Kreu Letërsi Bibliotekë “Dritare e verbër”, poezi nga Varvara Hristia

“Dritare e verbër”, poezi nga Varvara Hristia

Përktheu Dashamir Malo

Varvara Hristia lindi në 1968 në Nafpaktia të Greqisë. Mbaroi studimet për inxhinieri mekanike në Shkollën Politeknike, në Univeristetin e Patrës. Punon në Degën  e Shërbimit Teknik të Bankës Kombëtare dhe banon në Rio, Patër. Është nënë e dy vajzave. Poezitë e saj janë vlerësuar me shumë çmime në Greqi,  janë përfshirë në shumë antologji poetike, revista letrare dhe elektronike. Deri tani kanë qarkulluar dy libra të saj me poezi. Pjesëmarrëse në shumë manifestime dhe festivale poetike në Greqi dhe jashtë saj. Varvara ka qënë gjithashtu pjesëmarrëse, në Festivalin Poetik Ndërkombëtar, “Takohemi në Jug”, organizuar nga Grupimi i Poetëve të Jugut,  Sarandë (2023).


BUKA

Me tytën e armës
gërvishi mykun
nga gjetja e tij e çmuar.
E ledhatoi me dhembshuri.
Vuri dorën në zemër.
Mbylli sytë.
Hoqi helmetën e tij 
e mbësteti në tokë gjysmështizë.
 
Nëpërdhëmbi fjalë të çuditshme
në gjuhë të panjohur.
E ngriti lart si në një ritual.
E puthi në tre vende.
E mbështeti në tokën e përgjakur.
U bë buka e tij ngjyrë alle
si e pagëzuar në purpur guackash.
Rrotulloi sytë
duke përthyer dy gishtat e sëmurë
numëroi kokat e të vdekurve.
 
Preu dhjetë feta buke të përgjakura.
I mbështeti një e nga një me nderim
në gojët e ngrira gjysmë të hapura
të ushtarëve kundërshtarë.
Ngriti duart në qiell
dhe nxorri një klithmë që të këpuste shpirtin:
Bukë, vëllezërit e mi, bukë!
 
Dhe qëndroi krah tyre.
Atje,
në një darkë vëllazërore
me vëllezërit e tij të vdekur.
Në darkën e fshehtë
të bukës që i ndan,
të bukës që i bashkon.


RRETH ERËRAVE

Sa të trishta qëndrojnë 
përballë 
pemët e dashuruara.
Preken thembrat e tyre 
thellë në tokë,
por në kurmet e tyre
pasioni
mbetet gjithmonë i paplotësuar.
 
Duke fëshfëritur ashtu dobët
fjalët e dashurisë,
si të burgosurit e tjerë presin
për një prekje
për një përqafim, 
gjithmonë duke shpresur të fryjë erë.
Por si mund ta ngopësh dashurinë
duke pritur erën? 


AH, DASHURIA

Ah, dashuria!
Ku shkon dhe ngren folenë.
Poshtë syzeve miope
të një nëpunësi gjykate,
në një trup të ligur në karrigen me rrota,
në shtyllën kurrizore të harkuar të një të moshuari,
në fyellin e bariut në malin Psilorit,
tek amvisa e shtëpisë
që bën japrakë.
 
Ah, dashuria!
Të gjitha i pushton, i rrënon,
arrin mbi to fitore dërrmuese.
Unaza, kurora, premtime.
Uniforma, simbole dhe veladonë.
Për sa kohë gjaku i zemrës pulson në trup,
dashuria gjen strehë dhe ngrohtësi.
 
Ah, dashuria!
E pamposhtur, e guximshme dhe e pashmangshme.


POLITEHNIO 

Doli nga shtëpia i parruar.
Me një penë në xhep
dhe një libër poshtë sqerullës.
Ku shkon kështu? – e qortoi 
nëna. 
 
Mëngjesin tjetër ia sollën të rruar.
Me një dorë.
Dhe një karafil të mbirë
në gojën e tij.
 
