Sherif Bundo, Dollia shqiptare, institucion shpirtëror i mikpritjes.
Monografi. “Mediaprint”, Tiranë 2024
Ky është botimi i dytë i këtij libri. Botimi i parë ka dalë para dy vitesh, në vitin 2023, por, me sa di, nuk ka ardhur në Kosovë. (Hapësira e përbashkët kulturore shqiptare, për të cilën flasim e shkruajmë tash 35 vjet, ende nuk funksionon sa e si duhet, aq sa mund të thuhet, duke lënë mënjanë frazeologjinë, se ne, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, në disa segmente, vazhdojmë të bëjmë jetë paralele).
Libri i profesor Sherifit, botimi që kemi para vetes, hapet me një parathënie të profesor Ethem Rukës dhe mbyllet me dy tekste në formë pasthënieje me autorë Naim Zoton dhe Agron Xhagollin.
Të tre këta autorë, secili në mënyrën e vet, flasin për vlerat dhe rëndësinë e këtij libri. Profesor Ruka, duke vlerësuar punën e kolegut të vet, e quan librin manual mbi dollinë si “kod shpirtëror të sofrës shqiptare”, duke shtuar se ky kod, si çdo kod tjetër në botë, ka rregullat e veta, ashtu siç ka edhe hierarkinë e vet, që nuk e cenon në asnjë rast nderin e të tjerëve. Publicisti Naim Zoto, që është edhe njëri nga redaktorët e librit, nënvizon se ky libër do të mbetet referencë e pashmangshme në studimet për institucionin e mikpritjes te shqiptarët (f. 305). Ndërkaq, studiuesi i folklorit, dr. Agron Xhagolli, duke e zbërthyer përmbajtjen e gjerë të këtij libri, thekson se ai përfshin të gjitha elementet e institucionit të dollisë, siç janë: dollibashi ose kryetari i sofrës, pritësi i dollisë ose sekretari, saku ose shefi i protokollit, pastaj ngritja e dollisë, numri i shëndeteve, shprehjet: “Të kam gjetur!” dhe “Të kam pritur!”, radha e dollive, bejtet që i shoqërojnë ato, duke dalluar dy lloje dollish, dollinë e vjetër ose tradicionale dhe dollinë e re ose moderne, të quajtura ndryshe edhe autoritare dhe liberale.
Që të tre autorët e përmendur e cilësojnë këtë libër si të veçantë, si për temën që trajton, ashtu edhe për mënyrën si e trajton atë. Tema tërheqëse, përmbajtja interesante, herë-herë edhe zbavitëse; koherenca metodologjike dhe shprehja elokuente, e bëjnë këtë vepër jo vetëm të veçantë, por edhe unike.
Duke mos dashur t’i përsëris ato që kanë thënë kolegët e mi, unë do t’i qasem këtij libri nga një aspekt tjetër, duke e vështruar në radhë të parë nga aspekti letrar. Në ç’kuptim?
Duke qenë pjesë e traditës shpirtërore të popullit shqiptar, fenomeni i dollisë është i pranishëm në letërsinë shqipe, sidomos në poezi, kurse libri i profesor Bundos, me gjuhën dhe stilin e tij, ngjan si të ishte shkruar nga ndonjëri nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë, edhe pse autori i tij është ekonomist me profesion. Atë që s’e kanë bërë etnografët dhe folkloristët tanë e ka bërë njeriu që ka specializim të vetin financat.
Por, para se të shkojmë te letërsia, të ndalemi pak te gjeneza e dollisë si fenomen etnokulturor dhe shtrirja gjeografike e këtij fenomeni.
Për mua nuk qe befasi libri për dollinë, sepse këtë libër pata kënaqësinë ta marr me dedikim nga autori në muajt e verës, por e pranoj se tre librat e tjerë, që më ranë në dorë në prag të festave të nëntorit, më befasuan jo pak. (Edhe pse kohë e shkurtër, gjatë këtyre ditëve arrita të lexoj pjesë edhe nga këto tri vepra, për të cilat do të flasin kolegët e mi).
I vura titullin Një monument i gjallë etnokulturor këtij shkrimi, sepse dollinë dhe vlerat tona të tjera identitare, nuk duhet t’i lëmë të vdesin.
Dollia hyn në rendin e vlerave me të cilat ne si komb mund të mburremi para botës. (Të tilla, për mendimin tim, janë edhe eposi, lahuta, polifonia, xhubleta, fustanella, Kanuni i Lekë Dukagjinit etj.). Riti i dollisë është traditë e lashtë, që nuk dihet ku dhe kur ka lindur. Autori shtron pyetjen: “Kush e shpiku dollinë dhe ku u shfaq ajo për herë të parë?” dhe përgjigjet: “Askush nuk mund të japë një përgjigje se kur dhe ku. Një gjë është e sigurtë se autori i saj mund të ketë qenë një skraparli, një përmetar, një mokrar, një lab, një mallakastriot, një piluriot, një himariot a ndonjë kolonjar. Ajo lindi, u laurua dhe u pasurua në sofrat e këtyre trevave”, për të ardhur në përfundim se dollia është fenomen i “Jugut të Shqipërisë”.
