoshme, që vetëm shkrimtarët e mëdhenjë e thonë: “Gjithçka është e nevojshme, gjithçka është e tepruar. Duhej bërë një zgjedhje dosido, një zgjedhje dosido.” (f. 88)
Përmes figurës së krahasimit mbizotëruese në këtë tregim thellohet më tej përshkrimi: … kisha si një përgjumje … si dikush që nuk ka ndërruar këmishë… si gjymtyrët e një bretkose… më ngjante si jehonë e një flladi të lehtë… sabotonin njëri-tjetrin, si armiq të paepur… ca njolla ngjyra-ngjyra, si bulëza, si shi i përflakur… sikur e gëlltiste ndonjë humnerë e zezë… bashkë me vetë botën, si mes një oqeani errësire… si kufoma apo si rrangulla të panevojshme… si shkëmbinj pas zbaticës… si shkëndija të ngurtësuara… i zbrita shkallët si nëpër ëndërr… tundeshin si lavjerrësa… si ndonjë notar i keq… pashë ca si flakë tek lëpinin copa muri… etj.
Kujtime dhe vegime, ndërgjegj-ja e jetës dhe vdekja e kudondodhur, kur tashmë autorin e ka “zaptuar demoni i letërsisë” (“Pranverë 1939”)
Faqet e ditarit “Pranverë 1939” autori në nëntitull i emërton “Thërmokullat e kujtimit”. Një nga studiuesit e jetës dhe veprës së Ionesco-s Emmanuel Jacquart tek studimi i gjatë “Në kërkim të Ionesco-s” thotë: “Memoria, njëherë besnike njëherë mashtruese, e zbulon “të vërtetën”-të vërtetën e vet-në dritën e vet. Shkurt, kujtesa i ndalon ose i kalon, i zmadhon ose i zvogëlon gjërat. E këto janë gracka, të cilave nuk mund t’u ikën as Ionesco as interpretuesi i tij.” (“Loja”, f. 8)
Kur Ionesco shkruan “Pranverë 1939” gjendemi në ngritjen kulmore të fashizmit. Nga shtetet “e forta” pikërisht në këtë vit filluan pushtimet (?). Filloj Lufta e Dytë Botërore. Ky citat ndërlidh vitin 1939 me fundvitet 50-ta. “Çuditem, thotë ai në ditarin e vet, që çdo gjë e asaj kohe i ngjan pjesës sime Rinoqeronti. Pikërisht më këtë periudhë mund të shpjegohet krijimi i kësaj pjese. Duke shfletuar tash së voni faqet e ditarit nga ajo kohë, konstatova se të gjitha personazhet nga rrethi im asokohe i kisha quajtur rinoqëronte, gjë që e kisha harruar fare.” (“Loja”, f.24)
Në faqe 121 autori Ionesco thotë: “Dua t’ia dëshmoj vetes.” Një varg emblematik! Një thënie që vjen nga kohë të largëta! Një sentencë përjetësie! 6)
Autori në faqe 122 e 123 për herë të parë i përkushtuar drejt një shkrimtarie të formuar dhe kritike. “Trajtat groteske” tek “shajnitë groteske” vijnë e bëhen kredo studimi i shkrimtarit. Tashmë ka hyrë në përvojën e të kaluarës dhe njohjen e të ardhmes. Nga “kujtimet” tek “vegimet” dhe anasjelltas për një jetëshkrim mallëngjimi në vete.
“Pranverë 1939” mund ta quajmë “Kujtime dhe vegime”. Ndërgjegj-ja e jetës dhe vdekja e kudondodhur të cilën njeriu nuk e pranon. Shkallëzimi i filozofisë, i qenies. Ndërgjegjësimi?! Vdekja ?! Lufta?! Autorin e ka “zaptuar demoni i letërsisë.” (f. 128)
Tre aktet e fundit të ditarit: Ikja e xha Baptisti (f. 132), Lufta, thënia për vdekjen dhe oborri i Luigjit XIV (f. 133) dhe Shprehja e nënë dhe vegimet (f. 134) në gërshëtim triptiku i përsërijeve: Ngjyrat (f 113), Njëkohësisht (f. 129) dhe Vallëzimi (f. 134)…
Fundi? Epilogu i prologut: “Ç’mbetet prej një bote? Thërrmokulla kujtimesh si për një qenie të përveçme: të shkëputura prej saj, të huaja për brezat që vijnë: krahu i gjymtuar i një shtatoreje, ca parcelane; do të mësohen dy gjëra për oborrin e Luigjit XIV… për romantizmin… për veshtullën e galëve… figura pa ngjyra, pa shprehje, që mezi shkridhen nga oqeani i harresës. Pas disa shekujsh, Evropa do të jetë po aq e huaj për njerëzit sa edhe qytetërimet parakolumbiane.” (f. 133).
