Kreu Letërsi Bibliotekë Dy tregime nga Antonio Çikollari

Dy tregime nga Antonio Çikollari

Bufi

Quhem Buf. Nuk e di sa vjeç jam, por di që gishtat e mi mund t’i përballojnë. Më kanë thënë që emrin ma kanë vendosur për shkak të një domethënieje të veçantë. Vendi ku jetoj është shumë i madh, thuajse gjigant. Përfshin një dhomë e kuzhinë, një banjë pa dush dhe një korridor sa hapja e krahëve të mi. Mund të vërtitem aq shumë sa nuk më del dita ta përshkoj gjithë ambientin.

Mahnitem sa bukur është këtu. Më kanë plotësuar të gjitha kushtet. Kam një tavolinë katrore ku mund të vendos një pjatë, lugën dhe gotën. Bukën e mbaj në dorë. Ndërsa karrigia nuk më nxë të tërin, por unë ndihem mjaft rehat. Ndonjëherë më mpihen të ndenjurat, por ka edhe më keq. Muret janë ngjyrë gri, por të gjithë më thonë që janë të kuq dhe jeshil. Nuk e kuptoj pse tallen me mua. Dyshemeja është bezhë, jo me pllaka qeramike. Një ditë u tregova kurioz dhe thashë ta vërtetoja ç’material ishte. Prej andej u shkëput një copë plastmas që ngjitej. Po si ka mundësi që çdo gjë është gri?!

Gjithçka ndryshon në dhomë. Aty kam parë të verdhën, të bardhën, lejlanë. Ka shumë ngjyra. Kjo gjë vërtet më gëzon. Duket si një fushë e madhe, pavarësisht se aty gjendet vetëm një shtrat ngjitur me tavanin e katit të mëposhtëm. Unë kam frikë nga lartësitë. As në dritare nuk shoh. Kam frikë që atë natë kur në ëndërr pashë të më hidhnin nga maja e një mali. Ndoshta ka qenë dhe mur, ose ndërtesë, por pak rëndësi ka, unë rashë. Dhe po të mos isha zgjuar, nuk do të isha këtu duke folur.

Më i bukuri është korridori. I gjithi i bardhë. Por unë e vizatova. E mbusha me ngjyra dhe me të vetmen të bardhë që ngeli, bëra retë. Tashmë duket vërtet si një horizont i pakufi. Bëra disa burra që punojnë, disa gra që endin e disa vajza që sa herë më shohin skuqen e qeshin të turpëruara. Mua më pëlqen shumë t’i ngacmoj me fjalë xhentilese. Sidomos në mëngjes. Madje njërës prej tyre, asaj që më ngjeth mishin, i bëj çdo agim të njëjtën pyetje, pavarësisht përgjigjes që e di.

Babai i saj nuk më ndalon, përkundrazi, më fton të bashkohem e të punoj me ta. Të vjel pemët e zymta me fruta të shijshme. Më fton të provoj mollët, portokajtë, fiqtë. Një ditë, kur po bisedonim, më tha: “Bir, tek ne nuk ka rëndësi stina; nëse mbjell pemë, ajo do të çelë pa një, pa dy!”. Ditët kalojnë. Vajza nuk rritet, ndërsa unë jam zgjatur një gisht. Nuk e di nëse një gisht horizontalisht apo vertikalisht. Nuk e kuptoj përse çdo gjë rreth meje mbetet e njëjtë. Pemët nuk fishken, gjethet gri nuk bien, dimri nuk vjen, por as vera nuk ikën.

