Kreu Letërsi Bibliotekë Dy tregime nga Neviana Shehi

Dy tregime nga Neviana Shehi

KËNGË ME CICËRIMA ZOGJSH

Tek qëndroj në dhomën time, ia ndiej frymëmarrjen dhe klorofilin që lëviz nëpër tërë trupin tim. Është një ndjenjë magjike. Në fakt, shtëpia ku unë jetoj dhe pylli kanë të njëjtën mushkëri dhe të njëjtat rrënjë…

Sa herë që qëndroj në dritare shoh dru prej ere, degë prej fëshfërime dhe ketra që rrisin veten, duke ecur drejt majave të druve dhe që duken se qëndrojnë varur në kaltërsinë e qiellit.

Diçka më pëshpërit: të shumta janë rrezet e dashuruara dhe fëshfërimat e gjetheve…

Ka kohë që kam nisur ta pikturoj portretin e tij dhe nuk arrij ta përfundoj asnjëherë. Po pra, nuk arrij ta vë pikën e fundit. Jam e bindur se kjo ndodh, sepse dashuritë e mëdha gjithmonë tronditin. Ndonëse ai akoma nuk ka ardhur (e dashuritë e mëdha gjithmonë tronditin), unë i shkrova mirëseardhjen mbi krahët e bletëve dhe bëra një këngë me cicërima zogjsh, sepse akoma mendoj se ardhjet e tilla kthehen në festa.

Rruga nëpër të cilin do të duhet të kalojë ai, ndoshta mund të mbulohet edhe me shi mjalti, mbase gjithçka është e mundur. Nëse asgjë tjetër, atëherë asaj rruge (magjitë gjithmonë janë të mundshme) do të dëgjohet gurgullimë përroi, mbushur me gurë dhe shkumë. Mjafton ta duash, ta shikosh dhe ai të del përpara për ta shuar etjen.

O Zot, prapë dikush më pëshpërit: preke, e ke kaq afër. Dy – tri hapa përtej dëshirës tënde, aty ku do ta ndjesh një kërcim dreri, ku papritmas të paraqiten drutë prej ere dhe përjetësia prej uji…

Shtëpia dhe pylli nuk jetojnë pa njëri tjetrin. Unë rri në dhomën time dhe pres të hapet dera e të vijë ai që kalon nëpër rrugën e mbuluar me gjethet që vallëzojnë sa herë që ndjej frymën e atij, portretin e të cilit akoma nuk e kam përfunduar…


PËRJETËSISHT FËMIJË..!

Gishtoja i përrallës së vjetër që gjithmonë m’i përkujton netët e dimrit të gjatë, por edhe gjyshen që na mbante pranë, është vizitori im i përnatshëm. Gjen një të çarë në dritaren e fëmijërisë sime dhe hyn brenda meje për t’u argëtuar me lodrat dhe rrengjet e tij të panumërt. Edhe pse ka kaluar gati një shekull nga lindja e tij, çuditërisht ai s’është rritur. Ka mbetur i njëjti. I vogël sa një gisht dhe asnjë milimetër më shumë (me gjithë kapelën me maje prej harrakati).

Të gjithë vogëlushët rriten, them në vete, vetëm ky djalë mbeti i vogël, si në ditën e parë të krijimit. Ç’inat mund të ketë pasur krijuesi me këtë vogëlush të pafajshëm, vallë, dhe pse gjithë ky ndëshkim?

Pas pak kujtohem që krijuesi i tij nuk është ai që njohim të gjithë, që rri në qiell dhe na ka krijuar të gjithëve, mua, ty dhe të tjerët, por dikush tjetër, një njeri i zakonshëm, me trup dhe fytyrë si kjo jona, një përrallëtar.

Një vrull inati më hipën në çast dhe me zor e mbaj veten. Më vjen t’i përvishem me fjalë përrallëtarit krijues, por ca zëra të beftë më fryjnë në vesh, për të më qetësuar.

-Po sikur Gishtoja të jetë i dashuruar përjetësisht në fëmijërinë e tij çapkëne dhe të mos ketë pranuar vetë të rritet!?

Po, ne të gjithë kemi mall për fëmijërinë tonë të bukur, pëshpëriti zëri. Vetëm Gishton nuk e mundon kjo gjë, sepse ai përjetësisht është një fëmijë…

Exit mobile version