Analogji të veprës se Ionesco-n me botimin e “hershëm” të Çehovit (“Dueli”, 1974) dhe Heminguejit (“Dëborat e Kilimanxharos”, 1990)
Struktura e botimit të një libri ka vepra pararëndese edhe në shqip të autorëve të mëdhenj, si botimi i Çehovit dhe Hemiguejit: Librit me novela dhe tregime të Anton Çehovit “Dueli”, botimit në shqip (“Naim Frashëri”, Tiranë, 1974), ia “bashkangjesin” edhe autobiografinë “Jeta ime” dhe librit me tregime dhe novela të Ernest Heminuejit “Dëborat e Kilimanxharos”, botimit në shqip (“Naim Frashëri”, Tiranë, 1990), ia bashkangjesin edhe shënimet autobiografike “Një festë që e ke gjithnjë me vete”. “Së fundi” në kuadër të librit me tregime te Eugène Ionesco-s “Fotografia e kolonelit”, është edhe rrëfimi autobiografi “Pranverë 1939” një ndihmesë e vyer për pikëpamjet e përgjithshme të autorit, për qenien, kujmet dhe vegimet, për krijimtarinë dhe që në moshën e pjekurisë edhe për vdekjen.
Prandaj, para inskenimit të veprave autori Eugène Ionesco ka shkruar tregim në të cilat fjala ka një rrëfim në vete të mbyllur që lexuesi ta inskenoj nëdhe si përditshmëri, prandaj analogjitë edhe si citat në fusnotë mund të jenë tekanjoze. 7)
Qershor-korrik 2026, Prishtinë
1) Revista për teatër “Loja” ka dalur në pesë numra, me kryeredaktor Bekim Lumin. Numri 4 (2009) i kushtohet edhe Eugène Ionesco-s me disa studime, me një kronologji të shteruar të veprimtarisë së dramaturgut, me intervista dhe dramën komike “Mësimi”. Të gjitha citimet janë nga “Loja”, nr. 4.
2) Ionesco,Eugène “Fotografia e kolonelit”, Pika pa Sipërfaqe, 2026, Tiranë, f. 8
3) Ionesco,Eugène, Po aty f. 19 (Më tej në tekst numri i faqës së cituar)
4) “Rinoqeronti” në vitet e para të shkrimit (1957-1965) ka pas këtë rrjedhë: 1957 (shtator): publikohet tregim në Lettres Nouvelles; 1957: shkruan dramë; 1959 (9 nëntor): në Dyseldorf shfaqet me regji te Karl-Hajnc Shtruks; 1955: B.B.C. në Angli e emeton radiodramë; 1960 (22 janar): shfaqet në Odeon-Theatre de France me regji te Jean-Louis Barrault; 1960 (28 prill): në Toyal Court në Londër me regjizor Orson Welles e në rolin kryesot Lourence Olivier e Xhoan Plourajt; 1962: tregim tek “La photo du colonel”, Gallimard, Paris; 1964: shfaqet ne Teatrin Komik në Bukuresht dhe1965: Realizohet shfaqje për Televizion me regjizor Jean-Louis Barrault… (sipas “Loja”, nr. 4, 2009)
5) Në bisedë me regjizorin e teatrit Bekim Lumi (i cili kishte inskenuar sa ishte student në Tiranë “Mësimi” dhe “Këngëtarja tullace”dhe pastaj në Prishtinë “Mësimi” dhe një fragment të kësaj drame “Çifti Martin”) intervistë e cila u botua së fundi edhe në librin “Gjuha, letërsia dhe filmi”, për teatrin në përgjithësi thotë “Ngjashëm me jetën dinamike të njeriut në fillimshekullin 21, po aq dinamike dhe energjike është bërë edhe vetë hapësira skenike. Ajo nuk ia lejon më vetes “luksin” e vënies në skenë të një teksti në formën e një shfaqjeje, nëpërmjet së cilës publikut, para se gjuha e shenjave dhe e ideogrameve hieroglifike, krejt naivisht, madje shpesh duke e injoruar kapacitetin e tij emotiv dhe mendor, i transmetohet moria e ngjarjeve, e ndodhive të ndryshme. Ta reduktosh teatrin ekskluzivisht në leximin, interpretimin dhe inskenimin konvencional të një teksti apo në “transmisionin” fabulativ, gjë që në Kosovë ndodh pothuajse vazhdimisht, do të thotë të mos i njohësh apo t’i anashkalosh krejt çmendurisht mundësitë e shumta shprehëse dhe mrekullibërëse të teatrit.” “Gjuha, letërsia dhe filmi”, f. 147)
6) Nuk kam si mos të kujtoj një rrëfim të babait gjashtëdhjetë e shtatë vjet më parë: Babai i dëshmonte vetes duke mos i besuar as vëllait që e shoqëronte. Në fshatin Leshan, gjatë kthimit, pas lirimit nga burgu, si në ëndrrën e përtejme, kap shelgjen pranë lumit për të besuar dhe për t’i dëshmuar vetes së është i lirë, dhe se po kthehet në shtëpi!
7) Në fund me shkas thënia e Emmanuel Jasquart “Fjala nuk është i vetmi mjet, ajo është një nga mjetet e shprehjes dramaturgjike” vjen e bëhet kredo për një analogji me një vepër kinematografike dhe interpretimin e vetëm në film të tenorit të njohur Lukë Kaçaj në filmin “Përse bie kjo daulle”. Ai flet shumë pak. Si rrëfimtar i vetës dhe një urdhër në strukturën e filmit. Përmes këtij roli na është ngulitur pamja gjestikulative dhe “veprimi” në dasëm i personazhit të heshtur, malësorit. Figura e plakut të Kanunit…



