Kreu Letërsi Bibliotekë Durim Taçi: Lakimi

Durim Taçi: Lakimi

Fragment nga romani “Lakimi”, Botimet Living

“Meritën që ia dalim të kënaqemi kaq gjatë brenda njeri-tjetrit, duhet t’ia njohim, mbase, atij dialogu të heshtur vështrimesh. Siç duket, e kemi kuptuar se dashuria, – ky udhëtim vetmitar në dy, – fillon dhe mbaron tek sytë, si leximi”

Elira pati një frikë absurde se këtë mendim që formuloi befas me vete dhe, në një formë kaq letrareske, do ta gjente të shprehur nga Roberto në mesazhin e radhës. Zgjati dorën djathtas për të marrë celularin. Bitori ende flinte. Më parë kishin lexuar me zë për njeri-tjetrin. Mirëpo, ‘leximi nuk ka nevojë për një audiencë tjetër, mbetet kënaqësi individuale’, mendoi Elira. Dhe ishte ky motivi që asaj nuk i pëlqenin audiolibrat. Shqisa e saj e preferuar ishin sytë. Me ta arrinte të bënte bashkë grupe germash e togje fjalësh, i lidhte me hapësirat bosh midis, shkonte përpara e kthehej pas, qëmtonte paragrafin ardhës para kohe, e shtyrë nga kureshtja a nevoja për të kuptuar, pa qenë e detyruar të respektonte vijimësinë lineare të tekstit dhe, mbi të gjitha, mund të thërriste aty, në aktin e leximit, gjithë përvojën e saj jetësore. Kur për të lexonte një tjetër, atë e ngacmonte veç përpjekja e tij për të aktruar, timbri i zërit, pauzat, të cilat janë momentet më personale gjatë një leximi. Prandaj, Elira e shmangte leximin përmes një tjetri, përfshi shkrimtarët kur performojnë mjerueshëm me tekstet e tyre. Edhe tek Bitori nuk e kishte prekur teksti, por fakti që lexonte pikërisht ai për një lindje, burri të cilit i ishte vënë kusht të linte domosdo me barrë një grua.

– Po. Atria është vajza e tij dhe personi i vetëm i dashur që i ka mbetur. Dhe ai do ta përdorë megjithatë për ta shkëmbyer si mall. Urrejtja për qytetin është më e fortë se dashuria e tij atërore. Duke ia dhënë nuse konsullit romak, Venero do të shpallë praninë e tij në rënien e Adrias.

Delino i kujtonte saktë fjalët me të cilat Avile i kishte hapur bisedën në shtëpinë e tij, disa orë më vonë, pas takimit në treg. E kishte ndihmuar të transportonte mallin dhe nga ai çast do vendosej tek shtëpia e mikut. Ishte Avile që e kishte ftuar që të mund të shmangte daljet e panevojshme rrugëve, por sidomos për ta penguar të linte qytetin me ngut tani që kishte ndërmend t’ia mbathte me një grua. Delino nuk është se vinte në dyshim përmbajtjen e bisedave të tij. Avile i kishte zbuluar të tjera informacione të nevojshme për Veneron dhe familjen e tij. Ajo që i bënte përshtypje ishte mënyra e tij e të folurit, stili, elokuenca, që vinin në dukje një farë niveli arsimimi, pavarësisht nga ajo që ai dinte, për të nisur edhe nga vetë pohimet e tij. Avile kishte thënë se kishte qenë një shërbëtor i thjeshtë që fliste gjuhën e rrugës dhe, më e shumta që kishte mundur të arrinte në jetë ishte sigurimi i bukës së gojës prej daljeve në këtë treg për vite me radhë. Shtëpia e tij ishte e thjeshtë në fakt. U ngjante më shumë atyre palafiteve të lashta ndërtuar nga venetët e parë, ata që kishin themeluar qytetin, se sa një shtëpie të kohës. Ishte e gjitha prej druri, pranë kanalit të madh që lidhte qytetin me portin dhe detin. Vetëm themelet, në vend të pilotave të drunjta, i kishte prej guri. Darkës kishin ngrënë një supë të shijshme me bathë dhe mish derri shoqëruar me verë.

Po kalohej edhe një herë në historinë e Delinos dhe Atrias që kërkojnë një rrugë arratie nga qyteti i vënë nën kërcënimin e një pushtimi të afërt nga romakët. Elira u shtrua mirë të lexonte.

