Kreu Uncategorised Elsa Skënderi: “Të gjithë emrat” e Saramagos dhe letërsia në gjurmë të...

Elsa Skënderi: “Të gjithë emrat” e Saramagos dhe letërsia në gjurmë të një gruaje të humbur

Kam lexuar “Të gjithë emrat” e Saramagos përpara disa ditësh, por mbresat e leximit nuk më kanë lëshuar ende. Personazhi kryesor i romanit është Senhor José-ja (Zotëri Hoseja, që emrin e ka si vetë autori), i cili është në të pesëdhjetat dhe gjithë jetën e ka shkuar duke punuar në Arkivin Qendror të Zyrës Civile –  aty ku ruhen të gjithë emrat (e të gjithë njerëzve) në seksione të posaçme. Një seksion përmban emrat e atyre që kur vijnë e sa janë në jetë, ndërsa një seksion tjetër pasi ndahen nga jeta. Në këtë punë mekanike, që nuk mëton të kuptojë asgjë për çfarë kanë bërë këta njerëz në të gjallë, por veç të dokumentojë dy skajet e ekzistencës së tyre tokësore (lindjen dhe vdekjen), Senhor José-ja, përpos përpikërisë e përkushtimit ndaj institucionit hijerëndë e traditëhershëm të Gjendjes Civile, ka kultivuar edhe një pasion të veçantë për koleksionimin e ngjarjeve jetësore të njerëzve të famshëm.             

Ky pasion, i ngjashëm me dëshirën e disave për të hartuar antologji me njëqind poetët më të mirë, fjala bie, ka të bëjë me mbledhjen e vijueshme të lajmeve dhe të të rejave për figurat e famshme, të cilët ndonjëherë edhe vetë janë fare të paaftë për ta kuptuar se çfarë realisht i bën ata të famshëm për një farë kohe e më pak të famshëm gjatë një periudhe tjetër. Ylli i famës nuk shkëlqen përherë njësoj edhe dritën e luhatshme të këtij ylli, synon që ta hulumtojë Senhor Joséja, duke mbledhur e prerë lajme prej gazetave për personazhet e listës së tij. Ashtu nga anonimati i tij merret me këta njerëz që janë në qendër të vëmendjes së të gjithëve, ashtu, duke u marrë me të tjerët e çon jetën e tij.

Një ditë, bashkë me kartelat e regjistrimit në gjendjen civile, të disa të famshmëve, gabimisht José-ja merr edhe kartelën e një gruaje të panjohur. Diçka e pashpjegueshme ia turbullon shikimin dhe e trondit, kur vëren kartelën e saj. Pavarësisht mendimit të logjikshëm për të mos e përzierë këtë subjekt në hulumtimin e tij për të famshmit, ku kjo grua nuk mund të përfshihej tipologjikisht, prapëseprapë Senhor José-ja nuk i reziston tundimit për të mësuar më tepër rreth së panjohurës. Ngasja për kartelën e saj është e pashpjegueshme, po të kihet parasysh që Senhor José-ja kartela të tilla lindjeje e vdekje kalon nëpër duar çdo ditë gjatë punës. Por asnjëra nuk e ka çuar peshë si në këtë rast.

