Kreu Kinematografi Enver S. Morina: Pas katërmbëdhjetë vite rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar

Enver S. Morina: Pas katërmbëdhjetë vite rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar

Në pesëdhjetë vjetorin e mbajtjes të Edicionit të Parë të Festivalit të Filmit Shqiptar

Filmat artistik më të mirë të 13 edicioneve të Festivalit të Filmit Shqiptar. Disa nga fituesit e kupës së karrierës. Me syrin e shikuesit nga Kosova, filmin shqiptar të periudhës së Kinostudios përherë e shihja si nostalgji në RTSH, në kornizën bardh e zi të një realiteti të panjohur…

Nga 3 deri me 12 shtator në Tiranë mbahet edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar. Kur një vepër artistike konkurron dhe vlerësohet  atëherë kemi arritur në një periudhë të lartësuar të historisë së rrjedhave të artit , në këtë rast atij kinematografik. Tetë festivale janë mbajtur në prill. Në tetor dhe nëntor dy. Në maj një. Edicioni i 14-të për herë të parë mbahet në muajin shtator. Vetëm në vitet 1978 e 1980 nuk është mbajtur asnjë festival nga tri të mundshmit: Festival i filmit artistik, dokumentar e të animuar. 18 edicione të festivaleve të filmit shqiptar janë mbajtur në periudhën 1976 deri në vitin 2012. Në periudhën e Kinostudios (1976-1991) janë mbajtur 14 edicione festivalesh dhe në periudhën e “demokracisë” dhe të QKK-së janë mbajtur vetëm katër (1995, 2000, 2006 e 2012) në të tri kategoritë: film artistik, film dokumentar dhe film i animuar.  Kësaj here shkruajmë vetëm për filmin artistik (interpretativ). Njëzet e tri vjet pas krijimit të filmit të parë interpretativ “Skënderbeu” (bashkëprodhim) dhe më pak se njëzet vjet pas filmave “Fëmijt e saj” dhe “Tana” mbahet Festivali i Parë i Filmit Shqiptar në të cilin konkurruan vetëm shtatë filmat (prej tyre katër bardh e zi) të gjithë të prodhuar në vitin 1975.

Kupa për filmin artistik më të mirë në 13-të edicionet e deritanishme

Festivali i Parë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar (5-11 prill 1976)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Në fillim të verës” (skenari: Peçi Dado e regjia: Gëzim Erebara) dhe “Beni ecën vetë” (skenari: Kiço Blushi e regjia Xhanfise Keko)

Festivali i Dytë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar (16-23 prill 1977)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Lulëkuqet mbi mure” (skenari: Petraq Qafezezi & Dhimitër Anagnosti e regjia: Dhimitër Anagnosti)

Festivali i Tretë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar (21–28 prill 1979)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Gjeneral gramafoni” (skenari: Vath Koreshi e regjia: Viktor Gjika)

Festivali i Katërt i Filmit Artistik dhe të Animuar Shqiptar (20-26 prill 1981)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Ballë për ballë” (skenari: Ismail Kadare e regjia: Kujtim Çashku & Piro Milkani)

 Festivali i Pestë i Filmit Artistik dhe të Animuar Shqiptar (19-23 prill 1983)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Njeriu i mirë” (skenari: Nexhati Tafa e regjia: Ibrahim Muçaj & Kristaq Mitro)

Festivali i Gjashtë i Filmit Artistik Shqiptar (1-5 tetor 1985)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Dora e ngrohtë           “ (skenari: Neshat Tozaj e regjia: Kujtim Çashku)

Festivali i Shtatë i Filmit Artistik Shqiptar (13-18 prill 1987)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Rrethimi i vogël” (skenari: Ruzhdi Pulaha e regjia: Saimir Kumbaro)

Festivali i Tetë i Filmit Artistik Shqiptar (18-22 prill 1989)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Pranvera s’erdhi vetëm” (skenari: Anisa Markarian&Remzi Lani e regjia: Piro Milkani)

Festivali i Nëntë i Filmit Artistik Shqiptar (12-17 nëntor 1991)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Balada e Kurbinit” (skenari: Vath Koreshi e regjia: Kujtim Çashku)

Festivali i Dhjetë i Filmit Artistik & të Animuar Shqiptar (10–13 maj 1995)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Zemra e nënës” (skenari: Nexhati Tafa e regjia: Besnik Bisha)

Për herë të parë në historinë e festivaleve të filmit, përveç çmimeve të mëparshme (kupat për filmin dhe aktorët më të mirë, çmimet e veçanta për përbërësit kryesorë filmikë etj.), në festivalin e 10-të, të vitit 1995, u dha edhe Kupa për karrierën: Dhimitër Anagnosti (Regjisori i karrierës së filmit artistik), Vlash Droboniku (Regjisori i karrierës së filmit të animuar) dhe Kadri Roshi  (Aktori i karrierës).

