Shpeshherë revolucioni apo risia përkufizohen gjerësisht si gjetje apo ndodhi të bujshme të cilat si me ceremoni globale ndryshojnë botën dhe njerëzimin, por historia na mëson se e vërteta qëndron ndryshe. Revolucioni dhe risia nisin me perceptimin. Zbulimi i një qasjeje të re ndaj kornizimit mendor kolektiv. Rilindja revolucionoi botën me zbukimin e perspektivës (thënë fare thjeshtë: pema që është më afër duket më e madhe se ajo që ndodhet larg, apo rruga duket më e gjerë kur e shohim nga afër ndërkohë që shfaqet thjesht një pikë kur është larg.) Isak Njutoni zbuloi gravitetin. Forca e gravitetit ka ekzistuar gjithmonë por iu desh rënia e një molle nga pema që t’ia ndriçonte mendjen e shkenca të mos ishte me e njëjtë. Kështu edhe me ndarjen e atomit apo me teorinë e relativitetit, e shumë të tjera.
Në vitet e fundit të regjimit diktatorial komunist në Shqipëri, në vitin 1986, Gazmend Leka, me bojë e penë, shpërtheu kornizimin skllavëror të injektuar prej gjysmë shekulli, përmes ilustrimeve të tij të “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit. Aq i fuqishëm ish ai shpërthim konjitiv sa shumë e shumë shqiptarë nga brezi i asaj periudhe, përfshirë edhe mua, u formësuan më të çliruar, më të ethshëm për të përtejmen metafizike, më krijues, më kërkues dhe mbi të gjitha më të lirë, edhe pse të rrethuar me gjergje fizike, artistike dhe politike. Shumë e shumë intelektualë, artistë e mendimtarë të sotëm, janë kultivim i atij universi të pashtershëm të ilustrimeve të Gazmend Lekës, që jo vetëm përmbushi e pajtoi mrekullueshëm penën e Kutelit, por solli një dimension të ri nga përbrenda individit. Leka u bë pikënisja e një çlirimi të brendshëm kombëtar duke thyer vargonjtë mendorë që do shoqërohej më pas me lirinë fizike përmes rrëzimit të regjimit.
Në traditën e ilustrimit të librave folklorikë shqiptarë, imazhi ka shërbyer zakonisht si shoqërues narrativ i tekstit, duke riprodhuar skena, personazhe dhe episode sipas një logjike përshkruese. Kjo qasje, edhe kur ka qenë estetikisht e suksesshme, ka mbetur e lidhur me idenë e ilustrimit si pasqyrim. Ilustrimet e Gazmend Lekës për “Tregime të moçme shqiptare” shënuan dhe vazhdojnë të përfaqësojnë një kthesë të qartë nga kjo traditë: këtu ilustrimi nuk pasqyron rrëfimin, por e problematizon atë.
Në një periudhë kur librat e artit ishin privim për shqiptarët, Leka integroi perspektivën atmosferike të Botiçelit. Shihni kokën, duart dhe këmbët e vogla të figurave, të cilat me masat e mëdha apo të tejzgjatura trupore, shfaqen madhështore, ndërkohë edhe pse rrëzojnë rregullat epokale të porpocionit trupor, artistikisht paraqiten fuqishëm dhe kanë zë kushtrimi. Ilustrimet janë teatrale, ftuese në veprim, dramatike, me pozicionim natyral e jo të stisur porsi kompozimet e Karavaxhos. Kuajt me kalorësit në fluturim thyejnë rregullat e normales e përthithin të pandërgjegjshmen brenda një realiteti përrallor. Kontrasti i ekzagjeruar mjeshtërisht i masës midis heroit dhe një shkëmbi apo sfondi të sfumuar integron si Velaskes ashtu edhe Zhak Lui David. Figurat që shpërthejnë nga pikat këndore të poshtme shpalosin atributet e El Grekos. Ndërkohë gjarpërinjtë apo përbindëshat qasin pëmes një koncepti të ri veprën skulpturore antike “Laokondi dhe bijtë e tij”. E dukshëm kemi edhe një “La Pieta”, te ilustrimi “Rina dhe Radhavani.”
Te të gjitha ilustrimet e Lekës janë të mishëruara misteret dhe risitë e artit të kulluar. Shikojini me kujdes e do kuptoni që herë do gjendeni një obzervues i shtrirë përtokë si te “Skënderbeu dhe Ballabani” apo “Turku rrëmbeu një arbëre”, herë në anën këndore si te “Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut”, herë i ulur në lozhën e një teatri, si te “Shega dhe Vllastari” e herë një vojer i fshehur nga terri i natën mbi një kodrinë si te ilustrimi “Ajkuna qan Omerin.” Ilustrimet pluskojnë në kohë të pakoha e po ashtu pluskon edhe shikuesi nga njëra skenë te tjetra. Udhëtim mrekullor skenik, dhimbshor, guximtar, dramatik, e padyshim besnor.
Pavarësisht elementëve epokalë të trashëguar nga kolosët e artit botëror, të cilët kanë ndërtuar qenien e çdo artisti apo krijuesi, Leka transmeton notat shqiptare, të moçmen e traditave dhe sentimentin tonë kombëtar, duke i bërë këto ilustrime të pakrahasueshme e të patjetersueshme.