Kur më në fund ia doli të mbushej me frymë, u përkul e i mblodhi kartelat, një, dy, tre, katër, pesë, e pa dyshim kishte dhe një, gjashtë dhe teksa i ngrinte ua lexonte emrat, të gjithë të famshëm, përveç një emri. Nga nxitimi dhe acarimi nervor kartela e pavend kishte ngecur te kartela e parë, kartelat ishin aq të holla sa mezi e dalloje ndryshimin për nga trashësia. […] Kartela i përket një gruaje tridhjetëegjashtëvjeçare, të lindur në po atë qytet dhe përmban dy radhë, njëra për martesën dhe tjetra për divorcin. Duhet të ketë me qindra, në mos me mijëra kartela tilla në sistemin e indeksit, ndaj është e zorshme të kuptohet se pse Senhor José-ja po e këqyr me aq habi, në një mënyrë , shikim të parë, ngjan si e qëllimshme, por që është po ashtu e vagullt dhe me shqetësim, mbase ky është shikimi i dikujt që, pa bërë ndonjë zgjedhje të vetëdijshme, po e humbet kapjen pas diçkaje dhe i duhet ende të gjejë një vend tjetër për t’u mbajtur. […] Senhor José-ja e shikon dhe e shikon përsëri atë që është shkruar në kartë, shkrimi i dorës, afërmendsh, nuk është i tiji, është një shkrim dore stil i dikurshëm, fjalët që lexohen këtu i ka shkruar një tjetër nëpunës tridhjetegjashtë vite më parë, emrin e vajzës, emrat e prindërve të saj, të kumbarëve, datën dhe orën e lindjes, rrugën dhe numrin e apartamentit ku e ka parë dritën për herë të parë dhe ku ka ndjerë dhimbje për herë të parë, i njëjti fillim si i çdokujt tjetër, diferencat, të mëdha e të vogla, vijnë më vonë, disa prej atyre që vijnë në jetë bëhen hyrje në enciklopedi, në libra historie, në biografi, në katalogë, në manualë, në përmbledhje copëzash të prera nga gazeta, të tjerë, si të thuash, janë si një re që kalon pa lënë pas vetes asnjë gjurmë të kalimit të saj, dhe shi po të ketë rënë shi prej saj, as toka nuk do të ishte lagur. Si unë, mendoi Senhor José-ja. Kishte një komedinë plot me burra e gra për të cilët gazeta shkruante thuajse përditë, mbi tryezë ndodhej certifikata e lindjes së një njeriu të panjohur dhe, si të ishte duke i vënë në dy anët e një peshoreje, njëqind në këtë anë dhe një në anën tjetër, u habit që zbuloi se të gjithë ata bashkë nuk peshoni më tepër se kjo, njëqind ishin baras me një, që një kishte shumë më tepër vlerë se njëqind.”[1]

Që sapo subjekti i romanit zë të shtrohet, është e pamundur mos të të vijë ndër mend vepra e një tjetër nobelisti, e francezit, Patric Modiano, romani i mrekullueshëm “Dora Bruder”. Të dy librat flasin për rënien e rastësishme në gjurmët e ekzistencës së mezidukshme të një vajze, që ka humbur e duhet gjetur. Romani i Modiano-së nis kështu:

Para tetë vjetësh, në një gazetë të vjetër, Paris-Soir, të datës 31 dhjetor 1941, rashë faqen tre në një rubrikë: ‘ dje deri sot. Nën këtë rubrikë, lexova:

“PARIS

Kërkojmë një vajzë të re, Dora Bruder, 15 vjeçe, 1m55, fytyrë vezake, sy gri-kafe, xhup sportiv gri, pulovër vishnje, fund dhe kapele blu të thellë, atlete kafe. Kush di ndonjë gjë, të drejtohet tek Z. dhe Znj. Bruder, bulevardi Ornano nr. 41, Paris.”[2]

Dashur pa dashur, lexuesi që i njeh të dyja veprat në fjalë, hyn në rrugën e përqasjes së tyre. Portugezi Saramago shkëlqen në prozën e gjatë e të lëvruar, ku fjalitë rrokin njëra-tjetrën, pa shprehur formalisht se kujt i përkasin – rrëfimtarit, personazhit kryesor apo personazheve të tjera; dialogu është përftesë leximi, pa shenja dalluese. Modianoja, nga ana tjetër, është më i thukët, me fraza më të përkora dhe me një vëllim tekstual më të paktë (gjithë vepra është diku te 120 faqe). Megjithatë, të dy nobelistët kanë thurur dy romane me subjekte e motive të ngjashme.
Diçka e pashpjegueshme e krejtësisht irracionale e tërheq personazhin kryesor drejt gruas/vajzës për t’u gjetur.               

