Shtëpia Botuese “Editura A”, (ALAR) Craiova, sjell për lexuesin rumun romanin “Në kohën e britmës”të shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti, në një botim të ri në gjuhën rumune, pas botimit të tij nga Shtëpia Botuese Onufri në Tiranë, në vitin 2026.
Përkthimi i librit është bërë nga përkthyesja e mirënjohur rumune Cătălina Frâncu.
Ky botim përbën një tjetër hap të rëndësishëm në njohjen dhe përhapjen e letërsisë shqipe në hapësirën kulturore rumune, si dhe në forcimin e lidhjeve letrare e kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë.
Visar Zhiti është tashmë një autor i njohur për lexuesin rumun. Gjatë viteve, ai ka botuar gjashtë libra në gjuhën rumune, poezi dhe romane, duke tërhequr vëmendjen e kritikës së specializuar dhe të publikut. Krijimtaria e tij, e mbështetur në një përvojë të jashtëzakonshme njerëzore dhe letrare, ka gjetur jehonë përtej kufijve gjuhësorë, duke dëshmuar se letërsia kapërcen përvojat kombëtare dhe i flet ndërgjegjes universale.
Romani “Në kohën e britmës” trajton një nga plagët më të thella të shoqërive që kanë dalë nga totalitarizmi: fatin e viktimave, deformimin e kujtesës kolektive dhe instrumentalizimin e vuajtjes në funksion të interesave të reja morale e politike. Është një vepër që kërkon të depërtojë përtej sipërfaqes së historisë, për të zbuluar mekanizmat e harresës, shtrembërimit të së vërtetës dhe shmangies së përgjegjësisë.
Në faqen e pasme të romanit, studiuesi dhe kritiku Luan Topciu shkruan: “Romani ‘Në kohën e britmës’ i Visar Zhiti trajton një nga traumat më të thella të shoqërive posttotalitare: procesin përmes të cilit viktimat pushojnë së qeni të njohura si subjekte njerëzore dhe reduktohen në statusin e instrumenteve – një kapital i thjeshtë moral dhe politik. Kështu, vuajtja deformohet dhe instrumentalizohet për të ndërtuar identitete të reja, me çmimin e shmangies së një përballjeje autentike me të kaluarën dhe të fshehjes së dëshmive të pakëndshme.
Nga kjo çarje e kujtesës lindin ‘fantazmat’ – një rikthim i traumave të shtypura dhe, njëkohësisht, vula e një dështimi etik, ku e kaluara refuzon të shuhet, duke e përndjekur vazhdimisht të tashmen.
Vepra e Zhitit përbën një thirrje të fuqishme për syçelje kundër harresës dhe shtrembërimit të së vërtetës. Stili i dendur dhe polifonik ndërtohet përmes ndryshimeve të papritura të regjistrit: nga rrjedha e vetëdijes dhe dialogu i gjallë, deri te grotesku, autoironia dhe një lirizëm i errët, ku fragmentarizmi i mendimit shndërrohet në një formë estetike të mirëpërcaktuar. Kufiri ndërmjet zërit të narratorit dhe trazimit të brendshëm të personazhit zbehet, duke krijuar një ritëm të fuqishëm, që ndihet deri në palcë, në të cilin fati individual shkrihet në mënyrë të pandashme me dramën universale.”
Me këtë botim të ri, letërsia e Visar Zhitit pasuron më tej praninë e saj në kulturën rumune. “Në kohën e britmës” është një roman që nuk kufizohet në rrëfimin e një përvoje historike, por ngre pyetje thelbësore mbi ndërgjegjen, përgjegjësinë, kujtesën dhe dinjitetin njerëzor.
Promovimi i librit në Rumani do të zhvillohet së afërmi, në një veprimtari letrare dhe kulturore të radhës, sin j:e ngjarje, ku do të jetë i pranishëm edhe vetë autori, Visar Zhiti.
Takimet me lexuesit, studiuesit, përkthyesit dhe përfaqësuesit e jetës kulturore rumune do të jenë një mundësi e veçantë për të diskutuar mbi veprën dhe universin krijues të shkrimtarit.
Botimi i këtij romani është një tjetër dëshmi se letërsia mbetet një hapësirë e përbashkët dialogu ndërmjet popujve, një urë që lidh kujtesat, përvojat dhe kulturat.
Zyra e Shtypit ALAR Qendra Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë.
Craiova, Rumani, Nëntor 2026



