Kreu Letërsi Bibliotekë “Eksperienca shqisore” nga Arshi Pipa

“Eksperienca shqisore” nga Arshi Pipa

Mendimi është veprimtaria vetjake e trurit njerëzor. Vetëm njeriu është i pajisur me mendimin, edhe pse kafshët superiore kanë një tru i cili, në dukje, pak ndryshon nga ai njerëzor. Por indi nervor që përbën trurin duhet të jetë i përbërë nga qeliza nervore të një cilësie shumë të mirë: ndryshimet e funksionimit të dy truve, njerëzor dhe shtazor, nuk mund të mos jenë bazuar, në përgjithësi, në ndryshimet e tyre strukturore. Edhe vetë truri njerëzor paraqet një ndryshim strukture në pjesët e veta përbërëse: korja e trurit, ku janë përqendruar veprimtaritë më të larta të shpirtit, ua kalon pjesëve të tjera në përsosmëri strukturore.
Qeliza nervore është një ind si çdo ind tjetër trupor, muskulor, kockor etj. Ajo nuk gjendet në ato forma të ulëta jete, të cilave u mungon ndërgjegjja: bimët nuk janë të pajisura me to dhe as format më të ulëta që përbëjnë kalimin nga jeta vegjetative tek ajo shtazore. Ai që është thelbësor për çdo kafshë, është indi muskulor, domethënë ai ind që është paracaktuar për lëvizjen, kusht i presupozuar për çdo jetë shtazore. Indet e tjera janë vetëm transformime dhe zhvillime të këtij indi zanafillor. Një shembull është gjethi, organ zanafillor i bimës, nga i cili kanë lindur organet e tjera të saj. Sa më e përparuar të jetë lëvizshmëria e jetës, sa më i shpejtë të jetë ritmi i saj, sa më i shkathët aktiviteti i saj, aq më të përparuara do të jenë indet e tjera. Kështu shohim që vertebrorët kanë një sistem kockor, mbi të cilin janë vendosur fort muskujt. Dhe shohim që muskujt janë të përshkuar gjithkund nga një rrjetë e ndërlikuar nervore, me anë të së cilës ata mund ta shpenzojnë energjinë e përmbyllur në to me përfitim më të madh. Dhe shpjegohet kështu pse sistemi nervor është një vazhdimësi shqisore-motore: nervat centripete dërgojnë tek ai central, që është qendra nervore, mesazhet nga jashtë, ndërsa nervat centrifugale dërgojnë te muskujt përgjigjet e trurit, për të bërë veprimet ose për t’i shmangur ato, sipas dobisë ose jo të organizmit.
Që ndërgjegjja është ko-ekstensive me sistemin nervor, kjo është e qartë dhe nuk ka nevojë për demonstrim. Ajo që është e diskutueshme, është nëse dy termat janë ose jo të barasvlershëm, cili nga të dy është fillimi dhe cili rrjedhimi. Problemi i parë është ai metafizik i shpirtit, i dyti ai gnoseologjik i njohjes.
Materializmi, ndërsa mohon çdo princip tjetër që nuk është material, e mbyll çështjen duke e zgjidhur shpirtin tek trupi. Por, mbasi e ka pohuar këtë barasvlershmëri, për të qenë konsekuent, nuk mund të mos e shtyjë logjikën e barasvlershmërisë deri në ekstremin e saj; ai do të mohojë kështu që ndërgjegjja është diçka e ndryshme nga organi në të cilin qëndron dhe do të pohojë me guxim se qeliza nervore s’është tjetër, veçse ndërgjegje e organizuar. Ky është një hap me të vërtetë tepër i fortë. Por është shtyrë te një hipotezë e tillë radikale nga fakti se gnoseologjia, sado që mundohet ta shpjegojë njohjen, nuk arrin një rezultat krejt të kënaqshëm kur niset nga premisa se uni im tjetër, nëse nuk thjeshtësohet plotësisht tek uni (idealizmi), nuk mund të thithet asnjëherë plotësisht nga mendimi, prandaj mbetet një “kuid” i pashpjegueshëm, i paarritshëm për mendimin logjik. Edhe po të arrihet, me një mundim tepër të madh, që të përputhet realiteti me mendimin, duke e bërë këtë të fundit një kopje besnike të realitetit (spiritualizmi), agnosticizmi nuk eliminohet, vetëm se ndryshon vendqëndrim, duke kaluar nga objekti te vetë subjekti, nga bota te mendimi.

Exit mobile version