Kur i lexon librat e Julian Barnes-it, e ke një vulë të garancisë për letërsi të mirë që në kopertinë: “Man Booker Prize”. Nëse një juri e atillë ia ka shquar atributet prej shkrimtari autorit, gjasat që të zhgënjehesh janë fare të pakta. Por përpos kësaj, Barnes-in, e kisha të njohur edhe më parë me veprën e mrekullueshme, mallëngjyese, tronditëse “E vetmja dashuri” (tri fjalët, me gjasë, më të zakonshme për ta përshkruar një roman që bën fjalë për një histori dashurie, por prapëseprapë të pamjaftueshme për ta përshkruar çfarë e bën të veçantë atë vepër dhe Barnes-in, po ashtu). Këtu nuk do të shkruaj për të, ndonëse i rikthehem shpesh dhe ende e ruaj ndjesinë që më ka hedhur rrënjë teksa e lexoja, veç po shtoj që është ndër titujt që i rendis shpesh për ata, që më kërkojnë sugjerime për lexim. Veç kësaj, Barnes-it i kam lexuar edhe “Zhurmën e kohës” dhe “Asgjë për t’u shqetësuar”, ky i fundit me një natyrë autobiografike që rreh çështje filozofike e ontologjike. Librat e Barnes-it në shqip kanë ardhur kryesisht nga Gjergj Erebara, i “Shtëpisë së librit”, ndërsa këtë fundjavë lexova “Enigma e një fundi”, të botuar nga “Pegi”, dhe të përkthyer më së miri nga Ilir I. Baçi.
“Enigma e një fundi” nis me një rrëfim për një histori gjimnazi, mes tre shokësh, të cilëve iu shtohet edhe një i katërt, Adriani, një i ri me një forcë brilante mendimi e arsyetimi. Njëri prej shokëve, Toni Uebster, edhe rrëfimtari në vetë të parë i romanit, në dukje i pasionuar pas historisë, rrëfen shkurt përpjekjet e të rinjve për t’u përgatitur për jetën, për kalimin te jeta e vërtetë, serioze prej të rrituri, në suazën e normave shoqërore të viteve ’60; rrekjen për ta kuptuar jetën duke e interpretuar atë përmes lenteve të drejtimeve filozofike; çdokush në rrjedha të jetës – mes forcave tërheqëse të Erosit dhe të Thanasosit.
“I donim shumë librat, seksin, meritokracinë, anarkinë. Të gjitha sistemet politike dhe shoqërore na dukeshin të korruptuara, megjithatë nuk pranonim të mendonim për asnjë alternativë tjetër përveç kaosit hedonist. Por Adriani na shtynte të besonim te aplikimi i filozofisë në jetë, te nocioni se veprimet duhet të udhëhiqeshin nga parimet.”
Toni krijon një lidhje dashurie me Veronikën, një vajzë për të cilën deri në fund të romanit, nuk e kuptojmë nëse ka një ndjenjë të megjithëmendtë dashurie. Intimiteti i tyre, në kufijtë e së pranueshmes dhe morales ndrydhej brenda shprehjes së kohës se “nuk është mirë” që akti seksual të ndodhë. Kësisoj vijon për një kohë lidhja e tyre, derisa gjithë ai akumulim dëshire, çlirohet herën e parë dhe të vetme që bëjnë dashuri. Mandej Toni e shkëput lidhjen me Veronikën. Pak kohë më vonë përmes një letre, nga shoku i tij Adriani mëson se ish- e dashura e tij tani ishte lidhur me të dhe se po ia shkruanin këtë letër, nënshkruar edhe nga Veronika, sa për ta vënë në dijeni.
E treguar kaq skematikisht linja e subjektit duket se s’ka asgjë të pangjarë e të padëgjuar në linjat e panumërta të letërsisë. Por në fakt, Barnes-i teksa shtron një histori të tillë të zakonshme rinore, zbrun çështjen e kuptimit të jetës, të kuptimit që ka të jetuarit, si proces aktiv, dilemën ekzistenciale që mund të shpjerë te vetëvrasja. Çfarë bëjnë njerëzit, jetojnë vërtet apo priren të ecin në rrjedha të parrezikshme, ku i përcjell jeta?
Rrëfimi për vitet e rinisë këputet dhe koha e tashme e rrëfimit të Toni Uebsterit është 40 vite më vonë, kur ky i fundit është martuar e divorcuar, ka një vajzë, me të cilën ka raport të mirë, është bërë gjysh dhe ia kujton vetes se kur njeriu mbërrin moshën e shtyrë “të mbetet vetëm të mos sëmuresh nga alzheimeri dhe të mos harrosh t’ia lësh të gjitha paratë që ke (fëmijës). Dhe të përpiqesh të bësh një punë më të mirë se prindërit e tu e të vdesësh atëherë kur të kesh aq para sa t’i bëjnë punë. Do të ishte një fillim i mbarë.” (130). Tani në moshën kur gjithë sa mundet të bëjë është të kujtojë, prapë me rrezikun se mos dhe kujtesa do ta gënjejë, i duhet të kujtojë për ngjarjen e dhimbshme të dyzet viteve më parë dhe të përballet me një rikthim të beftë të Adrianit dhe Veronikës në jetën e tij.