Darkën e dytë Avile e kishte shtuar dozën. I kishte folur për vdekjen e papritur të Tulios, pronarit të fermës së kuajve, një vit pas ardhjes së djaloshit kelt të quajtur Sedrik, tani një burrë ambicioz dhe me emër tjetër.

– Joshjet dhe vlerësimet e Flaminës, gruas bukuroshe të Tulios, në drejtim të partnerit të ri në biznes, tanimë pagëzuar Venero, paraprinë një zhvillim ekstrem, – kishte nisur rrëfimin e tij Avile gjithmonë me atë stilin e tij të lartë. I zbuloi pastaj Delinos, se kishte qenë ai vetë që i pat kapur në flagrancë. Pranoi më tej, se kishte bërë gabim të rëndë që nuk i pat treguar padronit të tij, Tulios. E kishte frikë gruan e tij Flaminën. Duhet të zgjidhte midis jetës së tij dhe asaj të Tulios.

Avile ndaloi pak dhe iu gëzua faktit që Delino i gjorë e dëgjonte me shumë vëmendje.

– Ndodhi që Tulio u “rrëzua” nga nga kali e vdiq, – vijoi ai. – Kaloi për aksident. Pak kohë më vonë, çifti doli zbuluar. Venero, me tregtinë e tij me Romën, përveç pasurisë, kishte fituar shumë pushtet. Flamina e tij vdiq në lindje dhe Atria nuk e njohu dot nënën e saj.

Edhe ditën e tretë, mbyllur në atë dhomë pranë ujërave të kanalit të lundrueshëm, Delino kujtonte gjithë kohën bisedat e një nate më parë. Kishte diçka të magjishme dhe çarmatosëse në atë që ai rrëfente. Dhe Delino duhej të zgjohej, nuk mund të rrinte gjatë aty. I kishte paratë në xhep dhe, në fakt, shikonte me vëmendje mjetet e vogla të lundrimit që kalonin. Tani duhet ta harronte liburnën e tij madhështore. Duhet të gjente një barkë të vogël me dy palë rrema e të vozitnin bashkë me Atrian sa për të dalë nga qyteti. Pastaj do fshiheshin diku që të prisnin çastin e duhur për t’u ngjitur në ndonjë anije. Dhe, pikërisht, gjëja e parë për t’u bërë, ishte që të lidhej me Atrian dhe Avilen, i cili në këtë mes, nuk është se mund ta ndihmonte shumë, në fakt. Atje në treg, tre ditë më parë, i ishte fshehur vështrimit të Veneros, nga sa kishte kuptuar Delino. Ja, kjo ishte një pikë për t’u sqaruar. Delino nuk e kishte dëgjuar ende të fliste se çfarë raportesh kishte ruajtur Avile me Veneron.

Ishte ai çasti kur dielli zbriste mbi Konkarenë. Elira kishte një motiv të mirë për ta zgjuar Bitorin: të bënte dashuri. Pastaj, pas perëndimit, duhet të nguteshin nëse do të donin të bënin ndonjë vizitë të shpejtë në parqet e gdhendjeve në shkëmb më të afërta. Mbërriti një bip tjetër dhe Elira i ra fare shkurt, vendosi të vazhdojë leximin.

Ditën e katërt Avile kishte ardhur tek Delino me një lajm që i preu këmbët. Kishte dëgjuar se Atria, para se të shfaqej atje në treg për të blerë unazën e saj, ishte kapur nga njerëzit e të atit teksa kërkonte të arratisej nga qyteti me një tjetër. Zhgënjimi i Delinos ishte i fortë. I tha menjëherë mikut të tij se do e linte fare këtë punë. Dëshira e tij për t’u kthyer në shtëpi kishte marrë goditje fatale. U habit dhe vetë se si tani e mendonte kthimin vetëm me të. Pas asaj që pat mësuar qe bërë gati t’i jepte Aviles të gjitha paratë që t’i blinte mall e të shisnin bashkë. Avile sikur qe rinuar fare nga reagimi i tij. Ishte i vjetër dhe një djalë pranë tij në këtë moshë do të thoshte shumë për të. Ashtu bëri. Të nesërmen Delino u bashkua me Avilen në treg. Si fillim vetëm do ta ndihmonte.

Exit mobile version