Festivali i Njëmbëdhjetë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar (23-27 prill 2000)

Jashtë konkurrimit u shfaq filmi nga Kosova: “Rojet e mjegullës” (regjisor Isa Qosja, prodhim i “Kosovafilm”, 1987).

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Kolonel Bunker” (skenari e regjia: Kujtim Çashku)

Kupa për personalitete të kinemasë, Kupa e karrierës: Kristaq Dhamo (Regjisori i karrierës së filmit artistik) dhe Sulejman Pitarka (Aktori i karrierës).

Festivali i Dymbëdhjetë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar (2-9 tetor 2006)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Kukumi” (skenari: Mehmet Kraja e Isa Qosja dhe regjia: Isa Qosja)

Çmim special për rolin më të mirë jo-protagonist: Faruk Begolli (në filmin “Etjet e Kosovës”).

Kupa për personalitete të kinemasë, Kupa e karrierës: Viktor Gjika (Regjisori i karrierës së filmit artistik) dhe Rikard Ljarja (Aktori i karrierës).

Një kujtim monumental, i ëndërruar për afër tri dekada që nga filmat e parë që i shihnim në ekran televiziv në fillimvitet e 70-ta në RTSH, me aktoren Tinka Kurti (i shoqëruar edhe me profesorin e letërsisë nga Prishtina, Bujar Tafa) në një nga mbrëmjet e prillit të vitit 2000.

Festivali i Trembëdhjetë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar (3-9 nëntor 2012)

Kupa për filmin artistik më të mirë: “Lindje-Perëndim-Lindje” (skenari e regjia: Gjergj Xhuvani)

Kupa për personalitete të kinemasë, Kupa e karrierës: Muharrem Fejzo (Regjisori i karrierës së filmit artistik).

Pjesëmarrës i tri edicioneve të fundit

Ne në Kosovë në disa rajone ishte periudhë të cilën TVSH-në e shihnim. Pak vite më parë filmat shqiptar shfaqeshin nëpër kinema dhe ambiente të hapura! Filmin e parë artistik shqiptar e kam parë në Kijevë në oborrin e shkollës në një mbrëmje verore rreth vitit 1972.

Edhe pse i harruar mund të jetë ky vit që të rikthehet në traditë! Në fund të dekatës së parë të shekullit XXI u themeluan shumë festivale filmi. Dy, tre mbijetuan! Rikthimi pas katërmbëdhjetë vite i Festivalit të Filmit Artistik Shqiptar në emërtimin Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar (Edicioni i 14-të)

Viti 2000. Muaji prill. Në Tiranë për herë të parë takoj kineastët e Kinostudios.

Nëse për 30 vite kishim “jetuar” me filmin shqiptar përmes RTSH-së, tash i “prekja” interpretuesit e qindra personazheve. 

Në vitin 2000 isha shikues dhe u bë shkas që të njihja dhe të takoja jo vetëm kineastë, viti 2006 isha gazetar korrespedent nga Tirana për Prishtinë  “e fundit” pas gjashtë vite (2012) isha në të njëjtin rol por për gazetën “Lajm”. Përherë e them se shikuesit në Kosovë e kanë parë filmin shqiptar si nostalgji, si histori e munguar, si realitet i ëndërruar me syrin e një “të huaji” që në një kohë të ardhshme të kuptoj “të vërtetën” e gjithë atij ingranazhi artistik për t’u admiruar a për t’u zhgënjyet më pas, dilemë e cila përcillet edhe në shekullin XXI!

Në dhjetë ditët e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar Tirana do të jetë më e zhurmshme për të dhënë më të mirën e vlerave të kinemasë shqiptare. Edhe pse pas 14 vite nga Festivali i fundit, kur është për mirë, nuk është vonë kurrë!

Prishtinë-Tiranë, fundgusht 2026

Exit mobile version