Rrëfimtari i “Dora Bruderit” e ka fort të njohur Bulevardin Ornano, të përmendur në njoftimin në gazetë. Në rininë e tij është ecejakur në lagjen e dikurshme të Dorës dhe prindërve të saj, duke e mbajtur si gjurmë në nënvetëdije ekzistencën e saj dhe përpjekjen për ta mbushur mungesën e saj. Në përpjekje për të mësuar më shumë për Dorën dhe fatin e saj, ai shkon në disa shkolla e kërkon regjistrat e atjeshëm. I duhen plot katër vite që të zbulojë ditëlindjen e saktë të Dorës. Mandej shkon në Gjendjen Civile. Atje mëson disa të dhëna më tepër. Dora është fëmija e një familjeje të varfër hebreje. Mëson për prindërit e saj, për jetën e tyre të skamur e për rrugët ku kanë banuar. “Themi me vete se të paktën vendet ruajnë njëfarë gjurme të lehtë të personave që i kanë banuar. Gjurmë: në dukje ose në boshësi. Për Ernest dhe Cecile Bruder, për Dorën do të them: në bosh. Sa herë jam gjendur në një vend ku kishin jetuar ata, kam ndjerë një përshtypje boshësie dhe mungese.” (f. 24).

Nga ana tjetër, Saramago te “Të gjithë emrat” e lë pa emër Gruan e Panjohur, deri në fund ajo për lexuesin mbetet e paquajtur, ndonëse Senhor José-ja, kalon nëpër duar një sërë dokumentesh identifikuese të saj. Që nga certifikata e lindjes, e deri te dëftesat sipas klasave, të cilat i gjen pasi i hyn punës pataksëse për të gjurmuar të dhëna në shkollën e saj të dikurshme. Meqë askush nuk do t’ia vinte në dispozicion këto të dhëna, Senhor José-ja, nën ethet për të rënë në gjurmët e Gruas së Panjohur, vendos që ta bastisë shkollën. Futet si ndonjë hajdut fare profan në godinën e saj, lëndohet paq gjatë kësaj sipërmarrjeje të çmendur e në fund e pas shumë peripecish, bie në gjurmët e dokumentacionit të pluhurosur rëndë, ku fotografitë e Gruas së Panjohur janë mbuluar me harresë. Pluhuri i harresës aty ngjan fort me pluhurin e harresës që ka zënë shtresa të trasha në seksionin e të vdekurve, në Gjendjen Civile, seksion, ku edhe nëpunësit, nëse hyjnë pa qenë të lidhur me të ashtuquajturin fillin e Arianës, humbasin e rrezikojnë të mos dalin më që andej.

Atmosfera hijerëndë e Zyrave Qendrore të Gjendjes Civile si dhe arkivi i shkollës, të përshkruara mjeshtërisht nga Saramagoja, bëjnë që ta ndjesh të njëjtën duhmë mbytëse, që Ismail Kadareja përshkruan te “Pallati i ëndrrave”. Ja që shkrimtarët e mëdhenj, të ngërthyer ose jo nga ankthi i ndikimit, për të cilin na flet Harold Bloom-i, sado që ngjajnë se iu përkasin ujdhesave letrare të ndryshme, përfundojnë duke konfiguruar simulacra të të njëjtit arketip.

Senhor José-ja ndjen presionin e një bote arkivore që duhet të funksionojë në përputhje me rregullat dhe autoritetin Suprem institucional shtetëror. Shtypëse është tradita e hija e shtetit. Ndërsa në rastin e veprës së Kadaresë, variacioni tematik kanalizohet te autoriteti kërcënues perandorak (në të vërtet, politik e diktatorial). Trysnia ajrit brenda Pallatit të Ëndrrave është njësoj shtypëse e njësoj e murrëtyer si brenda Arkivit të Gjendjes civile. Absurditeti i disa situatave, i ngjarjeve e personazheve është i përqasshëm, po ashtu. Qasja e tillë krahasimtare edhe mes këtyre dy veprave shpërfaq material të bollshëm për t’i ngopur orekset metodologjike të lexuesve të specializuar të letërsisë krahasuese.