Adriani, në fakt që në të njëzetat ka vrarë veten. Veprim që Toni dhe dy shokët e tjerë, përpos keqardhjes, asokohe e zilepsin për përllogaritjen filozofike të veprimit(!), ndonëse nuk arrin ta kuptonin pse-në e një akti të tillë. Ndërsa, tani, pas 40 vjetësh e ëma e Veronikës, të cilën e ka takuar vetëm një herë, me testament i ka lënë Tonit trashëgimi një shumë parash dhe ditarin e Adrianit, të cilën ai përpiqet shumë ta shtijë në dorë. Por ky ditar ndodhet në duart e Veronikës. Për ta marrë ditarin Toni përpiqet ta kontaktojë të dashurën e vet të dikurshme dhe si përgjigje i vjen mbrapsht fotokopja e një letre të tmerrshme, denigruese, që ai ua kish nisur dikur Adrianit dhe Veronikës si përgjigje për letrën e tyre lajmëruese për lidhjen e re. Kujtesa e vet ia kish fshirë krejtësisht ekzistencën e asaj letre dhe të atij verbi përçmues e akuzues që kishte përdorur ndaj shokut të ngushtë dhe ish-të dashurës.
Jo thjesht ndjenja e fajit apo e turpit, por diçka më e përbindshme ngre krye te Toni, pendesa, “një ndjenjë më e koklavitur, më e thartuar, më kafshërore”. Dukej se kishte qenë pikërisht ajo letër e tij që e kishte çuar shokun e tij drejt vetëvrasjes. Dhe tani koha e kish sjellë që të ballafaqohej me Veronikën, duke u vetëdijesuar për mendjemadhësinë e vet arrongante. Toni në përpjekje për të kuptuar ngjarjet e së tashmes, shfaqet si njeriu që përpiqet të arsyetojë veprimet e veta, duke u brerë nga ndërgjegjja, për një faj të shkuar.
Faj që mbase (nuk) e ka bërë (kurrë).
Në ritakimet fjalëpakta me Veronikën, ajo e akuzon që s’ka kuptuar kurrë asgjë, ia rizgjon dilemën e përciptësisë gjatë një jete të tërë, pengun e mungesës së diçkaje të thellë, përnjëmend serioze – si filozofia që mëtonin në rini. Rropatet fort të kuptojë duke u përpjekur të kujtojë, derisa romanit i shtohet një personazh i ri. Një djalë – djali i Adrianit (gjë e dukshme prej ngjashmërisë fizike me të), tani një 40-vjeçar, me zhvillim mendor të prapambetur. Ndjenja e fajit ngre krye përsëri, pas kaq shumë kohe. “Por koha… koha së pari na mëson, pastaj na ngatërron”…
Veronika, të cilën gjatë herëve të para të ritakimeve, shpresoi edhe ta bënte përsëri për vete, e mbyllur në mërzinë e vet nuk po i rrëfente shumëçka. Ajo qartësisht e kish humbur durimin dhe tashmë gjërat nuk kishin më kuptim.
Vetëm një mbrëmje, nga një prej punonjësve socialë që kujdeseshin për djalin e Adrianit, Toni mëson se Veronika, e dashura e tij e dikurshme, mandej e dashura e Adrianit, atë djalë nuk e kishte të birin e vet, por vëlla!
Edhe më i tmerrshëm në jetë është mëkati. Ai fillestari. Që s’e kemi kryer kurrë, por prej të cilit ndjejmë faj dhe ankth ekzistencial.
“Dhe më erdhi në mendje një dallgë e shkumëzuar, e ndriçuar nga dritë e hënës, që shkonte nxitimthi kundre rrymës, që pas e ndiqnin me vrap duke ulëritur një tufë studentësh, drita elektrikëve të dorës së të cilëve kryqëzohej në errësirë.
Ka akumulim. Ka përgjegjësi. Dhe përtej këtyre, ka ankth. Ka shumë ankth”, kështu përfundon “Enigma e një fundi” e Barnes-it, duke i lënë të pambyllura një sërë dilemash, brenda- dhe jashtë-tekstore, për paratë e lëna trashëgim, për mërinë e Veronikës, për kuptimin që kanë a s’kanë pengjet e së shkuarës, për rolin vetjak në atë “zinxhirin e përgjegjësisë”, për rëndësinë që mbartin e bjerrin kujtimet tona, pasi në fund të ditës, siç Barnes-i thotë, “Kujtesa është ajo që mendonim se e kishim harruar”.
Kjo pra, është një tjetër vepër që trajton jetën në pikëtakime me vdekjen, me fundin, me pengjet e së shkuarës, me përpjekjen qesharake për të qenë serioz. Çfarëdo qasjeje të ketë secili prej nesh për këto nyja, Julian Barnes-i me mjeshtëri na bën edhe një herë ‘bashkëmendimtarë’ të tij, tek rreh çështjen e kohës, të kujtesës, të përgjegjësisë dhe të dashurisë në jetë, në rrëfimin e thukët, që nuk shpjegon shumëçka, nuk ka synim të sqarojë, ca më pak të moralizojë, por të të bëjë të mendohesh duke iu kthyer vetvetes dhe atyre nyjave që ti vetë i ke forca të gravitetit në jetë.