Vajza u zbeh një ditë. Më duket se ndihej keq. Mbase gripi. Dhe unë u sëmura një ditë me grip dhe u zverdha u bëra dyllë. Epo nuk e di se ç’është dylli, por u sëmura. U përpoqa ta shëroja, por nuk dija si. I dhashë fruta, çajra, por asgjë. E në fund e gjeta. E ringjyrosa. Jo vetëm atë, por gjithçka. Fajësova të atin për sëmundjen e saj dhe menjëherë ndërtova një shtëpi të madhe në murin e dhomës. Asgjë nuk më pëlqeu. Shumë zymtë aty. Muri ishte kaq i errët. Dukej sikur jetonim pa diell. Por unë e vizatova një të tillë e përsëri asgjë. Vendosa të ndërtoja një shtëpi tjetër në murin ngjitur. Ai ishte si i verdhë dhe me harta-harta. Jam i bindur që jo prej lagështirës. Po ta prekje, ishte si i njomë dhe nëse e fshije nga sipër, provokoje flokë bore. Më shumë më ngjanin si petale të një peme pranverore. Nuk më kujtohet emri.

Shtëpia doli mrekulli. Vajzës i pëlqente të qëndronte në ballkon. Era i ledhatonte flokët e verdhë. Tundej lehtë në karrigen e saj. E më pas errësohej. Tërhoqa krevatin pranë shtëpisë dhe fjetëm të dy duke parë në sy njëri-tjetrin.

Në mëngjes më zgjoi sanitari. Pastroi dyshemenë dhe më pyeti nëse dëshiroja të pastronte muret. Sigurisht që jo! A mund të fshihet një botë si të mos ketë qenë në të shkuarën?! Janë të çmendur ata që do të mendonin kështu. Më pas më sollën për të ngrënë, e më pas më dhanë të pija disa kokrra të bardha të madhësive të ndryshme. Sigurisht që nuk i piva. Kur pyeta dikë nga të shumtët se përse ishin këto, mu përgjigj se ishin për të më shëruar. Por unë nuk jam sëmurë. Gomerët! As kaq pako gjë nuk dallojnë. Unë as nuk kam temperaturë e as ndihem keq. Kështu mendon dhe vajza. Për pak harrova. Vajzës i vura një emër sot. Një emër të bukur, si i imi. Emri i saj prej këtej e tutje është Bufe. Ajo u mrekullua kur e dëgjoi. Askush nuk i kish thirrur me emër të përveçëm deri më sot.

Ato ditë ishin ditët më të bukura. Më pas gjithçka filloi të prishej. Vajza nisi të sëmurej përsëri. Nuk po më sillnin më ilaçe ngjyruese. Bashkë me të më zuri dhe mua pikëllimi. Po ndihesha më keq se ajo. Ata zbuluan që nuk po pija as ilaçet e as po ushqehesha. Filluan të më shponin me gjëra të holla. Plagët më digjnin. Nuk lëvizja dot. Ngjarjet morën për ters në çastin kur më larguan prej Bufes të sëmurë. Ajo po lëngonte në karrigen që tundej. Iu luta burrit me të bardha të më lejonte të qëndroja pranë saj. Qeshi dhe më shtyu tutje. U inatosa dhe shtyva. Më gjuajti me pëllëmbë dhe më plasi në murin përballë. Erdhi dhe një tjetër. U bënë dy. Dikush më shpoi. Më rrethuan pa më prekur. Papritur po gogësija. Sytë po më mbylleshin. Kaq mbaj mend.

Burrat u zhdukën. Gjithçka u zhduk dhe papritur u gjenda tek muri, brenda tij. Nisa të ndjeja erën që frynte. Po shihja vajzën, Bufen time, që vraponte drejt meje. Më përqafoi fort e nisi të më puthte. Shtëpia ishte po ajo, veçse shumë më e madhe. Pemët kishin çelur dhe lulet e bardha binin pa i ngacmuar. Domethënë kjo duhet të ishte ajo lumturia për të cilën flisnin të gjithë. Ajo më gatoi, më ushqeu, më shëtiti, më përqafoi, më puthi. Pamë bashkë ikjen e diellit, ardhjen e hënës. Shijuam çaste që as i kisha menduar. E më pas më zuri gjumi në krahët e saj.

