Kreu Letërsi Shënime mbi libra Eljon Doçe: “Dashunia asht”

Eljon Doçe: “Dashunia asht”

Sintaksa e shqipes do ta pranonte frazën dashunia asht si fjali të plotë, edhe pse tradicionalisht do të kërkonte që pas foljes asht fraza të kishte një përcaktor, rethanor a kundrinë, në mënyrë që ajo të jeptë idenë e plotënisë, pra: dashunia asht hyjnore, dashunia asht jetë, dashunia asht këtu etj.

E megjithatë mospërfundimi sintaksor i një fraze të tillë i çel të gjitha këto shtigje të mundshme kuptimore dhe na drejton më shumë te alternativat e leximit sesa te leximi i mbyllur.

E shqiptuar, kjo frazë mund të krijojë edhe ambiguitetin kuptimplotë dashunia asht, ku asht nuk është më folje por emri asht, duke krijuar kështu një metaforë emërore të fortë.

Ky kumt, njëherëzi pohimidashuria është (në kuptimin që ajo ekziston), si dhe sugjerimi që dashuria mund të jetë shumëçka dhe e kudondodhur në të njëjtën kohë, është edhe epiqendra semantike e veprës “Deti i Zi”, së Zejnullah Rrahmanit.

Zakonisht të shkruarit për dashurinë është kuptuar kryesisht si shkrim metonimik i tipit konkretja për abstrakten, pra shkruhet për dashurinë duke rrëfyer një histori, e cila merr përsipër të bëhet përfaqësuese e idesë: themi “Romeo dhe Zhuljeta” dhe nënkuptojmë një rrëfim për dashurinë, themi “Lartësi të shtuhishme” dhe nënkuptojmë përsëri një rrëfim për dashurinë, po ashtu me “Lulet e mollës”, “Ana Karenina”, “Zonja Bovari” etj. Pra rrëfejmë një histori konkrete për të nënkuptuar konceptin, abstrakten.

Rrëfimi i një historie, për të nënkuptuar një koncept, i lehtëson mjaft gjërat për lexuesin, dhe kështu ka ndodhur ngahera: në shkrimin e shenjtë Jezu Krishti, sa herë shihte që gjindja nuk ishte në gjendje ta ndiqte (më saktë, ta kuptonte) kur fliste për të mirën dhe të keqen, mëkatin dhe vyrtytin, Ai niste t’ua shpjegonte konceptet njerëzve duke u rrëfyer një histori, shëmbëlltyrë apo parabolë: shëmbëlltyra e djalit plangprishës, shëmbëlltyra e bujkut, shëmbëlltyra e deles së humbur, e dasmës etj.

Me sa duket, U. Eco ka të drejtë kur shprehjen e famshme aristoteliane që “njeriu është kafshë/qenie politike” e ka shndërruar në atë që në “jemi kafshë rrëfimtare”, pra që të rrëfejmë histori për ne është një funksion biologjik, që jemi krijesa që e kemi pjesë të qenies sonë që të rrëfejmë dhe të na rrëfehet.

Rrjedhimisht, çdo gjë për të cilën flitet, por që nuk flitet përmes rrëfimit të një historie, apo të një fabule, bëhet më e vështirë për t’u receptuar. Përmes rrëfimit të një historie deduktojmë atë që e quajmë “temë” apo “ide”, dhe ky është përgjithësisht shkrimi klasik.

Por mund të shkruajmë edhe në mënyrë të përkundërt: përmes diskursit për dashurinë të rindërtojmë historinë/rrëfimin dhe ky është shkrimi modern, i cili rreket të thyejë formantet e shkrimit klasik dhe të ndërtojë një rrëfim të ri, i cili në rastin e veprës sonë është një rrëfim për dashurinë.

Shkrimi klasik është relativish komod, na e kënaq pritshmërinë që kemi që një rrëfim/histori të nënkuptojë një ide; i dyti është sigurisht më sfidues, ai na e rrëzon këtë pritshmëri dhe kërkon që ne të ndërtojmë një diskurs për idenë, duke na kërkuar që të rindërtojmë rrëfimin/historinë, madje një histori, e cila do të ishte po aq e ndryshme sa lexues ka, por që të gjitha historitë të nisnin prej dashurisë dhe të mbërrinin po te ajo, si një një cikël kozmik krijimi dhe rikijimi.

“Deti i Zi” hyn ndër ato vepra që dukshëm e sfidon vetëdijen dhe pritshmëritë tona si lexues, dhe kjo ndodh përmes krijimit të një kodi të ri diskursiv, i cili fabulën e pritshme hipotetike, pikturën e madhe dhe të plotë, e shpërbën në qindra copëza, disa më të mëdha, disa më të vogla e të tjera krejt të vogla. Pastaj këto copëza i përzien dhe ngatërron duke rindërtuar një imazh të ri, një mozaik rrëfimesh, i cili i mbart gjurmët e pamjes së dikurshme, por që qartazi tashmë ka krijuar një imazh krejt të ri.

Së pari, qysh në titull, kjo vepër, në dukje nuk apelon dhe as çon kah dashuria.

Togëfjalëshit “det i zi”, nuk duket të jetë një asociim i zakonshëm me dashurinë sepse mungojnë kodet klasike të cilat do të mund të krijonin idenë se një vepër që mban një titull të tillë flet, në fakt, për dashurinë, dhe madje vetëm për dashurinë.

Të thuash “Romeo dhe Zhuljeta”, të jep menjëherë idenë e dy subjekteve që mund të kenë lidhje me dashurinë; “Lartësi të stuhishme” gjithsesi të çon te ideja e tensionit që ti pret të gjesh në një vepër me këtë titull; Zonja Bovari apo Ana Karenina, sidoqoftë të çojnë drejt subjektesh femërore dhe mund të ndërtosh disa pritshmëri paraprake se çfarë mund të gjesh gjatë leximit.