***

Senhor José-ja në kërkimet e tij, del nga zhgualli i nëpunësit të bindur e korrekt, me një jetë të patëmetë, por në të vërtetë pa ngjarje, pa ngjyra e mbi të gjitha pa dashuri. E kërkon Gruan e Panjohur ankthshëm, si të ishte duke kërkuar kuptimin e ekzistencës së tyre, në mos dashurinë e jetës, megjithëse tani për të ishte vonë. Në një dialog me tavanin e dhomës Senhor José-ja përsiatet: “Analizë inteligjente, nuk jam budalla unë, Jo, nuk je, veç që të duhet si shumë kohë për t’i kapur gjërat, sidomos gjërat e thjeshta, Për shembull, Që nuk kishte arsye pse të viheshe e ta kërkoje këtë grua, përveçse, Përveçse çfarë, Përveçse nëse po e bëje nga dashuria. Vetëm një tavani mund t’i vijë një ide aq absurde, Besoj se ta kam thënë dhe në një rast tjetër që tavanet e shtëpive janë sytë e shumëfishtë të Zotit, Nuk e mbaj mend, Mund të mos e kem thënë fiks me këto fjalë, por po ta them tani, Tregomë atëherë si mundet ta dua një grua që as nuk e njihja e as nuk e kisha parë kurrë, Kjo është pyetje e mirë, nuk ka dyshim për këtë, por vetëm ti mund t’i përgjigjesh, Ideja s’ka këmbë ku të rrijë, Nuk ka rëndësi a ka këmbë a jo, po të flas për një pjesë krejt tjetër të anatomisë, për zemrën, për gjënë që njerëzit thonë se është motori dhe mbajtësja e afeksioneve, po ta përsëris që nuk ka mundësi të dua një grua që nuk e njihja, të cilën nuk e kisha parë kurrë, përpos në disa fotografi të vjetra, Ti doje që ta shihje, doje ta njihje dhe të pëlqen apo jo, kjo është dashuri, Këto janë imagjinimet e një tavani, Janë imagjinimet e tua, imagjinimet e një burri, jo të miat [….].

Pas shumë endjesh, Senhor Jose-ja merr vesh lajmin kobzi, se Gruaja e Panjohur, nuk jeton më. Pak kohë më parë ajo ka vrarë veten; pa pasur mundësi që José-ja ta gjejë, ta takojë, ta njohë nga afër e mbase ta shpëtojë me rëndësinë që ajo kishte për të (më shumë se njëqind njerëz të njohur), me dashurinë që ai kishte ndrydhur brenda vetes e s’e kishte materializuar kurrë.

Peripecitë e rënies në gjurmë të gruas së humbur t’i kujtojnë manovrimet e romanit të verdhë, me një dilemë a sekret për t’u zbuluar. Manovrime të tilla ka edhe te “Dora Bruderi”. Në kërkime për ekzistencën e saj rrëfimtari i Modianosë zbulon se Dora ka përfunduar e internuar në një kamp përqendrimi për hebrenjtë, bashkë me disa bashkëmoshatare të vetat. Më tej e kanë zhvendosur në kampin e Drancy-t, ku për fare pak kohë është takuar me të atin. Ka pasur mundësi të ikë prej andej, por s’ka dashur të largohet prej tij. “Që të dy, babë e bijë, e lanë kampin e Drancy 18 shtator, me një mijë burra e gra të tjerë, një dërgesë për Auschwitz. E ëma e Dorës, Cecile Bruder u arrestua […] u internua sërish në kampin e Dracy, më 1943 dhe u nis me dërgesën e 11 shkurtit 1943 për Auschwitz, pesë muaj pas të shoqit” (f.122-3).

Gjatë gjithë leximit të Dora Bruderit, në fyt të lidhet nyjë një trishtim i përzishëm, për kobin e humbjes në moshën 15-vjeçare, ende pa e nisur jetën, thjesht për shkak të origjinës si hebreje. Teksa rrëfimi ndalet sa te një regjistër të dhënash te një tjetër, sa te një listë të internuarish te një tjetër rrugë me gjurmë nga krimi monstruoz, në të vërtetë i tund gishtin e përgjegjësisë një civilizimi të tërë, që nuk e mposhti dot me kohë të keqen e holokaustit.

 Nga ana tjetër, te lexuesi lëshon rrënjë edhe një lloj tjetër trishtimi, mbushur me keqardhje, për një kërkim të vazhdueshëm e të pasosur për të cilin ngjan se rrëfimtari i Modianos përherë ka qenë gjysmë i vetëdijshëm. Përkimet në segmente rrugësh, në linja fati, kërkimi i vazhdueshëm për diçka që duket se mungon, për plotësimin e një zbrazëtie të thellë e të përhershme. Kërkimi për një Dorë për ta nxjerrë nga skëterra e humbjes.

Kërkimi në (pa)vetëdije, kërkim i vetes? 

