Të premten e të shtunën e kaluar, më 29 dhe 30 prill 2026, një kuintet harqesh që herë transformohej në kuartet, herë në trio, e herë në duo, dhanë dy koncerte në dy ambiente jo posaçërisht koncertorë, por duke i kthyer këto ambiente në një kupolë rezonance tingëllimi të mahnitshme. Pra nuk ishin sallat por loja e këtij ansambli mjeshtëror që bënë që ai publik i posaçëm të mos pipëtinte për gjatë gjithë ekzekutimit, madje edhe ndonjë e kollitur e veçuar që edhe pritej të ndodhte, në këtë koncert çdo gjë dukej si e ngrirë. Ishte magjia e muzikës që përçohej.
Programi i të premtes përmbante një repertor disi jo të zakonshëm për një mbrëmje me muzikë dhome. Jo të zakonshëm në kuptimin e ndërthurjes të programit mes muzikës barrok të Bach-ut dhe ato të hungarezit György Kurtág (lindur më 1926), amerikanit John Cage (1912-1992), greko-francezit Iannis Xenakis (1922-2001), dhe austro-çekut Erwin Schulhoff (1894-1942). Të katër këta kompozitorë janë emra të njohur të muzikës bashkëkohore të shekullit XX. Nuk kishte si të përzgjidhej më pëlqyeshëm për të përfshirë një gamë kaq të gjerë kompozitorësh perëndimorë, me stilet e tyre të veçantë, sa tipike për gjithsecilin aq dhe përgjithësuese për vendet që përfaqësonin. Në se Bach-u u prezantua jo me muzikën e tij përfaqësuese për harqe siç janë Koncertet Brandenburg-eze e të tjera vepra shumë të njohura të kësaj fushe, por me dy korale të përshtatura për kuartet harqesh, të cilat ishin arranxhuar me një profesionalizëm të shkallës së lartë, por që arranxhuesi kishte preferuar të mbetej anonim.
Ndërkohë, Kurtág me veprën e tij “Signs, Games and Messages” për trio harqesh, u transmetua me një delikatesë të skajshme nga ana e Abigél Králik (violinë) , Timothy Ridout (violë) dhe Timotheos Gavriilidis-Petrin (cello) duke nxjerrë në pah jonet e Bartók-ut e Webern-it, vepër që u karakterizua nga loja e ngjeshur dhe forca e tingullit për t’i lënë vend frymëmarrjeve dhe pauzave aq shprehëse e aq të ndjera.
John Cage me kuartetin e tij “Quietly Flowing Along” luajtur këtë radhë nga Abigél Králik, Jonian Ilias Kadesha (violinë), Timothy Ridout dhe Timotheos Gavriilidis-Petrin, shpalosën, nga njëra anë, një lojë të ndezur deri në hipnozë që ndërkohë evokonte ndjesi të muzikës mesjetare, e pleksur kjo, nga ana tjetër, me nuanca filozofike të përcjella me një qetësi gati olimpike emocionale.
Dhipli Zyia nga Iannis Xenakis ishte vepra e shkruar më 1951 që u transmetua nga një duo instrumentale, violinë dhe cello, Jonian Ilias Kadesha dhe Vashti Hunter (cello). Është nga veprat e hershme të aq të njohurit Xenakis, aq shumë e frymëzuar nga tradita ballkanike dhe stilet foklorike të udhërrëfyesit Béla Bartók. Dhe nuk kish se si që Joniani dhe Vashti mos e ndjenin deri në qelizë këtë muzikë me modet e saj vendore dhe me ritmikën aq përfaqësuese të gadishullit ku jetojmë. Loja e tyre u kthye në një ndjesi rrënqethëse.
“Pesë pjesë për kuartet harqesh” (1923) ishte vepra gjithplanëshe e Erwin Schulhoff, që me vetëdije instrumentistët e kishin lënë për në fund. Kuarteti u luajt nga Jonian Ilias Kadesha, Abigél Králik, Timothy Ridout dhe Vashti Hunter. Vepra të jepte një kënaqësi të vërtetë emocionale dhe intelektuale. Ndjeheshin në të gërshetimet e vallëzimit barrok me muzikën folk të viteve 1920. Vepra i është kushtuar kompozitorit francez Darius Milhaud dhe shfaq një gjendje të veçantë pleksjesh mes modernizmit dhe gjuhës aq personale të Schulhoff-it. Kuarteti i instrumentistëve shpalosi tërë atë arsenal ndjenjash, larmie tingëllimi që nga pianissimo-t sugjestionuese deri tek fortissimo-t aq të fuqishme e madhështore.
