Portret mbi rërë të kuqe
Oh, çdo ditë dhomëzave me kujtime të vjetëruara
gjej figura, mure të verdhë dhe dete me rërë të kuqe
Të pata kërkuar dikur edhe ty
nëpër kohën që duhet të kishim qenë bashkë
Arrita një port të largët,
me varka peshkatarësh të padukshëm, si guaska të zbrazura prej vetvetes
Oh, ç’zhgënjim që ish!
Fillikat anës detit qëndroje ti,
me tjetër shtat, tjetër zë, me duar të tjera rënduar prej burrërisë, prej erës së detit
Madje dhe goja herë-herë hapej e mbyllej si shkumëzima e një vale që s’di ku të përplaset
Ti nuk e dije se unë të kërkoja, ndërsa unë..
Unë më nuk dija e po aq çuditërisht të dëshiroja
Kalipso,
Kalipso,
Ta dalloj siluetën këmbëzbathur pezull në shpellën kur rri,
Pret nga deti një shenjë, një fjalë a shkulmim për fatin e udhëtarit
që ormise për tek një tjetër grua!
Zgjim!
Kallinj të rremë me ngjyrë shiu të artë,
të rremë ujërat jeshil ku rriten peshq të kuq
Kushedi ç’lumenj flenë në mua!
Një tjetër
Tjetra grua
hijëzon ëndrrat e burrit tënd
Magjistricë apo jo
përherë në lëkurën e tij kundërmon
Flokë pis të zinj i ka
Krahët e gjatë, duart e holla
Ngjyra rozë e gjakut rrjedh në buzët e saj
si jeta pas së cilës rend çdo ditë
Gruaja tjetër endet aty
mes dhe brenda teje
në mes të barkut tënd
Ç’ngjyrë ka patur vallë vetmia e saj?
Kafshata kohe
Kafshata kohe kapërdij,
ngadalë përtyp shijen e asaj që shkoi
lumi që kapërceja me një hap fëmijë,
ëndrrave bëhet det i thellë, hon
Përditë kafshatat mpaken
drita ndër sy pushon së qeni dritë,
Një fije ylberi më tretet mbi buzë
Horizontet peshojnë nga koha
Dyert për tek ti të rënda, të rënda
Thërrimet do mbarojnë edhe këtë natë
nëpër lumenj fëmijërie duhet të rikthehem!
I pafundmi shi
Asgjë nuk mund të na bashkojë!
Buzët e tua flasin gjuhë të panjohura
Sytë e mi shohin fusha me kallinj të vrarë
Ti s’ke nga ta dish se
fushat nuk i than asgjë më shumë se një shi i pafundmë vere
kam besuar përherë se ata djem diçka dinin kur kënduan
“All we are is dust in the wind”
Mundet të kemi qenë ose të jemi ende,
në vende krejt të largëta topa diejsh, unë e ti,
që ngrohim kallinj të praruar, bistak vreshtash të pafundme
Mbështjell vetveten me duart e rrudhura prej çastesh tokësore
Nuk mund ta di!
Ndoshta dhe ti nuk do ta kuptosh kurrë
misterin e kafes së pirë ngeshëm një mëngjes
Të gjitha dhimbjet janë mëkat mik,
Dhimbje jemi dhe unë e ti,
Sizifë që mbajmë mbi shpinë kryqe vezullues
si të gjithë ata që prej kohe u krijuan!
Dritë, prej kokës së Meduzës
Ndoshta ti je vetja ime
që mungon në këtë udhëtim as të nisur e as të pasosur
Mirazh i zënkave të perëndive në Olimp
fije-fije dëshirash endur në rrjetën që koha ka krijuar për të mos parë përtej …
Meduza u dënua prej dashurisë thotë një legjendë
Që atëherë të tjerë përbindsha ecin mbi tokë
Mbathur kanë trupa të hijshëm
Si shtat e flokë të Govenit në “Vitin 1793”
Pegasusi im shtrëngon kraharorin në një fluturim të pamundur
Kam fuqinë ta kthej veten në gur
derisa drita të më bëj çiklash
Ti mund të jesh gjithçka
Vetja ime
Ndoshta kali me flatra që lëshoj ëndrrave qiejve të panisur e të pasosur