Të kanë shpëtuar ndonjëherë? Ke shpëtuar dot ndokënd?

Ke mall për dikë që po e kërkon pa e ditur që po?

Po ti, Dora Bruderi e kujt je?

“Që atëherë, Parisi ku jam munduar të gjej gjurmët e saj, ka mbetur po aq i shkretë e i heshtur sa atë ditë. Eci mes rrugësh të shkreta. Për mua të tilla mbeten, edhe në mbrëmje, në orën e bllokimit të trafikut, kur njerëzit nxitojnë drejt hyrjeve të metrosë. Nuk mund të mos mendoj për dorën dhe të mos kem një jehonë të pranisë së saj në disa lagje. Një mbrëmje tjetër, kjo ishte fare pranë stacionit të Veriut” (f. 123).

***

Trishtimin e këtij lloji, të mbushur me keqardhje, lexuesi e përjeton edhe te romani i Saramagos. Një grua e re, 36-vjeçare, nuk u shpëtua dot nga dashuria, një nëpunës, i humbur në ngrehinën e kahmotshme të zyrës civile, nuk u shpëtua dot nga jeta. Senhor José-ja megjithatë, shkon edhe e gjen varrin e sapomihur të së ndjerës, në seksionin e vetëvrasjeve. E kalon natën aty. Një shenjë devocioni apo çmendurie? Tekefundit, një njeri që jetonte në kapërcyell të dokumentacionit për vdekjet e të gjithëve, çfarë droje do të kishte nga një varrezë natën. Të nesërmen gdhihet i rrethuar nga blegërimat e papritura të deleve. Ndërsa bariu i tyre i rrëfen thagmën e padëgjuar që bënte me shenjat dalluese të varreve, që mbanin emrat e të ndjerëve. I ndërronte këto shenja si t’ia kishte qejfi. Vinte emrin e dikujt mbi varrin e dikujt tjetër. Fundja të gjithë të vdekur e ishin, ç’rëndësi kishin emrat! Mbase këtu qëndron edhe zgjedhja e Saramagos për ta lënë të paemër, Gruan e Panjohur. Ajo përbën idealitetin romanesk për dashurinë, një rrugënajë e pashkelur, por fort e kërkuar.      

Senhor José-ja eci nëpër dhomat e tjera të apartamentit, që përbëhej nga një dhomë gjumi e mobiluar me divanet e zakonshme dhe një raft librash, zinte gjithë faqen e murit, një dhomë e vogël shërbente si studio, një kuzhinë e ngushtë dhe një tualet i vogël. Këtu jetonte një grua që kishte kryer vetëvrasje për arsye të panjohura, që ishte martuar e divorcuar, që mund të kishte shkuar të jetonte me prindërit e saj pas divorcit, por që kishte parapëlqyer të jetonte vetëm, një grua që, si të gjitha gratë, dikur ishte fëmijë e vajzë, por që edhe kur, në një mënyrë të caktuar të papërkufizueshme, ishte tashmë gruaja që kishte për t’u bërë, një mësuese matematike emri i së cilës, ndërsa ajo ishte gjallë ndodhej Arkivin Qendror, bashkë me emrat e të gjithë njerëzve të gjallë këtij qyteti, një grua emri i vdekur i së cilës u kthye në botën e të gjallëve, pasi Senhor José-ja shkoi që ta shpëtonte nga bota e të vdekurve, vetëm emrin e saj, jo atë vetë, një nëpunës vetëm aq mundet të bëjë. […] Atë çast ra telefoni. Ai nuk e kishte vënë re më parë, por ja ku ishte, mbi një tryezë të vogël në një cep, si një objekt i përdorur rrallë. U dëgjua sekretaria telefonike, një zë femëror tha numrin e telefonit, mandej shtoi, nuk jam në shtëpi për momentin, por ju lutem lini një mesazh pas sinjalit. Kushdo që kishte telefonuar e kishte mbyllur, disa njerëzve s’iu pëlqejnë të flasin me sekretarinë, ose në këtë rast mbase i kishin rënë numrit gabim, epo, nëse nuk e njeh zërin e sekretarisë telefonike nuk ka kuptim të lësh mesazh. Kjo ishte dashur t’i shpjegohej Senhor José-së, i cili kurrë në jetën e tij nuk kishte parë diçka të tillë nga afër, por me gjasë nuk do t’ua kishte vënë veshin shpjegimeve, është aq i trullosur nga ato pak fjalë që dëgjoi, nuk jam në shtëpi për momentin, por ju lutem lini një mesazh pas sinjalit, jo, nuk është në shtëpi, nuk ka për të qenë më kurrë në shtëpi, kishte mbetur vetëm zëri i saj, i rëndë, i mjegullt, si të ishte i shpërqendruar, a thua se ajo kishte qenë duke menduar diçka tjetër, teksa po bënte regjistrimin. Senhor José-ja tha, Mund t’i bien prapë, e duke ushqyer atë shpresë, nuk lëvizi nga divani edhe për nja një orë, errësira në shtëpi erdhi duke u bërë më e dendur e telefoni nuk ra më. Atëherë Senhor José-ja u ngrit, Duhet të shkoj, mërmëriti, por përpara se të largohej, i ra dhe një herë qark shtëpisë, shkoi në dhomën e gjumit, ku kishte më shumë dritë, u ul për një grimë në cep të krevatit, përsëri e përsëri i përshkoi me duar palën e sipërme, qëndisur të çarçafit, mandej hapi gardërobën ku ndodheshin fustanet e gruas që kishte thënë fjalët përfundimtare, Nuk jam në shtëpi. Ai u përkul drejt tyre derisa i ceku me fytyrë, aroma që lëshuan mund të përshkruhej si aroma e mungesës, ose ndoshta ishte ai parfumi i përzier i trëndafilit dhe krizantemës që ndonjëherë përhapet nëpër Arkivin Qendror. […] Asgjë në botë nuk ka kuptim, mërmëriti Senhor José-ja […]

