Kreu Letërsi Bibliotekë “E kuqja e vdekjes”, poezi nga Katina Vlachou

“E kuqja e vdekjes”, poezi nga Katina Vlachou

Katina Vlachou

në shqip nga Dashamir Malo

Katina Vachou lindi në Kerkira, Greqi. Studioi për arkitekturë në Francë. Punoi në Mynih, Athinë dhe në Kerkira, ku edhe jeton qysh prej vitit 1988. Ka shkruar shtatë libra në prozë, tregime, romane dhe publicistikë. Ka botur katër vellime me poezi.
Prozë, poezi dhe shkrime të ndryshme të saj, janë publikuar në revista letrare, në gazeta, antologji, përmbledhje botimesh te ndyshme dhe portale letrare elektronike. Për lexuesin shqiptar Katina Vlahu është e njohur me dy botime, librin me tregime Dashuri e papërfunduar (Dituria 2012) dhe romanin Fijet (Neraida 2013).

Katina ka qënë gjithashtu dy herë pjesëmarrëse në Takimet Poetike Ndërkombëtare, që organizon Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë.


TË DASHURISË

Embëlsia e votanit të dashurisë
që shëron të pashërueshmen
Si ujë i freskët
që pastron papastërtitë
Si ylber
ngjyros terrin
Si gur i çmuar
ndriçon si dhuratë dhe dhunti
që ndreq gabimet 
dhe shenjtëron pasionet

Dashuria që kërkon minimumin
dhe merr maksimumin

Forca e përzishme e dashurisë
e dashurisë përulësia e frymës së shenjtë
e dashurisë e mira e barabartë me zotin
e dashurisë shpresa e epërme
e dashurisë dituria modeste

Të vërtetës së dashurisë i përulem
Dritës së dashurisë i dorëzohem.


LIRIA

Dëgjohet zhurma e hapave mbi kalldrëm
Breshëri të kohës që vrasin lirinë
Sapo vi, ti ikën
Por të pashë 
lamë të mbash në dorë plot ankth

E kuqja e vdekjes
lotë nga gjaku
ku hodhe pakujdesisht vështrimin

Tani pse qan?
E përjetuam mrekullinë si paracaktim
Dhe kur dielli ishte duke perënduar
dituria e skajme sofizëm dhe gënjeshtër
dakortësia
Na rrëmbeu nga duart shqytën
dhe futi në shpirtin tonë bisturinë

Mos qaj tani
Kushedi, Liria
ndoshta për diku gjetkë të ketë vënë plorin
 historia


IFIGJENIA

Vajzë e vogël bukuroshe

-pothuajse fëmijë –
prej gjaku pronësi e pakujdesur
e mbretit narcisist luftëtar
Të lanë dhe të zbukuruan
dhe në Aulidë të sollën në mes të dimrit
Thanë
me synim tempullin
për atdheun
duhet t’u ofrojë zotave
gjakun e vajzës së tij
Në çastin e fundit u shtir i trishtuar
Dhe nëse kishte dyshime
u kujdes miti ta zbutë
me një gënjeshtër
Ti vajzë e vogël njomëzake

-pothuajse fëmijë –
Ishe vetëm fillimi
Kaq shumë fëmijë flijohen qysh atëherë
pa i shpëtuar dot asnjë zot
Dhe ne të padenjët spektatorë
prej shekujsh tashmë
shtiremi
ngurues dhe të ngrysur
sikur presim mitin
të na shfajësojë.

*
Dhuratë jeta
bukë e shenjtë dashuria
Shpërndajeni atë


ATDHE

Të shoh në degën e ullirit
që përulet prej vuajtjeve në tokë

Të ndjej
në det
ku me zemërim të heshtur përzien
algat e vdekura dhe llumin nga fundi i tij

Duart e mia gjakos
në bregun tënd
që e rrahin erëra të huaja

Të dëgjoj në marshet funebre
tek i këndon vdekjes me lot të shterur

Krenohem për ty
në fjalën që fliste për bukurinë
atëherë
kur nisi të ngjizej bota
në hershmëri

Keqardhem 
për shpirtin dhe trupin tënd të vuajtur
që çoptohen me dhunë sapo takohen

Kudo të shquaj
dhe zemërohem
që jam bija jote
dhe të ngjaj
dhe të dua
dhe të frymëmarr
atdhe.

*
Sa bukurira
kjo botë na shpërfaq
të mbajmë zi!


ORENDITË

Edhe nëse vdes
nuk do më mungojë kjo botë
plot vrasje dhe padrejtësi
Do me mungojë vetëm bukuria e saj 
atje në skaj të bregdetit ku përplaset vala
përsëri dhe përsëri duke pëshpëritur 
dhe mendja e pajtuar prehet
Atje në livadhet e përulësisë
ku zambaku ngjyen në vjollcë pranverën 
dhe qetëson dëshpërimin e shpirtit
Atje lart në re ku pafajësia e bardhë
teksa lejon sfondin e paanë në blu
dhe në udhëtimin e saj fton trupin e lodhur

Këto shpresoj të më premtojë vdekja
orenditë e varrit
Përndryshe le të rri këtu përgjithmonë të vuaj


INGRANAZHE

Me hapa kurajozë në hapësirë
ndoshta ikim prej ingranazheve
të makinës së mirë vajisur
që bren qenien tonë
Do të mbreijmë tek yjet
më kërcim më të largët së koha jonë
Sido që të jetë edhe këtu edhe atje lart
fati ynë eshtë vetmia
dhe dhimbja ushqimi ynë
Dhe kjo botë sot ka shumë
edhe vetmi edhe dhimbje
për të na shoqëruar në udhëtim

Të paktën të themi emrat tanë me dinjitet
atje ku banojnë frymë dhe shpirtra
të kohërave të shkuara
që nuk u vdirën.

*
Jeta ime e vogël
pikë pikë të pi
kam etje ende


DËSHIROJA

për Wolfrang Glahn

Një kafe së bashku
dëshiroja të pinim
një kafe akoma
të të them ato
që nuk arrita të t’i them kur ishe.


EPITAF

Për çdo dritë që humbet në botë
një yll ndizet në kupën qiellore dhe ndriçon
Kështu zbukurohen shpirtrat në univers
sikur të udhëtojnë përtej harresës.

*
Për ngushëllim
të natyrës poezia
lulëzon prore


WHAT A WONDERFUL WORLD

Dhe vështrova qiellin dhe të pashë
Në radio dëgjohej kënga jote e preferuar
“What a wonderful world”
Ishte një qiell blu
me disa re të bardha në horizont
Zbrita nga makina
mblodha disa zambakë 
vetëm dhe vetëm të të konfirmoj
se nuk na harroi pranvera edhe sivjet
Me kaq bukuri dhe mirësi
të thashë
çdo ankim ikën larg dhe shuhet
Madje edhe ngjyra e luleve
ajo blu në të kuqërremtë që më plagos përherë –
kundërmon edhe ajo kujtim dashurie.


MBI FILLIN E TENDODUR

Ekuilibër i përshtjelluar
i ndërgjegjjes shfaqja
mbi fillin e tendosur
E dëlirë, e bukur, pak e trishtuar
dhe e kuqëtuar nga druajtja
çdo çast
që një tjetër krim
do ta këputë
Tjetërkund vështron
dhe prej shekujsh tashmë
prej dritares varet lakuriq

Humbet herë pas here rasti

Nuk pret liria
dhe Historia nuk ka durim.

Exit mobile version