Kreu Muzikë Doug Thomas: Pse jemi ende kaq të marrosur pas muzikës së Mozartit?...

Doug Thomas: Pse jemi ende kaq të marrosur pas muzikës së Mozartit? Çfarë ka Mozarti?

Përktheu Jola Tasellari

Muzika e Mozartit të mahnit. Shpesh, emri i tij është sinonim me atë të një gjeniu muzikor dhe me gjasë, është kompozitori klasik më i njohur ndonjëherë. Prodhimtaria e tij muzikale dhe jeta e jashtëzakonshme, duke përfshirë dhe aftësinë muzikore, kanë qenë objekt i shumë studimeve, librave, dokumentarëve dhe filmave. Fëmijët gjenialë të muzikës klasike nuk janë të paktë: Bethoven, Brahms, Saint-Saëns janë tri fëmijë gjeni të tjerë të njohur. Jeta veçanërisht e shkurtër dhe e re e Mozartit ka qenë po aq “rock’n’roll” sa ajo e Majkëll Xheksonit, i cili ndonëse në botë tjetër muzikore, ka mjaft ngjashmëri me kompozitorin austriak. Në moshën kur fëmijët ende mësojnë si të shkruajnë e lexojnë, Mozarti ishte duke bërë turne dhe dihet se para moshës 10 vjeçare, kishte kompozuar më tepër se mjaft kompozitorë gjatë jetës së tyre, përfshi këtu dhe simfonitë e tij të para.

E gjithë kjo e bën atë të admirueshëm për të tërë, veçanërisht për ata që nuk janë muzikantë, tek të cilët talenti i tij mbetet një mister, gati hyjnor. Për muzikantët ama, për ata që e kuptojnë gjuhën e muzikës, ai mbetet goxha magjepsës, e më pak hyjnor. Por atëherë, çfarë e bën Mozartin kaq tërheqës tri shekuj pas vdekjes, dhe më shumë se kompozitorë të tjerë të suksesshëm?

Shumë aspekte të jetës së Mozartit kanë kontribuuar në formësimin e legjendës mbi personan e tij, si fillim me emrin: Johannes Chrysostomus Wolfgangus Theophilus Mozart, njohur ndryshe si Wolfgang Amadeus Mozart, Amadeus, mik i Zotit, ai që e do Zotin.

Së dyti është aspekti i një fëmije gjeni; i ati i tij, kompozitor, muzikant dhe mësues, ia dalloi talentin Mozartit dhe së motrës qysh herët në fëmijërinë e tyre, dhe shpejt i shndërroi të dy në muzikantë madhështorë, duke i futur që të rinj në një jetë me praktika muzikore, turne dhe kompozime. Thuhet se kompozimin e parë Mozarti e bëri kur ishte katër vjeç, dhe deri në moshën tetë vjeçare kish’ shkruar simfoninë e tij të parë.

Gjithsej, Mozarti kompozoi mbi gjashtëqind punë në tridhjetë e pesë vite jetë. Edhe vdekja e tij ka qenë shpesh e mitizuar, veçanërisht në kontekstin e punës së tij të fundit; një rekuiem, një muzikë liturgjike për të vdekurit, e pambaruar dhe e porositur në fshehtësi.

Pastaj nga ana tjetër, sigurisht që është Mozarti me personalitetin e tij ekscentrik; me (atë që do të quhej sindroma e Piter Panit) sjelljen e tij fëmijërore dhe gati trazovaçe, në kontrast me muzikën e tij hyjnore dhe që është portretizuar kaq shkëlqyer në filmin “Amadeus” nga Milos Forman.

Fama e Mozartit u theksua edhe nga pasardhësi i vet, vetë Bethoven, një tjetër gjeni muzikor, me adhurimin dhe mbështetjen për muzikën e tij. Kompozitori gjerman pesëmbëdhjetë vite më i ri se Mozarti, ndoqi hapat e tij…

Megjithatë, kur dëgjojmë me vëmendje muzikën e Mozartit, mbresat janë më se të ndryshme. Po, është muzikë e shkëlqyer, e kompozuar në mënyrë fantastike, e ekuilibruar, elegante, reflekton personalitetin e vetë kompozitorit dhe të kohës që ka jetuar, por në krahasim me gjeni të tjerë të akademisë muzikore, si për shembull Bethoven sërish, është shumë e thjeshtë, gati përsëritëse, me strukturë të ngjashme dhe me ide e mjete muzikore të ndërfutura përmes pjesëve.

Përfundimi është i thjeshtë, ndonëse gjenial. Mozarti nuk mund të shihet si ai që krijoi rregullat, siç bëri Bach, apo një revolucionar si Bethoven. Thënë ndryshe, Mozarti nuk shpiku apo rishpiku rrotën; ai e vuri në punë dhe e drejtoi atë, dhe e ka bërë pa diskutim shkëlqyeshëm. Nëse duhet shembulli i një kompozitori që përdori rregullat dhe traditën muzikore të kohës siç duhej, ai është shembulli vetë. 

Kush dëshiron të kuptojë çfarë është muzika klasike, ajo e periudhës klasike, atëherë duhet të dëgjojë Mozartin dhe vetëm Mozartin. 

Përgjatë paragrafëve është e pamundur për të mos e vlerësuar rolin e Mozartit në zhvillimin e zhanrit të operës përmes sjelljes së subjektit dhe temave të njerëzve të thjeshtë dhe shoqërisë, larg mitologjisë dhe njeriut urban të koncerteve, përmes gjetjes së ekuilibrit ideal mes orkestrës dhe solistit, brenda trajtës së sonatës. 

Pra, pse është muzika e Mozartit kaq e famshme? Epo, për të njëjtat arsye që është e famshme edhe muzika e Bob Dilanit; është e thjeshtë, e kuptueshme, e arritshme, e njohur dhe trajton ide që i prekin të gjithë, për shembull operat e tij. Ajo nuk synon progresin muzikor dhe risitë duke e nxjerrë dëgjuesin nga zona e vet e rehatisë. Është melodioze dhe melodia është çelësi i muzikës simfonike. Së fundmi, ka interes muzikor. Pas kësaj thjeshtësie të dukshme, Mozarti do ta stërpikte muzikën e tij me ca befasi muzikore e kthesa. Ai është më se i njohur për përdorimin e teknikës së kromatizmit në kohën kur kjo ende konsiderohej si disonancë, dhe vetëm dy shekuj më parë, Charlie Parker dhe Dizzy Gillespie, e përdorën si themelin e krijimit të xhazit bebop!

Exit mobile version