Kreu Letërsi Bibliotekë “E hëna e parë e dhjetorit”, fragment romani nga Ledion Krisafi

“E hëna e parë e dhjetorit”, fragment romani nga Ledion Krisafi

Mendimi se e hëna e parë e dhjetorit do të jetë e ngjashme me çdo të hënë paraardhëse përforcohet nga pamja që shfaqet përtej kangjellave të bardha ku jashtë në avlli, pikat e shiut, rënia e të cilave ka nisur mbrëmë në darkë a ndoshta një ditë më parë, përfundojnë ekzistencën e tyre të shkurtër mbi sipërfaqen e lëmuar të shkallëve lidhëse mes avllisë së poshtme dhe të sipërme pasi kanë prekur në rrugën e tyre tëposhtë degët e hardhisë ashtu si çdo të hënë qysh prej kohësh kur as e hëna e as unë nuk ishim. Mendimi se është koha për t’u ngritur, se poshtë në katóq nëna ka ngrohur qumështin, i ka hequr ajkën dhe ka hedhur brenda tre lugë sheqer, ka thekur bukën dhe ka shtruar gjalpin mbi të, aroma e të cilit përmëngjesshëm kalon përmes drasave të dyshemesë që ndajnë Odanë me katoqin poshtë për të arritur pranë dritares, te minderi nën të cilin flenë libra në gjuhë të huaja që kanë parë çdo të hënë me shi qysh prej kohës kur u hodhën nën minder për të mos u prekur më, tregime të Metodit e Konstandinit, i mëvonëquajtur Ciril të shkruara në po atë shkrim që ky i fundit i dha emrin, vërtitet shqetësueshëm brenda trurit në përpjekje për të detyruar gjymtyrët të hedhin tej ngrohtësinë e brendshme të jorganit dhe të përballen me ftohtësinë e një të hëne fillimdhjetori me shi.

Siguria se ngrohtësia e katoqit krijuar prej kaminetos vendosur në qoshen e kundërt me tavolinën e ngrënies krijon një prej kënaqësive kryesore të qenies pasi ke përshkuar hapësirën e ftohtë të njëzeteshtatë shkallëve që ndajnë kreun e Odasë me kthesën e djathtë në fund të shkallëve dhe derës së lyer me varak të katoqit është e pamjaftueshme, ashtu si nuk mjafton as kërkimi i arsyes së ngritjes prej shtratit tek aroma e tejkëndshme e qumështit ajkëhequr e bukës së thekur e gjalpëlyer duke hedhur mënjanë jorganin ngjyrë kremi, marrë rrobat lënë në fund të minderit nga mbrëmja e djeshme e për të vazhduar më pas mbi kërcitjen e përçdohershme të dhogave të Odasë rrugën tëposhtë drejt katoqit për të takuar në qoshen e majtë të tij, mbi mbulesën ngjyrëvjollcë çafkën e qumështit dhe fetën e bukës, që duart, këmbët dhe gjithë masa trupore njerëzore të kryejnë veprimet e tyre të përmëngjesshme qysh prej kohës kur u shfaq për herë të parë mundësia e kryerjes së tyre e mendimi se asgjë nuk mund të shuajë dyshimin e përhershëm shfaqur çdo mëngjes mbi kuptimin e veprimeve të një të hëne fillimdhjetori me shi qenia e të cilave e ngjashme me ato të një të diele fillimdhjetori me shi e padyshimshmërisht me ato të një të marte fillimdhjetori po aq mundësisht me shi, bën që zgjimi i mëngjesit e ngritja prej minderit të duken përditë e më shumë të pakuptimta aq sa pas një farë kohe dëshira për t’u ngritur e për të shijuar çdo kënaqësi që ofron qenia zbehet e vyshket ashtu siç është zbehur e gjelbra e tavanit sipër meje lyer vetëm pak muaj më parë e siç do të kthehet në ndryshk e bardha e kangjellave. Poshtë në katoq, mëngjeset kafengrohta të shtatëdhjetë e tre viteve të tij nuk i kanë shërbyer për asgjë doktor Ashorvës, arkivoli i të cilit prej kohësh është gatitur, ushqimet e drekës pas varrimit janë porositur, të afërmit janë thirrur e toka pa dyshim është varrmihur e fjalët e Papos, thënë përditshmërisht porsa figura e vogël ashorvate kalon të kuqen e portës së jashtme e ngjit të hirtën e shkallëve lidhëse mes avllisë së poshtme dhe kafes së portës së brendshme, se doktor Ashorva është vdekjepritur, ashtu si ai vetë e të gjithë rreth tij, ashtu si e kuqja e portës së jashtme apo e hirta e shkallëve lidhëse, krijojnë një zgajtje mëngjesore largimi i së cilës prej duarve, këmbëve, dhe gjithë masës trupore duket po aq e vështirë sa dhe dëshifrimi i linearit A e ndoshta për shkak të kësaj qullësie mendore shtrirë mbi lëkurë, siç ndodh shpesh ta quajë i biri i Skëndulajve, aroma e qumështit, bukës e gjalpit shndërrohet pritshëm në pjesë përbërëse të zgajtjes mëngjesore prej syve të së cilës gjithçka duket parëndësishmërisht e kotë e siç tregojnë rastet e njerëzve që nuk kanë asgjë për të bërë e shumë për të menduar pasi e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar mendimit se asgjë nuk ka rëndësi është kryerja e diçkaje vetëvlerësuar të rëndësishme pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i shpëtohet tundimit për të dyshuar përmëngjesshëm kuptimin e përditshmërisë njerëzore, është se sa e vështirë është të gjendurit e një udhëdaljeje prej kësaj zgallome mendjezhapëse e gjymtyrëmpirëse.

