Kreu Letërsi Shënime mbi libra Emil Lafe: Një botim i denjë i veprës së Anton Çettës

Emil Lafe: Një botim i denjë i veprës së Anton Çettës

Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta

Sivjet më 4 nëntor binte 30-vjetori i ndarjes nga jeta të Anton Çettës. Emri i tij i mirënjohur nuk ka nevojë të shoqërohet me fjalë të tjera. Kam pasur rastin fatlum ta njoh nga afër në maj 1978 gjatë qëndrimit tim të dytë në Kosovë sipas marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës. Për arsye të ndryshme kishim mbetur pa vajtur për atë vit akademik unë dhe profesori im Muzafer Xhaxhiu. Për prof. M. Xhaxhiun ishte vizita e parë në Kosovë. Ndërkaq ai kishte pritur e përcjellë një varg kolegësh nga Kosova dhe ishte i mirënjohur atje si profesor universiteti, si studiues i letërsisë dhe si poet. Meqë ishim vetëm dy dhe rrinim të shumtën e kohës së bashku, nderet që iu bënë atij nga kolegët, i përfitova edhe unë. Prof. M. Xhaxhiu kërkoi ta takonte Anton Çettën (jashtë programit të qëndrimit tonë) dhe shoqëruesit u morën vesh me të. Antoni na priti mirë e bukur në zyrën e tij te ndërtesa e vjetër e Institutit Albanologjik. Aty mora vesh se të dy kishin mësuar së bashku në Liceun Kombëtar (francez) të Korçës dhe pas luftës të dy kishin nisur studimet për romanistikë në Universitetin e Beogradit, por në vitin e tretë (1948) pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, M. Xhaxhiu i vijoi studimet në Universitetin e Moskës. Kishin shumë gjëra për të kujtuar e për t’i treguar njëri-tjetrit. Herë pas here me shumë dashamirësi më fusnin edhe mua në bisedën e tyre. Isha tetëmbëdhjetë vjet më i ri se ata dhe i dëgjoja me kërshëri të madhe për të njohur kohën e rinisë së tyre. Ndenjëm gati dy orë në zyrën e A. Çettës, shijuam edhe kafenë që e përgatiste vetë mjeshtërisht. Pas kësaj Anton Çetta ishte për mua një njeri shumë i afërt e i dashur. Figura e A. Çettës u bë legjendare gjatë Lëvizjes gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve në vitet 1990–1991. Sa herë e shikoja në ekranin e televizionit në mes të tubimeve popullore, më kujtohej takimi i parë me të. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta tridhjetë vjet më parë, më 4 nëntor 1995, na preku thellë të gjithë. Ishte 75 vjeç atëherë.

Gjatë një vizite në Institutin Albanologjik të Prishtinës para dy vjetësh erdhi rasti të tregoja njohjen time me Anton Çettën dhe më dhuruan bujarisht kompletin e veprave të tij (botuar më 2020), trembëdhjetë vëllime me një cilësi të admirueshme tipografike, një botim i denjë për një dijetar të shquar dhe për një njeri të rrallë. A. Çetta mbetet një mishërim i urtësisë dhe i vlerave shpirtërore të popullit të Kosovës, të cilin e njihte thellë në palcën e shpirtit. Në parathënien shkurtër të vëllimit të parë të veprave, prof. Hysen Matoshi, atëherë drejtor i Institutit Albanologjik, shkruan për të: “Gjatë punës në terren, i pajisur me zotësinë e ligjërimit alegorik popullor, që shfaqej në trajtë të meseleve, u drejtohej të pranishmëve në oda për të kërkuar miratimin e të folurit të lirshëm. Pleqtë e mençur anembanë Kosovës po ashtu me mesele ia kthenin përgjigjen dhe jo rrallë argatët e pushtetit viheshin në lojë me këtë lloj ligjërimi shpotitës e ironizues. Pra, kishte kujdes që të ruante, krahas materialit folklorik, edhe subjektin e tij.”

Anton Çetta i takon brezit të atyre që hodhën themelet e veprimtarisë shkencore albanologjike në Kosovë. Prandaj, siç vëren prof. H. Matoshi, ai pjesën më të madhe të veprimtarisë ia ka kushtuar themelimit dhe ngritjes së degës së folklorit në Institutin Albanologjik, mbledhjes së lëndës folklorike nga goja e popullit dhe përgatitjes së botimit të saj në blej të veçantë tematikë. Studimet hyrëse me rastin e botimit të këtyre blejve përbëjnë mbështetjen kryesore për studimet e mëtejshme në Kosovë në fushën e folkloristikës.