Po çfarë ka rëndësi apo kuptim pas vdekjes?

A jeton njeriu i vdekur te të gjallët? Rrëfimtari i Saramagos thotë që po. Drejtori i Zyrës së Gjendjes Civile, një personazh enigmatik që të krijon përshtypjen se dhe vetë ka qenë në kërkim të gjurmëve të Gruas së Panjohur, në fund vendos që të mos ketë ndarje me thikë mes kartelave të jetës dhe të vdekjes. Ato do të qëndrojnë për të njëjtin njeri, në të njëjtin vend. Madje drejt Kështu, mbase, të vdekurit nuk do t’i mbulojë harresa!

***

Motivi i gruas që humbet dhe duhet rigjetur, është i njohur në letërsi, së paku që prej gjëmës së Helenës së Trojës. Haruki Murakami në “Kronikën e zogut kurdisës” vë rrëfimtarin e protagonistin, Toru Okada, të kërkojë të shoqen, Kumikon, që e ka braktisur. Po ashtu, Orhan Pamuku në “Librin e zi”, vë në kërkim të së shoqes, Ryjasë, personazhin kryesor Dalipin. Këtu gruaja është e njohur, së paku, ashtu mendojnë burrat që kanë jetuar me të. Por ajo është bërë tashme e paprekshme, e paarritshme. Konkrete është vetëm mungesa.

Ndërsa Saramagoja dhe Modianoja përvijojnë letërsinë e mallit e të trishtimit për gruan e panjohur, të humbur, por gjithmonë të pranishme, si jehonë përmallimi, gjurmë ekzistence në letërsi dhe më përtej në vetëdije dhe pavetëdije te lexuesi. Te ne vetë.

Te ne që lidhim një fill Ariane për kyçit të këmbës e hyjmë në arkivin e botëve letrare, bashkë me Senhor José-në, bashkë me Modianonë, bashkë me Murakamin, bashkë me Pamukun e vihemi në kërkim të asaj që e përfytyrojmë, të asaj që ia dëgjojmë jehonën e që ia ndjejmë praninë dhe që kaq shumë na mungon.


[1]  Fragmentet e shkëputura nga romani  “Të gjithë emrat” janë përkthyer nga anglishtja, nga Elsa Skënderi.

[2]  “Dora Bruder” është përkthyer në shqip nga frëngjishtja nga Urim Nerguti, (Botime Buzuku). Të gjitha fragmentet janë marrë nga ky botim.

Exit mobile version