Konkluzioni është i drejtë, por jo edhe i plotë, sepse dollia haset edhe jashtë territorit të Shqipërisë si shtet: në viset shqiptare në Maqedoni, në Strugë, Prespë etj., në ato që i kanë takuar Vilajetit të Manastirit. (Unë jam rritur në një mjedis ku ekziston riti i dollisë dhe ende ruaj në kujtesë disa relikte të kësaj ceremonie, që, në kushtet e reja të jetës, të ndryshimeve rrënjësore socio-kulturore, po zhduket dhe stërkeqet).[1]
Profesor Bundo përmend diku (f. 215) “fshatrat e zonës së Resen-it (Maqedoni e Veriut”). Zona quhet Prespë e jo Resen. Edhe liqeni quhet i Prespës. “Resen-i” (shqip Resnjë) është qendra komunale, një qytezë pa asnjë rëndësi nga pikëpamja etnografike.[2] Fshatrat e Prespës janë vazhdim i Kolonjës, që kanë mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të ndarjes së tokave shqiptare në Konferencën e Londrës, ashtu siç mbeti edhe Kosova me vise këndej kufirit të ’13-s.
Sa i përket Kosovës, në Kosovë nuk njihet dollia, por Kosova e ka odën, odën e burrave si institucion, që ka luajtur rolin e një universiteti popullor në edukimin e njerëzve. Të themi, à propos, se janë bërë studime për odën dhe rolin e saj, por mungon një libër si ky i shkruar me stil letrar dhe shkencor njëkohësisht.
Dhe tani t’i kthehemi temës: raportit dollia-letërsia, por edhe vetë veprës, që paraqet një simbiozë letraro-shkencore. (“Për ta përjetuar emocionalisht dollinë, ajo duhet njohur”, f.18).
I pata shkruar autorit verën që shkoi një mesazh, në të cilin citoja një thënie që e konsideroj shumë të rëndësishme për dollinë dhe funksionin e saj. Tani kujtoj se është rasti ta them në mënyrë pak më të plotë.
Kur vdiq Fan Noli, në mars të vitit 1965, në mesin e shkrimtarëve që u prononcuan për këtë humbje të madhe, qe edhe Mitrush Kuteli. Duke vlerësuar lart personalitetin e Nolit dhe kontributin e tij të madh në fusha të ndryshme të jetës, Kuteli evokonte një kujtim që flet për respektin që gëzonte Noli në popull.
“Nga ky ballkon (nga ballkoni i ndërtesës atëherë më të lartë në Pogradec – A. V.) foli Fan Noli më 1923, një të enjte, ditë pazari. Pazari ishte plot me fshatarë të zbritur nga Mokra e të ardhur nga fusha. Edhe me vendas. Njerëzit e shikonin të habitur. Ç’është kjo punë? Fan Noli është despot. Despoti flet në kishë. Po ky i përmbys të gjitha. Flet nga ballkoni në mes të pazarit. Jo për çështje feje, po për punë politike. Godet me guxim të pashëmbullt sundonjësit, bejlerët. Flet për një Shqipëri të re, të vegjëlisë. Kështu e mbaj mënd për herë të parë, atë që kaloi si një meteor i ndritur nëpër errësirën e asaj kohe. Bota u nda më dysh: duallnë njerëz të shumtë që i thoshnin vetes ‘fanolistë’. Dhe këta shtoheshin dita ditës. Në Mokër filloi të pihet dollia për shëndet të Fan Nolit”.[3]
Fjalia e fundit: “Në Mokër filloi të pihet dollia për shëndet të Fan Nolit” është një thënie me domethënie të madhe së paku për tri arsye. Një, pse vjen nga një zonë që mund të quhet njëra nga vatrat e dollisë si traditë dhe si rit, nga zona e Mokrës; dy, pse i dedikohet njërës nga figurat më të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare, Fan Nolit dhe, e treta, ndoshta kryesorja në këtë rast, sepse shqiptohet nga një njohës i shkëlqyer i traditës shpirtërore shqiptare, Mitrush Kuteli, që e ka sublimuar në mënyrë mjeshtërore këtë traditë në veprën e tij letrare. (Mjafton të kujtojmë tregimin antologjik Fshati im e pi rakinë, të përkthyer dhe komentuar edhe në gjuhën frënge).[4]
Emri i Omar Khajamit dhe shqipëruesit të tij, Fan Nolit, dalin dendur në këtë libër, gjithnjë në funksion të kultit të verës dhe dollisë, por edhe të gëzimeve të jetës, gruas, dashurisë. Noli e futi fjalën dolli në katrenat e poetit të famshëm persian, të quajtura rubai. “Këndo natë e ditë e zbraz Dolli… / Se nesër vdekja vjen” etj. (f. 264).
