Kreu In memoriam Enver Kushi: Mirush Kabashi dhe letra e Anshtajnit për të bijën

Enver Kushi: Mirush Kabashi dhe letra e Anshtajnit për të bijën

Fillimdita e të martës së datës 5 dhjetor 2023 sikur erdhi me vonesë në Tiranë. Dukej sikur nata nuk donte ta lëshonte atë. Dhe kur ajo erdhi, qielli ishte gri, shumë gri dhe i ulët. Dukej sikur prej tij do të vinin kumte hidhërimi, ose lajme të dhimbshme. Dhe vërtet kështu ndodhi. Pas orës tetë në disa media televizive dhe rrjete sociale u dha lajmi i hidhur: Ishte shuar një nga aktorët e shquar të skenës dhe filmit shqiptar, Mirush Kabashi. Ishte nga ato lajme, që e ngrysin më shumë ditën, krijojnë një boshllëk të madh dhe ti ndjen në hapësirë mungesën e një njeriu dhe aktori të jashtzakonshëm, siç ishte Mirush Kabashi. Kam patur fatin ta njoh atë nga afër, jo vetëm se në filmin «Binarët» me regji të Muharrem Fejzos dhe skenarin tim, ai interpreton një nga rolet më të bukur, por edhe në shfaqjet e Teatrit Kombëtar, ose kur ka ardhur në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Nuk dua të ndalem në vlerat e rralla të tij si aktor, për të cilat është shkruar e do të shkruhet në të ardhmen. Shkrimin në formë letre, që po publikoj në gazetën «EXLIBRIS», «Një urim i vonuar për Mirush Kabashin», e kam shkruar në kapërcyellin e viteve 2017-2018. Mbaj mend, që e mora në telefon Mirushin për ta uruar për interpretimin e letrës së Ajnshtajnit, si dhe i lexova ato që kisha shkruar për të. Ai më falenderoi dhe më tha se kishte dëshirë të pinte një kafe me mua. Duke publikuar këtë letër, «EXLIBRIS» i bën homazh Mirush Kabashit, aktorit të madh.

Në pragndërrimin e viteve 2017-2018, në Tv Klan ishte ftuar aktori i madh Mirush Kabashi. Mendoj, se ishte një gjetje e duhur dhe e mençur, shumë e mençur, për të mbyllur vitin që lamë pas dhe për të nisur vitin e ri me ca mesazhe të mëdha për gjithë shqiptarët, kudo që janë. Aktori Mirush Kabashi, nuk interpretoi në këtë kapërcyell vitesh poezi apo fragment poeme dhe as ndonjë fragment drame e komedie, ose ndonjë monolog nga ato, që ai i ka për zemër. Ai solli para mijëra e mijëra telespektatorëve shqiptarë, një letër të jashtzakonshme, me një peshë të veçantë apo emocione që mund t’i japin qindra vargje, monologje, drama, tragjedi. Është letra e një prej gjenive të papërsëritshëm të shekullit të njëzetë, Ajnshtajn, shkruar për vajzën e tij dhe që u publikua gjashtëdhjetë vite më pas, mos gaboj, në vitin 2016.