Por, në momentin e parë, pamja përtej kangjellave, mbështjellë në ftohtësinë e një shiu dhjetorak dhe mendimi i së hënës që nuk ka përfunduar me mbrëmjën e djeshme e nuk do të mbarojë as me të sotmen, një mendim krejtësisht i pavetëdijshëm ky, ashtu siç janë pothuajse gjithë mendimet, përzierje e rastësishme e rretherrotullimshmërisë, në çastin e parë, krijojnë një ndjesi ngrohtësie edhe pse duart tashmë kanë dalë jashtë mbulesës për të lëvizuar njëgishtshëm vesën prej qelqit të dritares, një ngrohtësi prejardhur nga kënaqësia e mendimit që asgjë nuk ndryshon dhe asgjë nuk do të ndryshojë në të ardhmen, aq sa kangjellat, shiu jashtë tyre, vesa që ka mbështjellë qelqin e dritares dhe vetë minderi afër saj duket sikur krijojnë një botë të vogël, ashtu si një fëmijë trembur prej shtrëngatave futet poshtë mbulesave duke krijuar një botë të sigurtë ku qiellgjëmimet nuk munden ta arrijnë, një botë brenda së cilës asgjë nuk ndryshon e asgjë nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, gjyshërit poshtë në katoq nuk do të vdesin e vajzat nuk do të grunóhen e brenda kësaj bote, mendimi i vdekjes është pothuajse i pamundur të lulëzojë pasi njeriu nuk mund të mendojë asgjë përtej asaj çka rrethon përditshmërinë e tij e nëse përmëngjesshmëria ime është një e hënë e ditëpërditshme kangjellash të bardha, shiu pikëmadh jashtë në oborr e vese të prasktë mbi qelqin e dritares, mendimi i vdekjes duket si një thermë në kraharor pasi ke kaluar një mbrëmje të bollshme ushqimi e pijesh e je ndier pothuajse i paprekshëm, pothuajse i pavdekshëm, ashtu siç ndihet njeriu zakonisht në momente kënaqësish të mëdha kur muret e kohës rrëzohen e jeta duket e gjithëherëshme, ashtu si njerëzit e lashtësisë mendonin se Gjithësia kishte qenë gjithmonë e do të ishte gjithmonë, pafundësisht, e mjafton një goditje në gjoks, pak rëndësi arsyeja e prejardhjes, për të të ndryshuar plotësisht nga të pavdekshëm në tërësisht të vdekshëm, madje pikërisht në ato moment, e dhimbja kalon prej gjoksit në shpatulla, në zverk e kënaqësia e pakmëparshme hopset krejtësisht e në gulçimin momentar jeta fillon të të duket një barrë që secili tërheq pas vetes rrugës për në varreza, e sa do të doje në ato çaste të fundeshe nën një mbështjellëse, kështu dhe mendimi i vdekjes në botën time të vogël është i vështirë për t’u gërxanisur, duket pothuajse si një drà fllugurosës në fund të kusisë së kënaqësisë së shiut qiellzymtues e vesës kesëdisëse të qelqit të dritares.

Exit mobile version