Në titullin “Deti i Zi” asocimi i parë është lloj toponimi, madje një hidronim: “Deti i Zi”. Nga ana tjetër, edhe në nivel figurativ, togëfjalëshi “det i zi” sjell ndërmend një metaforë që mund të të çojë në metafora të tipit “det i zi mendimesh”, “det i zi fjalësh” etj.

Mirëpo autori e ka nisur punën e tij për të rindërtuar traditën, klasiken, pra të njohurën, që në titull.

Metafora që “deti i zi” krijon është krejt e re, “deti i zi” është një kozmos i tërë, e gjithë ekzistenca, plotëni, dhe ashtu siç e zeza është tërësia e të gjitha ngjyrave, e të gjithë spektrit të dukshëm të dritës, ashtu edhe kjo metaforë përmbledh, në një togëfjalësh të vetëm, gjithë spektrin e shfaqjes së dashurisë.

Në frontespic, nën titullin e veprës, shënohet “tregime”.

Sigurisht që autori edhe këtu ka luajtur me pritshmëritë.

A është ky një libër me tregime?

Po, është.

Por a mund të konsiderohet saktësisht ky vetëm si libër me tregime?

Sigurisht që jo dhe qartësisht në tekst shquhen gjurmët që të sugjerojnë që je, në fakt, duke lexuar minimalisht një roman dhe, pse jo, një roman-enciklopedi, kushtuar dashurisë.

 A është, nga ana tjetër, një vepër e tillë, eksperimentale, me gjithë këto tipare dhe thyerje të kanoneve krijese?

Jo, diskursi kërkon trajta të reja shprehëse, por vepra nuk vjen si eksperiment, më tepër sesa si një shkrim i stabilizuar, krejt i mirëmenduar dhe që tenton të jetë klasik, edhe pse klasiken e ka sfiduar haptazi.

Subjektet/personazhet e emërtuara thjesht përmes përemrave vetorë “Ai” dhe “Ajo”, janë në një dialog të pandalshëm me njëri-tjetërin. Ata i rrëfejnë njëri-tjetrit dhe të dy bashkë na rrëfejnë neve si lexues, përvojën e tyre, të shkuarën, ëndrrat, frikën dhe dëshirën për të qenë bashkë në përjetësi, edhe pas vdekjes.

Anonimiteti i identiteteve të tyre të çon kah uhiversalja: ata mund të jenë gjithkush prej nesh.

Disa personazhe, më saktë copëza identitetesh, migrojnë nga një tregim në tjetrin dhe kjo automatikisht të krijon idenë e fijeve që lidhin pjesët në një të tërë, si një rrëfim i madh.

Mund të lexohet lehtësisht si përmbledhje me prozë, ashtu siç ka edhe përshkrimin në frontespic, por mund të lexohet edhe si një roman, plotësisht si një roman, jo i zakonshëm natyrisht, por ka një seri konstantesh që i bashkojnë të gjitha pjesët si p.sh. frekuenca absolute e leksemës dashuri, e cila shpërfaqet në simbole nga më të ndryshemet si venusi, rrezja e diellit, guri i rubinit, zjarri, hëna etj.

Ka rrëfim/diskurs por jo fabul, në kuptimin tradicional të tipit “për çfarë flet kjo vepër?”.

Forma poetike është mjaft e larmishme: ka novela, tregime të shkurtra, miniatura, disa trajta diskurive përsiatëse që shëmbëllejnë me esenë e deri në trajtat më të thukëta diskurisve siç janë trajtat poetike aforistike.

Gjinia është përsëri interesante, pasi ka trajtat e prozës poetike: në thelb lexohet si roman, por ndjehet si një poemë e gjatë.

Nga pikëpamja e sintaksës së pjesëve, mund të shënojmë që pjesa “Trego historinë tonë” që është njësia apo tregimi i fundit, fare mirë mund të ishte edhe tregimi që do mund ta çelte këtë libër, të cilin mund ta lexosh nga fillimi në fund, nga fundi në fillim, mund ta rindërtosh duke i rivendosur pjesët në një rend të ri dhe përsëri të lexosh të njëjtën vepër, për të njëjtën gjë, për dashurinë, por të përjetosh gjithnjë diçka të ndryshme.

Ne të gjitha rastet apo llojet e leximit, vepra tenton që të gjithë mozaikun ta rregullojë që ai të funksionojë si një e tërë.

Rrëfimi në veprën “Deti i Zi”, është një rrëfim universal për subjektet Ai dhe Ajo, po aq sa është edhe një rrëfim personal dhe i lokalizuar, pasi vazhdimisht shihen gjurmë të Prishtinës, Universitetit, orëve të mësimit etj. Ky rrëfim më shumë se na flet për një histori që e ka shkruar dikush jashtë nesh, është një ftesë që, përmes saj, ne të tregojmë historinë tonë për dashurinë si një forcë universale e ekzistencës që është e shkrirë kudo.

Janë qindra copëza të historive të ndryshme të bëra bashkë në një rrëfim të madh ose një histori e vetme e treguar në qindra copëza. Janë jehona të historive që kanë ndodhur, që janë përjetuar, ëndërruar.

Në fund të rrëfimit, pohimit se dashunia asht, autori i shton edhe porosinë trego historinë tonë, çka, në fakt, është edhe qëllimi i çdo shkrimtari, por ndoshta jo vetëm i çdo shkrimtari.

Në thelb, duket se kjo porosi është qëllimi i krejt ekzistencës sonë si “kafshë rrëfimtare”: të tregojmë historinë tonë, që dikur kemi qenë këtu prej, dhe për hir, të dashurisë. 

Exit mobile version