Si do t’ia kryqëzoj tani duart?-
klithi.
I palosi dorën e tij të vetme
mbi zemër.
E puthi në faqen e rruar.
Brezi i të vdekurve
një herë e një kohë rritej,
tha duke ngushëlluar veten.
 
Dhe vajtoi birin e saj
me lotë të karafiltë.


MAHU (ΜΆΧΟΥ)
Kushtuar Athanasisë

Kur të vijë koha e betejës
–  sepse sido të jetë do vijë ai çast
në jetën tënde –
në cilëndo llogore dhe nëse të bie fati,
të mbash mirë në mendje vetëm një gjë:
Menjëherë 
të jepesh në betejë
me gjithë qenien tënde forcën dhe guximin.
Edhe nëse marrin krahë shanjat që parandjejnë
se do të bjerë më në fund Qyteti yt.
 
Mos iu refero Zotave me bekime.
Bëhu Zot dhe shpëto nderin tënd.
Si Urdhëresa të Delfit të kesh
–   në mendjen tënde të ngulitur – si udhërrëfyes,
se guximtar nuk quhet ai  
që nuk trembet të rrezikojë jetën e tij,
por ai,
që, edhe nëse friket, ecën përpara.
 
Nëse përfundon dezertore prej frikës, 
turpi do të jetë përgjithmonë miku yt.
Plaga e fshehtë thellë brenda teje do përgjaket.
Plaga nga beteja 
që ti u trembe ta bësh.
 
Historia do të quajë fitues
jo atë që u thye në betejë
por atë që vendosi ta bëjë betejën.
 
Dhe mos harro se në Termopile
firuesit asnjë nuk i mban mend
të mundurit në shekuj i lëvdojnë.


DRITARE E VERBËR

Ndërsa shtriu dorën
të tërhiqte perden
ku mbante fshehur bizhuteritë e tij,
vetëm atëherë vuri re
rrjetën e merimangës.
 
Në atë moment të papritur
ku më tej
merimanga  dha shpirt e sfilitur
menteshat shqyen nyjet e ndryshkuara.
 
Të gjitha vitet e jetës së tij
u shkëmoqën në një cast.


TRADHËTI

Ti që admiron poetin
që na nxiti
“si gozhda të mbërthejmë fjalët tona
të mos i marrë era”,
tani përse nuk flet më?
Tani pse tradhëton edhe poetin vetë?
 
Ah, disa njerëz,
Sa përciptas e lexojnë poezinë.
Sa prirje kanë
kah tradhëtisë.


POEZI E BARDHË

Do të doja sonte të lexoje
atë poezine time të bardhë
që është e shkruar
me penën e mendjes
dhe që nuk e njollosi asnjë fjalë.
 
Cila fjalë vallë do të mundte
të prmblidhte një klithmë shpirti të tillë?
Vetëm mendimi veshi me rimë
dhe e pikoi zemra
pikë të nxehtë.
 
Por heshtja jote një kornizë e zezë
që ndjesitë e mia të padukshme burgos.
Poezia ime e bardhë, klithma ime e pashkruar.
Poezia ime e bardhë,
heshtja ime e padurueshme.


NËNA

E nënës sime
dora e majtë
më tregoi demonët
t’i vështroja në sy.
Mposhti frikën time.
Me dorën e djathtë
më mësoi
si të mbaj në sytë e mi diellin.
 
Të nënës sime
të dy duart,
sa më shumë rritesha, zvogëloheshin
dhe më shtynë të bëja tutje.
Më hidhnin lëmshin
fundin e tij të gjeja.
Duartrokitën
kur preva fillin.
 
I nëns sime
nuk shteroi gjoksi
qumështi i saj i dashur
të shuaj etjen.
Në barkun e saj
ende akoma gjallë
pothuaj gjysmë shekulli
në placentë.
 
I nënës sime
u çiftëzua urimi:
Nëse bëhsh nënë
vetëm atëherë do të më ndjesh.

Exit mobile version