Prof. Leontina Gega-Musa, përgjegjëse e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik, ka shpjeguar më tej strukturën e këtij botimi prej 13 vëllimesh me 4856 faqe të formatit të madh gjithsej. Në vijim punimi i prof. Anton Nikë Berishës (f. 13–42) ndërton profilin shkencor të Anton Çettës dhe shtjellon vlerat dha arritjet shkencore të tij, duke trajtuar në sytha të veçantë veprimtarinë e tij për mbledhjen, botimin dhe studimin e letërsisë gojore, për trajtimin e saj si lëndë e programit universitar, për pajtimin e gjaqeve duke bindur palët se të falësh gjakun e të mbyllësh armiqësinë është më burrëri sesa të vijosh vrasjet. Ky punim është një hyrje studimore vërtet e thukët, por e gjithanshme për të trembëdhjetë vëllimet e Veprës së A. Çettës.

Duke ndjekur kronologjinë e botimeve, në vëllimin e parë janë përfshirë krijimet poetike të A. Çettës për fëmijë të botuara më 1955, 1989 ose të pabotuara (ff. 43–171). Me një gjuhë të thjeshtë, të rrjedhshme e të qartë ato përcjellin në mënyrë të përshtatshme për botën e fëmijëve mësime të dobishme për njohuritëreth natyrës e mjedisit shoqëror dhe sjelljen e mirë të tyre në familje e në shoqëri. Herë-herë A. Çetta ka shprehur në vargje edhe gojëdhëna e rrëfime popullore me vlera edukative. Vëllimet e tjera përmbajnë lëndën e gjerë folklorike të mbledhur me durim e me përkushtim shembullor, vit pas viti e katund më katund, nga prof. A. Çetta. Vëllimi i dytë “Përralla e gojëdhëna” (361 f.) përmban 113 përralla (mbizotërojnë përrallat e mbledhura në Drenicë) dhe 42 gojëdhëna; vëllimi i tretë “Kallëzime e përrallëza” (446 f.) përmban 260 kallëzime dhe 165 përrallëza, të gjitha shprehje e mençurisë dhe e përvojës së gjatë të popullit; vëllimi i katërt “Pleqni dhe tregime etnografike” (339 f.) përmban 158 pleqni dhe198 tregime, edhe këto shprehje e mençurisë dhe e mësimeve nga jeta. Këto vëllime i pati përgatitur dhe botuar më parë vetë A. Çetta. Vëllimi i pestë dhe i gjashti janë përgatitur për botim nga Fazli Syla, Sadri Fetiu dhe Jahir Ahmeti pas ndarjes nga jeta të prof. A. Çettës, me materialet e mbledhura prej tij. Vëllimi i pestë (371 f.) përmban 631 kallëzime të shkurtra të grupuara sipas temave: biseda të odës së burrave; mikpritja e mysafiri; puna e përtesa; dituria, mençuria, këshillat e pleqve, nderimi i pleqve; burrnia, përvoja, maturia, gruaja e mençur; mirësjellja, miqësia, nderi; drejtësia e padrejtësia, kâjtja, ryshfeti, vaji, puna me hile; mprehtësia, gjetunia; aftësia – kualiteti, paaftësia – jokualiteti; momenti ekonomik – varfëria, ndihma shoqërore; lojë fjalësh, biseda alegorike; trimëria, frika; ngutësia, hutimi, harresa, mendjemprehtësia; plangprishja, kursimi, kopracia. Vëllimi i gjashtë (392 f.) është vijim i vëllimit të pestë dhe përmban 666 kallëzime të tjera të asaj natyre të grupuara sipas temave: uria, etja, grykësia; duhani, kafja, rakia; prozhmimi, llafazanët, berberi; mirë – keq – keq e më keq; i keqi, mosmarrëveshja, egoizmi, pafytyrësia, hajnia; belbani, shurdhani, qorri, qeli; prindërit – fëmijët; çika, nuset, dhëndri, vjehrri, miqtë; burrë e grua, burrat me dy gra, mashtrimet bashkëshortore; pleqëria, sëmundja, vdekja, pamja; mburracaku; kokëfortësia; marria; rreziku, belaja, pajtimi, sherri, taksirati, kapadaillëku; zollumi; zmadhimi, rrena, mashtrimi, shitblerja; kotësia, zhgënjimi; administrata, burokracia; religjionet, rituali, kleri. Vëllimi i shtatë “Kërkime folklorike” (377 f.) përmban trajtesa, artikuj e referime shkencore të mbajtura në raste të ndryshme. Lënda është mjaft e larmishme. Ndër çështjet që kanë të bëjnë me prozën popullore, do të veçoja punimet “Për një ndarje më të plotë të prozës popullore dhe emërtimin e disa llojeve të saj”, “Mbi përrallat”, :”Fytyra e Skënderbeut në traditën popullore”, “Shtjefën Kostandin Gjeçovi”, kurse te çështjet që kanë të bëjnë me poezinë, punimet: “Disa të dhëna mbi zhvillimin struktural të baladës shqipe”, “Këngët e dasmës”, “Mbi vajtimet në përgjithësi”, “Ndikimi i folklorit në Lahutën e Malsisë”. Vëllimi i tetë “Balada dhe legjenda” (487 f.), i botuar më herët (1974), përmban 90 balada të grupuara sipas tematikës: sakrifica njerëzore – murimi; ngritja nga varri për të mbajtur besën e dhënë; dashuria e pafat; vrasja, vdekja apo lëngimi i dhëndrit në prag të martesës; rinjohja (burrë e grua, motër e vëlla, vëlla me vëlla, nip me dajë); vëllavrasja; tradhtia (e gruas, e nënës, e motrës); balada të ndryshme. Më tej vijojnë shtatë legjenda në vargje. Vëllimi i nëntë “Këngë kreshnike” (437 f.), i botuar më herët (1981), përmban 44 këngë të kësaj gjinie të letërsisë popullore, që pasurojnë ndjeshëm lëndën e botuar te “Visaret e Kombit” në Tiranë (1937–1944). Vëllimi i dhjetë “Materiale të ndryshme – Varia” (477 f.), siç e tregon vetë titulli, ka përmbajtje të larmishme dhe është përgatitur për botim nga Leontina Gega-Musa dhe Anton Nikë Berisha mbi bazën e blejve të botuar më herët dhe të një dosjeje dorëshkrim të lënë nga A. Çetta. Lënda është renditur sipas llojeve: Këngë të fëmijëve; Këngë dasme; Këngë; Vajtime, Gjamë, Elegji; Këngë kreshnike; Fjalë të urta; Urti popullore; Kashelasha; Enigma dhe probleme; Pyetj’e gjegje. Vëllimi i njëmbëdhjetë “Të tjerët për veprën e Anton Çettës” (258 f.) përmban vlerësime e analiza të punimeve të Anton Çettës nga kolegë e studiues të tjerë të letërsisë popullore. Lënda e vëllimit hapet me vlerësime të përgjithshme për veprimtarinë e A. Çettës dhe më tej vijojnë shkrimet për studime të tij rreth prozës dhe rreth poezisë gojore – gjithsej 36 autorë. Në këtë vëllim janë me interes edhe të dhënat për jetën e A. Çetës dhe për prejardhjen e familjes së tij të hulumtuara nga Lush Culaj dhe Labinot Berisha. Gjithë lënda e vëllimeve me materiale folklorike është mbledhur në Kosovë, në Maqedoni e në Malin e Zi nga vetë A. Çetta dhe bashkëpunëtorë të Institutit Albanologjik dhe studiues të tjerë të letërsisë popullore.

