Kreu Letërsi Bibliotekë Dr. Jorina Kryeziu: Grahmat e Fundit të një identiteti (Mbi strukturën binare...

Dr. Jorina Kryeziu: Grahmat e Fundit të një identiteti (Mbi strukturën binare të novelës “Katundi me gjuhë të fshehtë”)

Novela Katundi me gjuhë të fshehtë, e shkrimtarit Martin Camaj, trajton problemin e shuarjes së identiteteve të vogla, i cili në vetvete mbetet një problem universal. Shuarja e një identiteti në vepër shprehet artistikisht përmes thukëtisë së prozës dramatiko-tragjike, përftesës moderniste të strukturës binare të saj, si dhe trajtave e shtresave të ndryshme simbolike e alegorike. Dy objektet kryesore të aktit narrativ: katundi dhe gjuha e fshehtë, do të bëhen prijëse të strukturës binare, të udhëhequr prej dikotomive[1]. Metafora hapësinore e katundit ngrihet në përmasë kryesore konceptuale, si një mënyrë e marrëdhënies vendas – i huaj, si referencë e përhershme midis identitetit dhe lashtësisë. Imazhi i dyfishtë i këtij katundi fizik dhe narrativ krijon një hapësirë polimorfe, e, mbi të gjitha, një territor të gjuhës dhe të fiction-it.

Katundi – vendi “i lëshuem”/ i braktisur dhe gjuha e fshehtë – e fshehur ndër male, pranëvihen dikotomiveqë gjallojnë në tekst, disa syresh përmendim: katund – gjuhë/ katund → varrezat e vjetra; i huej – vendas/ vendas i parë – vendas i dytë/ vendas – ardhacak/ i huej → gjurmues/ i huej → dijetar/ i huej → Shtrigan; veri – jug/ bjeshkë – vërri/ nalt – poshtë; grueja → Mordja (vdekja)/ Flora → Mordja (vdekja) etj. Gjithë dikotomitë duket se orientohen brenda së njëjtës hapësirë, për të zënë një vend përcaktues dhe shënjues të një hapësire ​​të veçantë, thuajse të paarritshme. Katundi, ky “objekt” hibrid, kjo hapësirë që gjendet e përjashtuar nga bota, si një ishull gjuhësor i fshehun e i pakuptueshëm e, fatkeqësisht, në fund të rrëfimit për t’u zhbërë në një vend varrezash të vjetra, ndërsa Flora/grueja/ish-e dashura në Mordje (vdekje). Kjo qasje e dyfishtë, shënon, nga njëra anë, dëshirën për të zbuluar rrënjët e origjinës (“Dikush më tha buzë detit se këtu, në këtë katund, flitet një gjuhë që ndoshta-ndoshta e kuptoj… s’po due me thanë se pres të jetë gjuha ime amtare!”, f. 280); dhe, nga ana tjetër, për të kumbuar gjendjen kritike dhe problemin e shuarjes së identitetit/ zbrazjes së katundit (“Mbas asaj maje atje gjindet një vend që ashtë ashtu fill e për pe si po tregon i hueji, por ai nuk ashtë katund. Janë varrezat e vjetra!”, f. 293).

Martin Camaj pohon zgjedhjet e tij estetike, ofron një reflektim për të huajin dhe përfaqësimin e tij identitar. Ai eksploron të njohurën e harruar, tashmë të panjohur, dhe ndërton një pasqyrim të skicuar mbi të huajin dhe mbi katundin me gjuhë të fshehtë, përmes një ligjërimi demonstrues. Përvoja e takimit – vendës / i huej – shpalos hapësirën e saj të rrezikshme. Rreziku i shuarjes së këtij katundi vështirë se mund të fshihet pas gërshetimit të shkrimit fragmentar, piktoresk po dhe eliptik. Thelbi dhe kuptimi do të na drejtojë te dikotomitë me fill udhëheqës humbjen e identitetit, më konkretisht atij arbëresh: “…merrnje me mend se çfarë pasunije shpirtnore janë tue na humbë, këtu para sysh!” (f. 291). Gjuhëtari Androkli Kostallari, në një dokument të vitit 1973, shprehet se Martin Camaj po regjistronte me magnetofon të folmet arbëreshe: “Ka disa çështje emergjente, që duhet t’i ndërmarrim, një prej tyre është regjistrimi me magnetofon i të folmeve që po zhduken, tek arbëreshët…”[2]. Madje, disa prej punimeve të tij në fushë të dialektologjisë janë të folmet e disa prej fshatrave arbëreshe, përfshirë këtu edhe të folmen e Grecit (Katundit)[3]. Katundi i novelës mund të ketë shenja të një areali të njëmendtë, të cilin vetë Camaj jo vetëm e kishte shkelur, por edhe e kishte vendosur në prioritet të studimeve dialektore. Kujtojmë se personazhi, një i huej, udhëhiqet nga vendasi, që i tregon qysh në krye të herës, se: “Ata atje nalt flasin si ju” (f. 265), e madje “Çdo vjetë më thoni të njëjtën gja: ata atje nalt flasin si ju” (po aty). “… në fund të zemrës rrekem gjithnjë me mendimin që të bjerë puna me u ngjitë te katundi ku u flitka një gjuhë që unë e kuptuekam” (f. 270). Kjo gjuhë e këtij katundi “të fshehun pas majës”, krijon pluralitet gjurmësh identitare, duke marrë disa trajta përgjatë linjave narrative, konkretisht: gjuhë e fshehtë, gjuhë e huaj, gjuhë e posaçme, gjuhë që unë e kuptuekam, gjuhë tjetër, gjuhë e kuptueshme, gjuhë që ndoshta e kuptoj, gjuha ime, gjuha e fshehtë e të parëve, gjuhë e fshehtë apo e pakuptueshme prej treguesit, gjuhë amtare etj. Për zgjidhjen e çështjes mbi fshehtësinë apo kuptueshmërinë vs. pakuptueshmërinë e kësaj gjuhe, Camaj ngarkon një të huej → gjurmues → dijetar → Shtrigan (një alterego të vetën), i cili “pati ardhë për të mbledhë landë mbi emigrimin e banorëve nga vendet pasive, ndër male, në shmang” (f. 290). “Si ta kishit pa me çfarë vullneti e dashunie mblidhte gjithçka që ndëgjonte nga folklori, thanjet popullore, deri te formula mëngjie! Për këtë ne ia ngjitëm mbiemrin Shtrigan…” (f. 291).

