Kreu Letërsi Bibliotekë “Dimër në prishtinë”, poezi nga Etleva Durmishi

“Dimër në prishtinë”, poezi nga Etleva Durmishi

Kafe mëngjesi

Mëngjesi zbrazet në filxhan
dhe dozë e fortë e kafesë
humbet kuptimin e hershmërisë para orës së saj!
Dielli i hershëm bie butë mbi te,
dhe poaq butë ndeshen nxehtësitë
duke bërë të dukshëm
pamjen e patrajtë të avullit të saj
që s’duron veten brenda në gotë!
Avulli…
Duket poaq i ngatërruar, i ngadaltë dhe i lehtë
sikur mendime njerëzish në këtë orë
që gjejnë depërtim
në shtresën e mbetur të kafesë
kur ikim,
lëmë prapa këtë cast
për të kapur ditën më gjithë forcën e gëlltitur.


Natyra

Natyra u krijua nga fuqi e ngjyrës
dhe çdo element përbërës i saj bashkëvepron
për t’u pasqyruar në spektër hyjnor
e për të jetësuar pasurinë kromatike
… veç për qejfin e saj.
Është ky ritëm, dhe kjo
madhështi estetike
që kushtëzon ekzistencën e natyres
e që rezervojnë spektaklin e tyre
veç në hapësirat e paana
e në puçjet me horizontet
ku nuancat bëjnë lojën e tyre më të çmendur
dhe ku, jo rastësisht, njeriu gjen më së paku
frekuentim
…Dhe ne e dijmë se
çiltërsia natyrore është dehje nuancash të brishta
Por e gjithë ç’mungon
është
ndjeshmëria më e theksuar e njeriut ndaj ngjyrës
që do ta bënte atë më njerëzor,
dhe t’ia lejonte botës vitet që ajo ia ka premtuar
vetes!


Pikturë në varg

Dielli duket se perëndon
Por në fakt, shpërthen në nuanca hyjnore
dhe fton errësirën të vijë me ngjyrat e saj
Me gjithë gërshetimet e fshehura
që natyra
nuk ia ka lejuar ditës gjithë shkëlqim.


Dimër në Prishtinë

Dimri vjen për të nderuar kohën e vet
apo ndoshta koha mirëpret saktësinë dimërore?
Por bora,
këtu,
vjen për të dëshmuar madhërishëm
mosbindjen e saj,
Ajo vjen të shfaqë guximin për të shpërfillur kohën
e saj në këtë stinë…
E, sikur të mos mjaftohej,
vjen edhe si një madhështi
që pëlqen të thyeje rregullin,
të mashtroje me bukurinë e rënies së parë
e më pas,
të na godasë në llohë e ashpërsi të bardhë
duke refuzuar të qëndrojë mbi çatitë
e mbi gjithçka tjetër që i premton mbështetje,
e që nuk kupton mosbesinë e saj.
Ajo refuzon të shpenzojë mbi ne
magjinë e saj,
si protestë ndaj rrëmujës urbane
dhe ngulfatjes me të cilën ky qytet,
i përgjigjet!


Arti abstrakt

Arti abstrakt është ngutia e të ngurtësuarit
të ndjenjës,
e kushtëzuar nga kjo e fundit
që t’i ruajë fshehtësinë rrëmbyese.
Është ndjenjë
që do të përfaqësohet nga format
sepse forma përcakton ndjenjën
Është ndjenjë
që do të godasë me shumëngjyrshmëri
sepse ndjenja është nuancë.


Poezia

Poezia është
një operacion i suksesshëm
matematikor
Është domosdoja e shumëzimit të perceptimeve
dhe e pjesëtimit të tyre me ndjenjë
Rezultati,
natyrisht,
është pikëtakimi ynë më sfidues
me veten tonë.


Balade Hijesh

Mugëtira pllakos mbrëmjen
ngre skeptrin mbi kalldrëm
trupa hijesh ecejake
pasqyrojnë të çrregullt këtë skenë.

Hapa të qetë plot gjurmë prapa
që zvarrisen porsi zhivë
ndërrojnë anë, kapin pemë
ikin, shihen, vejnë e vinë.
Kjo dritë e lehtë hëne,
seç bie mbi hijet harbuese
po sa të shpejta e misterioze
pushtim kërshërie verbëruese.


MUZIKE

Muzikë,
pafundësi tingujsh që huazojnë
harmoninë e munguar,
të neglizhuar,
…apo të menduar për diç tjetër!
Tinguj e melodi,
që kanë ligjet e saj
dhe harmonisë i japin zë,
ndërkohë që ajo vet mbetet e panjohur
por të shumtët
me ngulm e rikrijojnë në mendje
në një kohë të pavendosur…
*
Një përthyerje e pavullnetshme gjethi
ardhur në ballë të forcës së tërësisë
që me presion nuance e forme
do tw ta shtrëngojnë vëmendjen
që të shohësh rrjetëzimin,
ndërlidhjet e frymes,
e të jesh dëshmitar i formulës jetësore
që s’i duhet zgjidhje
por vetëm një pamje e plotë e saj.
Aty,
pjesëzat e gjethes
hemisfera të mbërthyera
në besë të jeshiles,
mbahen nga fijëza delikate
madje aq delikate,
sa të nevojitet forcë shtesë për t’i këputur.
Të mbash përthyerjen mes gishtërinjsh
të pavendosur por të befasuar
nga një strukturë mendore në miniaturë
e zvogëluar, e rikonsturktuar
për t’i përthithur madhështinë
që frymon nga kuptimi i saj.
Dhe ashtu,
pa arritur të dallojë momentin
e ndjesinë,
gjethi bie, për t’u copëzuar
në nder të tërësisë natyrore
që e kthen serish tek vetja.
Vjeshta,

Emërtim i padenjë stine?
Vjeshtë,
Kjo orë kur natyra
Dehet në pleqërinë e vitit
Në përpelitje të vetvetes
Por… të jetë stinë?
Është aq paqëndrueshme
në shtrirje, aq e paqartë…
Më saktë,
Është një betejë përplasjesh
mes verës që kaloi
dhe dimrit që përfton…
Një periudhë kalimtare
që godet në vazhdimësi,
Një betejë
që përkthehet në pritje
Pritje,
në një pikë ku
stina në zbrapsje nuk dorëzohet
dhe piqet besimi
se një ardhje e papritur e acarit
është shumë afër, por s’po duket…

Photo by Ralph Darabos on Unsplash

Exit mobile version