Kreu Letërsi Bibliotekë Dy poezi nga Arben Ndreca

Dy poezi nga Arben Ndreca

Të mbrujtunit e bukës sate në një ditë korrikut

«Quando poi in un tratto vennero li
commissarij delli Turchi
cercando per la città vostra madre e li figliouli,
quella vostra madre fù subito nascosta…»
Historia della casa Musachia

I
… mandej more grunin
e verdhë të arave
të gjana të
qershorit të kaluem,
rritë mbas borës së
vlashkët të dimnit
të gjatë në diellin
e majit të kulluem
e të hanës së begatë

II

Miellit të bardhë
i lidhe unazën
si peng për bukën
që të mbruhet mirë
në gjoksin tand të vrullshëm
ku endje mendimet
e moteve në lëndinë.

III

I bane mysin
e ngadalë i fryve
prushit, pa çue hjellë
e në anë, mandej,
prite durueshëm që të piqej,
si modelja
fustanin Chanel.

IV

Në orën e drekës
bukën e avullt
ngushtove pranë
venës së kuqe në
bardhakun me lule
pranë llanit tand të majtë.

V

«Tanush! Muzakë!
(Eja! – e grishe – edhe ti o atë!)
Teodorë, të kërkon
jot’ amë, se je e urtë.
Buka asht gati!»
[…]
Nën ftonin me hije të shkurtë.


Vorba e Eumeut

I

«As sot deti nuk solli shtegtarë
me anijet e drunjta që tash vijnë rrallë.
Valët e tij bijnë veç mbramjet,
muzgjet e buta, pak herë lajmet

për luftën e Trojës,
shtëllungat e tymit të flive zojës
Athinë, që mban anën e akejve
fitimtarë, të atyne që Hektorin morën zvarrë.

Nuk dij gja për Uliksin.
Deti, sot, veç tundi pak lisin
por fjalë për të nuk mbart
pa lejen e Poseidonit kokënaltë.»

Mendonte kështu bariu i derrave
dhe flakë i dha kërthijave në votër
kur dielli ra në perëndim
– si portokalli
në shportën e thurun –
me ofshamë e pikëllim.

«Ndoshta ka mbetë në fushë të Trojës
Uliksi i drejtë, i zgjuet, i gojës.
Drue ia asht thye shpata bronzit
ose parzmorja ia asht ça dysh
në shpinë të mazit si vetima.»

Iu largue sysh hija e mbretit
plakut që pranë zjarrit vështronte
vorbën ku ngrohej gjiza e ditës së re
–kërsiti në atë çast zjarri i ilnjes, motër
me lisin e Zeusit që nuk flet
e sheston ndër ré.

II

“Tashti mbrritëm, ndonëse pak vonë.”
i foli Uliksi detarit të feakëve.
«Anija erdhi në bregun tonë!»
E mendja i rroku fytyrat e shokëve
që bashkë me të këtij bregu
Iu patën largue pa vàjë,
me shpresën e kthimit
gjithmonë të njomë shtalb
si gruni i blertë në mal, në maj.

Mbështeti një kambë
në buzë të anijes – fajkët
krisën lehtë – e dorës
së djathtë i dha hov, e pak ijes, para,
me kapë degën e një pishe
që motet ia kishin këputë
kryet pse kish tregue qëndresë.

Me halët e saj ende në grusht,
drejtoi shtatin.
«Zefir të mbarë!» i uroi lundërtarit.
«Bani sytë katër. Këtu nuk të mbron kush!
Je në tokën tande si zjarr i shkimbun,
o biri i Laertit të mplakun
në zhegun e arave e të aromës së barit!»

Sandalet e ngjelmta me
ujin e detit, puthitë në trinë,
e dizgat e lidhuna kryq deri në pulp
iu ngjeshën shtegut të ngushtë
pa ra krejt mbramja, e dijnë
se asht ende muzg.

Ngadalë iu zhduk krejt hija
që i printe para, me dritën
bashkë që e shtynte, në shpinë.

Mbaruen pishat.
Në terr nuk shquheshin tbana
veç uji i kronit diku larg
çonte një shushurimë të vobektë.
Vinte piskama e qyqes pushuese në errësinë
në një qershi të pavjelun kushedi sa herë.

«Në ujë të cektë, dola!» – buzëqeshi,
pse aty rruga gjendet lehtë.

Përmendi miqtë me emna rishtas,
ata që nuk mbrritën dhe ata që ishin mplakë.
Hyni mandej në një vneshtë të moçme, të ultë
që Eumeu çdo prag-pranverë krasitte
hijshëm për venë të bollshme në sofër,
për bukën e paktë.

III

Brendë, pranë votrës, plakut iu trazue gjumi.
Në traun ma të zi prej tymit, varun,
iu lëkund shpata e dikurshme në millë.
Nalt në pallat, mbretnesha shprishi pëlhurën
për herë të mbramë, nuk kishte ma fillë, as kohë
për tjetër endje.

Eumeu largoi prej zjarrit vorbën e gjizës së re
dhe çeli, për pak ma shumë voesë,
derën drunit gështenje.

Qershor 2020


Arben Ndreca ka lerë në Shkodër në vitin 1971. Studimet e mesme i ka kryer pranë shkollës artistike «Prenkë Jakova». Më tej, është diplomuar në Universitetin e Gjenovës, për gjuhë dhe letërsi të huaja (histori) për amerikanistikë dhe sllavistikë. Ka punuar si gazetar për disa vite për shtypin e huaj dhe atë shqiptar. Jep mësim gjuhë dhe letërsi angleze. Fatkeqësisht, mendon se letërsia është e lidhur me alpinizimin dhe detarinë.

Exit mobile version