Koncerti tjetër i një nate më pas, në një tjetër sallë e me një tjetër akustikë tingëllimi më pak rrethore (rotonde), shpalosi dy vepra nga më të fuqishmet e muzikës për kuartet të kompozitorëve Anton Arenski dhe Franz Schubert.
Kuarteti Nr. 2 në La minor, Op. 35 (1894) i Anton Arenskit njihet të jetë homazhi me aq përkushtim ndaj mentorit dhe mikut të tij të ngushtë, Pjotër Iliç Çajkovski. Është kompozuar në mënyrë të pazakontë për një kuartet, kësisoj për violinë, violë dhe dy violonçela (në vend të dy violinave). Ku më mirë se këtij ansambli muzikantësh i përshtatej ky formacion. Që të pestë tingëllonin si një qenie e vetme, me timbrikë të barabartë, me balancë të barabartë, me ndjesi të barabarta, një tingëllim të tillë kisha kohë që nuk e kisha ndjerë. Koha e parë, Moderato, përçoi më së bukuri tingëllimin e kuartetit, me atë atmosferë sa të zymtë aq dhe solemne. Një psalm karakteristik kishtar, me ton funerali, që Arenski qe aq i përkushtuar gjatë gjithë jetës së tij. Roli i dy violonçelave në këtë kuartet ishte si për të theksuar ato baset apo tonet e thella aq karakteristike për koralet ruse. Koha e dytë përbëhej nga variacione mbi një temë, Legjenda, të Çajkovskit. Kjo kohë, mund të thuhet, ishte qendra emocionale e të gjithë kuartetit. Koha e tretë, Finale (Andante sostenuto – Allegro moderato) të rikujton atmosferën e zymtë të fillimit, për tu shndërruar më pas në mënyrë dramatike në një atmosferë të fuqishme të një kënge popullore ruse. Loja e të katër muzikantëve ishte sa e gjallë e virtuoze aq dhe e kontrolluar në atë tingëllim të mirëfilltë simfonik orkestral.
Koncerti i dytë përfundoi më veprën aq madhështore të Franz Schubert-it, Kuintetin për harqe në Do maxhor. Këtë radhë që të pestë ishin pjesëmarrës me të njëjtën vepër, nisur nga Jonian Ilias Kadesha, Abigél Králik, Timothy Ridout, Timotheos Gavriilidis-Petrin dhe Vashti Hunter. Pesë muzikantë të një potence muzikore me të vërtetë të lartë, të standardeve europiane, botërore. Ky kuintet i Schubert-it njihet si nja nga kryeveprat më të mëdha të muzikës së dhomës. Vepra përshkohet nga shtjellimi i vazhdueshëm emocional dhe bukuria sublime lirike. Që të pestë muzikantët ishin sa në kontroll të tingullit aq edhe shpërthyes si për të krijuar atë gjendje emocionale diku midis ankthit dhe ekstazës. Që në Kohën e parë muzikantët dhanë një tingëllim sa të brendshëm aq dhe triumfues, ku akordet misterioze spikasnin në mënyrë të veçantë. Koha e dytë, Adagio, u përçua me solemnitetin e natyrës së himnit, kaq i nevojshëm për këtë muzikë dhe që njihet si nga më të veçantat e muzikës klasike. Koha e tretë, Scherzo: Presto – Trio: Andante sostenuto, u përshkua nga një energji e pashoqe. Koha e katërt, Finalja, Allegretto, me një karakter të fortë hungarez por edhe cigan, u shqua nga shpërthime të befta e ritme nxitëse të vallëzimit. Ndjehej në të edhe sharmi elegant vjenez ku që të pesë instrumentistët shpalosën anën më të kultivuar të kulturës interpretuese duke qëndruar me aq shije në akordin aq të njohur disonant për të përfunduar qëndrueshëm në tonalitetin bazë të veprës.
Ndjesë për këtë shtjellim kritik tepër teknik muzikor të këtyre dy koncerteve por e gjeta të udhës të ishte e vetmja mënyrë të mund të evidentoja privilegjin e rrallë që patëm të dëgjonim një koncert të tillë.