Gjithashtu, te ilustrimet bie në sy një zgjedhje themelore estetike: figura njerëzore nuk është kurrë e vendosur në një hapësirë neutrale. Ajo është gjithmonë e rrethuar, e kërcënuar ose e mbingarkuar nga forca që e tejkalojnë. Te ilustrimi “Rozafati” figura femërore shfaqet e rrëzuar, e shtrirë në një pozicion të brishtë, ndërsa mbi të ngrihen masa trupash gjigantë, pothuajse pa identitet individual. Këta trupa duket sikur nuk janë personazhe konkretë, por mishërime të peshës kolektive, të fatit apo të dhunës mitike. Kompozimi vertikal e shtyp figurën poshtë, duke krijuar një ndjenjë të fortë nënshtrimi ekzistencial. Këtu Leka ilustron një gjendje themelore të mitit: pafuqinë e njeriut përballë forcave që nuk i kontrollon. Pafuqinë, edhe pse të vullnetshme, të pikëmbërritjes së misionit njerëzor apo heroik.



Në ilustrimin “E bija e hënës dhe e diellit” heroi përballet me krijesa gjarpërore dhe hibride, dinamika vizuale ndërtohet mbi rrethimin. Trupat e gjarpërinjve formojnë një hapësirë mbyllëse, pothuajse klaustrofobike, brenda së cilës figura njerëzore mbetet e vogël, por jo e zhdukur. Heroi mban armën dhe mburojën, por qëndrimi i tij nuk është triumfues; është i tensionuar, i vetëdijshëm për disproporcionin mes vetes dhe së keqes që përfaqësojnë këto krijesa. Këtu risia e Lekës qëndron në faktin se miti nuk paraqitet si histori heroizmi linear, por si përballje e vazhdueshme me të panjohurën dhe me frikën.
Në këto ilustrime ka figura që lëvizin diagonalisht, duke thyer ekuilibrin e faqes dhe duke krijuar ndjesinë e një tranzicioni midis botëve. Këto nuk janë thjesht skena fantastike, por metaforë vizuale e kalimit nga e përditshmja në mitike, nga e njohura në të panjohurën. Leka përdor vijën dhe dritëhijen për të ndërtuar një hapësirë mendore, jo një realitet të besueshëm fizik.
Në ilustrimet ku shfaqen figura femërore të ndriçuara, shpesh të rrethuara nga aureola drite ose nga elemente rituale, vërehet një tjetër aspekt thelbësor i qasjes së Lekës: ambiguiteti. Këto figura nuk janë thjesht të shenjta apo të rrezikshme; ato qëndrojnë në kufi. Një fytyrë femërore e ndriçuar mbi një skenë dhune ose rënieje nuk ofron shpëtim të qartë, por vëzhgon, gjykon, ose thjesht ekziston si prani metafizike. Ky pozicion i paqartë i figurës femërore e çliron mitin nga leximi moralist dhe e zhvendos drejt një përvoje ekzistenciale.
Gazmend Leka nuk është zbukurues i “Tregime të moçme shqiptare”; ai i vuri në provë rrëfenjat. Ai i lexoi mitet tona me një sy bashkëkohor, por pa i çmitizuar, pa i ironizuar, pa i reduktuar në folklor dekorativ, por duke krjuar një marrëdhënie mes tekstit dhe ilustrimit në këtë libër përmes një raporti barazie. Imazhi nuk i nënshtrohet fjalës, as fjala imazhit. Ato ecin paralelisht, duke ndërtuar një përvojë estetike komplekse, ku lexuesi është i detyruar të ndalet, të vështrojë, të mendojë. E mbi te gjitha të udhëtojë në kohë e në dimensione. Kjo është ndoshta arritja më e madhe e Gazmend Lekës: krijimi i një koncepti të ri për ilustrimin në artin shqiptar, si hapësirë reflektimi dhe jo si instrument shpjegimi. E përmes kompozimit inovativ për artin shqiptar të kohës, kur figurat ishin ideologjike, statike dhe të pajeta, Leka solli një revolucion mendimi dhe perceptimi.
Në një kohë kur trashëgimia kulturore shpesh trajtohet ose me patetizëm, ose me thjeshtim banal, ilustrimet e Gazmend Lekës për “Tregime të moçme shqiptare” mbeten një alternativë serioze dhe e guximshme. Ato tregojnë se tradita nuk ruhet duke u imituar, por duke u rimenduar. Dhe pikërisht në këtë rimendim qëndron mrekullia e tyre.
Vepra “Tregime të moçme shqiptare” është ribotuar me vëllime të reja e së fundmi është botuar edhe në spanjisht. Por teksa tashmë lexuesit do njihen me tekstin e mrekullueshëm të Kutelit në gjuhë të huaj, ilustrimet e Gazmend Lekës flasin me një gjuhë universale që komunikon me çdo qytetar të botës, në çdo vendndodhje të globit, e në çdo kohë. Kjo është forca e artit të kulluar dhe transformues. Kjo e bën Gazmend Lekën një prej artistëve më me ndikim rrënjësor në të gjithë historinë e artit shqiptar.