Vëllimi i dymbëdhjetë “Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve” (303 f.) përmban shkrime që flasin për Anton Çettën si veprimtar shoqëror unik në vitet e vështira 1990–1991 për Kosovën, kur nacionalizmi serb kishte marrë vrull të shfrenuar dhe përditë shënoheshin viktima nga radhët e demonstruesve shqiptarë, që kundërshtonin me guxim politikat shoviniste të Serbisë. Në atë kohë në Kosovë numëroheshin rreth 700 gjaqe dhe rreth 190 mijë njerëz jetonin të ngujuar (“Fjalor enciklopedik shqiptar”, Tiranë 2008, f. 40). Në këto rrethana një grup të rinjsh u bënë nismëtarë për lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, që u kthye shpejt në një aksion të madh shoqëror në mbarë Kosovën. Intelektualët e asaj kohe në Kosovë e mbështetën fuqishëm këtë aksion. Anton Çetta, me njohuritë e tij të gjera për traditat popullore dhe aftësitë si gojëtar sipas këtyre traditave, i cilësuar edhe si “ai që me lehtësi lexonte shpirtin e njeriut”, u vu shpejt në krye të aksionit dhe, i mbështetur edhe nga intelektualë të tjerë si M. Krasniqi, R. Kelmendi, Z. Cana, u bë një figurë e dashur e me ndikim të gjerë. Ishte i mirëpritur kudo në krye të tubimeve popullore prej mijëra vetash (siç e dëshmojnë edhe fotografitë e vëllimit), duke shëruar një plagë të rëndë shoqërore të trashëguar prej shekujsh, siç ishte gjakmarrja.