Dhe ndërsa ndiqja interpretimin e shkëlqyer të Mirush Kabashit, solla ndër mend veprimtarinë skenike të tij. Ai i përket një brezi të shkëlqyer aktorësh të teatrit dhe filmit shqiptar me role që kanë mbetur të gjalla në kujtestën tonë. Fjala shqipe në interprettimin e Mirush Kabashit, ka peshën e rëndë të emocionit, herë si peshë e dhimbjes deri në skaj të dhimbjes dhe të lotit përtej lotit dhe herë-herë botën e madhe lirike. Interpretimi i tij ka shumë nga hapësirat e brigjeve të Durrësit, ku ai ka lindur dhe është madhuar, erërat e buta të Adriatikut, ëmbëlsinë e netëve me hënë mbi det, dallgëzimet e brendshme, gati vullkanike të thellësive të këtij deti. Interpretimi i tij ka dhe dramat, tragjeditë, dhimbjen dhe trimërinë e Kosovës, të rrënjëve të tij. Grekët e lashtë e të mençur, që i kanë dhënë kulturës botërore kryevepra në të gjitha fushat, veçmas Eskili, Euripidi, Sofokliu etj. etj. me tragjeditë e tyre u dhanë botës mesazhe universale, që u flasin kohërave, për reflektim, për të mirën dhe të keqen njerëzore, për luftën dhe paqen, si dhe katharsin, që do të thotë, përsosje shpirtërore, për të mos u përsëritur e keqja. Mirush Kabashi, ka vite e vite, që me fjalën e tij në skenën e teatrit, apo filma, është përpjekur të na bëjë më të mirë, më njerëzorë. Kujtoni një nga kryerolet dhe kryerealizimet e tij tronditëse, siç është ajo e Sokratit. Dhe ndërsa ndiqja letrën e Ajnshtajnit, mësazhet, që kjo letër u jep, njerëzimit, si dhe interpretimin brilant të aktorit Mirush Kabashi, ndjeva pranë shumë pranë dramat dhe dhimbjet e popullit tim. Kemi vite e vite, që notojmë çuditërisht në ca ujëra të turbullta dhe në ca hije, që errësojnë të ardhmen e shumëpritur dhe të shumëndërruar të shqiptarëve, për liri dhe demokraci. Në vendin tim ka shumë ankthe, ka shumë varfëri, ka shumë ëndrra të thyera. Rrallë shumë rrallë dëgjon zëra mirësie, për harmoni, dashuri mes njeri tjetrit. Dhe këto mesazhe vijnë vetëm në festa zyrtare fetare, apo nga ndonjë zë intelektuali idealist, apo shkrimtari e poeti, që jeton me idealizmën e kulluar, që duket si e dalë mode, në shoqërinë shqiptare të makutërisë për pushtet dhe fitime. Mirush Kabashi, me letrën e Ajnshtajnit, solli mesazhe të tjera për popullin, shqiptarët dhe politikën shqiptare. I dërgova menjëherë mesazh aktorit të madh, ku krahas urimit për Vitin e Ri dhe interpretimin e shkëlqyer të kësaj letre, i shruaja këto fjalë: “Do të dëshëroja, që interpretimin tuaj shqiptarët ta dëgjonin disa herë në ditë në mediat tona vizive, duke filluar që nesër, ku nis dita e Vitit të Ri”.

Tani, që ka nisur Viti i Ri, në këtë urim publik të vonuar për Mirush Kabashin, do të shtoja, se interpretimi i letrës së Ajnshtajnit, prej aktorit, le të jepet në çelje të seancave parlamentare, ose në radio të ndryshme. Kemi nevojë ne shqiptarët për mesazhet e letrës së Ajnshtajnit dhe për Mirush Kabashin, që na e solli aq mrekullisht këtë letër. Kemi nevojë ne shqiptarë edhe për mirësinë, dashurinë, apo mesazhet e mirëkuptimit, që na i kanë dhënë në shekuj, poetë, shkrimtarë, publicistë, filozofë e veçmas për mesazhet e rilindësve tanë, siç janë ato të engjëllit mbrojtës të shqiptarëve, Naim Frashëri. Haxhi Bektash Veliu (1248-1337), themeluesi i Bektashizmit, mes shumë thënieve të mënçura, ka edhe këtë: “Po të mbretëronte dashuria në botë, jeta nuk do të ishte me krime e padrejtësi”, ndërsa poeti i madh mistik, Junus Emre (1241-1320), me një varg emblematik shkruan: “Dashuria është misioni im”.

Mirush Kabashi, këto mesazhe na i solli në kapërcyellin e viteve 2017-2018.

Exit mobile version