Nuk mund të mungonte në një libër si ky, emri i dollibashit të poezisë së sotme shqipe, të themi kështu, poetit Dritëro Agolli. Dritëro si njeri dhe poet e njihte mirë traditën shqiptare të mikpritjes, pjesë e së cilës është arti i dollisë. Ai solli në poezinë shqipe figurën e heroit lirik, që pi raki me filxhan dhe ngre dolli për shëndetin e njerëzve, të bimëve dhe të kafshëve, por edhe për shpirtin e gjyshërve dhe për brezat që vijnë. Citohen strofa e vargje ku lartësohet miku dhe miqësia, pa lënë mënjanë as cilësinë e rakisë. “Unë pi me gotën plot raki Skrapari dhe raki Përmeti”, shprehet poeti, që kishte mësues shpirtërorë Bërnsin dhe Naimin. Bardi skocez Robert Bërns shkruante baladën për Xhon Kokërr Elbin, kurse poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, vjershën Ujët e bekuarë, ku thotë se vera dhe rakia janë bekuar nga Perëndia, prandaj: “Jakëni, shokë, të rrimë,/ Rreth druvezës’ e të pimë…”. (Shikoni sa larg është Naimi nga mendjet fanatike të kohës sonë).
Një poet tjetër i kësaj provenience, Xhevahir Spahiu, autor perlash poetike si Borxhet e mia dhe Kënga e dalldisur,[5] në një poezi tjetër me titull Letër xhaxhait tim Ali, shkruan: “Xhaxha,/ flas me ty si me një këngë të vjetër:/ A ke zier raki?/ Ke zier, patjetër./ Më dërgo me njeri një shishe, po munde: ballkazani,/ kuptohet./ Do ta pi me një frymë/ si të qeshë ezhdërhà – / dhe do them veç dy fjalë naimiane:/ Të paça, xhaxha!”.[6]
Fjala “të paça” ka një mori kuptimesh në gjuhën shqipe. Profesor Bundoja analizon në gati dy faqe tekst, ndjenjat, kuptimet dhe mesazhet (“një mal me mesazhe”, si thotë), që përmbledh kjo shprehje, e cila haset rrallë në ndonjë gjuhë tjetër të botës, ashtu sikurse edhe vetë mënyra dëshirore e foljes, të cilën ne, në të folurit tonë, nga dita në ditë po e amputojmë.[7]
I bindur se ky libër është me interes edhe për të huajt që interesohen për Shqipërinë dhe shqiptarët, autori ka bërë një version të shkurtuar të librit të tij në katër gjuhë: shqip, frëngjisht, anglisht dhe italisht, në funksion të përfshirjes së këtij thesari në trashëgiminë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.[8]
Ç’të themi tjetër?
Njeri që e karakterizon akribia e shkencëtarit dhe fantazia e shkrimtarit, Profesor Bundo me këtë libër i ka ngritur një lapidar dollisë, kurse me punën dhe veprën e tij në përgjithësi, një përmendore vetes. “Përmendorja e vetvetes ngrihet me mundime, por për çdo ditë dhe nga pak”, thuhet në esenë Traktat për mirënjohjen, me të cilin mbyllet libri me novela dhe ese Sepetet e gjyshes (f. 273).
Dhe në fund fare.
Po të ishim në vendlindjen e profesor Sherifit, në Përmet, por edhe në vendlindjen time, në Veleshtë dhe po të ishim rreth sofrës me raki e meze, ne do të ngrenim një dolli për shëndetin e autorit të këtij libri brilant, por edhe për librat e tjerë të tij, po ashtu me vlerë, me urimet më të mira për shëndet të plotë e jetë të gjatë dhe për punë të frytshme krijuese edhe në të ardhmen.
(Fjalë e mbajtur në prezantimin e librit Dollia shqiptare, institucion shpirtëror i mikpritjes,në Prishtinë, më 4 dhjetor 2025).
[1] Struga është zonë ku takohen dy kryedialektet: gegërishtja dhe toskërishtja. Është e kuptueshme që në fshatrat toske të jetë i pranishëm riti i dollisë, por ai nuk mungon as në katundet gege si Veleshta ime dhe fshatrat e tjera rreth Drinit të Zi, sepse afërsia gjeografike, kontaktet e përditshme dhe martesat e ndërsjella e kanë bërë të vetën.
[2] Besoj se kolegu dhe miku im profesor Sherifi në një botim të ardhshëm do ta korrigjojë këtë lëshim të vogël.
[3] Mitrush Kuteli, I falem kujtimit të Fan Nolit, në librin Ndër bashkëkohësit, Rilindja, Prishtinë 1968, f. 215.
[4] Klara Buda, La biographie littéraire de Mitrush Kuteli et traduction du récit “Mon village sait boire le raki”, Paris, 1997, 129 p.
[5] Xhevoja i ka bërë një i përkthim të shkëlqyer poezisë Fatalistët të poetit grek Varnalis.
[6] Xhevahir Spahiu, Rreziku, botim i dytë, Tiranë 2003, f. 26.
[7] Mënyrën dëshirore të foljes nuk e kanë as anglishtja e as frëngjishtja.
[8] Prof. Bundo e ka kryer punën e vet, tani e kanë radhën institucionet që të mos ndodhë edhe me dollinë si me lahutën, që na e grabitën të tjerët.