Prof. Anton Nikë Berisha te studimi i tij hyrës (vëll. I, f. 39), zbulon thelbin e aftësisë së veçantë të A. Çettës në këtë aksion, duke u shprehur se, për ta bindur një person që të falte gjakun, nuk mjaftonte vetëm qëllimi i mirë, por lypsej “një përkushtim, një çiltërsi e kthjelltësi shpirti, një maturi ndjenje dhe veprimi, një qëndrim njerëzor e burrëror, një mirësjellje shembull edhe për ata që falnin, edhe për ata që vranë e duhej të pranonin fajin dhe të shtrinin dorën e pajtimit.” Është për t’u shënuar me këtë rast që Kosova, me shumicë dërrmuese të popullsisë myslimane, nxjerr në krye të pajtimit të gjaqeve një profesor katolik. Vëllimi hapet me një shkrim të vetë A. Çettës “Lëvizja gjithëpopullore e pajtimit të gjaqeve 1990–1991”, që botohet për herë të parë. Më tej vijnë mbi 40 shkrime të që përshkruajnë, vlerësojnë, analizojnë veprimtarinë e A. Çettës në faza dhe në vende të ndryshme të aksionit. Në vëllim përfshihen edhe dhjetë vjersha, me frymëzim të thjeshtë, plot çiltërsi e ndjenjë, që i japin vlerën e merituar kësaj veprimtarie shoqërore e atdhetare të pashembullt të prof. Anton Çetës.

Vëllimi i trembëdhjetë “Intervista dhe letërkëmbime” (425 f.) plotëson njohjen e veprimtarisë studimore të A. Çettës dhe të profilit të tij si dijetar e si qytetar. Intervistat (në shtyp e në radio) janë për probleme të folkloristikës, të jetës shoqërore (sidomos për aksionin e faljes së gjaqeve), ndërsa letërkëmbimi. Në njërën nga intervistat mësojmë se në vitin 1989 A. Çetta kishte marrë dekoratën e lartë franceze “Palma e Artë”. Letrat (të dërguara e të marra) me personalitete shkencore të studimeve albanologjike e të kulturës shqiptare, si Krist Maloki, Birthe Traerup (etnologe daneze), Zihni Sako, Baki Ymeri, Vincenzo Santangelo, Zef Chiaramonte, Martin Camaj, Arshi Pipa, Qemal Haxhihasani, përveçse dëshmi e lidhjeve kolegjiale e miqësore, përmbajnë edhe të dhëna me vlerë historike për çështjet shkencore që diskutohen në to. Një album familjar prej 34 fotografish në fund të librit na njeh me A. Çettën, me familjarët dhe rrethin shoqëror të tij, që nga mosha shkollore e deri në vitet e mbrame.

Të gjitha vëllimet prihen me fjalë hyrëse, shumë të dobishme për lexuesin, të shkruara nga vetë autori A. Çetta (vëllimet II, III, IV, VII, VIII, IX) ose studiues të njohur të folklorit në Institutin Albanologjik, si Fazli Syla, Sadri Fetiu, Jahir Ahmeti, Hysen Matoshi, Leontina Gega-Musa, Anton Nikë Berisha, Arbnora Dushi, Agata Çetta).

Kolana ose Vargori (siç po quhet edhe shqip) nuk është thjesht një botim si peng nderimi ndaj një punëtori të fortë e të palodhur dhe një burri të shquar të kohës sonë. Vëllimet e këtij vargori përmbajnë një thesar të kulturës shpirtërore të popullit shqiptar dhe ofrojnë një lëndë të pasur e të larmishme për hulumtime të gjithanshme jo vetëm folkloristike, por edhe etnologjike në kuptimin e gjerë të fjalës dhe po ashtu edhe për kërkime gjuhësore në fushën e ligjërimit bisedor dhe të tregimtarisë popullore. Një shembull për këtë ka dhënë albanologu Max Lambertz për ligjërimin bisedor të Gjirokastrës (1959), por mund të thuhet se kjo fushë, ndonëse mjaft tërheqëse për lëndën e saj, ka mbetur pak e hulumtuar.

Vargori (le ta quajmë kështu) i Anton Çettës zë një vend nderi në bibliotekën e studimeve dhe botimeve albanologjke. Ai të krijon një ndjesi shumë të mirë për cilësinë e lartë të përgatitjes për botim, për renditjen dhe paraqitjen e lëndës, për kulturën gjuhësore të shkrimit dhe në fund edhe për përgatitjen teknike dhe cilësinë e lartë të shtypit. Për të gjitha këto grupi i studiuesve të Institutit Albanologjik që përballuan punën e mundimshme dhe realizuan botimin e Veprës së Anton Çettës, meriton përgëzimet më përzemërta.

Exit mobile version