Errësirë. Nisa të dëgjoja disa zëra. Po shqiptonin fjalë që nuk i kisha dëgjuar më parë. Më pas po flisnin për ilaçet dhe kurat. E më pas për vdekjen. Në fund u tremba. Dëgjova emrin tim. Ç’lidhje kishte kjo? Përse po flisnin për mua? Zërat heshtën. Dera kërciti. Ata ishin larguar. Hapa sytë dhe bëra të çohem. Më kishin lidhur. U rrotullova në të majtë. Të ndenjurat më dogjën. Në kaq pak kohë isha shpuar sa vitet e moshës sime. Krevati gjendej larg vajzës. Më kishin zhvendosur. Gomerët! Tentova të liroj veten. Bufja ishte si mos më keq. Ajo qante prej sëmundjes e unë prej inatit. Sanitari po fshinte muret në korridor. I thirra, i bërtita, e shava, por nuk ndaloi. Kisha frikë për të. Nuk doja të zhdukej.

Përsëri gjumë. Gjithçka përjetova me vajzën time në botën e vërtetë, e rishijova. Këtë herë zgjati më shumë, por ndryshe prej së djeshmes, ajo u largua. Errësirë. Dëgjova një fërshëllimë prej dikujt. Hapa sytë dhe isha përmbys me fytyrë nga muri. Sigurisht që isha i lidhur. U përpoqa të kthehem nga vajza. Të pasmet më dogjën prapë. Këtë herë më shumë. Hedh sytë drejt saj dhe shoh një të panjohur që po ngjyroste murin me të bardhë. I thirra, por nuk më dëgjoi. I thashë të ndalonte. Muri tashmë ishte lyer. Bufja ishte zhdukur. Bashkë me të dhe shtëpia, oborri, gjithçka. Nisa të qaj nga inati. U ktheva përsëri përmbys dhe më pushtoi ngashërimi. Po më merrej fryma.

Më kishte zënë gjumi. Shihja vetëm atë të panjohur që lyente. Bufja ishte zhdukur. Nuk mu shfaq për ditë të tëra. Nisa t’i harroja dhe fytyrën. Nuk mund të bëja asgjë. Tashmë s’isha asgjë më shumë sesa një Buf i lidhur me të pasmet që i digjnin nga të shpuarat.


Heroi

Princi A., i fundit i emrit të tij, vdiq në luftë. Trupi i kthehet të afërmve krejt i padëmtuar. Në të nuk shihje asnjë plagë, asnjë vragë të mëparshme. Askush nuk pyeti si u vra, kush e vrau, apo nëse e vranë.

Nderimet ishin të mëdha. Ceremonia mortore qe e madhërishme. Populli u mblodh në shenjë nderimi. Mes tyre ai shitej si hero, si fitues i luftës (anipse lufta ende s’kishte përfunduar). Rrëfenin se ishte bërë shoshë me plumba, disa kundërshtonin dhe e bënin vdekjen ende më tragjike. Sipas  tyre plumbat s’mund ta kapnin dhe gjatë depërtimit në llogoret e kundërshtarëve, ushtarët e palës tjetër e kishin bërë shoshë me anë të bajonetave, thikave, etj. Disa të tjerë thoshin se vdiq duke shpëtuar trupat e tij luftarakë. Ndërsa këta të fundit thoshin se nuk dinin gjë prej gjëje.

Në të vërtetë ai vdiq i fshehur në llogoren aleate, pushtuar prej frikës së krismave, prej frikës së përdhosjes së imazhit se përpos fshehjes, ai edhe ishte lagur. Sigurisht që kishte frikë të vdiste, por familja duhet të ruante emrin e mirë. Rëndësi ka fundi. Ai përsëri u shit si hero. E askush kurrë nuk pyeti si u vra, kush e vrau, apo nëse e vranë.

Exit mobile version