Ngjarja e takimit të dy të dashuruarve të dikurshëm, si një takim me Tjetrin/ Huajin, i dalë në befasi, qëndron në harmoni të distancës dhe të shkëputjes së marrëdhënieve, kthimin e pamundur dhe tronditjen. Çdo takim me Tjetrin shndërrohet në njohje të vetvetes. Kodi emocional i dy të dashuruarve krijon intimitet dhe shërben për njohjen e proceseve stilistike, të cilat mbështeten në vlerat identitare. Dinamika narrative shpaloset në formën e një renditjeje të njëpasnjëshme episodesh, me theks në dialogët e koduar dhe në ndërveprimin e dy karaktereve protagoniste, përgjatë të cilëve zbulohet struktura binare e novelës. Ndjenja e vazhdimësisë përbën një nga pikat kyçe të rrëfimit dhe zbërthehet në tri faza: dëshira për njohjen “përtej”, rikthim tek e kaluara dhe njohja e vetvetes përmes kontaktit me Tjetrin. Vetë Camaj ka qenë i rrezikuar në identitetin e tij letrar, për shkak të shkëputjes së gjatë nga atdheu, e ky rrezik do t’i vinte nëse nuk do të shkruante shqip. Edhe novela në fjalë duket se udhëton nga shumë larg, në harresë, por në të njëjtin tekst ku strukturohet Harresa pavetëdijshëm skalitet Kujtesa[4]. Kësisoj, Katundi me gjuhë të fshehtë nuk është gjë tjetër veçse një udhëtim në të tashmen, për të ruajtur identitetin dhe memorien kolektive.


[1]  Kujtojmë se Hans-Joachim Lanksch në librin Martin Camaj, ende i pazbuluem: shkrime, kujtime dhe intervista (Tiranë: Albas, 2017), e cilëson Martin Camajn si poetin e dihotomisë”: “Në jetën e Martin Camajt kishte plot kontraste, shpeshherë përjetonte kontradikta, thyemje dhe të qenët mes dy botnave.”.

[2]  Shih: https://shqiptarja.com/lajm/kostallari-nbsp-martin-camaj-po-regjistron-br-me-magnetofon-t-euml-folmet-arb-euml-reshe

[3]  Shih: CAMAJ,Martin(a cura di) RACCONTI POPOLARI di Greci (Katundi) in Provincia di Avellino e di Barile (Barili) in Provincia di Potenza, Roma: Università di Roma, 1972. Kujtojmë se në vitin 1991, komuna e Katundit i akordoi Martin Camajt titullin “Qytetar nderi”, shih: BREU, Walter; SASSE, Hans-Jürgen. “Vepra shkencore e Martin Camajt në fushën e gjuhësisë”, në: Hylli i Dritës. – Nr. 3, 2008

[4]  Sipas shkrimtarit Agron Tufa, “këmbimi i gjuhës me ish-të dashurën dhe mandej, zhgënjimi i dyfishtë prej të dyjave ka sjellë në vetëdijen e personazhit ‘kundërshtimin e kujtesës’”, shih:TUFA, Agron. “Përjetimi traumatik i kohës te Martin Camaj: mbi novelën Katundi me gjuhë të fshehtë – analizë dhe interpretim”. – Në: Pasqyra e t’rrëfyemit,Tiranë: Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, viti III, nr. 6–7, korrik–dhjetor 2017/ janar–qershor 2018, f. 142

Exit mobile version